Në 17 vjetorin e vrasjes së 48 shqiptarëve të Kosovës në Suharekë, protestuesit marshuan nga qendra e Beogradit drejt periferisë së Batajnicës ku u gjetën trupat në vitin 2001.
Ivana Nikoliq, BIRN, Beograd
Rreth 30 aktivistë, të udhëhequr nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut (Youth Initiative for Human Rights YIHR) me bazë në Beograd dhe nga lëvizja Iniciativa ime (My Initiative), u mblodhën në qendër të Beogradit të shtunën dhe ecën drejt lokacionit të varrit masiv në Batajnicë për të shënuar përvjetorin e masakrës nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës.
Qëllimi ishte që të tregonin se varri masiv në qendrën e trajnimit policor në Batajnicë ku u gjetën rreth 700 trupa të shqiptarëve të Kosovës, përfshirë dhe viktimat e Suharekës, ishte “vetëm disa hapa larg nga Sheshi Republika i Beogradit”, i tha BIRN-it Jovana Prusina nga YIHR.
“Kjo është diçka që njerëzit nuk e dinë dhe diçka për të cilën nuk flitet [në Serbi],” tha Prusina.
Me 26 mars 1999 nga forcat serbe u vranë dyzetetetë banorë të qytezës së Suharekës në Kosovë.
Dyzetegjashtë prej tyre ishin pjesëtarë të familjes Berisha; 14 prej tyre më të rinj se 15 vjeç, përfshirë dhe dy foshnje, si dhe një grua shtatzanë dhe një grua e moshuar.
Kësaj masakre i mbijetuan dy gra dhe një fëmijë.
Disa nga burrat u vranë me armë, ndërsa të mbijetuarit u futën me zor brenda një picerie, u mbyllën brenda dhe u gjuajtën me granata.
Ata që tregonin shenja jete u qëlluan në kokë dhe u transportuan në një varr masiv në Kosovë, ku u hodhën fillimisht trupat e tyre.
Më vonë, trupat e tyre u rivarrosën në qendrën e trajnimit policor në Batajnicë pasi ishin transportuar nga Kosova gjatë një përpjekjeje të forcave serbe për të fshehur vrasjet.
Policia në sigurim gjatë ngjarjes përkujtimore. Foto: BIRN. |
Prusina tha se një tjetër arsye për këtë ecje përkujtimore të shtunën ishte “rehabilitimi i kriminelëve të luftës që po ndodh tani në Serbi”.
“Tani, kriminelët e luftës po shpallen heronj. Është rasti i Llazareviqit [Vladimiri, ish-zyrtar i Ushtrisë Jugosllave], i cili është kriminel lufte i dënuar dhe që u mirëprit si hero pasi vuajti dënimin e tij [për krime lufte në Kosovë]”, tha ajo.
Shefi i policisë së Suharekës Radojko Repanoviq dhe polici Sllagjan Cukariq u dënuan me nga 20 vjet në burg për përfshirjen e tyre. Polici Mirosllav Petkoviq dhe oficeri i sigurimit shtetëror Millorad Nishaviq u dënuan me nga 13 dhe 15 vjet përkatësisht.
Tribunali i Hagës ka dënuar edhe gjashtë zyrtarë të lartë nga Beogradi lidhur me vrasjet në Suharekë.
Nga varrezat masive të Batajnicës u zhvarrosën në total 744 trupa të viktimave shqiptare nga Kosova.
Varreza masive me trupat e shqiptarëve nga Kosova të vrarë gjatë luftës u gjetën dhe në tre lokacione të tjera në Serbi – në Liqenin Perucac, në qendrën e policisë në Petrovo Selo dhe në guroren Rudnica pranë qytezës së Rashkës.
Megjithatë, deri më tani askush në Serbi nuk është ndjekur penalisht për operacionin e largimit të trupave.
Vetëm Vladimir Gjorgjeviq, ish-asistenti i Ministrit të Brendshëm të Serbisë është dënuar nga Tribunali i Hagës për transportimin e trupave nga Kosova në Serbi, në mesin e krimeve të tjera të kryera gjatë luftës së 1990.
(publikuar nga BIRN, 26 mars 2016)