Derisa mendoja si ta filloja këtë shkrim, mu kujtua se pas revolucionit ose puçit të 5 tetorit (varësisht kush qysh e sheh), kur edhe ndodhi largimi i Millosheviqit nga politika, riaktivizimi i madh i të rinjve nodhi diku mes vitit 2006 – Referendumit për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë dhe zgjedhjeve parlamentare të vitit 2008. Kur analizojmë tash situatën, pesëmbëdhjetë vite më vonë shohim të njëjtat probleme të stërvjetruara në përmbajtje, por duke ia shtuar edhe problemet e reja të krijuara gjatë kësaj kohe bëhen më të shumt në numër, derisa çdo ditë e më pak të rinj të gatshëm e të motivuar për të u ballafaquar në mënyrë aktive me problemet që preokupojnë ata dhe të gjithë komunitetet rreth tyre. Një gjë e ngjashme e riaktivizimit të madh të të rinjve po duket se do të ndodhë sërish, pas Referendumit për ndryshimet në Kushtetuten e Serbisë të 16 janarit dhe zgjedhjeve parlamentare të 3 prillit.
Momentalisht, në kohën kur po jetojmë, pjesmarrja e të rinjëve në jetën publike nuk është se ka ndonjë definicon ose përcaktim të saktë. Sot, kjo gjë më shumë shihet si mjet që siguron ndryshime progresiste dhe pozitive për jetën e të rinjëve në veçanti, dhe ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe të qëndrueshme në përgjithësi. Sipas shumë studimeve dhe hulumtimeve nëpër botë, ose nëse marrim për bazë edhe praktika të ndryshme nga vendet me demokraci të qëndrueshme, përfshirja e të rinjve në jetën publike perceptohet si e drejtë e të rinjve për t’u inkuadruar dhe për t’i marrë përsipër detyrat dhe përgjegjësitë në jetën e përditshme, si dhe e drejtë për të ndikuar në mënyrë demokratike mbi proceset e jetës së tyre. Por, se a mund të themi një gjë të tillë për vendet e vogla ku jetojnë shoqëritë e mentalitetit provincialist, nuk jam i sigurt, sidomos kur flasim për vendet siç është edhe Presheva.
Lugina e Preshevës është emërtim për pjesën jugore të Serbisë që përfshin tri komunat e populluara me shumicë shqiptare, e që ndodhet në kufirin me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Kosovës. Derisa këto komuna bëjnë pjesë në pesë komunat me moshën më të re në Serbi, Presheva mban rekordin rajonal për nivelin e papunsisë dhe stagnimit në zhvillim.
Problemet shumëvjeçare mes shqiptarëve dhe serbëve, si dhe raportet jo të mira në mes Kosovës dhe Serbisë pas vitit 2000, realisht shpërfaqen në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës. Si pasojë e kësaj gjendje të krijuar me vite, çdo ditë e më tepër të rinjtë dhe të rejat që jetojnë në këto vende, humbin dëshirën për të u angazhuar dhe për të shty përpara kauza dhe politika rinore.
Shikuar nga kjo perspektivë, jo vetëm në Luginë, por edhe në vendet e tjera të populluara me pakice etnik e me demokraci në zhvillim, (si psh. Sanxhaku, Veriu i Kosovës, jugu i Shqipërisë, etj.), partitë politike shpesh herë nuk kanë ndonjë qasje serioze e të sinqertë ndaj të rinjve apo zgjidhjen e problemve të tyre. Jo për arsye dëshirore, por sepse gjithçka zhvillohet përmes politikave populiste të politikanëve që qeverisin për disa decenie në njërën anë, derisa në anën tjetër për shkak të mungesës së të rinjve të përgatitur dhe të motivuar për të ndryshuar shoqërinë.
Ky fenomen më së miri vërehet me gjendjen e organizatave të shoqërisë civile nëpër këto vende. Ato ballafaqohen me problemet e mbijetesës për shkak të mungesës së kapaciteteve të zhvillimit dhe menaxhimit të projekteve. Kryesisht janë organizata fiktive që udhëheqen e menaxhohen nga një person i vetëm, të paprofilizuara dhe që aplikojnë në çdo konkurs që shohin pa marrë parasyshë fushën ose temën e konkursit.
Sipas ligjeve në Republikën e Serbisë, përveç institucioneve shtetërore edhe njësitë e vetëqeverisjes lokale obligohen të merren me politika rinore, me qëllim përmirësimin e pozitës sociale të të rinjve dhe krijimin e kushteve për përmbushjen e nevojave dhe interesave të tyre në të gjitha fushat e interesit të të rinjve.
Nëse shohim “Raportin alternativ rreth pozitës së të rinjve në Serbi për vitin 2021” të publikuar nga Organizata Ombrella e Rinisë së Serbisë (KOMS) – asociacion i 104 organizatave rinore dhe për të rinj, 106 komuna nga 145 të përfshira në hulumtim, nuk kanë aprovuar Planin lokal aksional për rini, në mesin e të cilave janë edhe komunat e Luginës. Kjo gjetje dëshmon se në 106 komuna, Zyra për të rinj shfrytëzohet për të punësuar anëtarë të forumeve rinore të partisë ose partive në pushtet, gjë që tregon për nivelin e politikave rinore në nivelet lokale. Kur flitet për organizatat e shoqërisë civile, çdo pushtet themelon organizatat e veta përmes anëtarëve të forumeve të partisë në pushtet dhe i përkrah ato përmes subvencioneve lokale për organizatat joqeveritare.
Në shembullin e Preshevës, qeverisja lokale me subvencionet për organizatat joqeveritare, që maksimalisht kapin vlerën prej 2000 euro për një program vjetor të një organizate, më shumë ka shkatrruar ato se sa ka kontribuar në zhvillimin e tyre dhe vet të rinjve, duke financuar organizata të afërta me pushtetin përmes një procesi jotransparent dhe aspak korrekt, derisa nuk kërkohet të paraqesin raport rreth realizimit të aktiviteteve dhe mënyrës së harxhimeve financiare.
Paralelisht me krijimin e praktikave të tilla, aktivizmi dhe politikat rinore kanë humbur rëndësinë për të cilën ekzistojnë. Kjo ka sjellur edhe humbjen e dialogut dhe bashkëpunimit mes vet të rinjve, sikurse në lokal ashtu edhe me ata të rajonit e më gjërë. Fenomene të tilla kanë sjellur deri te vetizolimi dhe getoizimi i vet të rinjve, duke i shëndërruar ata në inventar zbukurues të aktiviteteve politike ose të projekteve, duke mos i dhënë ndikim real dhe domethënës. Rezultat i kësaj qasje decenien e fundit në nivelin lokal ka rezultuar me krijimin e shumë minigrupeve të rinjësh që nuk bashkëpunojnë, ose edhe më keq urrehen mes vete nga inatet e garës dhe konkurencës për mbijetesë.
Marrë për bazë këtë regres të aktivizmit, duke i shtuar edhe situatën e vështirë ekonomike, të rinjtë e vendeve të ngjashme me Preshevën, çdo ditë e më shumë po zgjedhin modelin populist të mbjellur në shoqëri nga politikan provincialist, si mundësi për promovim në jetën publike në përgjithsi. Qasjet e tilla dhjetë vitet e fundit, kanë rrënuar çdo gjë që është investuar dhe krijuar me vite të tëra në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndëretnik.
Ballafaqimi me të kaluarën në këto shoqëri përmendet vetëm kur është e obliguar, ose për të siguruar financimin e ndonjë projekti afatshkurtër. Bashkëpunimi dhe dialogu mes të rinjëve të etnive të ndryshme në këto rajone është në nivelin e seminareve dhe trajnimeve turistike, në të cilat shkojnë njerëz të njejtë për të shëtitur e jo për shkak të temave që shtjellohen. Në këtë drejtim, një dozë të madhe dekurajuese për bashkëpunim e dialog mes të rinjve të etnive të ndryshme të Ballkanit, vie nga raportet e brishta dhe gjuha e tensionuar mes udhëheqësve të shteteve të rajonit, si dhe për shkak të bisedimeve të stërzgjatura mes Kosovës dhe Serbisë, rezultatet e të cilave nuk po shihen ende në jetën e përditshme të qytetarëve. Bashkëpunimi dhe dialogu mes te rinjve në Ballkan është koncentruar tek të rinjtë e kryeqyteteve duke e larguar edhe më shumë rininë e vendeve në zonat periferike.
Për të iu kthyer fillimit, ngjarjet e fundit të pushtimit rus në Ukrainë dhe qeverisjet autokrate në Ballkan me demokraci hibride, janë alarmi për të gjithë akterët që ndikojnë në edukimin e të rinjve dhe forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndëretnik. Ballafaqimi me të kaluarën dhe bashkëbisedimet për një të ardhme të përbashkët, do të ishin hapat kryesorë të rivendosjes së themeleve të qëndrueshme drejt vendosjes së një demokracie të qëndrueshme dhe bashkpunim të sinqet rajonal, gjë që nuk do të lejon te lajthit shoqëritë tona dhe përsëritjen e historisë së afërme.
Duke filluar nga vet të rinjtë, organizatat e shoqërisë civile, donatorët vendor e të huaj, e deri te institucionet publike, nevoitet të reagohet urgjentisht duke fokusuar mundësitë dhe programet e tyre në krijimin e kapaciteteve për zhvillimin e raporteve të shëndosha dhe vendosjen e një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes të rinjve të Ballkanit, dhe kjo nuk arrihet me sezona, por duke punuar në mënyrë të vazhdueshme dhe me përkushtim. Një gjë është e qartë, është e vështirë të inkurajosh të rinjtë nga vendet më të vogla që të jenë aktiv dhe të politizuar, por nëse arrihet që të aktivizohen në vendin ku ata jetojnë, ajo veprimtari ndikon përgjithmonë në perceptimet e tyre, botëkuptimin dhe kërkimin e mënyrave për të ndryshuar të gjithë botën.
Biografija:
Abdulla Ahmedi është aktivist i shoqërisë civile kryesisht në Preshevë, por aktiv në të gjith rajonin në fushën e të drjetave të njeriut dhe politikave publike. Momentalisht punon si redaktor në mediumin PreshevaPRESS, që kryesisht mbulon temat dhe informacionet që kanë të bëjnë me Luginën e Preshevës, derisa është drejor i organizatës joqeveritare “Organizata Aktivistëve REFORMA” e cila kryesisht punon në aktivizimin e të rinjëve në nivel lokal përmes edukimit joformal dhe promovimit të gjithpëfshirjes në procesin e vendim-marrjes. Ahmedi si i diplomuar në Ekonomi ka punuar shumë shkurt në profesion pasi që nga viti 2005 njihet si aktivist politik dhe për të drejtat e njeriut.