Si mundet mendësia kritike e rinisë ta ndihmojë shoqërinë tonë të bëjë përpara?

Ashtu si urat që janë të rëndësishme për të kapërcyer nga njëra anë e lumit tek tjetra, ashtu janë edhe të rinjtë dhe roli i tyre për t’i mundësuar shoqërisë sonë të vazhdojë të bëjë përpara. Të gjithë e vlerësojmë që të mund të mbështetemi tek një urë e sigurtë që nuk na lejon të biem në lumë. Pra, çfarë na bën të ndjehemi të sigurtë kur e kapërcejmë një urë? Do të thoja se janë materialet me të cilat është ndërtuar ura. E njëjta vlen edhe për rininë: Si mund të përfitojnë brezat e rinj nga përvojat aktuale dhe të së kaluarës të një shoqërie? Cili është ai mjedis i frytshëm që ndërton qëndrueshmërinë e të rinjve ndaj sfidave aktuale në shoqërinë tonë? Dhe a do të “ndërtohen” ndonjëherë të rinjtë që t’i mbijetojnë presionit të madh mbi ta, ashtu sikurse dhe urat?

Ky tekst tenton të paraqesë një mënyrë të analizimit të arsimit që marrim ne, të rinjtë e Kosovës, dhe se cilat janë shkathtësitë tona për të gjetur rrugën në shoqëri dhe nëpër sfidat e saj, duke patur një mendësi kritike. 

Në trajnimet që kam patur rastin të marr pjesë apo t’i moderoj kam vërejtur se individët, sidomos më të rinjtë, sa herë që ka diskutime për ndonjë temë që nuk u pëlqen, përfshihen nga presioni individual dhe kolektiv që çon në diskutime të ndezura dhe konflikte. Kjo ndodh më shpesh gjatë debateve për barazinë gjinore, abortin, identitetin seksual, veprimet e duhura dhe të gabuara të të tjerëve dhe skenarë të ndryshëm që kanë të bëjnë me situatën politike në Kosovë, përfshirë edhe luftën e fundit. Si një person që i përket brezit më të ri në Kosovë, edhe si trajner, edhe si aktivist jam i vetëdijshëm se para më presin shumë situata ku do të përballem me frustrim, shpërfillje dhe padijeni lidhur me këto tema sfiduese dhe e kuptoj se nga vijnë ndjenjat që përjeton brezi im. Këto reagime vijnë nga i njëjti vend. 

Megjithatë, unë besoj fuqimisht se është më mirë për të rinjtë në shoqërinë tonë që të ekspozohen sa më herët para këtyre dilemave, mendimeve të kundërta dhe diskutimeve, pasi kjo kontribuon në një të kuptuar më të thelluar të këtyre temave. Kështu, brezi im mund të ndërtojë të kuptuarin e vet për rëndësinë e zhvillimeve në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Sigurisht, shumica e temave që nxisin kundërshtime nuk kanë ndonjë përgjigje definitive dhe kanë nevojë nevojë për diskutime të mëtejshme të bazuara në fakte. Mirëpo, duhet ta pranojmë se këto kundërshtime janë të rrënjosura thellë në mënyrën se si aktualisht ballafaqohemi në nivel individual dhe shoqëror me këto çështje që kanë të bëjnë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Kur, për shembull, hedhim sytë tek lufta e kaluar, duhet t’i kundërshtojmë qasjet uniforme me fakte dhe diskutime gjithëpërfshirëse për të gjetur rrugët e përbashkëta. Të rinjtë, si personat që bartin përgjegjësinë për të ardhmen, nuk duhet të pengohen që t’i kenë këto shkëmbime nga frika e dyshimit. Kur ka dyshime, nevojitet kurajo dhe besim: kurajo si shtytësi që na çon përpara nëpër pengesa dhe besimi si mjeti për të vlerësuar mendimet e të tjerëve.

Në këtë pikë, dua të shtjelloj se si individët angazhohen më së shumti me personat nga komunitetet e tjera në Kosovë. Për të rinjtë në Kosovë, këto janë çastet kur ata përballen me shumicën e dyshimeve që ua vënë në pikëpyetje identitetin, sjelljet, qëndrimet dhe mendimet. Kjo pasi neve nuk na mësojnë si të funksionojmë në grupe diverse dhe ngjarjet e së kaluarës ende ndikojnë në këndvështrimet tona kolektive për njerëzit me prejardhje tjetër. Është e rëndësishme që në këto momente të kemi kurajon të dekonstruktojmë pikëpamjet tona personale dhe t’i besojmë të kuptuarit të të tjerëve. 

Si shembull: gjatë dy viteve të kaluara kam patur rastin dy herë të jem pjesë e Shkollës së Mendimit Kritik. Herën e parë isha pjesëmarrës në trajnim, herën e dytë si moderator në Gjilan. Nëpërmjet këtij projekti u angazhuam në diskutime shumë të mira me ekspertët dhe ata na udhëhoqën nëpër disa fusha që ende nuk i kisha eksploruar: drejtësia morale, lëvizjet politike, psikologjia sociale, nacionalizmi ose drejtësia tranzicionale. Këto tema u shtjelluan në mënyrë tërësore dhe kështu nuk u ndërlidhën dhe aq me gjendjen në Kosovë. Prandaj, pjesëmarrësit shpeshherë u përfshinë në diskutimin e prezantimeve me anë të shembujve nga konteksti i tyre personal në Kosovë. Më kujtohet se patëm një diskutim se si identiteti ynë formësohet nga rrethanat e jashtme dhe përvojat kolektive, se si shoqëria përbëhet nga etni të ndryshme dhe nëse duhet të identifikohemi me shtetësinë ku kemi lindur apo me etninë të cilës i përkasim.

Ajo çka e bëri të vlefshme këtë përvojë ishte fakti se të gjithë kontribuam në këndvështrimet e njëri-tjetrit pa tentuar të imponojmë idetë tona tek të tjerët apo pa u frustruar nëse pikëpamjet tona nuk pranoheshin. Sigurisht, asnjë prej nesh nuk i kishte përgjigjet finale për asnjërën nga çështjet e ngritura. Megjithatë, nëpërmjet pjesëmarrjes tonë aktive ne u ekspozuam edhe ndaj pikëpamjeve të tjera dhe punuam bashkërisht për të arritur të kuptuar më të thelluar të njëri-tjetrit dhe temës së paraqitur. 

Pas Shkollës së Mendimit Kritik, u bëra i vetëdijshëm se si këndvështrimet, sjellet dhe mendimet e mia janë formësuar dhe se si kjo gjë ka formësuar mënyrat se si kam ndërvepruar me njerëz me prejardhje të ndryshme, sidomos kur nisa të reflektoj për tema që kanë të bëjnë me shtetësinë tonë, identitetin tonë, të drejtat tona dhe ngjarjet e së kaluarës. Unë kërkoj të mbetem i hapur për këndvështrime të ndryshme që njerëzit sjellin në diskutime.

E njëjta vlen edhe për shumë të tjerë që kanë vendosur të marrin pjesë në trajnime dhe programe të ndryshme. Shumë nga të rinjtë që kam takuar më parë e kishin marrë vendimin që të bënin përpjekje për t’i përftuar këto shkathtësi të nevojshme për një mendësi kritike dhe për rrjedhojë, të bëhen pjesë aktive e shoqërisë civile. E shoh të rëndësishme që një i ri të nisë të marrë përgjegjësi për veprimet dhe edukimin e vet dhe të shkojë përtej asaj që ofron sistemi ynë arsimor në shkollat formale. 

Në këtë kontekst duhet ta rimendojmë në mënyrë rrënjësore mënyrën se si është strukturuar sistemi ynë arsimor. Vendimi për të edukuar rininë nënkupton se duhet patur përgjegjësi për t’ua siguruar të gjitha mjetet që u nevojiten për të ardhmen e tyre. Do të doja t’i shoh shkollat të përshtaten me mënyrat e reja për të edukuar rininë, me mënyra që janë më interaktive, më angazhuese për studentët dhe që nuk i bëjnë rezistencë diskutimit të temave sfiduese për të kaluarën dhe bashkëjetesën. Le t’i bëjmë shkollat vende të sigurta ku nxënësit nuk ndahen sipas etnive, por ku ata mund të mësojnë, të bashkëpunojnë dhe të shkëmbejnë njëri me tjetrin.


Art Sylaj është një aktivist i ri nga Kosova. Aktualisht, ai është Personi Kontaktues Rajonal për Ballkanin në Komunitetin Unite2030. Ai është student i vitit të tretë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Duke qenë i përfshirë në OJQ të ndryshme në vendlindje, ai është shumë i pasionuar për të sjellë ndryshime brenda komunitetit të tij. Ai është i pasionuar edhe për OZHQ-të dhe synon të rrisë vetëdijësimin e të rinjve për këto objektiva