Sikurse tregojnë protestat e kohëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, çështjet kulturore mund të jenë po aq përçarëse dhe çrregulluese sa edhe ato politike. Në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kontestet e vjetra politike për territore pothuajse nuk ekzistojnë në ligjërimin zyrtar, të dy vendet i njohin kufijtë e njëri-tjetrit dhe asnjë parti apo organizatë moderne bullgare nuk kërkon përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në shtetin bullgar, sikurse kërkonin shumë grupe bullgare të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Në vitin 2017, të dy vendet kanë nënshkruar traktatin e miqësisë për t’i përmirësuar marrëdhëniet.
Megjithatë, Bullgaria po e pengon progresin e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Bullgaria i vuri veton bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në nëntor 2020 dhe sërish e vazhdoi këtë nëmaj 2021. Arsyet për veton bullgare janë të rrënjosura në kontestet për kulturë dhe histori. Ato përfshijnë përdorimin e termit ‘gjuha maqedonase’, ekzistencën e kontestuar të minoritetit maqedonas në Bullgari dhe interpretimet kundërthënëse të historive të të dy vendeve, përfshirë dhe përkatësinë etnike të revolucionarit të periudhës osmane, Goce Delcev. Nga ana tjetër, vetoja ka shkaktuar trazira të brendshme në Maqedoninë e Veriut, ku janë zhvilluar protesta dhe partia kryesore opozitare pretendon se qeveria po planifikon t’i dorëzohet kërkesave bullgare.
Çfarë mësimesh mund të nxjerrë Kosova nga kjo? Me rifillimin e procesit të dialogut me Serbinë, të fasilituar nga BE-ja në qershor, është me rëndësi të mos harrohet fakti se çështjet praktike dhe politike që përmbajnë këto negociata nuk janë shuma e marrëdhënieve me Serbinë. Nëse Serbia e njeh ndonjëherë Kosovën, marrëdhëniet e mira fqinjësore do të jenë me rëndësi për suksesin e Kosovës si shtet i pavarur. Këto marrëdhënie do të varen nga një shkallë e gjerë e çështjeve sociale, ekonomike dhe kulturore. Njohja politike nga Serbia nuk do të nënkuptojë se të gjitha kontestet janë zgjidhur. As nuk do ta lërë Serbinë pa pushtet për të penguar kërkesat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Për më tepër, ankesat potenciale kulturore që qeveria e Serbisë mund të përdorë kundër institucioneve të Kosovës, qofshin legjitime apo jo, janë të shumta. Ato variojnë nga trajtimi i manastireve ortodokse serbe deri tek përdorimi i gjuhës serbe në Kosovë, deri tek përmbajtja e teksteve shkollore të historisë. Secila prej këtyre mund të provojë pengesa të ngjashme me ato që po përjeton aktualisht Maqedonia e Veriut.
Qeveria e Serbisë e ka treguar tashmë gatishmërinë për t’i përdorur si armë çështjet kulturore kur kundërshtoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO në vitin 2016. Fushata e Serbisë u fokusua shumë tek trashëgimia kulturore serbe në Kosovë dhe tek shkatërrimet e trazirave antiserbe në vitin 2004. Asnjë nga këto çështje nuk do të largohet nga njohja politike e Kosovës si shtet. Progresi i Kosovës drejt BE-së mund të pengohet nga konteste të vazhdueshme kulturore, njësoj si në rastin e Maqedonisë së Veriut. Kuptohet që situatat janë të ndryshme, pasi Bullgaria tashmë është anëtare e BE-së dhe kështu, ka fuqinë e vetos mbi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, mirëpo ajo që na tregon kontesti ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është se njohja nuk do të thotë përfundim i të gjitha kontesteve, sidomos i atyre që kanë rrënjë të thella, sikurse janë ato që kanë të bëjnë me kulturën. Nuk është larg mendjes që Serbia sërish të bëjë fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, edhe nëse e njeh Kosovën.
E vetmja mënyrë për të shmangur që kontestet e ndërlidhura me kulturën të ngrenë kokë më vonë është që të tentohet për t’i zgjidhur ato tani. Kjo nuk është e lehtë. Aktualisht, qeveria serbe nuk ka gjasa të jetë partnere e gatshme për t’i diskutuar këto çështje. Përpjekjet për marrëveshje bilaterale për tema të tilla shpeshherë kanë qenë të vështira; komisioni i përbashkët i Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për tekstet shkollore të historisë për momentin janë bllokuar. Edhe për organizatat e shoqërisë civile është bërë e vështirë të lundrojnë nëpër këto çështje kulturore. Qendra për Demokraci dhe Pajtim me seli në Selanik u përpoq të krijojë tekste shkollore të historisë për Ballkanin të përbashkëta, që të plotësonin kurrikulat vendore dhe të ofronin perspektivë tjetër. Mirëpo, këto tekste shkollore u kritikuan në Kosovë se relativizonin dhunën e ushtruar gjatë viteve 1990-të.
Pavarësisht këtyre problemeve, duhen bërë përpjekje ose për të punuar me Serbinë që të zgjidhen kontestet, ose nëse kjo është e pamundur, të përgatiten përgënjeshtrime të duhura për linjat e pritshme të sulmit nga Serbia në frontin e kulturës. Kosova mund të vijojë aktivitetet ekzistuese kulturore që mund t’i kontribuojnë marrëdhënieve më të mira me Serbinë. Këto përfshijnë ngjarje kulturore apo të tjera të nuancuara dhe gjithëpërfshirëse. Për shembull, ekspozita ‘Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë’ e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë u shndërrua në hapësirë ku komunitete të ndryshme në Kosovë u takuan dhe treguan rrëfimet e tyre.
Qeveria e Kosovës duhet të jetë e përgatitur për t’u dhënë mbështetje publike dhe për t’i përqafuar veprime të tilla; fakti që qeveria aktuale serbe nuk ka gjasa të veprojë njëjtë, e bën edhe më të rëndësishme përkrahjen për palën e Kosovës. Kështu, do të demonstronte se Kosova e ka seriozisht kontributin për marrëdhënie më të mira me Serbinë dhe do të ndihmonte për të demosntruar ecurinë e Kosovës në rrugën drejt BE-së. Në të vërtetë, BE-ja dhe organizata të tjera të përfshira në nivel lokal, që merren me promovimin e marrëdhënieve të mira me Serbinë, duhet të jenë të gatshme t’i përkrahin nismat e tilla. Në fund, një reflektim më gjithëpërfshirës dhe i nuancuar i historisë u sjell përfitime të dy shoqërive, si dhe marrëdhënieve ndërmjet tyre. Qëndrimi i Serbisë ndaj përpjekjeve të tilla nuk ka gjasa të jetë bashkëpunues, por kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të mos e bëjë hapin e parë.
George Kyris është ligjërues në Universitetin e Birmingamit, MB.
Luke Bacigalupo është Këshilltar i Programit në Parallel Histories, një organizatë bamirëse për arsimin që promovon mënyrën e re për të studiuar konfliktet dhe historinë e kontestuar