Rinia e pasluftës në rajonin e Drenicës në Kosovë është rritur në një kontekst të veçantë dhe kompleks të formësuar pas pasojave të konfliktit dhe luftës. Duke u rritur nën hijen e Luftës së Kosovës në vitet 1998/1999, këta individë kanë qenë dëshmitarë të efekteve jetëgjata të konfliktit mbi familjet e tyre, komunitetet dhe rajonin në përgjithësi. Pavarësisht përparimit të bërë drejt paqes dhe stabilitetit, plagët e luftës mbeten të dukshme në infrastrukturën fizike, në dinamikën sociale dhe mundësitë ekonomike të mjedisit të tyre.
Projekti “Regjistrimi i kujtimeve, krijimi i tregimeve” është një nismë e përbashkët me Qendrën Rinore Publike Skënderaj, nëpërmjet së cilës kemi hedhur vështrimin tek tregimet e të rinjve nga Skënderaji dhe rajoni i Drenicës dhe kemi i rrëfyer ato nëpërmjet syve dhe fjalëve të tyre. Cilat vende, kujtime, vende dhe persona janë përfshirë në ato tregime?
Për t’i regjistruar dhe rrëfyer ato tregime, kemi përdorur dy mënyra: fotografinë analoge dhe rrëfimtarinë. Arsyeja pse është përdorur fotografia analoge dhe jo fotografia digjitale është se procesi analog i fotografisë, zhvillimi dhe shtypja e fotove mund të lidhet metaforikisht me procesin e formimit të kujtesës dhe me memorializimin. Ashtu si kujtimet që ndryshojnë me kalimin e kohës dhe mund të ndryshojnë në mendjet tona, edhe imazhet analoge kalojnë transformime gjatë procesit të zhvillimit. Ajo fotografi e pranon edhe papërsosmërinë: Fotografia analoge shpesh prodhon rezultate të papritura dhe të paparashikuara për shkak të ndryshimeve në film, në ekspozimin ndaj dritës dhe zhvillimin e filmit. Këto papërsosmëri mund të pasqyrojnë bukur natyrën e papërsosur dhe subjektive të kujtimeve, ndonjëherë të turbullta dhe të papërsosura, duke bërë që imazhet të japin ndjesinë e vërtetësisë dhe personales.
Punëtoria për fotografi është udhëhequr nga Flamur Qorrolli, ndërsa punëtoria e shkrimit nga Visar Xhambazi.
Fotografitë e përzgjedhura nga pjesëmarrësit, si dhe rrëfimet e shkruara për to ishin të larmishme, duke shpalosur shumëllojshmërinë e realiteteve të të të rinjve në rajonin e Drenicës, si dhe cilat histori ata do të donin t’i tregonin: në mesin e kujtimeve të regjistruara ishin imazhe të ndërlidhura me artizanatin tradicional, fotografi nga një shkollë fillore dhe të shtëpisë së Adem Jasharit në Prekaz, por kishte edhe peizazhe të ndryshme dhe një xhami.
Ja disa nga tregimet e rrëfyera nga pjesëmarrësit për kujtimet që kanë vendosur të regjistrojnë:
“Traditë e artë” nga Aida Misimi
Jam Aida Misimi, studente e Fakultetit të Edukimit. Unë do të tregoj një histori timen.
Në qoshen e shtëpisë sime, në mur, varet një pemë me fotot familjare. Poshtë pemës është një radio që e dëgjojmë çdo mëngjes, madje ndonjëherë dua ta godas apo ta hedh diku tutje. Por jo sot. Sot më ngjalli kureshtje një intervistë që dëgjohej kudo nëpër shtëpi. Në atë intervistë flitej për të drejtat e grave dhe mundimet e tyre ndër vite, flitej për gjyshet tona, ndoshta edhe e shante traditën tonë në disa aspekte.
Ndalem për një çast dhe shikoj pemën familjare. Nëna ime prapa meje fillon të flasë. “Shiko sa bukur dukej gjyshja me këtë veshjen tradicionale. Pa shiko, këtu je ti kur ke qenë e vogël, ahh sa bukur të rrinte pshallaku, e vishje në çdo festë familjare”. E shikoj nënën dhe ajo vazhdon të flasë sërish “Gruaja në të vërtetë ka një të kaluar të ngatërruar, me punë shumë dhe të drejta pak, por jo çdo herë ishte si flasin tani disa njerëz që mundohen të marrin vëmendjen me gjasë që po luftojnë për të drejtën e gruas. Femra në të kaluarën nuk e kishte të drejtën e fjalës apo të punës në qoftë se nuk ishte punë shtëpie apo përkujdesje për të gjithë anëtarët e familjes. Nuk mund ta fajësojmë traditën në këtë aspekt, sepse kjo ishte kudo në botë. Fatmirësisht, me protesta e kryengritje ne i fituam këto të drejta, tani gratë kanë të drejtën e punës në profesionet që duan, nuk janë më thjesht shërbëtore shtëpie, por anëtare me të drejta të plota. Gruaja luftoi për këto gjëra dhe i arriti, e pati fitoren e saj, pavarësisht se janë disa aspekte që një grua nuk mund të jetë e drejtë me një burrë dhe e njëjta është edhe nga ana e gjinisë mashkullore, që në disa aspekte, nuk mund të krahasohen asnjëherë me një grua. Kemi një traditë me ngjyra plot dhe nuk mund t’i vihet faji traditës për përuljen e një gruaje, sepse ajo ka qenë universale”.
Shikoj fotot me kujdes. Kujtime të mbushura me dashuri, sinqeritet ndaj njëri-tjetrit, më të afërt me njëri-tjetrin, buzëqeshje të shumta, dhimbje dhe lodhje fizike e ndoshta edhe shpirtërore, por të gjithë së bashku, në krah të njëri-tjetrit. Tani nuk takoj shumë familjarë, rrallë i shoh të afërmit. Si u bëmë kështu, a nuk është në traditën tonë t’ia mbajmë krahun tjetrit, ta duam e ta respektojmë e mos t’i dalim fjale?
Ç’traditë të artë kemi, mos ta zhytim e harrojmë asnjëherë.
Rrëfim nga Ervin Nimani
Unë jam Ervin Nimani. Jam 17-vjeçar dhe vij nga fshati i bukur i Runikut. Por le të kthehemi në kohë, në ditët kur isha një fëmijë i vogël dhe qyteti im ishte një vend i mrekullueshëm për aventura dhe kohë të mëdha.
Një ditë, kur isha rreth 8 vjeç, ndodhi një ngjarje që nuk do ta harroj kurrë. Ishte një mëngjes me diell të ndritshëm. Unë dhe shokët e mi vendosëm të shkonim në një udhëtim me bicikleta në malin që rrethonte fshatin tonë. Bicikletat tona të vogla u shkundën rrugëve të shtruara me gurë dhe koha kalonte me shpejtësi të çuditshme.
Kur arritëm në majën e malit, pamja ishte e mahnitshme. Mund ta shihnim të gjithë qytetin tonë nga lartësia e malit dhe retë që më kujtonin ngjyrën e detit. Kjo ishte një ndjesi e jashtëzakonshme, një liri që nuk mund ta përshkruaja me fjalë.
Aventurat e fëmijërisë së hershme më bënë të kuptoja se qyteti im i vogël kishte shumë histori të pasura që prisnin të zbuloheshin. Dhe tani, në moshën 17-vjeçare, unë i kujtoj ato ditë me nostalgji dhe krenari për të qenë pjesë e aventurave të fëmijërisë sime në Runikun tonë të bukur.
Rrëfim nga Shkelqim Avdullahi
Unë jam Shkëlqim Avdullahi nga fshati Çitak. Jam 17 vjeçar dhe jetoj me prindërit, vëllain dhe motrën time. Shkollimin fillor e kam përfunduar në shkollën “Shotë Galica” në Runik, ndërsa për shkollën e mesme kam zgjedhur drejtimin e shkencave natyrore dhe jam në klasën e dymbëdhjetë. Jeta ime është plot sfida dhe aventura të cilat i kam përjetuar së bashku me familjen dhe shokët e mi. Disa ngjarje ishin të trishta e disa të lumtura, por kur shikoj pas në kohë, i mbaj mend vetëm ato të lumturat. Një nga kujtimet që më jehon më shumë në kokë është qasja ime drejt patriotizmit dhe historisë së popullit tonë. Që kur isha i vogël, në mjedisin ku jetoja flitej shumë për historinë e vendit tonë dhe në shumë vende ku shkoja, më binte në sy flamuri kuqezi. Atëherë isha i vogël dhe nuk e dija domethëniën e flamurit, por brenda meje ishte një zjarr që nuk shuhej derisa ta kuptoja qëllimin e flamurit kuqezi. Pak vite më vonë, fillova klasën e parë dhe duke kontrolluar Abetarën e pashë të njëjtin flamur që shihja në ëdo vend dhe anash tij ishte një poezi që i kushtohej dashurisë për flamurin kuqezi. Unë isha i fiksuar pas asaj poezie dhe pavarësisht se i urreja detyrat dhe mësimin e poezive, vazhdoja ta lexoja atë poezi me një dëshirë të madhe. Duke u rritur, u rrit edhe zjarri brenda meje për të mësuar sa më shumë rreth flamurit dhe historisë së vendit tim. Pjesa më e madhe e shokëve e urrenin mësimin e historisë në shkkollë, ndërsa unë dëgjoja ëdo fjalë dhe mundohesha t’i mbaj mend të gjitha.
Ai interesim më bëri që të hulumtoja edhe jashtë orës së historisë. Burimi im i vetëm ishin babai im dhe njerëzit më të moshuar, andaj e pyesja babain tim për historitë që lidheshin me vendin tonë dhe historitë që dëgjoja ishin madhështore. Përmes atyre historive kuptova që vendi ynë kishte qenë i okupuar për një kohë shumë të gjatë nga pushtues të ndryshëm. Këto histori më bënë të kuptoj se sa të veçantë jemi si popull dhe se duhet të japim më të mirën tonë për të bërë një ndryshim në të ardhmën e vendit tonë. Të gjitha shenjat që i pashë dhe historitë që i dëgjova kur isha i vogël u bënë burim i pashueshëm i ëndrrës sime time për të punuar dhe për ta ndihmuar vendin tim sa më shumë drejt një te ardhme më të mirë, kjo më bën të kuptoj se motivi mund të gjendet edhe në gjërat më të thjeshta rreth vetes, si një flamur në mur apo një foto në abetare. Ne thjesht duhet të fillojmë së kërkuari. Në një botë ku ëndrrat e fëmijëve shuhen kur ata rriten, ëndrra ime u rrit bashkë me mua dhe kjo ëndërr përmban një mesazh për të gjithë ëndërrimtarët në botë se pavarësisht çfarë të tjerët thonë për ëndrrat e tua, mba mend se asnjë ëndërr nuk është shumë e madhe dhe asnjë ëndërrimtar nuk është shumë i vogël.
“Pasdite e bardhë janari” nga Bleard Meha
Quhem Bleard Meha. Jam i lindur më 2004 në Skënderaj. Kam kryer shkollën fillore dhe të mesme po në të njëjtin qytet, kurse tashmë jam student në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filologjik, Departamenti i Gazetarisë. Përndryshe, jam shkrimtar, autor i një libri, të quajtur “Udhëtarët që harrojnë”.
Fëmijëria ime njeh rrugë të ndryshme, ku janë trasuar kujtimet. Ajo është e mbushur me skena të ndryshme të situatave, që tek unë flasin, herë-herë fuqishëm. Janë këto burime që më bëjnë të shkruaj. Diçka të ngjashme do ia jepja si përgjigje intervistuesit tim, në momentet e dërgimit të shkrimeve të mia, nga celulari në kompjuter. Ishte ndjesi e re, e tjetërllojtë dhe sikur e një kohe tjetër. Po ndihesha më i rritur, më i pjekur, rrjedhimisht më serioz. Epo, po shkruaja një libër! Isha 17 vjeç asokohe, ende në gjimnaz dhe isha në hapat e fundit të dërgimit të materialeve për shtëpinë botuese. Kush do ta kishte menduar atë moment më parë? As si vegim ëndrre nuk e shihja… Kisha punuar në heshtje, për një kohë relativisht të shkurtër. Misionin tim të shenjtë, të shkrimit të poezive, e mbajta në fshehtësi, për aq kohë sa isha i angazhuar. As familja ime nuk e dinte për këtë iniciativë aq të veçantë, aq drithëruese… Thuajse po ndihesha si një nga ata agjentët sekret, që në supe kanë fatin e një shoqërie, a të tërë botës… “Bashkim, djali yt paska talent!” – i tha shkrimtari, pasi i lexoi poezitë, babait tim. Nuk dija si të reagoja; ende sot e asaj dite, e rikujtoj si turbull atë moment. Babai im e njihte familjen e shkrimtarit në fjalë dhe menjëherë pas zbulimit të misionit tim, nga pikëpamja ime, delikat, ai u angazhua që të organizonte një takim me të. E ndjente për borxh! Gjithçka ndodhi, një pasdite janari. Ani pse s’më kujtohet nëse ra ndonjë borë e madhe atë vit, janari qëlloi i bardhë për mua. Sidoqoftë, pas takimit kisha ndjenja të përziera në trupin tim. Po babai, si ishte ndarë nga ai takim; çfarë po mendonte? A thua ndihej krenar për djalin e tij?
Takimet vazhduan. Tanimë, po dilnim për bisedë, vetëm unë e shkrimtari. Po krijohej një lidhje interesante mes meje dhe tij. Ai, ishte njohës i mirë i letërsisë; ishte ai që m’i hapi dyert e një bote magjepsëse, e plot ngjyra…O Zot, tashmë kisha në dorë edhe unë një furçë dhe po pikturoja në një tablo të re, në një kapitull të ri!
…dhe po, sigurisht, tashmë kisha edhe një shok të ri, aq të veçantë.
p.s. Mos të harroj ta përmend faktin, se tash jemi edhe kolegë!