RRËFIMI I SAJ DHE I TIJ U DISKUTUAN NË BISEDA TË SHKURTA

Burimi: Kosovo 2.0

NGA DANNY WILKINSON – SHTATOR 17, 2016

Në K2.0. debatohet për dhunën seksuale gjatë luftës.

Kur flitet për luftën e viteve 1998-1998 në Kosovë, burrat shpesh portretizohen si heronj, përderisa gratë shihen vetëm si viktima; përkundër rolit të tyre si lidere, luftëtare e aktiviste, gratë mbesin të përjashtuara nga një narrativë më përfshirëse derisa realiteti i burrave si viktima gati se nuk merret fare parasysh. Këto vështrime kohëve të fundit po vihen në pikëpyetje çdo herë e më shumë në shoqërinë kosovare pas një numri nismash të qytetarëve. Këto çështje gjithashtu ishin temë diskutimi të hapur, që u mbajt të enjten në kopshtin e K2.0 Ky diskutim në kuadër të Bisedave të Shkurta u organizua nga K2.0 dhe forumZFD-ja, dhe gjithashtu shënoi lansimin e numrit të ri të shtypur të revistës Balkan.Perspectives me titull “Gjinia dhe Ballafaqimi me të Kaluarën.” Këto çështje u adresuan nga aktivistja e të drejtave të grave, Nazlie Bala, anëtare e Këshillit Kombëtar të të Mbijetuarve dhe Viktimave të Dhunës Seksuale, këshilltarja e Ministres së Drejtësisë, Dafina Buçaj, si dhe nga aktivisti dhe drejtori i qytetarisë aktive EC Ma Ndryshe, Hajrulla Çeku. Diskutimin e moderoi kryeredaktorja e K2.0, Besa Luci.

Diskutimin e nisi znj. Bala e cila theksoi mungesën e përparimit për t’u ndihmuar të mbijetuarve të dhunës seksuale të kryer gjatë luftës, dhe një pjesë të madhe të fajit e hodhi mbi institucionet qeveritare. Në vitin 2014, pas debateve shumëvjeçare brenda qeverisë dhe shoqërisë – një vonesë që ajo e quan “hajgare” – të mbijetuarit e dhunës seksuale u përfshinë në një ligj i cili parasheh benefite për veteranët dhe viktimat civile; megjithatë, ende “nuk është bërë asgjë” dhe të mbijetuarit vazhdojnë të shpërfillen nga institucionet. Edhe pse që atëherë u paralajmërua themelimi i një Komisioni të Pavarur i cili do ta verifikonte statusin e veteranëve dhe të të mbijetuarve të dhunës seksuale, Bala konsideron se kjo vetëm u jep shkas institucioneve për vonesa të mëtejme deri sa të shqyrtohen të gjitha rastet, duke i kthyer të mbijetuarit në pikën zero.

Ajo shtoi se edhe pse ekzistojnë ligjet që i mbrojnë të drejtat e grave, ato ligje nuk zbatohen; për shembull, gratë nuk përfaqësohen sa duhet nëpër institucione qeveritare. Këto çështje e prekin secilin brenda shoqërisë kosovare: nëse vërtetë dëshirojmë ta shohim të kaluarën, tha ajo, ne duhet të ballafaqohemi me paragjykimet e së tashmes.

Pas saj foli Dafina Buçaj, e cila konsideron se ‘të drejtat e grave’ si koncept keqkuptohet dhe mund t’i margjinalizojë gratë; ajo preferon nocionin ‘barazia gjinore’. Sa i përket perceptimit të grave si viktima, ajo shtoi se shoqëria në fakt duhet të përqendrohet në rolet e grave si heroina gjatë luftës. Ajo ia mveshi vonesën në arritjen e marrëveshjes për kompensimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale traditës së shoqërisë kosovare, por megjithatë beson se Kosova ka bërë një hap përpara, duke siguruar më shumë mbështetje për të mbijetuarit.

Duke folur për kritikat karshi vonesave institucionale, ajo përmendi kufizimet buxhetore, duke u thirrur në negociatat njëvjeçare ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave në lidhje me kompensimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, por duke e bërë të qartë se kjo nuk mund ta arsyetojë mungesën e koordinimit ndërinstitucional. Gjithashtu ka probleme sa i përket ndërtimit të rasteve gjyqësore për shkak të mosgatishmërisë së të të mbijetuarve t’u kthehen përvojave të tyre në njërën anë si dhe, në rastet kur agresorët kanë qenë qytetarët serbe, për shkak të refuzimit të Serbisë që t’i ekstradojë qytetarët për gjykim në anën tjetër.

Duke e vënë në pikëpyetje nëse shoqëria është e gatshme të merret me të kaluarën, ajo theksoi se deri vonë nismat për ballafaqim me konfliktin kanë ardhur kryesisht nga bashkësia ndërkombëtare; nismat e fundit kanë ardhur nga vendasit, që tregon se është i mundur një përparim më i madh në këtë drejtim.

Çeku theksoi se perceptimi ynë “fillon dhe mbaron me gjuhën”. Në rastet shumë të rralla kur flitet për dhunën seksuale ndaj viktimave të gjinisë mashkullore, asaj i referohen si ‘torturë’, e kështu nuk ndodh kur flitet për viktimat e gjinisë femërore. Dhuna seksuale zakonisht shihet si dhunë që ushtrohet nga një burrë ndaj një gruaje, tha ai, që e përshkallëzon idenë e gruas si viktimë; dhuna ndaj burrave nuk ndryshon nga dhuna ndaj grave dhe trajtimi i dhunës seksuale si çështje e të drejtave të njeriut nuk duhet ta bëjë këtë dallim. Ai gjithashtu shtoi se motivi nuk është epshi, por fuqia dhe dominimi.

Duke e ilustruar këndvështrimin e tij se lufta nuk mund të bëjë ndarje gjinore, ai shpjegoi se “burrëria mësohet në ushtri”; qëllimi është të ‘feminizohet’ kundërshtari, duke e zhveshur nga cilësia burrërore e seksualitetit – burri i cili nuk mund ta mbrojë veten, nuk mund ta mbrojë as familjen e tij apo ta përmbushë detyrën e tij të pjesëmarrjes në luftë.

Pas këtyre këndvështrimeve u hap debati për komente dhe diskutim.

Temë diskutimi ishte portretizimi i grave si viktima të dhunës seksuale, duke shpërfillur shumë role të grave. Buçaj përmendi rolin e grave si nëna, derisa burrat ishin në luftë; ky vështrim u përcoll me një koment se gratë nuk duhet të shihen si heroina për shkak të amësisë, por për shkak të humanitetit të tyre – në një situatë të tillë edhe roli i babait do të kishte qenë heroik – dhe se përqendrimi në rolin e amësisë i jep edhe më shumë peshë idesë së ‘grave si viktima’.

U përmendën edhe rolet e grave si aktiviste dhe luftëtare, dhe Bala tha se përkundër rolit të grave para, gjatë dhe pas luftës, vetë lufta shihet si betejë e burrit, dhe me këtë gratë lihen anash duke i vënë pikën diskutimit të mëtejmë.

Diskutimi në lidhje me mungesën e mbështetjes për të mbijetuarit së pari u përqendrua në sigurimin e numrit të saktë të të mbijetuarve për ta kuptuar drejt këtë çështje; një pjesëmarrës vuri në pah se shifra e shumëpërmendur prej 20,000 viktimave nuk ka bazë faktike, dhe njerëzit nuk kanë shumë besim në institucione për të folur hapur për këtë çështje.

Një pjesëmarrës tjetër tha se tash është shumë vonë; Shumë viktima nuk janë të gatshme të bisedojnë lidhur me përvojën e tyre pas një kohe kaq të gjatë sepse ato tani kanë familje të cilat ndoshta nuk janë në dijeni për këtë gjë. Të tjerët përmendën gra të cilat u divorcuan kur bashkëshortët e tyre morrën vesh se ato u dhunuan gjatë luftës.

Shumë prej pjesëmarrësve thanë se viktimat shpesh ndihen të turpëruara apo fajtore; fëmijët e lindur nga dhuna suksuale shpesh quhen ‘fëmijë të turpit’ dhe kjo i stigmatizon viktimat.

Një studente e gazetarisë tha se familjet shpesh nuk dëshirojnë të diskutojnë për dhunime. “Ne si shoqëri nuk e pranojmë këtë, dhe i fajësojmë e i turpërojmë ata që flasin hapur. Duhet ta pranojmë se paragjykimet ekzistojnë, dhe se familjet duhet të marrin mbështetje për të kuptuar se si ti qasen këtij problemi”, tha ajo.

Ajo ishte e vogël kur shpërtheu lufta, dhe më vonë shpesh i kishte dëgjuar anëtarët saj të familjes teksa po diskutonin lidhur me të mbijetuarit e luftës pa e kuptuar se çka do të thoshte kjo. Duke besuar se ka ndryshim qëndrimi tek gjeneratat e reja, ajo theksoi se edhe pse studentët tani kanë më shumë prirje të flasin për burra kur diskutojnë për dhunën seksuale, kjo ndodh rrallë në fakultet.

Një pjesëmarrëse tjetër, psikologe me profesion, tha se as individët as shoqëria nuk mund të lëvizin përpara përderisa ngjarjet e tilla traumatike ‘mbyllen prapa shtatë dyerve”.

Një pjesëmarrës tha se njerëzit e pranojnë se ekziston stigma, por nuk bëjnë asgjë për ta luftuar atë; se për të lëvizur përpara duhet të krijohet një hapësirë brenda shoqërisë e cila ballafaqohet me kulturën e fajësimit të të mbijetuarve.

Bala gjithashtu potencoi se qëllimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale dallon nga dhuna seksuale në kohën e paqes për shkak të rolit të saj në spastrim etnik, duke i lënë viktimat shtatzëne apo duke i terrorizuar për t’i detyruar të largohen nga vendi i tyre. Buçaj shtoi se rastet e dhunimeve u dëgjuan gjatë gjykimeve në Tribunalin e Hagës në lidhje me krimet e luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Një pjesëmarrëse tha se përdorimi i gjerë i konceptit të të mbijetuarve të dhunës seksuale në ish Jugosllavi kërkon studim të mëtejmë, duke potencuar se këto raste janë më të shpeshta në shoqëritë patriarkale; ku gratë shihen si prona të burrave, dhe çnderimi i gruas është një mënyrë e sulmit të bashkëshortit apo të babait të saj. Ajo shtoi se kjo vështirë sfidohet sepse kjo mendësi është e pranishme edhe sot e kësaj dite.

Pas debatit dyorësh vazhduan diskutimet joformale në kopshtin e K2.0 para se performanca muzikore e DJ Odës t’i jepte fund kësaj mbrëmjeje.

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0