Iu kthyem muzikës më agresive, sepse aty e gjenim paqen

Muzika në kulturën e kujtesës së kohërave të luftës në Kosovë

Muzika mund të shërbejë si burim i rëndësishëm emocional për njerëzit dhe të krijojë ndjesinë e komunitetit. Për më tepër, ajo ka potencialin që të shpërqendrojë nga realitetet dhe të frymëzojë entuziazëm kolektiv. Gjatë kohërave të luftës, krahas funksioneve të veta politike dhe ushtarake, muzika mund të marrë edhe një rol qendror për të portretizuar normalitetin e jetës dhe të ofrojë prehje emocionale përballë vështirësive të jetës. Prandaj, bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që muzika të përfshihet si pjesë jetike e kulturës së kujtesës historike, sidomos në kontekstin e Kosovës. Në kuadër të projektit të titulluar “Botët muzikore në kohën e luftës në Kosovë”, një ekip hulumtuesish nga Universiteti i Lirë i Berlinit nisën një eksplorim të skenës muzikore të Prishtinës në vitet 1990-të. Qëllimi ishte që muzika të shqyrtohej brenda një mjedisi të stërngarkuar nga krizat dhe të hidhej dritë mbi përvojat e atyre që kanë qenë pjesë e asaj skene.

Në vitet 1990-të, Prishtina dhe skena e vet muzikore u ndikuan nga represioni me të cilin përballej popullsia shumicë shqiptare e Kosovës nën sundimin serb, që arriti kulmin e vet me luftën. Pavarësisht atyre kohërave të vështira, skena muzikore ia doli të krijonte jetë kulturore brenda qytetit. Nga ana tjetër, njerëzit stërngarkoheshin nga problemet e mbijetesës dhe iknin. Brenda kornizës së projektit hulumtues, njerëzit të cilët ishin pjesë e asaj skene kanë risjellë në kujtesë vendet ku shqiptarët e Kosovës sërish mund të lulëzonin. Ata kanë folur për nevojën e improvizimit që ishte e domosdoshme gjatë asaj kohe, si dhe për frikën dhe trishtimin, krahas çasteve të argëtimit dhe gëzimit.

Mbijetesa bëhej gjithnjë e më vështirë në jetën e përditshme në Prishtinë gjatë viteve 1990-të. Vetëm pak shqiptarë të Kosovës mund të shkonin në punë dhe të fitoje para ishte gjithnjë e më e rrallë. Megjithatë, bëheshin përpjekje për të ruajtur një dukje të normalitetit, përfshirë edhe të siguroje qasje në shkolla dhe në jetë shoqërore. Njerëzit ndihmonin njëri-tjetrin që të përballonin kërkesat e përditshmërisë. Megjithatë, pas shpërthimit të luftës në vitin 1998 dhe në vitin 1999, përditshmëria u shenjua nga përfundimi i aktiviteteve kulturore. Prioritetet u zhvendosën drejt mbijetesës peresonale dhe shqetësimeve për sigurinë e njerëzve të dashur. Nga ai moment, nuk bëhej më fjalë për muzikë dhe frymëzim. “Kur filloi lufta, të gjithë vrisnin mendjen se si do të mbijetonim. Jeta kulturore mbeti pezull. Nuk ekzistonte më skenë plot gjallëri, edhe pse kishte qenë në të nëntëdhjetat. Mirëpo në vitet 1998 dhe 1999, ajo u shpërbë pothuajse tërësisht”, ka thënë Bujar Berisha i grupit Troja.

Në vitet 1990-të, skena muzikore shqiptare e Kosovës në Prishtinë dominohej nga zhanre të ndryshme si metali, punk-u, hip-hopi dhe rock’n’roll-i. Më vonë, u shfaqën muzika elektronike dhe rave. Varfëria, mungesa e mjeteve dhe gjendja e rëndë politike çuan drejt një qasjeje të improvizuar dhe të bazuar në solidaritet për të siguruar mjetet e nevojshme. Instrumentët muzikorë rrallëherë ishin në dispozicion apo ishin të cilësisë së dobët, të bërë vetë. Grupet, të cilët e njihnin njëri-tjetrin mirë, shpeshherë i përdornin bashkërisht. Petrit Çarkaxhiu i grupit Jericho e ka përmbledhur gjendjen shumë qartë duke rrëfyer tregimin unik të instrumenteve. Luan Qorraj e ka shtjelluar më tej: “Nuk kishim ku të luanim, por kishte shumë grupe. Njerëzit luanin rap, punk, metal, rock. Ishin kohëra shumë të dhunshme. Ne iu kthyem muzikës më agresive, sepse atje e gjenim paqen”. Megjithatë, pati edhe vendtakime kryesore dhe hapësira për performanca që lulëzuan pë vite të tëra. Një pikë e tillë ishte Kurrizi, një korridor për kalimtarë në lagjen Dardania. Kurrizi u shndërrua në pikën qendrore kulturore për komunitetin me shumicë shqiptare, ku lulëzonin baret dhe kafenetë që shërbenin si pika referimi shoqërore me rëndësi jetike. Gjithashtu, Teatri i Kukullave Dodona dhe restoranti Hani i dy Robertëve shërbenin si vende të rëndësishme për ekspozita dhe koncerte. Po ashtu, klube si Queens, America dhe Casablanca u ofronin shqiptarëve të Kosovës mundësinë që të organizonin edhe koncerte apo festa relativisht më të mëdha.

Qasja në vende të tjera doli të ishte e vështirë ose e pamundur për shqiptarët e Kosovës. Prandaj, shtëpitë private dhe bodrumet e tyre u shndërruan në hapësira shtesë ku grupet bënin prova apo ku mbaheshin festa. Pavarësisht të gjitha kujtimeve negative nga koha e luftës, ata që ishin të përfshirë në skenën muzikore të asaj kohe ende e asociojnë atë me emocione pozitive, me shoqëri jetëgjata dhe çaste kalimtare të lirisë, normalitetit dhe gëzimit. Gjatë kohërave më të vështira, muzika mbeti burim kënaqësie. Dritero Nikqi nga grupi Troja e ka përmbledhur periudhën e viteve 1990 si periudhë të përkufizuar nga gjallëria muzikore dhe kulturore, pavarësisht vështirësive të saj. “Kishte të bënte me mbijetesën. Kishte të bënte me miqësinë. Dhe pastaj, me të qenit krijues”. Themeluesi i klubit Bersant Rizaj ka thënë në një intervistë “Gjendja e mendjes njerëzore ka diçka, që nëse nuk je i sigurtë nëse do të jetosh apo vdesësh nesër, atëherë më mirë të argëtohesh”. Ndasitë shoqërore dhe hapësinore të përditshmërisë zakonisht shpërbëheshin në hapësirën e jetës së natës. Kishte raste kur serbë merrnin pjesë në koncerte dhe festa të shqiptarëve. Për më tepër, muzikantët dhe pronarët e bareve tregojnë për ngjarje të përbashkëta dhe miqësi të ngushta. Gjatë koncerteve dhe festave të viteve 1990-të u shfaqën hapësira ku dallimet etnike shuheshin.

Megjithatë, bashkëpunimi ndëretnik brenda skenës muzikore ishte vazhdimisht i brishtë. Nga njëra anë, shqiptarët anashkaloheshin nga shqiptarët e tjerë, nëse, pavarësisht shtypjes, ata ftonin serbë në festat e tyre apo edhe përfshiheshin në marrëdhënie romantike me ta. Nga ana tjetër, policia serbe mezi priste të parandalonte çfarëdo ndërveprimi ndërmjet popullsisë civile serbe dhe skenës muzikore shqiptare. Shoqëria me shumicë shqiptare e Kosovës kishte ndërveprime të kufizuara me subkulturën muzikore, pasi një pjesë e tyre stigmatizoheshin si të varur nga droga dhe të padobishëm për shoqërinë, sikurse ka vërejtur Arben Islami, një DJ i asaj kohe. Edhe pse brezi më i vjetër e kishte të vështirë të përqafonte zhanret e reja muziore, ata nuk u përziheshin muzikantëve, sepse, sikurse ka vërejtur Vjosa Shala, gjendja “veçse ishte e keqe”.

Një aspekt mjaft shqetësues i përditshmërisë së figurave kryesore në skenën muzikore të Prishtinës ishin kontrollet policore dhe ngacmimet dhe frika që ndërlidhej me to. Regjimi i aparteidit e ndërlikonte edhe më shumë qasjen në vendet e koncerteve, ndërsa policia i bastiste rregullisht baret e shqiptarëve. “Më kujtohet kur luajtëm shfaqjen tonë të parë dhe një polic i armatosur deri në dhëmbë kërkoi të shikonte listën e këngëve dhe tekstet e secilit grup. Në atë kohë, ne luanim “cover”-a. Ishte çmenduri. Ata ndenjën atje gjatë të gjithë shfaqjes se mos thërrisnim ‘Kosova Republikë!’ apo ndonjë thënie tjetër subversive si ajo”, e ka përshkruar Dritero Nikqi një skenë të asaj kohe. Duke u nisur nga vuajtjet e përditshme, tekstet e shumë grupeve morën tone shumë politike. Tema si liria, solidariteti, problemet shoqërore, aparteidi dhe rezistenca ishin të pranishme në shumë këngë, ka thënë Petrit Çarkaxhiu.

Si përfundim, ky këndvështrim paraqet rolin shumë të rëndësishëm emocional, shoqëor, kulturor dhe politik që ka luajtur muzika në atë kohë, sidomos për grupin shoqëror që ishte pjesë e asaj skene muzikore. Po ashtu thekson vlerën e përbrendësuar kur i referohemi një lloji të kulturës së kujtesës të ndërlidhur me muzikën dhe bashkëndarjen e rrëfimeve të përvojave nga bota muzikore e kohërave të shkuara të luftës, pasi muzika mund të sjellë gëzim dhe t’i mbështesë njerëzit edhe në ekzistencën e përditshme të ndikuar nga negativiteti.

Prandaj, ato mendime mund të përshkruhen nga thënia tërësore e Bujar Berishës, i cili e përshkruan muzikën si mjet që e ka shoqëruar Kosovën drejt një të ardhmeje më të mirë në fund:

“Ne u përpoqem ta ndryshojmë sistemin dhe nuk ia dolëm. Atëherë, ajo çka bëmë në vitet e nëntëdhjeta ishte se i ushqyem njerëzit me fuqi dhe me kurajon për qëndresë. Nuk po them se këtë e bëri Rock ´n´ Roll-i, por ne bëmë pjesën tonë, sepse ai ishte mjeti ynë. Nuk mund të bënim diçka tjetër. Ne bëmë muzikë. Të tjerët bënë diçka tjetër. Të gjithë bënë punën e vet. Dhe ne ia dolëm, me ndihmën e vendeve perëndimore. Sigurisht që pa ata, Millosheviqi nuk do të ishte dëbuar. Por atëherë ne bëmë pjesën tonë. Perëndimi bëri pjesën e vet. Dhe ja ku jemi tani. Këtu mund ta pimë nga një shnaps. Mund të pimë cigare. Nuk do të vijë ndonjë polic serb që të… E dini, tani jeni pothuajse si në Gjermani. Jo në aspektin e infrastrukturës, por edhe këtu është këndshëm”.


Ky artikull është rezultat i projektit “Botēt e muzikës në kohën e luftës në Kosovë”. Artikulli është shkruar nga Katharina Becker dhe Joschka Hofmann, në bashkëpunim me Anastasia Tikhomirova, Felix Fischer dhe Philipp Zimmermann.