Nën hijen e luftës diplomatike

Foto: Rade Vilimonoviq

Në kohën kur u publikua Raporti i Progresit për Serbinë i BE-së ku nga Serbia kërkohej ndër të tjera që të “demonstronte përkushtim më të fortë për zgjidhjen e trashëgimisë së krimeve të luftës dhe të nxiste besim të ndërsjellë dhe pajtim”, pati një luftë të vazhdueshme verbale ndërmjet politikanëve serbë dhe kroatë. Duke reaguar ndaj një provokimi të Ministrit të Mbrojtjes Aleksandar Vulin, sipas të cilit Aleksandar Vuçiqi do të vendoste për vizitën e tij në Kroaci dhe jo Qeveria e Kroacisë, Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë deklaroi se për momentin, Vulini ishte persona non-grata në Kroaci. Kjo u pasua nga përdhosja e flamurit kroat në Parlamentin Serb. Sulmi kundër flamurit kroat – shakovnica – u urdhërua nga krimineli i luftës Vojisllav Sheshelj, i dënuar rishtazi, dhe u pasua nga refuzimi i Ambasadorit të Serbisë në Zagreb për të pranuar notën e protestës së Qeverisë kroate, ndaj në fund, “perandoria ktheu goditjen” duke vendosur se për momentin, Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë Damir Kërstiçeviq, ishte persona non-grata në Serbi (me siguri që kjo ndalesë vlente edhe për këshilltarin e tij Ante Gotovinën). Nuk ka mbetur pothuajse asnjë ministër apo media pro-qeveritare në Serbi që nuk ka kontribuar në mënyrë kreative për incidentin më të fundit diplomatik me Kroacinë. Diçka e ngjashme ndodhi kohëve të fundit edhe kur udhëheqësi i Zyrës për Kosovë dhe Metohi Marko Gjuriq u arrestua. Drama u shpall nga Presidenti i Serbisë që u dërgoi mesazh autoriteteve të Kosovës: “Pavarësisht a e lejoni apo jo, Gjuriqi dhe Sellakoviqi do të vijnë në Mitrovicën e veriut; të shohim se ç’do të mund të bëni për këtë”. Pjesëtarët e forcave speciale të Kosovës ROSU kanë bërë shumë me anë të mjeteve shpërthyese, gazit lotsjellës dhe prangave, përfshirë dhe arrestimin e Gjuriqit. Që nga ai çast, terma si “shteti bandit i Kosovës”, “terroristët”, “shpallje lufte” u rikthyen në hapësirën mediale dhe shumë prej tyre përdoren nga ata që me zell bëjnë çdo ditë thirrje për paqe dhe stabilitet në rajon. Tashmë është bërë e zakontë që politikanët e rajonit t’i shfrytëzojnë situata të tilla kryesisht për qëllime të brendshme, për t’i bindur “njerëzit” se ata janë e vetmja garanci për mbijetesë përballë pushtimit nga lloj-lloj armiqsh. Sidoqoftë, këto klithje ndërkufitare i shërbejnë edhe korrupsionit, nepotizmit, mbytjes së pavarësisë së gjyqësorit, medias dhe organeve të kontrollit. Krijimi i tensioneve dhe më pas, qaravitjet e stilit Gandi nga vetë iniciatorët e luftërave verbale janë mënyrë për të simuluar dëshirën për pajtim dhe stabilitet përballë komunitetit ndërkombëtar, por edhe për të treguar se armiqtë tanë të betuar nuk e dëshirojnë këtë. Në “luftën” më të fundit me Prishtinën, Evropa, për hir të së cilës u sajuan performancat e tilla politike, ishte në mesin e fataliteteve. Ministri i Punëve të Jashtme Daçiq deklaroi: “Kur është fjala tek Serbia, BE-ja vuan nga një sëmundje e rëndë, përkatësisht është shurdh-memece. Ndoshta kjo sëmundje është e shërueshme”. Gjatë hapjes së një fabrike të re për pjesë makinash, Presidenti shtoi: “Ne nuk flasim me personat me të cilët duhet të flasim, pra me Kosovën, por me mbrojtësit e tyre të fuqishëm…  Është problem kur duhet të flasësh me ata që shkatërruan Serbinë në vitin 1999 dhe njohën Kosovën në vitin 2008”. Mirëpo Brukseli është shumë larg, si në distancë kohore dhe hapësinore, ashtu edhe të parave, tokës për ndërtim, lejeve për eksport dhe import dhe të qosheve të rehatshme pranë. Raportet e progresit për Serbinë nuk janë aspak interesante për t’u lexuar, sidomos pjesët që kanë të bëjnë me trashëgiminë e krimeve të luftës.

***

Ndryshe nga raportet e mëparshme të progresit, raporti i fundit i publikuar nga mesi i prillit 2018 përqendrohet më shumë tek çështje që kanë të bëjnë me sigurimin e drejtësisë penale në rastet e krimeve të kryera gjatë konflikteve të armatosura në territorin e ish-Jugosllavisë në periudhën e viteve 1991-1999. Deklarimet e politikanëve të lartë serbë të cilët vënë në pikëpyetje faktet e vërtetuara nga gjykata për krimet e luftës, nuk kanë kaluar të pavëzhguara nga Komisioni Evropian. Gjithashtu ata kanë vërejtur se autoritete të ndryshme shtetërore kanë mundësuar një platformë publike për kriminelët e dënuar të luftës. Është e qartë se ata e kishin fjalën për Veselin Shljivançanin (i dënuar me 10 vjet burg për ndihmën dhe mbështetjen e torturave në Vukovar), i cili u shndërrua në mjetin kryesor të partisë udhëheqëse për konfrontim me Tribunalin e Hagës dhe që mori pjesë në takimin e komitetit drejtues të SNS-së me rastin e përvjetorit të rënies së Vukovarit. Komisioni Evropian gjithashtu ka vërejtur se “heroi i Kosovës” dhe i dënuari nga Haga, gjenerali Vlladimir Llazareviq është bërë ligjërues pranë Akademisë Ushtarake në Beograd. “Kemi sjellë rregullin që zyrtarët e lartë më të shquar që kanë marrë pjesë në luftë të kenë hapësirë pranë Akademisë Ushtarake dhe të mësojnë kadetët”, tha Ministri i Mbrojtjes Vulin duke shtuar se “gjeneralët e luftës kanë shumë gjëra të rëndësishme që mund t’ua mësojnë oficerëve të rinj”. (“Profesor” Llazareviqi u dënua me 15 vjet burgim për krimet e kryera kundër civilëve në Kosovë). Autorët e Raportit të Progresit nuk janë aspak të kënaqur me mënyrën si dhe shkallën deri ku Serbia ndjek penalisht kriminelët e vet të luftës. Duket se kanë dyshime të thella sa i përket “të dhënave” për ndjekjen penale të krimeve të luftës që ka paraqitur kreu i delegacionit serb, Suzana Paunoviq, Shefe e Zyrës për të Drejta të Njeriut dhe të Drejta të Minoriteteve para Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së vitin e kaluar. “Statistikat” e saj ishin aq impresionuese sa në fund asaj iu desh të dilte në përfundimin se Beogradi ishte më i suksesshëm edhe se Tribunali i Hagës. Sipas saj, ne e kishim mundur Hagën në të gjitha sferat: në dinamikën e aktakuzave të reja, numrin total të të akuzuarve, numrin e viktimave të përfshira në procedurat gjyqësore deri më tani. Mirëpo realiteti është disi më ndryshe. Mungesa e prokurorit për krime të luftës në periudhën janar 2016 deri maj 2017 i ka stërzgjatur edhe më tej gjykimet edhe ashtu të gjata për krimet e luftës. Në vitin 2017 pati vetëm tri aktakuza të reja (që të tria në raste që i janë përcjellë Prokurorisë së Serbisë nga Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës). Shteti vazhdon t’i mbrojë gjeneralët me çdo kusht. Të gjithë gjykmet e hapura kanë të bëjnë me pjesëtarë të rangjeve më të ulëta në ushtri dhe polici dhe institucionet mjekësore me zemërgjerësi nxjerrin arsyetime mjekësore për të akuzuarit që i shmangen prej vitesh daljes para gjykatës.

***

Marrëdhënia ndërmjet shtetit dhe gjyqësorit lidhur me kriminelët e luftës demonstrohet edhe nga dy vendimet e fundit gjyqësore që janë një fyerje brutale për viktimat. Zyra e Prokurorit për Krime Lufte hoqi dorë nga ndjekja penale e të vetmit zyrtar të rangut të lartë, gjeneralit Dragan Zhivanoviq, i cili ka qenë komandanti i skuadrës ushtarake dhe territoriale që dogji të gjitha shtëpitë dhe vrau 120 civilë shqiptarë në fshatrat pranë Pejës, përfshirë dhe Qyshkun. Duke vepruar kështu, Prokuroria e njoftoi avokatin e viktimave për vendimin që të heqë dorë nga ndjekja penale e gjeneralit Zhivkoviq rreth nëntë muaj më vonë. I vetmi shpjegim logjik se përse u desh kaq gjatë që mesazhi të mbërrinte në vëmendje të tij ishte që prokuroria të pengonte të drejtën e viktimave për ankesë brenda afatit, gjë që përbën vazhdimësi të praktikës së vet në mbrojtje të gjeneralëve të ushtrisë dhe të policisë që janë përgjegjës për krime të kryera kryesisht në Kosovë. Më 8 mars të këtij viti, Sasha Cvjetan mori një kartolinë urimi të posaçme nga Gjykata e Lartë në Beograd – atij iu lejua leje me kusht pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit. Ky kriminel ishte dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e shtatë grave dhe shtatë fëmijëve pranë Podujevës. Viktima më e re në moshë ishte vetëm dy vjeç. Është e vërtetë se ligji parasheh që gjykata mund (kur kushtet janë plotësuar) të japë leje me kusht për persona të dënuar për krime të rënda. Mirëpo ligji gjithashtu thotë se nuk duhet. Duke vepruar në përputhje me opinionin e përfaqësuesve të burgut në Sremska Mitrovica, se sjellja e Cvjetanit ishte “në përputhje me rregullat e brendshme dhe se i dënuari po planifikonte të gjente një punë pasi ta vuante dënimin”, Gjykata e Lartë e Beogradit deklaroi si në vijim në dekretin e vet: “Ka arsye të presim se i dënuari, Cvjetan Sasha, do të sillet mirë pas lirimit dhe nuk do të kryejë më krime gjatë lejes me kusht”. Sikurse deklarohet nga Qendra për të Drejtat e Njeriut gjatë komentimit të Gjykatës së Lartë, “për vetë arsyen se krimet e rënda që shkaktuan vuajtje të mëdha tek viktima, përveç kërkesave ligjore që duhen plotësuar, gjykata duhet të marrë parasysh edhe rrethana të tjera, si shprehja e pendimit të sinqertë, bashkëndjerja me viktimat dhe vuajtjet e tyre dhe rrëfimi i krimit”. Megjithatë, Gjykata e Lartë në Beograd ishte e mendimit se këto as që ia vlente të përmenden në këto rrethana.

***

As edhe fraza irrituese se korniza ligjore është e mirë, por ka probleme me implementimin e saj nuk është e zbatueshme në rastin e të drejtave të viktimave civile të luftës. Raporti më i fundit i Progresit thotë se ligji ekzistues, që garanton beneficione sociale vetëm për një numër të kufizuar të viktimave të krimeve të luftës nuk është ndryshuar pavarësisht faktit se edhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, edhe Këshilli i Evropës e kanë vlerësuar si diskriminues. Sipas vlerësimeve të Qendrës për të Drejtën Humanitare, ka ndërmjet 15,000 dhe 20,000 viktima civile të luftës në Serbi për momentin. Përkufizimi i viktimave civile të luftës në ligjin ekzistues që është miratuar që në vitin 1996, në kohën e Sllobodan Millosheviqit, përjashton personat me aftësi të kufizuar nën 50% (në rastin e veteranëve të luftës me aftësi të kufizuar pragu është 20%), të mbijetuarit e përdhunimit dhe të mbijetuarit e formave të tjera të dhunës seksuale, si dhe të zhdukurit që nuk janë shpallur të vdekur. Viktimat civile të luftës gjithashtu nuk mund të jenë qytetarë joserbë që kanë qenë viktima të forcave ushtarake apo paramilitare serbe, sepse një nga kërkesat për t’u konsideruar viktimë civile e luftës është që lëndimi apo vdekja të jetë shkaktuar nga “armiku”. Kjo do të thotë se ky ligj nuk i merr në shqyrtim pothuajse të gjitha viktimat joserbe, sepse në përgjithësi ata janë lënduar nga forca që Serbia i konsideron “miqësore”. Këto viktima nuk përfshijnë Fatima Saraçin, Uzeir Bullutoviqin dhe Mushan Husoviqin, të cilët vdiqën gjatë një sulmi me mortaja dhe këmbësori të trupave “miqësore” uzhiçki të Ushtrisë Jugosllave kundër fshatit Kukuroviq në Sanxhak në vitin 1993. As Gjykata Kushtetuese, instanca më e lartë gjyqësore në Serbinë pro-evropiane nuk ka patur ndonjë koment për ligjin që nuk njeh të drejtat e dhjetëra mijëra personave që kanë qenë viktima të torturës, dhunës seksuale, trajtimit çnjerëzor, burgimit të paligjshëm, mobilizimit të detyrueshëm dhe dorës “miqësore” të ushtrisë dhe policisë serbe.

***

Gjatë vizitës së tij të fundit në Kroaci, Presidenti i Serbisë në mënyrë teatrale dorëzoi tek homologët e tij të dhëna për tre të zhdukur, duke demonstruar dëshirën e Serbisë për të zgjidhur fatin e më shumë se 10,000 personave që janë ende të zhdukur që nga periudha e luftës në vitet 1990. Kroacia deklaroi se ky informacion ka të bëjë me raste të personave që tashmë janë gjetur. Kjo nuk është hera e parë që të zhdukurit përdoren si armë diplomatike në duart e qeverive nacionaliste të Ballkanit, në vend se të trajtohen si problem humanitar që ka nevojë të zgjidhet në mënyrë më efikase. Komisioni Evropian ia përkujton këtë Serbisë në Raportin e Progresit. Sipas të dhënave nga marsi i vitit 2018, në rajon janë 10,332 persona fati i të cilëve nuk dihet: 6,675 të zhdukur janë nga konflikti në Bosnje dhe Hercegovinë, 2,057 nga konflikti në Kroaci dhe 1,658 nga konflikti në Kosovë. Shumë familje janë ende në pritje të zbulojnë se ku gjenden mbetjet mortore të anëtarëve të familjeve të tyre, mirëpo qeveritë në të gjithë rajonin po dërgojnë mesazhin që ish-presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq i dërgoi ish-prokurorit për krime lufte: “Ai duhet të mendojë se çfarë po zhvarros në Serbi”. Nuk është mirë për imazhin e një vendi të zbulojë varrezë masive të re në ndonjë Batajnicë të re apo Petrovo Sello të ri. Të dhënat nga Bosnja dhe Hercegovina janë paralajmërim i mjaftueshëm se çfarë rezultatesh tmerruese mund të dalin nga ndonjë kërkim i vërtetë dhe deri tani, kërkimet për të zhdukur kanë çuar në zhvarrosjen e 456 fëmijëve, përfshirë 9 foshnja. Këtu, nuk ka shenja se dikush mund të jetë duke kërkuar për varreza masive apo persona të varrosur nëpër fushat, guroret apo pyjet e Serbisë.

***

Së fundmi, Raporti i Progresit të KE-së deklaron se Serbia ka dështuar në plotësimin e kushtit detyrues për të ekstraduar tre pjesëtarët më të afërt të stafit të Vojisllav Sheshelit të akuzuar për përbuzje të gjykatës, më saktësisht, për kërcënim dhe dhënie rryshfeti dëshmitarëve në rastin e Vojisllav Sheshelit. Në këtë rast, sërish gjithçka ishte “sipas ligjit”. Gjykata e Lartë në Beograd vendosi që ata të mos arrestohen dhe të mos ekstradohen në Hagë në bazë të asaj aktakuze. Nuk dihet se deri në ç’shkallë Gjykata ka qenë e ndikuar nga fakti se në periudhën për të cilën bëjnë fjalë disa nga pikat e aktakuzës kundër Jojiqit, Ostojiqit dhe Radetës, Aleksandar Vuçiqi ka qenë këshilltari ligjor i Sheshelit dhe Tomisllav Nikoliqi drejtuesi i ekipit të tij ligjor. Po ashtu, nuk dihet se çfarë çështjesh “ligjore” ka kryer udhëheqësi aktual për pajtimin në Ballkan për shefin e tij dhe për babain e tij politik, mirëpo nga vendimet e fundit gjyqësore, nga deklaratat politike dhe nga heshtja e Zyrës së Prokurorit për Krime Lufte është e qartë se nuk duhet të presim që Raporti i Progresit i KE-së i radhës të jetë më i mirë për Serbinë se sa i kaluari. Po kush e vret mendjen se çfarë shkruajnë diplomatët evropianë! Ata nuk votojnë në Serbi dhe nuk mund të dalin dëshmitarë në gjykime për krime lufte kundër oficerëve të lartë të ushtrisë dhe të policisë, të cilët mund të shërbejnë si rojet pretoriane të këtij regjimi të kalamendur, nëse është nevoja.

Svetllana Llukiq është gazetare prej shumë kohës, me bazë në Beograd