Është mbrëmje e të shtunës, 23 prill 2016 në kafe-klubin A3 në Knin dhe të rinjtë po mbushin lokalin. Po ia nis koncerti i grupit Darkwood nga Sinji. Erdha në Knin para disa ditësh me qëllim që të shmangia përvjetorin e Oluja-s. Jemi ulur bashkë me 48-vjeçarin vendas, tashmë të ndjerin Dragan Babiq, i cili vjen rregullisht në të gjitha koncertet në A3, ku edhe merr pjesë në kuizin e barit bashkë me ekipin e tij “Kundërshtimet e Ndërgjegjshme” (Priziv savjesti). Bashkë me të është nipi i tij 18-vjeçar të cilit nuk i pëlqen muzika kantri që dëgjojnë shumica e bashkëmoshatarëve të vet, ndaj vjen nëpër koncerte me xhaxhain. Ai rri ulur pa folur, pi lëngun që ka porositur dhe dëgjon muzikën, duke tundur kokën sipas ritmit. Ndryshe nga Vukovari, nuk ka diskutim se pronë e kujt është kafeja dhe cilat janë për të rinjtë kroatë dhe cilat për ata serbë në Knin. Mirëpo pronësia e Kninit është një pyetje e vazhdueshme, thotë i ndjeri Babiq. “Kështu ia nisi në vitin 1991 dhe vazhdoi pas vitit 1995 – kush është vendas, kush ka lindur këtu, kush ka ardhur nga jashtë, kush është i kthyer dhe a ka ekzistuar Knini para vitit 1995, kush ka të drejtë mbi çka dhe ku e rendisin njëri-tjetrin në hierarki. Që të gjithë jemi pengje të politikës, pa përjashtim dhe është koha e duhur që ne të bëhemi individë dhe të pushojmë së qenuri etni. Kështu i çarmatosim politikanët”, thotë i ndjeri Babiq. Me këdo që flisni në Knin ankohet për politikën e gjithëpranishme që shkon aq thellë sa, sikurse thuhet, edhe kryetari i klubit të çiklizmit nuk mund të jetë dikush që nuk është anëtar partie. Kjo nuk është metaforë, por është problem aktual si për vendasit, ashtu edhe për të sapoardhurit, kroatët dhe serbët dhe boshnjakët. Marrëdhëniet ndërpersonale, për të cilat jemi të interesuar, nuk janë problem për ta dhe kur i pyesni rreth tyre, të gjithë e nisin përgjigjen me një ngritje supesh. Të paktën në sipërfaqe, Kneini nuk bezidiset nga kjo gjë. Ndoshta për qytetarët e Kninit është më e lehtë të jenë shokë me njëri-tjetrin, sepse një pjesë e mirë e tyre nuk e njohin njëri-tjetrin nga “më herët”, ata nuk kanë jetuar aty para apo gjatë luftës. Knini nuk është zona e traumave të tyre. Kroatët nisën të largohen në vitin 1991, serbët në vitin 1995 dhe pastaj kroatët nisën të kthehen në vitin 1995 dhe pastaj serbët, edhe pse jo në numra të mëdhenj, nisën të kthehen në vitin 1997. Me gjithë këtë imigrim dhe emigrim, demografia e Kninit ka ndryshuar aq shumë, saqë qytetarët e lindur aty janë minoritet. Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 1991, në Knin ka patur 12,331 banorë, 9,867 prej të cilëve ishin serbë, 1,660 kroatë dhe 381 jugosllavë, pra 80% serbë, 13% kroatë. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, Knini kishte 15,407 qytetarë, nga të cilët ,551 (23 %) serbë dhe 11,612 (75%) kroatë. Aty nuk kishte më kroatë dhe në mesin e 2% të kategorisë “të tjerë”, shumica janë shqiptarë.
I ndjeri Dragan Babiq është serb nga Knini. Kur nisi lufta, ai ishte 23 vjeçar dhe jetonte në një apartament për të cilin kishte të drejtë banimi. Ai i mbijetoi periudhës së Krajinës, sikurse pretendon, kryesisht falë furnizimit me alkool që e ka ndihmuar të harrojë të tashmen. “Dikur qeshnim se Knini ishte kryeqtyteti i Republikës së Krahinës Serbe. E cili kryeqytet nuk ka cigare te shitorja në qosh të rrugës apo nuk ka rrymë kur bie shi? Të gjithë njerëzit në pushtet ishin njerëz që i njihnim si dështakë. Mile Martiq ishte polic, një plehrë, i cili iu shkonte fëmijëve nga pas dhe i rrihte” thotë ai. Ai u largua për në Beograd gjatë Oluja-s, por atje nuk ndjehej mirë. “Atje na thërrisnin kninxha, në Serbi kishim status më të ulët se sa kroatët që kishin ardhur nga Bosnja. Jo vetëm që nuk na dhanë asgjë, por na arrestonin dhe na dërgonin në luftë në Bosnje. E dija që duhej të kthehesha shpejt, jo se këtu është mirë, por sepse në Beograd ishte shumë keq. Edhe po të mos kishim asgjë tjetër veç barit për të ngrënë, të paktën kisha një çati mbi kokë këtu” thotë ai. Kur u kthye, ai nuk mund të shkonte më në banesën e tij, njësoj si shumë serbë të tjerë që kishin të drejtën e banimit para luftës. Ai jeton me prindërit e tij, është i papunësuar, por herë pas here punon si punëtor fizik jashtë vendit dhe e kalon kohën me të njëjtët njerëz si para lufte, me ata pak që kanë mbetur.
Binte shi kur u takuam me Zvonko Breçiqin, mësimdhënës i historisë në shkollën e mesme “Lovre Montija” në Knin. Si shumë qytetarë të Kninit, Breçiq nuk ka lindur këtu. Ai përllogarit se rreth tre të pestat e popullsisë së sotme të Kninit janë të reja, kanë ardhur këtu pas Oluja-s. Ai ka ardhur në janar 1996, disa muaj pasi kishte përfunduar studimet në Zarë. I kërkuan të vijë, sepse nuk kishte mjaftueshëm mësimdhënës në shkollë dhe atij i nevojitej një vend pune. “Në atë kohë, qyteti ishte në kaos. Njerëzit thyenin shtëpitë e serbëve që kishin ikur dhe në Komunë më thanë të thyeja ndonjë banesë të zbrazët. Në atë kohë kjo ishte normale. Nuk kishte asnjë furnizim. Kisha vetëm dy nxënës në klasën e katërt të shkollës së mesme. Rreth asaj kohe nisi vala e të sapoardhurve nga qytetet e Dalmacisë, por edhe nga Sllavonia dhe Zagorja. Pastaj në vitin 1997 dhe 1998 nisën të kthehen refugjatët boshnjakë nga Gjermania dhe më pas një tjetër valë nejrëzish erdhën nga Dërvari. Kryesisht ishte proces paqësor, mirëpo mbetet pyetja se çfarë lloj paqeje ishte” thotë ai. Çfarë lloji ishte, pyesim ne. “Ajo pak popullsi serbe që mbeti ishte e frikësuar. Nuk pati asnjë incident, ende nuk ka, por si mund të krijosh besim brenda një retorike dominuese nacionaliste? Si mund të ketë besim edhe tani, kur dëgjon “Za dom spremni” në një koncert të Thompson-it, apo kur Ruzha Tomashiqi thotë se kushdo që jeton në Kroaci dhe nuk është kroat është mysafir? Nëse vazhdimisht dëgjojmë se Ligji për Amnistinë duhet të hiqet, çka është kjo pos ushqyerje e frikës dhe dërgimi i mesazhit se jo të gjithë janë të barabartë? Ne e dimë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë serbe, qofte me vullnet apo jo, kanë marrë pjesë në luftën e Krajinës, mirëpo ne duhet të vendosim se kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Nëse dikush ka bërë krime, ata duhet të dënohen, amnistia nuk përfshin kriminelët e luftës. Disa vite më parë u mbajt një takim në sallën e shkollës lidhur me gjykimin ndaj Gotovinës dhe anëtarët e shoqatave të veteranëve të luftës shfaqën video ku Shesheli shante dhe përbuzte gjyqtarët në Hagë. Turma u çmend. Ishte një gjendje e çuditshme ku veteranët kroatë të luftës brohorisnin për Sheshelin. Apo në vitin 2009 kur për zgjedhjet lokale erdhën shumë votues nga Serbia, ndaj media e shndërroi në sensacion që serbët nga Serbia merrnin vendime në Knin, kur në fakt ishte SDSS-ja që i udhëzonte ata të votonin për përfaqësuesin serb i cili ishte kandidati i HDZ-së për pozitën e zëvendës kryetarit të komunës, ndaj në të vërtetë, ata votonin për HDZ-në. Ajo çka kemi këtu është provincializmi predator: ca rrëmuja, ca fashizëm i stilit të ustashëve, pak plaçkitje haptazi” thotë ai. Ai kurrë nuk e ka patur të vështirë të japë mësim për Luftën e Atdheut, mirëpo ky kurrikulum e ka radhën në fund të vitit shkollor, kur askush nuk e vret shumë mendjen për mësime të reja. Ende ka mjaft kundërshti sa i përket temës së partizanëve dhe ustashëve, sidomos në vitet e fundit, thotë ai, që kur ky kapitull i historisë është rihapur zyrtarisht dhe është ngatërruar.
“Nxënësit besojnë se Kroacia e Jugosllavisë nuk ishte Kroacia e vërtetë dhe se Ushtria National-Çlirimtare ishte serbe, apo çetnike, sepse i shohin si të njëjtën gjë, ndërsa ustashët ishin viktimat… Por unë nuk kam asnjë problem profesional me këtë, mund t’ua shpjegoj të gjitha atyre” thotë ai. Mirko Antunoviqi, drejtori i shkollës së mesme Lovre Montija ku jep mësim Breçiqi thotë se ndonjëherë ka tensione ndërmjet fëmijëve, por tani jo dhe aq shumë. “Në Knin nuk ka konflikte të hapura, por fshehurazi, asnjëri nuk e do tjetrin: serbët vendas nuk i duan boshnjakët, boshnjakët nuk i duan ata nga Janjeva, ata të Janjevës nuk i duan serbët dhe të gjithë i urrejnë ateistët. Më së paku tension ka mes serbëve dhe kroatëve, sepse që të dy palët e kanë identitetin e Kninit dhe kujtesën e përbashkët. Ata e mbajnë mend murin pranë Universitet ku kalonin kohën dhe njiheshin dhe tani këta të “rinjtë” po e prishin” thotë Antunoviqi, i cili vetë është i ardhur. Kur ishte student, ai shkoi në Zagreb nga Kiseljaku dhe më pas u vendos në Knin në vitin 2003. Ai është në pozitën e drejtorit që në vitin 2012.
“Asnjë nga miqtë e mi nuk më ka pyetur se çfarë kam bërë gjatë luftës, gjatë Krajinas. Kjo nuk është kurrë temë e bisedave. As nuk flasim se çfarë ka ndodhur në vitet ’91 apo ’95. Gjatë Krajinas, gruaja ime, një kroate, punonte për Komunën dhe nuk ishte e vetmja. Unë isha mësimdhënës i edukatës fizike. Detyrimet e punës më shpëtuan nga fronti. Ata më quanin përkrahës të Tugjmanit, sepse besoja se ideja e ndarjes ishte marrëzi, por mendoj se askush nuk e besonte vërtet atë gjë. U largova nga Knini ditën e Oluja-s. Nuk kisha planifikuar të largohem, por fqinji im kroat në atë kohë ra në panik dhe nisi të më thotë të largohesha, se nuk donte të shihte të më masakronin, ndaj mendova se kishte të drejtë dhe u largova. Duke e ditur se çfarë ka ndodhur pas Oluja-s, ishte vendim i mirë. Në Serbi na priste ushtria, njësitë paramilitare dhe kushedi çka tjetër, ndaj u fshehëm në një fshat pranë Novi Sadit që t’i iknim mobilizimit. Rrugës për në Serbi na kontrolluan dokumentat dhe kushdo që vinte nga Kroacia dërgohej menjëherë në front. Unë doja të kthehesha sa më parë që të ishte e mundur, sepse atje nuk kishim ku të jetonim, ishim pa punë me dy fëmijë dhe pa asnjë ndihmë, ndërsa në Knin kishim shtëpinë, prindërit e gruas dhe mund t’ia dilnim disi. Por nuk ishte e lehtë të ikje nga Serbia. Ngaqë gruaja ime është kroate, ne kërkuam bashkim familjar dhe kështu ndodhi që u kthyem në vitin 1996. Qyteti ishte i shkatërruar, një pamje e mjerë, por nuk kishte probleme, përveç njerëzve që ishin të frikësuar. Kishim edhe më shumë frikë nga fakti se serbët duhej t’i nënshtroheshin marrjes në pyetje. Unë mora pjesë në një sesion të marrjes në pyetje në Zagreb, ku një polic u zemërua, sepse nuk dija asgjë. Pastaj isha në një tjetër në Knin ku ai zyrtari në polici më tha se kisha 24 orë të largohesha nga Knini ose do të më rrihte. Më tha se nuk do të gjeja kurrë punë atje. E njihja atë njeri, djali i tij ishte nxënësi im, tani kam nxënës djalin tjetër të tij. Nuk është e këndëshme kur të kërcënojnë ashtu, as në rrugë, as në stacion policor” na tregon Branko Vasiljeviqi, mësimdhënësi i edukatës fizike në shkollën e mesme Kralj Zvonimir. Atij iu deshën dhjetë vjet pas kthimit që të gjente punë dhe tani, ai është i vetmi i punësuar në familje. Folëm për ndërtesën e Shoqatës Kulturore Serbe “Prosvjeta” në rrugën Gojko Shushak. Pjesa e shkruar me germa cirilike në hyrje është lyer me sprej të zi. “Ka rreth një vit e ca që është kështu. Nuk ia vlen ta ndërrojmë, sepse do ta bëjnë sërish” thotë Vasiljeviqi me qetësi. Një dritare e madhe e zyrës në nivel me rrugën është mbuluar nga rafte librash që nga ditë kur dikush e theu xhamin me një tullë. Por Vasiljeviqi ende thotë se njerëzit në Knin janë më të shpenguar se sa politika që përpiqet të mbajë tensionet gjallë. Përveç ngjarjes në stacionin policor, kurrë nuk kam parë probleme serize etnike në Knin. Të gjithë kemi të njëjtin problem: papunësinë, kjo është arsyeja pse shumë njerëz po largohen. Në klubin tim të shahut e kemi të vështirë të krijojmë ekip me gjashtë vetë, sepse vazhdimisht largohen”.
E pyetëm se si mund të përkujtohet Oluja që të jetë e pranueshme për serbët në Knin. “Me më shumë dinjitet, më pak triumfalizëm, Filharmonia e Zagrebit mund të luajë Simponinë Nr. 9 të Bet’hovenit dhe të gjendet një mënyrë për t’i përfshirë serbët. Por parakushti për këtë duhet të jetë që së pari të shprehin keqardhje për të gjithë njerëzit që u vranë pa asnjë arsye. Për mua pati shumë vlerë kur ish-presidenti Ivo Josipoviqi i përmendi para disa vitesh viktimat në Knin dhe kur mori pjesë në shpalosjen e monumentit për viktimat në Varivode. Gjeste të tilla politike kanë ndikim shumë më të madh se vendimet gjyqësore, që harrohen shpejt. Politikanët diktojnë klimën, që pastaj përhapet në aspekte të tjera. Për çdo rast, do të doja të shoh ndonjë përkujtim për viktimat serbe në Knin”.
“A do të vijë ndonjëherë kjo kohë?” pyesim ne.
“Do të vijë” thotë ai me siguri.
“Kur?”
“Me siguri kur të mos jetë më e rëndësishme për askë” thotë ai me një buzëqeshje të zbehtë, të hidhur.
Mbrëmjen tjetër në kafenenë A3 u takuam me dy vajza që duan të mbeten anonime. Ato janë në humor të mirë, që të dyja janë të punësuara, janë të lumtura me jetën e tyre në Knin. Ato na tregojnë se çfarë arome ka Knini në pranverë kur gjithçka lulëzon dhe kur lumi Kërka mbushet me ujë, por edhe se si era sjell “aromën e qytetit që nuk ekziston më” nga shtëpitë e braktisura në pjesën e vjetër të qytetit. Njëra prej tyre ka ardhur nga Bosnja kur ishte fëmijë. Në fillim shkuan në Sarajevë, pastaj në Knin. Ajo ka studiuar në Zara. “Kurrë nuk ndjeva se i përkas Sllavonisë apo Zarës. Vazhdimisht më pyesnin se nga isha dhe pastaj qeshnin nën hundë kur iu tregoja se vija nga Bosnja. Në Knin kjo nuk ndodhte. Menjëherë u bëra pjesë e tij. Këtu të gjithë janë nga diku tjetër. Kurrë nuk kam ndjerë tension etnik tek të rinjtë, edhe pse babai im nuk e mori mirë kur mësoi se i dashuri im është serb. Ai më ndaloi që ta takoj, qava shumë, por pastaj ai e takoi dhe e pranoi. Babai im ka qenë në Këshillin Kroat të Mbrojtjes dhe nëna ime ishte 28 vjeç, kaq sa jam unë tani, kur u largua nga Bosnja me dy fëmijë, duke mos e ditur nëse e kishte burrin gjallë apo jo. Nuk e di si do të kisha qenë po të kisha kaluar ato që ka përjetuar ajo. Prandaj asnjëherë nuk mendoj se babai im është i marrë, thjesht ai ka nevojë për më shumë kohë” thotë ajo duke ngritur gishtin në ajër që të na tërheqë vëmendjen. “Çfarë?” pyesim në. “Dëgjojeni këngën” thotë ajo. Po luan kënga “Zemlja” nga EKV.
Barbara Matejçiq
Gazetare dhe redaktore e pavarur. Ajo fokusohet tek tema sociale dhe të drejtat e njeriut. Ajo ka fituar çmimin “Marija Juriq Zagorka” për gazetarinë më të mirë të shkruar në vitin 2013 (Shoqata e Gazetarëve Kroatë, 2014.), çmimin “Krunoslav Sukić” për inkurajim të paqes, jodhunës dhe të drejtat e njeriut (Qendra për Paqe, 2013) dhe çmimin për raportimin më të mirë për tema të LGBT-së në Kroaci në vitet 2000 deri 2010 (Zagreb Pride, 2011.) Burimi: http://barbaramatejcic.com/