Studime të kujtesës kulturore dhe historisë orale si pikënisje e ballafaqimit me të kaluarën

Ballafaqimi me të kaluarën është pjesë e programeve të ndryshme pranë Universitetit të Prishtinës, edhe pse mund të bëhet më shumë punë në këtë drejtim. Këtu janë disa opinione dhe zëra nga trupa pedagogjike  e universitetit, që i mblodhi Arbër Selmani

Arbër Selmani është gazetar i lirë i kulturës dhe shkrimtar nga Prishtina. Ai ka diplomë Bachelor në marketing dhe fushat e interesit dhe angazhimit të tij përfshijnë studimet kulturore, shumëkulturalizmin, ballafaqimin me të kaluarën dhe çështjet e LGBT. Në vitin 2013 ai u zgjodh si gazetari i vitit në Kosovë nga UNWomen dhe UNDP.

Data 1 tetor i këtij viti shënoi njëzetë vjetorin e protestave që nisën në Prishtinë nga studentët e revoltuar me regjimin makabër. Në Prishtinë, ekziston një shtatore e Nënës Terezë, një e Adem Jasharit, një e Skënderbeut, një tjetër po pritet të ketë fytyrën dhe trupin e Ibrahim Rugovës, një tjetër është e Bill Klintonit. Ende nuk ekziston qoftë dhe një Muze i Luftës, i cili do të dokumentonte vuajtjen e popullit të Kosovës që kulmoi me luftën që nisi në fundin e shkurtit 1998.  Në vitet 60-të e 80-të ekzistonte një aktivizëm i grave në lëvizjet e fshehta të rezistencës në Kosovë.

Secili prej këtyre momenteve meriton trajtimin e duhur akademik. Secili prej tyre, duket se trajtohet jo aq fuqishëm apo mjaftueshëm në programet universitare në Kosovë. Duket se shpesh këto tema bëhen të huaja, ose të ftohta për t’u debatuar a për t’u studiuar. Qytetarët kanë pak a shumë interesim rreth këtyre temave, secila një etapë që e ka formësuar shoqërinë që sot është ekzistente. Përfolja e tyre në kontekstin akademik e universitar nënkupton njohjen e këtyre etapave dhe analizën e tyre, pranimin e tyre, por edhe ballafaqimin me sentimentin që ato mund të shkaktojnë sot dhe deri diku, edhe inkuadrimin e tyre në gjeneratat e reja të cilat nuk i kanë jetuar këto momente, dhe të tjera, të së kaluarës.

Në Universitetin e Prishtinës profesori Shemsi Krasniqi ligjëron një lëndë e cila diku edhe flet për disa prej këtyre momenteve. Ligjërues në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, Krasniqi ligjëron mbi memorien komunikative popullore – mitet, folklorin, etnografinë, për muzetë, institucionet shoqërore dhe të kaluarën, monumentet, historitë familjare, artefaktet, fotografitë. Për fat të mirë, në këtë Departament është punuar që aspekti i ballafaqimit me të kaluarën të jetë i pranishëm në programin mësimor, që kësisoj studentët të mund të njoftohen më shumë me të kaluarën në trajta të ndryshme. Shpesh, temat e tilla kanë tendencë të mënjanohen prej teksteve shkollore dhe universitare për faktin se interpretimi i tyre bëhet sipas dëshirës së historianëve e studiuesve të vendeve përkatëse. Megjithatë, në Universitetin e Prishtinës, një grup profesorësh nuk e ka lënë prapa misionin e lidhjes së edukimit dhe ballafaqimit me të kaluarën.

“Ballafaqimi me të kaluarën është mjaft kompleks dhe ka shumë punë për t’u bërë, e në anën tjetër, UP nuk ka fonde për hulumtime shkencore dhe punë në terren, për ekskursione ose vizita, për debate, konferenca ose takime me studentë të vendeve tjera” tregon Krasniqi.

E do rendi që studentët të cilët dëshirojnë të studiojnë a të informohen më shumë për ballafaqimin me të kaluarën e kujtesën kolektive, do të duhet të njoftohen me punën në terren dhe të kenë qasje në ekspedita të ndryshme në terren. Krasniqi tregon se gjatë ligjërimit të lëndës, studentët nuk hezitojnë të flasin më lehtë për të kaluarën e tyre, ose për përvojën e tyre në kontekst të ngjarjeve që kanë ndodhur më parë.

“Në përgjithësi po, edhe pse nuk janë mësuar shumë që të mendojnë për të kaluarën e vet dhe të nxjerrin mësim prej saj. Një hulumtim me fokus grupe që e kam patur me studentët në lëndën Praktikumi Sociologjik, në një temë që kishte të bënte me luftën, konkretisht me përkujtimin e 15-vjetorit të eksodit kosovar të vitit 1999, studentët kanë shpalosur kujtimet e tyre si fëmijë 4-5 vjeçarë në atë kohë dhe kanë bërë përshkrime jashtëzakonisht interesante, kanë dhënë mesazhe mjaft të vlefshme dhe e kanë kuptuar se vetja e tyre dhe përvoja e tyre jetësore është një resurs i rëndësishëm i dijes” tregon Krasniqi.

****

Në vitin 2014-të, ForumZFD, në bashkëpunim me Alter Habitus dhe me Programin për Studime Gjinore/Institutin për Studime Shoqërore dhe Humanizëm në Universitetin e Prishtinës, organizuan Memory Mapping Kosovo – një seri e punëtorive dhe vizitave studimore në terren, një hapësirë për të mësuar për të kaluarën, për të kontestuar e për të konfirmuar, për të eksploruar të kaluarën. Katër atelie u mbajtën për herë të parë në vitin 2014-të, mbi kujtesën publike e private dhe mbi socializmin e edukimin paralel.

Jeta Rexha është një prej pjesëmarrëseve të këtij edicioni të Memory Mapping, por edhe të edicioneve që do të pasonin më vonë. Asokohe në vitin e dytë të studimeve në Departamentin e Sociologjisë, Jeta tregon se si programi ka shërbyer si alternativë apo qasje tjetër për mënyrën se si i qasemi kujtesës si dhe studimeve të kujtesës, qasje kjo më disiplinore dhe kritike.

“Memorialet të cilat i kemi hulumtuar variojnë prej kohës otomane, tek monumentet socialiste e deri te monumentet e ngritura pas luftës në Kosovë. Grupi pjesëmarrës është ballafaquar me tekste të shumta teorike dhe vizita në memorialët e Kosovës dhe si rezultat ka qenë hulumtimi i vetë pjesëmarrësve për të hartëzuar informatat e fituara përmes pjesëmarrjes direkte në hulumtim” tregon Jeta.

Memory Mapping Kosovo ka realizuar dy edicione, derisa për herën e dytë është marrë me Orientin, qytetin e Mitrovicës, të shpëtuarit dhe viktimat e dhunimit në luftë dhe aspektin feminist të kujtesës e historisë. Për Jetën, një pjesëmarrje në këtë program është bërë sebep që ajo të vazhdojë të jetë e interesuar edhe sot në temat e tilla. Rezulton se programet e tilla, brenda Universitetit por edhe jashtë tij e me iniciativë nga ana e profesorëve, mund të ushqejnë një interesim edhe tek studentët.

“Memory Mapping Kosovo ka qenë pak a shumë pikënisje për interesimin tim në studimet e kujtesës, një themel që më ka lejuar të rizbuloj kuriozitetin tim për historinë shoqërore dhe se sa shumë e konstruktuar apo menaxhuar, për të thënë më mirë, kjo mund të jetë. Në fakt, kurioziteti im është ushqyer dhe është shndërruar në një masë të ideve hulumtuese, të kurajës për të menduar më strukturalisht mbi konceptet e ndërtimit të kujtesës, implikimet që vijnë nga faktorët e jashtëm dhe të brendshëm përmes strukturave ekzistuese” tregon Jeta Rexha.

Kurrikulat shkollore do të përfitonin nga një koncept i ngjashëm sikur Memory Mapping, tregon Jeta.

“Duke marrë parasysh se sa problematike mund të jenë tekstet shkollore, një projekt i këtij lloji hap dyert për mundësi të marrjes së njohurive alternative dhe të mënyrës së studimit alternativ. Duke iu kundërvënë ngurtësisë së mendimit për të kaluarën, apo edhe vetë faktit për të bllokuar depërtimin tek e kaluara, situata ekzistuese e krijuar qëllimisht, do të mund të shkundet me anë të iniciativave të tilla, të cilat domosdoshmërisht do të mund hapnin dyer për mendësi të reja” përfundon Jeta.

***

Rreth Memory Mapping Kosovo tregon edhe Linda Gusia, sociologe dhe pjesë e Fakultetit Filozofik.

“Ideja prej fillimit ka qenë të rishikohet kujtesa e cila është më e margjinalizuar dhe nuk është pjesë e kujtesës së përgjithshme kolektive. I kemi analizuar elementet të cilat janë harruar, apo margjinalizuar. Kjo është konsideruar, sepse të 90-tat janë shumë të rëndësishme në identitetin tonë në përgjithësi, për ta kuptuar Kosovën e paraluftës dhe pasluftës” tregon Gusia.

Në këtë fakultet, në Departamentin e Historisë mësohet lënda “Kujtesa Gojore”, ndërsa Departamenti i Sociologjisë e ka në planin mësimor lëndën “Kujtesa Kolektive”. Të dyja dukshëm i ndihmojnë forcimit të njohurive që studentët marrin në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

“Mendoj se është e nevojshme ta diskutojmë të kaluarën. Ne në Universitet në mënyrë sporadike kemi filluar ta diskutojmë ballafaqimin me të kaluarën në forma të ndryshme, por nuk po ndodh në mënyrë më të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse. Ballafaqimi me të kaluarën ka mbetur me shumë iniciativë e OJQ-ve, nuk është iniciativë shtetërore” tregon mes tjerash Linda Gusia.

Linda, njëjtë si Shemsi Krasniqi, thotë se Akademia me krejt kushtet e vështira dhe pa përkrahje për kërkime e konferenca, po insiston vazhdueshëm për më shumë zhvillim në fushën e ballafaqimit me të kaluarën, me luftën në Kosovë, me kujtesën kolektive.

Linda tregon se kosovarët nuk e kanë ndjenjën e përmbylljes së drejtësisë dhe kësisoj një ballafaqim me të kaluarën është i nevojshëm për shoqërinë tonë.

“Mendoj se ekziston më shumë një qasje për harresën dhe qasja e përgjithshme për të kaluarën ka qenë të vazhdojmë të shohim përpara, që të bëjmë shtet, të shikojmë përpara. Mendoj se kjo është thikë me dy teha. Është mirë fakti që në Kosovë rreth 70 për qind e popullsisë është në moshën 35 vjeçare, një pjesë e mirë e popullsisë nuk e mbajnë mirë mend luftën. Ballafaqimi kritik me të kaluarën është i nevojshëm. Është si një katalizator dhe i patejkalueshëm” përfundon Gusia.

Në anën tjetër, duket premtues fakti se megjithatë, ballafaqimi me të kaluarën është i pranishëm në akademinë e shkollimit në Kosovë dhe se mund të jetë edhe më tepër në të ardhmen, falë emrave që janë brenda këtij teksti, por edhe të tjerëve që gjejnë një tjetër mënyrë trajtimin për ta ballafaquar një të kaluar që nuk lë shumë vend për kërkime e studime akademike, drejt edukimit të gjeneratave të reja të cilat nuk do ta harrojnë, por edhe do ta shqyrtojnë në formën e tyre këtë ballafaqim, pa të cilin nuk mund të krijohet një e ardhme e stabilizuar