BREZI I “RINISË”

Historia e Bosnje e Hercegovinës ka shumë fjalë për të thënë për të rinjtë që jetojnë atje. Mirëpo këto fjalë ende duhet të gjejnë fillin që i lidh. Të shenjuar nga bashkëekzistenca shumëetnike, shumëkulturore, shumëgjuhësore, shumëkombëshe, ne të gjithë ende nuk jemi në gjendje ta finalizojmë procesin e ndërtimit të paqes, apo së paku të ndërtojmë një dialog të qëndrueshëm. Paqja nuk mund të vijë pa një dialog të tillë. Populli i Bosnje e Hercegovinës është përballur me situata ekstreme në të kaluarën, ku vdekja e dikujt nënkuptonte jetën e dikujt tjetër. Pa dyshim që këto përvoja janë trashëguar brez pas brezi, breza që tani i jetojnë jetët e tyre ndërmjet ndasive etnike dhe modernizimit global. Faktorët e ndarjes në Bosnje e Hercegovinë nuk janë asgjë e re. Ne jetojmë në një botë të luftërave të vjetra dhe të migrimeve të shpejta, ku ditë pas dite po bëhet gjithnjë e më normale që një territor të strehojë larmi të madhe. Për të ruajtur paqen në një territor të tillë është e nevojshme që të krijohet barazi dhe prosperitet për të gjithë. Mirëpo, propsperiteti në rastin e Bosnje e Hercegovinës shpeshherë mungon, ndërkohë që separatizmi po merr formë të rëndë. Politika sunduese aktuale në Bosnje e Hercegovinë, pavarësisht kombit prej nga vjen, kryesisht i kategorizon njerëzit në baza etnike, fetare dhe tribale, me qëllimin e vetëm të shkëputjes etnike dhe homogjenizimit kombëtar. Duke folur nga përvoja historike, një qeveri e tillë gjithnjë çon drejt konflikteve dhe luftërave me proporcione të paparashikueshme. Këtë e kemi ndjerë dhe mund ta themi me siguri.

Alternativa për qeveri të tilla është dhe duhet të jetë zhvillimi i kulturës së bashkëekzistencës. Të bësh bashkë dallimet duhet të kuptohet si pasuri dhe mundësi shtesë për rritje dhe zhvillim të shoqërisë dhe të vendit. Mirëpo, para kësaj alternative, është shumë e rëndësishme të flasim, të miratojmë dhe të respektojmë identitetet e të gjithë individëve, sado të ndryshme qofshin ato. Duke ofruar sa më shumë mundësi për zgjedhje individuale dhe kolektive, por edhe duke respektuar të drejtën për të zgjedhur, këto janë nevoja për popullsinë e re të sotme në Bosnje e Hercegovinë.

Të rinjve shpesh u thuhet se njohuria është diçka që askush nuk mundet t’ua vjedhë. Sa herë që e dëgjoj këtë, mendoj se sa e pavërtetë është. Nuk është e vërtetë, sepse të rinjve në Bosnje e Hercegovinë nuk u është dhënë asnjëherë mundësia të kenë njohuri objektive dhe bashkëkohore. Duke u rritur, shumë të rinj i janë ekspozuar idealeve politike të atyre që përfaqësonin njerëzit e “tyre”. Ato ishin idealet e separatizmit, që u hyjnë në punë vetëm atyre që kanë për zemër vetëm interesat e veta para interesave të popullit, të të rinjve dhe të vendit tonë të përbashkët. Prandaj dhe sot kemi histori të ndryshme për të njëjtin vend që mësohen nëpër shkolla pa i vënë askush në pikëpyetje, varësisht se në cilën pjesë të vendit jetoni. Janë histori të sajuara nga kuazi-politikanë dhe liderë qëllimi i të cilëve është të krijojnë realitetin e vet. Sistemi i arsimit u ka mësuar të rinjve se emri i cili u është dhënë kur lindën përcakton rrugëtimin e jetës së tyre. Sistemi i arsimit nuk ka dashur t’u shpjegojë të rinjve se sa më shumë të jemi bashkë, aq më mirë do ta kuptojmë njëri-tjetrin. Pavarësisht sa shumë përpjekje kanë bërë të rinjtë për të ndërvepruar, sistemi separatist i ka penguar ata, edhe nëse kjo nënkuptonte shfrytëzimin e metodave të frikshme të dy shkollave poshtë të njëjtës çati.[1]

Jam e sigurtë se pas luftës, ka qenë shumë e vështirë poshtë cilësdo çati. Të gjithë u lanë në duart e forcave të veta. Duke u endur nëpër vendin e shkatërruar, në përpjekje për të rindërtuar shtëpitë, një brez i tërë u shpërfill krejtësisht. Brezi “Rinia”, që edhe tani ende nuk e di të vërtetën e plotë, apo me saktë nuk e di se çfarë nuk do të përjetojë sërish. Nga brezi në brez kemi përcjellë trauma, por jo të vërtetën.

Në Bosnje e Hercegovinë, të rinjtë si grup shoqëror përfshijnë një popullsi ndërmjet 15 dhe 30 vjeç. Rinia përshkruhet më së shpeshti si periudha e tranzicionit ndërmjet fëmijërisë dhe të qenit të rritur. Ky trend njihet si “rini e stërzgjatur”, sepse karakterizohet nga arsim më i gjatë institucional, vështirësi me gjetjen e një vendi pune të përshtatshëm, pavarësi të ngadaltë socio-ekonomike, vonesë në fillimin e jetës familjare dhe përfshirje e dobët e të rinjve në vendimmarrje shoqërore. Kur flasim për të rinjtë në Bosnje e Hercegovinë, ne nënkuptojmë brezin e të rinjve që kanë lindur gjatë ose pas luftës, të cilët nuk i mbajnë mend ngjarjet e luftës. Në mjedisin aktual politik, ku lufta ende është ngjarja më e rëndësishme shoqërore, të rinjtë i ekspozohen vazhdimisht interpretimeve të shtrembëruara të së kaluarës, ose më saktë, i ekspozohen interpretimeve nga liderët politikë aktualë të cilët po e bllokojnë procesin e ndërtimit të paqes. Pas luftës u zhvilluan programe të ndryshme me qëllimin për të “rrëzuar” barrierat ndërmjet të rinjve. Karta Evropiane për Pjesëmarrjen e të Rinjve në Jetën Lokale dhe Rajonale shqyrton mënyra për të përmirësuar më tej pjesëmarrjen e të rinjve – si shpërndarja e përvojave pozitive. Të gjitha llojet e pjesëmarrjes në shoqëri duhet të vihen në dispozicion të të rinjve, në mënyrë që afirmimi dhe avancimi i rolit që kanë të rinjtë në zhvillimin e shoqërisë demokratike, të cilët janë në kërkim të përgjigjeve për sfidat e reja me të cilat përballen, sidomos në jetën publike lokale, të riafirmohet dhe rikrijohet në një shoqëri moderne. Politikat etno-nacionaliste të narrativave të përkohshme rreth ndasive kanë çuar drejt mundësive të pafavorshme ekonomike dhe shoqërore për të rinjtë në Bosnje e Hercegovinë prej mjaft kohësh. Kjo është pikërisht arsyeja kryesore përse të rinjtë vazhdojnë të zgjedhin të ikin nga vendi. Nëse ky trend vazhdon, Bosnja e Hercegovina shumë shpejt do të jetë vendi i të moshuarve.

Qëllimi i të kuptuarit të së kaluarës dhe përmirësimit të paqes në Bosnje e Hercegovinë duhet të jetë për t’i inkurajuar të rinjtë që të marrin pjesë në mënyrë aktive në vendimet dhe veprimet në nivel lokal, që është me rëndësi të madhe nëse duam të ndërtojmë një shoqëri më demokratike, të hapur dhe të pasur, por edhe nëse duam seriozisht t’i përfshijmë të rinjtë në procesin e ballafaqimit me të kaluarën. Pjesëmarrja në jetën demokratike të çdo lloji të komuniteteve nuk ka të bëjë thjesht me votime apo kandidimin në zgjedhje, edhe të rinjtë janë element me rëndësi këtu. Pjesëmarrja dhe veprimi qytetar nënkuptojnë se qytetarët kanë të drejta, burime, hapësirë dhe mundësi dhe përkrahje kur është e nevojshme që të marrin pjesë në vendimmarrje dhe ta ndikojnë atë si dhe të marrin pjesë në veprime dhe aktivitete për të kontribuar në krijimin e një shoqërie më të mirë. Kjo mund të sigurojë që të rinjtë jo vetëm dëgjojnë dhe mësojnë për demokracinë, të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve, por edhe kanë mundësinë për t’i vënë ato në praktikë.

Që pjesëmarrja të jetë kuptimplote për të rinjtë, është me rëndësi kyçe që ata të krijojnë dhe ndikojnë mbi vendimet dhe veprimet për sa kohë që janë të rinj dhe jo më vonë gjatë jetës së tyre. Në Bosnje e Hercegovinë, të rinjtë shpeshherë nuk e kanë mundësinë të vendosin për fatet e tyre, por është me rëndësi të shënojmë këtu që në këto rrethana, ata ndonjëherë vendosin t’i marrin punët në duart e tyre. Një shembull global nga përpjekja për arsim janë të rinjtë e Jajcës, të cilët dolën nëpër rrugët e qytetit mbretëror dhe qartazi artikuluan dëshirën e tyre për arsim nën të njëjtën çati.[2] Ata duan të ulen pranë bashkëmoshatarëve të tyre dhe të kontribuojnë së bashku për zhvillimin e tyre dhe për zhvillimin e Bosnje e Hercegovinës. Është me rëndësi që të rinjve si këta t’u ofrohet përkrahje dhe t’u bëhet e ditur se përpjekjet e tyre janë të drejta, që të kontribuojnë për një shoqëri më të shëndetshme për të gjitha grupmoshat në Bosnje e Hercegovinë. Të dekurajon fakti që rinia e Bosnje e Hercegovinës e ndjejnë luftën sikur ta kenë jetuar atë, pa e ditur të vërtetën e plotë prapa saj. Duke përkrahur dhe inkurajuar pjesëmarrjen e të rinjve, ne i kontribuojmë lokalisht edhe integrimit të tyre shoqëror, duke i ndihmuar të përballen jo vetëm me sfidat dhe presionet e rinisë, por edhe me sfidat e shoqërisë moderne, që aq shpesh dominohen nga anonimiteti dhe individualizmi. Në mënyrë që pjesëmarrja e të rinjve të jetë e suksesshme, afatgjatë dhe kuptimplote brenda komunitetit lokal, nuk mjafton që thjesht të zhvillohen apo reformohen sisteme politike dhe të menaxhimit, por edhe të punohet me lidhjet shoqërore ndëretnike të të rinjve. Çdo veprim që ka për qëllim të nxisë pjesëmarrjen e të rinjve duhet të sigurojë edhe prapavijën kulturore që i respekton ata, por duke marrë parasysh nevojat e ndryshme, rrethanat dhe dëshirat e të rinjve. Një veprim i tillë duhet gjithashtu, të paktën deri diku, të krijojë hapësirë për argëtim dhe relaksim. Metodologjia e krijuar në këtë mënyrë quhet kultura e të kuptuarit dhe të të jetuarit të ndërsjellë. Është një kulturë për të cilën kam siguri se do të mirëpritet nga të rinjtë. Ka pak arsye për ta refuzuar, sidomos në ditët e sotme, kur modernizimi e ka vënë gjithçka në dispozicion lehtësisht, pra ata kanë mundësinë të shohin më të mirën dhe më të keqen.

Nga ana tjetër, të rinjtë e Bosnje e Hercegovinës duhet të ndalojnë së prituri që dikush t’i vërë re. Tri dekada që nga agresioni ndaj Bosnje e Hercegovinës janë kohë më se e mjaftueshme për të parë dhe për të kuptuar se mënyra separatiste e jetesës nuk të çon askund. Tri dekada është kohë më se e mjaftueshme për të kuptuar se brezave që vijnë pas nuk duhet t’u lëmë një shtet të çorganizuar. Dhe gjatë këtyre tri dekadave duhet të kemi mësuar se ‘vlerat’ e kohës së luftës shkatërrojnë vlerat e së ardhmes. Nuk duhet t’i glorifikojmë duart e përgjakura, nuk duhet t’i mohojmë jetët që kanë humbur. Ne duam të marrin pjesë, në mënyrë të barabartë dhe me mirëkuptim për tjetrin dhe të ndryshmin. Duhet ta bëjmë.

Ajna Jusiq ka diplomuar për psikologji në Universitetin e Sarajevës. Ajo është kryetare e Shoqatës “Fëmijët e Harruar të Luftës”, e vetmja shoqatë në botë që lufton për vizibilitetin ligjor dhe shoqëror të fëmijëve të lindur për shkak të luftës. Nëpërmjet punës së saj, ajo avokon për gratë që i kanë mbijetuar dhunimit gjatë luftës dhe për fëmijët e lindur gjatë luftës, për të drejtat e komunitetit LGBT dhe minoriteteve. Të drejtat e njeriut janë fokusi kryesor i punës së saj. Ajo është aktiviste e re e cila lufton për barazinë gjinore, lufton kundër seksizmit dhe dhunës seksuale. Nëpërmjet angazhimit të saj dhe luftës për të drejtat e fëmijëve të lindur shkak të luftës, Jusiq u bë edhe bashkëautore e ekspozitës së parë në botë për fëmijët e lindur për shkak të luftës dhe për gratë nga Bosnja e Hercegovina që i mbijetuan luftës. Ekspozita titullohet “Çlirimi” dhe është bërë e njohur ndërkombëtarisht.


[1] “Dy shkolla nën një çati” – Shembulli më i dukshëm i diskriminimit në arsim në Bosnje e Hercegovinë – https://www.osce.org/mission-to-bosnia-and-herzegovina/404990

[2] Beteja e gjatë e nxënësve boshnjakë kundër shkollave të ndara: https://www.mo.be/en/reportage/bosnian-students-long-fight-against-segregated-schools