A do të marrë ndonjë gjë emrin e tyre?

Kujtimi i rolit të grave gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë

Nëse mbështetemi ekskluzivisht tek programet dhe mesazhet përkujtimore, emërtimet e rrugëve, emërtimet e institucioneve dhe çfarë është shkruar në pllakat memoriale dhe monumentet në Bosnje e Hercegovinën e pasluftës, do të ishte e vështirë të besohej se ka patur ndonjëherë gra që të kenë marrë pjesë në aktivitetet e luftës dhe të ndërtimit të paqes. Nga ana tjetër, kultura orale dhe jozyrtare e kujtesës na tregon kontributin e jashtëzakonshëm të grave në të gjitha aspektet e jetës gjatë luftës. Duke analizuar këtë kundërbalancë ende alternative të narrativave zyrtare, vrasim mendjen se si mund t’i kishim mbijetuar luftës pa gratë? Ku dhe përse është margjinalizuar perspektiva femërore e luftës/përse gratë e Bosnje e Hercegovinës nuk janë pjesë e kulturës së kujtimit në hapësirën publike? Përse ato nuk janë pjesë e detyrueshme e procesit të memorializimit zyrtar?

Për të ardhur deri tek një përgjigje, duhet së pari të shqyrtojmë se kush i krijon narrativat zyrtare, kush i përdor ato dhe si. Në kontekstin e luftës në Bosnje e Hercegovinë, krijuesit më aktivë të kulturës zyrtare të kujtimit janë partitë etno-kombëtare dhe media simpatizuese ndaj tyre; janë komunitetet fetare dhe akademike; janë ministritë dhe shoqatat kompetente për çështje të veteranëve, si dhe familjet e viktimave. Ministritë zakonisht janë organizatorët formalë të përkujtimeve të datave të rëndësishme të luftës.

Që nga viti 1996, përkujtimet e përvjetorëve të luftës kanë pothuajse programe identike. Duket si e mirëqenë se duhet t’i përmbajnë këta elementë: vizita nëpër varreza (preferohen hapësirat e përcaktuara për ushtarët e rënë), vendosja e luleve tek monumentet e ushtarëve të rënë (që, si rregull, ruajnë kujtimin e mbrojtësve meshkuj të rënë), ritualet fetare (mundësia për t’u lidhur me luftën, besimin, identitetin dhe traditën), ngjarjet formale (mundësitë për pozicionim politik dhe akademik), orët e historisë nëpër shkolla (me informacion që nuk është pjesë e kurrikulës zyrtare) dhe shpalljet për konkurse për punime letrare dhe artistike të fëmijëve rreth temës së luftës (fëmijët shkruajnë për dhe pikturojnë komandantë dhe beteja të frymëzuar nga emocionet dhe kujtimet e prindërve të tyre).

Nëse (!) ka hapësirë për to ndopak, pjesë të programeve i pozicionojnë gratë në rolin e viktimës në bazë të matricës patriarkale të politikave kombëtare: si nëna e fëmijëve të luftëtarit të rënë, si viktimë e përdhunimit dhe e krimeve të tjera, apo si pjesë e pafuqishme e popullsisë, mbijetesa e së cilës varej nga burrat. Asnjëherë si subjekt, por ekskluzivisht si objekt.

Duke qenë të vetëdijshëm për rolin qendror të ministrisë[1] për çështje të veteranëve në kulturën e kujtimit të luftës së kaluar dhe për faktin se nuk ka ministri shtetërore përkatëse, është me rëndësi të vërehet se nga gjashtë persona që kanë patur postin e ministrit në nivel të entitetit të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, vetëm një ka qenë grua. Nga ana tjetër, entiteti i Republika Srpskas nuk ka patur asnjë grua në krye të ministrisë përkatëse. Pa dashur të nënkuptohet se ministret gra do të udhëhiqnin politika të ndryshme sa i përket kulturës së kujtesës, në kontekst të këtij artikulli është fakt tregues që gratë shpeshherë as nuk janë opsion për vendet e para të ministrive[2] për çështje të veteranëve.

Të vësh në pikëpyetje pjesëmarr;jen në luftë shpeshherë përdoret nga burrat si vegël efektive diskredituese, sidomos në jetën politike. Burri është i pranueshëm, legjitim dhe politikisht i paprekshëm në proporcion me perceptimin që aleatët, kundërshtarët dhe publiku i përgjithshëm kanë për rolin e tij në luftë dhe në rindërtimin e vendit pas luftës. Nga ana tjetër, i njëjti parim pothuajse shpërfillet në rastin e grave. Aktiviteti socio-politik i grave pothuajse asnjëherë[3] nuk sillet në sferën publike në lidhje me të kaluarën e tyre të kohës së luftës. Për më tepër, kjo e kaluar ose shpërfillet, ose përqeshet. Ka shembuj të shumtë të dëshmive për degradim në rangun ushtarak, për demobilizim të padrejtë të grave pas luftës dhe mosdhënien e medaljeve për gratë pjesëtare të njësive ushtarake që ato i kanë merituar[4].Këta janë shembuj që paraqesin dimensionin ushtarak të luftës, por sidomos qëndrimin ndaj grave që ka qenë i ngjashëm edhe në sfera të tjera shoqërore.

Zyrtarët publikë kompetentë i shpërfillin nismat e shoqërisë civile që synojnë të përfshijnë edhe perspektivën dhe kontributin e grave në kulturën zyrtare të kujtesës. Që nga viti 2014, lëvizja e grave aktiviste Nisma “Paqja me fytyrë gruaje” ka bërë përpjekje për të siguruar mbështetjen e Kuvendit Parlamentar të Bosnje e Hercegovinës që data 8 dhjetor të shpallet si Dita Zyrtare e Kujtimit për gratë e vrara në luftën në Bosnje e Hercegovinë.[5] Pavarësisht se janë shpërfillur nga institucionet që nuk kthejnë asnjë përgjigje, shoqatat e mbledhura në këtë rrjet të aktivistëve e festojnë jozyrtarisht këtë datë çdo vit nëpër rrugët e 12 qyteteve të Bosnje e Herecegovinë.[6]

Një tjetër shembull se si kontributi i grave dhe përfshirja e tyre në kulturën zyrtare të kujtimit po shpërfillet, janë përpjekjet për ta emërtuar sheshin përballë Ndërtesës së Komunës në Sarajevë. Fondacioni CURE, në emër të Nismës “Paqja me fytyrë gruaje” dhe me përkrahjen e disa organizatave të shoqërisë civile kanë marrë nismën që ky shesh të emërtohet me emrin e Aida Buturoviqit, bibliotekistes së Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Bosnje e Hercegovinës e cila u vra ndërsa po kthehej në shtëpi nga operacioni për t’i shpëtuar librat nga ndërtesa e komunës që kishte marrë flakë.[7] Institucionet kompetente kanë vendosur për praktikën e krijuar që t’u jepet prioritet njësive ushtarake ose policore, pra të pjesëtarëve burra, kur është fjala për emërtimin e rrugëve dhe e quajtën atë Sheshi i Brigadës së Parë Policore. Pasi u përballën me kritika nga shoqëria civile, kryetari i komunës së Sarajevës bëri njoftimin se do të instalohej një pllakë memoriale në kujtim të Aida Buturoviqit.[8] Vendosja e kësaj pllake memoriale në pjesë anësore dhe jo në hapësirë publike të dukshme dhe të rëndësishme është një tjetër mundësi e humbur që hapësirat publike të marrin emrat e grave që e meritojnë dhe një ripërsëritje e praktikës problematike të emërtimit të rrugëve dhe institucioneve në Bosnje e Hercegovinë.

Udhëzuesi për Emërtimin e Rrugëve me Emra të Grave[9] i vitit 2022 ekspozon statistika të frikshme. Rrugët që mbajnë emrat e grave apo të aktivizmit dhe përvojës së grave përbëjnë vetëm 1.48% Sarajevë, 0.5%Mostar, 6.61%Banja Lluka dhe 2.45% Tuzlla. Grupi i aktivisteve prapa të ashtuquajturit Udhëzues kanë përgatitur edhe leksikonin[10] “100 gra – 100 rrugë me emra grash” me biografitë e grave që kanë shtyrë kufijtë në komunitetet e tyre në Bosnje e Hercegovinë. Ky dhe publikime të tjera[11] me të njëjtën temë apo të ngjashme sjellin informacion për gratë meritore në Bosnje e Hercegovinë, me qëllimin që t’i kontribuojnë literaturës për gratë dhe të ushtrojnë presion për t’u dhënë grave vendin e merituar në kulturën e kujtesës.

Duke marrë parasysh gjithë sa u tha më lart, ngrihet pyetja se si dhe me kë të vazhdohen përpjekjet për vendin e grave në kulturën zyrtare të kujtesës. Një sistem politik i fragmentuar, mungesa e vullnetit politik dhe sinergjia e fortë e aktorëve që sundojnë në kulturën aktuale të kujtesës çojnë drejt një muri i cili, sipas rregullave aktuale të lojës, është i vështirë të kapërcehet. “Lojtarët e rinj” – brezat e lindur pas luftës në Bosnje e Hercegovinë – bartin potencialin më të madh për t’i ndryshuar ato rregulla. Edhe pse ata shpeshherë shpërfillen si brezi i internetit, të painteresuar në të kaluarën e afërt, këta të rinj me orientim global që nuk janë konsumatorë të mjeteve konvencionale të informacionit mund të jenë pjesa e fundit e shoqërisë që nuk janë helmuar nga urrejtja. Për momentin, një pjesë e madhe e tyre nuk janë të përfshirë në çështjen e kulturës së kujtesës, por numrat e tyre po rriten çdo ditë. Dhe do të vijë dita kur ata do të nisin të kërkojnë informacion për gjyshet e tyre dhe për rolin e tyre gjatë luftës në vitet nëntëdhjetë. Është në dorën e luftëtarëve të sotëm për barazi gjinore dhe pozicionim më të drejtë të grave në kulturën e kujtesës që t’u japë atyre sa më shumë argumenta dhe burime që është e mundur për t’i arritur këto qëllime.

Edo Kanliq është aktivist i paqes nga Gorazhde që aktualisht jeton dhe punon në Sarajevë. Ai ka studiuar në universitetet e Ankarasë, Pragës, Bolonjës dhe Sarajevës në kuadër të një programi diplomik në marrëdhënie ndërkombëtare dhe programi të studimeve për mastër në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Aktualisht ai punon në Qendrën e Hapur të Sarajevës si koordinator i Nismës për Monitorimin e Integrimit Evropian të Bosnje e Hercegovinës. Në kuadër të punës së tij si aktivist, ai merret me temat e edukimit, veçimit në shkolla, pjesëmarrjes aktive të të rinjve në proceset e vendimmarrjes, ballafaqimin me të kaluarën dhe memorializimin. Ai e adhuron letërsinë, artin teatror dhe muziukën dhe aktualisht këndon për Korin e Përzier Kamertal të Sarajevës “Lola”.


[1] Mandati i Ministres Suada Haxhoviq zgjati më pak se dy vjet, nga 12 marsi 2001 deri në 14 shkurt 2003.

[2] Gjendja është e ngjashme edhe me ministritë kantonale. Kantoni i Sarajevës ka në total 12 ministra dhe asnjë grua në atë pozicion. Aktualisht, asnjë department ministror kantonal nuk udhëhiqet nga ndonjë grua dhe uebfaqet e shumicës së qeverive kantonale nuk paraqesin informacion për emërime të mëparshme.

[3] Sidoqoftë, ka edhe shembuj si ky: kundërshtarët politikë të parlamentares shtetërore aktuale Sabina Qudiq,të sfiduar nga kandidimi i saj për kryetare të komunës së Sarajevës, thonë se gjatë luftës ajo ka jetuar në Beograd. Edhe pse ky informacion nuk ka rëndësi, se ku kandidatët për poste publike kanë jetuar në periudha të ndryshme të jetës së tyre, është me interes të vëresh se kandidatja Qudiq ka qenë 10 vjeç në fillim të luftës. Më shumë në:

https://www.klix.ba/vijesti/bih/miladin-o-ulozi-u-aferi-asim-nisam-glasao-za-sabinu-cudic-jer-je-u-ratu-bila-u-beogradu/200303057

[4] Elvira Aganović, “Gratë në luftë”, regjistruar në maj 2010 si prodhim i Radio-Televizionit të Kantonit boshnjak të Podrinjes në Gorazhde, format video, 57:00; 1:00:00, https://www.youtube.com/watch?v=Ne73aWRwJFw&t=23s

Sunita Dautbegović-Bošnjaković, “Dimensioni i harruar i luftës në Bosnje e Hercegovinë – gratë ushtare”, në Çfarë është siguria gjinore, red. Damir Arsenijević dhe Tobias Flessenkamper (Sarajevë, Qendra e Hapur e Sarajevës, 2013) 79-98, gjendet në: https://soc.ba/site/wp-content/uploads/2013/02/Kojeg-je-roda-sigurnost_WEB_bos.pdf
Mirjana Trifković, “Ana tjetër e medaljes”, Ballafaqimi me të Kaluarën, azhurnuar për herë të fundit më 8 korrik 2020,https://dëp-balkan.org/bs/druga-strana-medalje/

[5] Azem Kurtić, “Kujtimi i shenjuar i grave të vrara në luftë”, Detektor.ba, azhurnuar së fundmi më 8 dhjetor 2022, https://detektor.ba/2022/12/08/obiljezeno-sjecanje-na-zene-ubijene-u-ratu/

[6] Edina Rizvić, “8 dhjetor – Dita e Përkujtimit të Grave Viktima në Luftën në Bosnje e Hercegovinë”, RTV Slon, azhurnuar së fundmi më 7 dhjetor 2022, https://www.rtvslon.ba/8-decembar-dan-sjecanja-na-stradanje-zena-u-ratu-u-bosni-i-hercegovini/

[7] “Sheshi pranë Vijećnica do të marrë emrin e Aida Buturoviqit: ajo u përpoq t’i shpëtonte librat nga ndëtesa në flakë, u vra rrugës për në shtëpi”, DEPO, azhurnuar së fundmi më 17 dhjetor 2021, https://depo.ba/clanak/225296/trg-kod-vijecnice-nazvati-po-aidi-buturovic-iz-zapaljene-zgrade-pokusavala-spasiti-knjige-ubijena-na-putu-do-kuce

[8] “Sarajeva ngre pllakë përkujtimore për Aida Buturoviqin, heroinën që shpëtoi librat nga ndërtesa e komunës në flakë” Klix.ba, azhurnuar së fundmi më 25 gusht 2022,  https://www.klix.ba/vijesti/bih/sarajevo-podize-spomen-plocu-aidi-buturovic-heroini-koja-je-spasavala-knjige-iz-zapaljene-vijecnice/220825113

[9] Jasmina Čaušević, Lejla Gačanica dhe Ljilja Lukić, Udhëzues për emërtimin e rrugëve me emra të grave (Bijeljina-Sarajevo: Fondacioni “Lara” Bijeljina dhe Forum Ziviler Friedensdienst e.V., 2022), gjendet në:http://hcabl.org/wp-content/uploads/2022/03/Vodic-za-imenovanje-ulica-po-zenama-WEB.pdf

[10] Red. Gorica Ivić, Jasmina Čaušević dhe Selma Hadžihalilović, Leksikon për gratë që shtynë kujfijtë e komuniteteve të tyre në Bosnje e Hercegovinë: 100 gra – 100 emërtime rrugësh që mbajnë emrat e grave (Sarajevo, Bijeljina, Tuzla: Forum Ziviler Friedensdienst e.V., Fondacija “Lara” Bijeljina, Association HO HORIZONTI Tuzla, 2021), gjendet në: https://dwp-balkan.org/staging/wp-content/uploads/2022/05/100-zena-100-ulica-po-zenama-WEB22_compressed_1651813903.pdf

[11] Shembuj në literaturë janë: Gratë e Bosnje e Hercegovinës, Ato janë tonat sot, regjistruar – gratë dhe jeta publike në Bosnje e Hercegovinë në shekullin 20.