Foto: YIHR
Përkthimi në anglisht: Luna Gjorgjeviq
Si përballeni me faktin se keni ndjenja edhe pozitive, edhe negative për diçka që ka ndodhur? A është e mundur që një ngjarje të jetë në të njëjtën kohë edhe fitore, edhe disfatë, edhe ligjore, edhe kriminale?
Cila është marrëdhënia ndërmjet etnicitetit dhe emocionit kur mendojmë për Operacionin Stuhia? Nëse jam kroate, a duhet të jetë vetëm se krenare për Operacionin Stuhia, si fitore shumë e rëndësishme e Ushtrisë Kroate dhe nëse jam serbe, a duhet ta shoh vetëm si spastrim etnik dhe asgjë tjetër? Sepse duke e ndërlidhur nga afër me etnicitetin, shoqëria jonë ka të kuptuar “të saktë” të Operacionit Stuhia.
Nuk është qëllimi im që të vlerësoj në mënyrë psikologjike marrëdhënien me ngjarjet e vitit 1995, por nuk ka dyshim se emocionet, e krijuara dhe të manipuluara duke përdorur mite etno-nacionaliste, ushtrojnë ndikim të konsiderueshëm tek interpretimet e ndryshme rreth asaj që ka ndodhur në gusht të vitit 1995 dhe në muajt që vijuan.
Nuk do të ishte dhe aq problem nëse rezultati përfundimtar i atyre emocioneve do të ishte thjesht ndarje pasive, por pasojat e tyre janë shumë më të mëdha se sa aq, sepse ato gjenerojnë urrejtje, në rastin tonë urrejtje ndëretnike. Kjo urrejtje nga ana e vet ushqehet nga interpretime të anshme të ngjarjeve që bëhen nga individë të painteresuar, por nga elitat politike që kanë nevojë për urrejtjen që të mbijetojnë.
Sidoqoftë, teksa i afrohemi përvjetorit të 25-të të Operacionit Stuhia, në sferën e gjerë publike kroate janë shfaqur disa perspektiva margjinale që deri tani janë kufizuar tek individë dhe organizata të shoqërisë civile.
Toleranca, mirëkuptimi, respekti, viktimat civile, rrugët që ndërthuren në vend se të krijojnë ndarje, kultura e paqes, përkujtimi i duhur i të gjitha viktimave, të rinjtë, fëmijët, e ardhmja, fitore për politikën e mirkëuptimit dhe respektit kundrejt politikës së urrejtjes – këto janë tashmë qëllimet e deklaruara nga qeveria, Kryeministri, nga zyrtarët shtetërorë dhe anëtarët e parlamentit dhe këto tregojnë për një perspektivë të re për shenjimin e Fitores dhe Ditës së Falenderimeve të Atdheut.
Kohëve të fundit kemi patur mundësinë të jemi dëshmitarë të një momenti historik gjatë të cilit një përfaqësuese e parlamentit e mori fjalën dhe tregoi historinë e saj personale si vajzë refugjate, i foli të gjithë kombit dhe na bëri thirrje të krijojmë një shoqëri të lirisë dhe bashkë me të, një të ardhme të përbashkët. Ajo iu drejtua kolegëve të vet, që kanë qenë fëmijë edhe ata në atë kohë, duke u treguar se serbët janë më se të vetëdijshëm për faktin se shumë kroatë kanë kaluar nëpër të njëjtat vuajtje dhe frikëra që nga fillimi i luftës.
Ky fjalim nga përfaqësuesja Anja Shimpraga, shenjoi fillimin e një kapitulli të ri në historinë kroate dhe përmbushjen e një qëllimi afatgjatë të shumë OJQ-ve. Ne duhet të fokusohemi tek viktimat, të krijojmë hapësirë që ata të rrëfejnë tregimet e tyre, pasi askush tjetër nuk mund të tregojë në mënyrë kuptimplotë atë që kanë përjetuar ata.
Pavarësisht tmerreve të së kaluarës, Shimpraga shtoi edhe këto fjalë më 31 korrik: “Është koha të ecim përpara dhe ta pranojmë faktin se nuk jetojmë më në luftë.”
Përkujtimi zyrtar këtë vit do të shohë shfaqjen e gjeneralit Ante Gotovina, i cili ka qenë komandanti i Ushtrisë Kroate në jug gjatë Operacionit Stuhia, mirëpo edhe dikush me përvojë në Hagë. Nëse ai vazhdon me fjalimet e tij të mëparshme për t’u kthyer nga e vërteta me fjalim të ndershëm dhe të hapur rreth së kaluarës, kjo do të shenjonte një pikë kthese se si ne i interpretojmë ngjarjet e vitit 1995.
Edhe pse në zyrën e Kryeministrit kroat gjendet i njëjti person si vitin e kaluar, qasja e qeverisë ndaj përkujtimit të përvjetorit të Operacionit Stuhia mund të hapë një kapitull të ri në historinë e kujtimit tonë. Zyrtarët e qeverisë nuk do të vizitojnë thjesht Kninin këtë vit për të përkujtuar Fitoren dhe Ditën e Falenderimeve të Atdheut dhe Ditën e Mbrojtëse Kroatë dhe 25 vjetorin e Operacionit Stuhia, por më vonë në gusht, Ministri dhe Zëvendëskryeministri Medved do t’i bashkohet përkujtimit të serbëve civilë që u vranë gjatë Operacionit Stuhia në fshatin Grubori.
Fakti që është pikërisht Ministri i Veteranëve Kroatë dhe Zëvendëskryeministri që është caktuar të vizitojë vendin e vuajtjes dhe vrasjes së civilëve për të shprehur keqardhjen në emër të qeverisë dhe për t’i përkujtuar viktimat si duhet, duhet të nënkuptojë se është marrë vendim politik për të marrë përsipër përgjegjësinë 25 bjet pas vrasjeve. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ky do të jetë një precedent shumë i rëndësishëm.
Nga ana tjetër, një lëvizje më komplekse politike është vendimi nga përfaqësuesi kryesor i serbëve të Kroacisë, Zëvendëskryeministri Boris Millosheviq, për të shkuar në Knin më 5 gusht, duke patur parasysh faktin se në vitet e kaluara, kjo ngjarje kryesisht është përdorur si demonstrim i përjashtimit nacionalist. Megjithatë, duke qenë se jemi dëshmitarë të një mundësie historike për të nisur një rrugë më të gjerë të perspektivave të përbashkëta për luftërat e viteve 1990s, nuk dua të jem shumë e kujdesshme dhe të vë në dyshim nevojën për një vizitë të tillë. Shpresoj se duke qenë atje, ai së paku do t’ia dalë me sukses asaj që vizita synon të arrijë – krijimin e një atmosfere të pajtimit dhe dialogut që ne si shoqëri duhet ta pranojmë dhe t’i njohim të gjitha viktimat, pavarësisht kombësisë së tyre.
Ka pritshmëri të mëdha për përvjetorin dhe festimet këtë vit për Ditën e Fitores dhe Falenderimeve të Atdheut. Gjëja më e mirë për të bërë është të presim dhe të shohim nëse përkujtimet do të sjellin ndryshime, nëse e ndalojnë shpërfilljen e pjesës për krimet e kryera, ashtu si ka ndodhur shpesh në të kaluarën, por edhe për të parë nëse ky përkujtim do të krijojë shembull pozitiv për të tjerët, si përkujtimet e operacioneve Flash dhe Xhepi Medak, për të parë nëse iu mundëson të ecin në hapat e tij për të shenjuar zyrtarisht viktimat civile gjatë dhe pas operacioneve.
Do të doja të përfundoj me një citat nga njëri prej pjesëmarrësve në një nga programet për të rinjtë nga ish-Jugosllavia, organizuar nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, i dizajnuar për të mundësuar dialogun për ngjarjet në vitet e nëntëdhjeta, për të tejkaluar traumat e trashëguara dhe për t’i motivuar brezat e rinj që të marrin pjesë në ndërtimin e një shoqërie që mendon në mënyrë kritike dhe jo të përsërisin gabimet e së kaluarës:
„Ekziston shpresa se gjërat do të përmirësohen“.
Branka Vierda, master në juridik, ka punuar për Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut që nga viti 2017, ku ajo koordinon programet e drejtësisë dhe pajtimit. Përveç interesimit të saj për drejtësinë tranzicionale, ajo ka punuar dhe është arsimuar në fushën e të drejtave të njeriut për më shumë se dhjetë vjet. Ajo jeton dhe punon në Zagreb.