E lindur më 1998, Marigona ishte vetëm foshnje ditën kur paramilitarët ia vranë axhën, kurse babën ia çuan në drejtim të panjohur. Gjithçka që sot di rreth tij, ajo ka mësuar prej nënës, hallave dhe axhës. Tashmë e rritur dhe në mbarim të studimeve, ajo tregon si ishte me u rritë gjithë jetën në pritje të ndonjë lajmi për fatin e babait.
Marigona Preteni
Unë jom Marigona Preteni. Jetoj me nanën Sheribanën, vëllaun Fatosin, nusën e tij Qendresën edhe nipin Feritin. Kom lindë në vitin 1998, në Mitrovicë, në veri. Kuptohet që nuk o konë lehtë për nanën, sidomos n’veri që edhe mjekët kanë qenë ma shumë sërbë.
Jom rritë në Mitrovicë. Nuk e mbaj n’mend luftën, di veç çka më kanë tregu axha, nana. Për babin ma shumë m’kanë tregu, si tip qysh o konë. Se e shoh veç nëpër fotografi.
Emnin ma ka lonë babi, ai ka pasë qef, se e ka pasë edhe Marigona e familjes t’Adem Jasharit. Kanë mendu edhe për emra tjerë. Ama ai o konë i vendostë me ma lanë emnin Marigonë. Masi kom lindë, ka ardhë, m’ka vizitu prej malit, kemi jetu, po shkurt, në ni lagje pak ma poshtë se ku jetojmë tash.
E kom kry shkollën fillore aty. Shkolla o qujtë “Bedri Gjinaj”. Si fëmijë n’fillore e kom pasë shumë të vështirë me u adaptu me rrethin edhe shoqninë, se jom konë shumë ma e prekshme. Sidomos kur vike puna te babi.
Fillimi i shkollës nuk m’kujtohet qartë, veç e di që kom shku me nanën, edhe na pytshin për emnin e prindit, për familjarë, jo naj send t’veçantë. Në fillim nuk kom pasë shumë shoqni, se nuk jom konë tip shumë i shoqnushëm, ma shumë kom nejtë vetë. Jom prekë për çkado që kanë thanë, edhe nëse nuk o konë qashtu. Mandej, kur kom dalë me arsimtarë, kom fillu me kuptu ma shumë, kom mbajtë ma shumë n’veti.
Daja i vogël ka ardhë shpesh n’shkollë. Bile deri n’klasë t’pestë a t’gjashtë kanë mendu që e kom babë, se o kujdesë shumë për ne. Daja ka jetu me ne deri para tre vjetëve, dikun 18-19 vjet i bjen. O kujdesë e nuk na ka lonë n’shkollë me pasë asnji mungesë. Në mbledhje ka ardhë ma shumë se nana. Çdo dy javë ka ardhë, osht interesu. Daja ka punu si arsimtar. Ni herë ka punu n’fshatin Bistricë, e ka dhanë landën e matematikës, e ni vit ka punu n’fshatin Maxher, si mësues. Tash nuk punon kurrgjo. Jeton me gruen e vet, edhe e ka ni çikë qe nji vjet.
Mandej e kom kry gjimnazin natyror në Mitrovicë, në “Frank Bardhi”. N’gjimnaz kom pasë shoqni ma shumë, se m’kanë kuptu shumica ma shumë. Edhe rastin tem e kanë ditë shumica të klasës. Kryesisht me krejt e kom pasë mirë, po ni shoqe e ni shok i kom pasë ma t’afërt. E, me këta të dy komunikoj hala. Shokun e kom pak ma t’afërt, se din ma shumë për jetën teme, për familjen. Ka ardhë me nejtë te na n’familje. S’osht që shihemi shpesh, se prej gjimnazit na ka ra ma pak, mbasi secili tash jemi me studime e me punë të veta, po kena raporte t’mira hala. Me shoqen bisedojmë përmes rrjeteve sociale. Me tò dal ma rrallë. Noshta kom dalë tri-katër herë qysh kur e kom kry gjimnazin.
Tash jom n’vit t’dytë në studime për gjuhë angleze në AAB. Nuk kom shumë shoqni. I kom familjarët. Ma shumë rri me ta. Më ka pëlqy si drejtim gjuha angleze edhe e kom mësu ma mirë prej se jom në fakulltet. Kom mendu që kam ma shumë përparësi me gjuhë angleze. Edhe n’punë, edhe n’jetë. Ndoshta mas studimeve e gjej ni punë t’shtetit. Me konë e sigurtë, me pasë punën teme.
Nana për ne ka qenë edhe nanë edhe babë. O kujdesë për ne gjatë këtyne 21 viteve. Ka pasë shumë vështirësi, edhe për arsye se nuk kemi jetu n’shpinë tonë. O konë ni shpi pa pronarë. Kemi kërku shumë, po nuk kemi gjetë kurrgjo për ta. Nana o mundu shumë, edhe nëpër shoqata, sa ka mujtë. Edhe tjerët na kanë ndihmu besa shumë, derisa u rrit vëllau. Tash mundohet edhe ai për ne shumë.
Vëllau, për dallim prej meje që e kom shprehë e nashta kom qajtë kur jom prekë, e ka majtë gjithë n’veti mërzinë. O konë tip ma i matun, ma i urtë. Edhe ai e ka kry gjimnazin, po nuk e ka vazhdu fakultetin, për arsye se ka dashtë me punu, me i ndihmu mamit. Tash qe ni vit osht në FSK. Jeton me mu, me mamin, nusen e nipin. Nusja osht e urtë, kalojmë shumë mirë, e kom si motrën teme. Nipi e ka emnin e babit, e tash po m’dokët që po rritna bashkë me tà. Osht shumë i mençëm, hiperaktiv, nuk ulet kurrë.
Axha i madh nuk m’kujtohet qaq shumë, se jonë bo dikun shtatë-tetë vjet, noshta ma shumë, që ka vdekë. Edhe ai ka qenë ushtar, osht vra n’ditën e njejtë që osht zhdukë babi. Axha i dytë jeton n’fshat, në Melenicë.
Tri hallat janë gjallë. Raportet me hallat i kom shumë të mira. Sidomos me atà që e kom në Podujevë. Ajo me babin i kanë pasë veç dy vjet ndërmjet, e kur shkoj te ajo, m’tregon shumë për babin, m’fol non-stop. Noshta ma shumë e kom njoftë prej saj, se familja, tu m’njoftë si tip t’ndjeshëm, nuk kanë bisedu qaq shumë rreth ti. Me tà foli shumë shlirë, sa herë shkoj m’tregon diçka t’re për babin.
Me familjën e nanës jena konë ma t’afërt, nashta që jena rritë n’rreth me ta. Dajët gjithë jonë kujdesë për ne, tezet po ashtu. E kom ni teze në Gjermani, edhe ajo sa herë ka pasë mundësi, na ka nimu shumë.
Unë verës zakonisht boj punë sezonale, nëse gjej. Këto dy vite kom punu, e me pagën që e kom marrë, e kom pagu fakultetin. Para dy vjetëve kom punu n’marketin ETC si agjente e shitjes, po nuk ka zgjatë shumë, ndoshta ni muej e gjysë. Verën e kalume kom punu n’arkë, ni Aquapark o hapë te liqeni tash. Edhe sivjet kom punu n’arkë, te biletat. Nihere për nihere nuk po punoj kërkund, zakonisht veç sezonale.
Babi ka pasë lindë në Melenicë. Zakonisht osht marrë me bagëti, bujqësi, punë të fshatit. Gjatë periudhës t’luftës na kena qëndru edhe n’mal. Herë mbas here ka ardhë me na vizitu, qysh më kanë tregu. Kurdo që ka mujtë.
Deri vonë kom mendu qe osht gjallë edhe gjithë e kom pritë. Tash s’e di mo as çka menoj. Kaniherë mendoj që osht hala gjallë, e kom ni shpresë. Po dëshirën ma t’madhe e kom që eshtnat me iu gjetë, për mu ish konë mjaftushëm.
Me sa e di, axhën e kanë vra paramilitarët në lagjen Tavnik të Mitrovicës, e aty e kanë marrë edhe babin. Ma shumë s’di, nuk kom informacion ma t’veçantë. Di çka më ka kallxu nana. Zakonisht nana m’tregon ma shumë për jetën që e kanë pasë edhe lumturinë që e kanë pasë mes veti, që jonë konë si shokë. E di që, si para luftës, janë bo bashkë me mësit. Nuk e ka njoftë hiç deri atëherë.
E di që në klasën e pestë e kom kuptu sigurt faktin që ai nuk osht ma. Lexoj shpesh, sa herë qesin diçka për t’zhdukurit, edhe shoh lajme. Gjithë e kom ni shpresë që ai gjindet dikun, o i gjallë, o i vdekun.
Shumë shpesh m’ndodh që veç mërzitna pa arsye, edhe e gjej ngushëllimin kur të shkruj. Ka shkrime që m’kanë hupë. Kom pasë shumë. Tash kom ndoshta shumë pak. Zakonisht për përvjetore i postoj. Në përvjetor, mbledhemi e gjithë familja, shkojmë ma së pari te pllaka ku e kanë vra axhën, tani shkojmë te varrezat, në Shipol, te vorri i axhës. Mbasi i kryjmë ceremonitë të varrezat, shkojmë edhe në fshat pak. Mbledhemi me krejt hallat, axhën.
E kom ni shkrim që e kom shkrujtë kur presidenti Hashim Thaçi e ka shpallë babin hero të Kosovës, vitin e kalum:
“Hero i zemrave tona, edhe pse gjashtë muajshe, nuk ta thashë dot lutjen, Zoti të ruajttë. Duart e zemrën sot ia drejtoj Zotit, që kudo që të jesh, paqja të të mbulojë. Fotografitë e tua i shtrëngoj me mall e në sy më fshihet e tërë dashuria e grumbulluar gjithë këto vite. Unë s’e quaj veten të vetme, se ti je heroi i jetës sime. Falënderoj Zotin që ekzistojnë kujtimet, që ekziston nëna, të ma mbajë të freskët kujtimin tënd. Sot, i shpallur hero i Kosovës, e përpara kësaj, në djepin tim, ku nëna më përkundi, ishe heroi im”. Osht veç ni pjesë e shkurtë që e kom bo. Kom edhe shumë shkrime tjera, që për momentin nuk po i gjej.
Osht shumë e vështirë mos me ditë hala kurrgja për babën. E kur shkojmë te vorri i axhës, më vjen ni ndjenjë që t’paktën të kisha me ditë ku me shku te vorri i babit, te eshtnat e tij.
Kanihere e shihsha në andërr, po s’e kom pa shumë moti. Herën e fundit e kom pa mbasi jam mbulu sivjet. M’u ka shfaqë tamam qysh e shoh n’foto. E pashë, isha n’dhomë vetë, erdh e m’përqafi qaq shumë sa m’u duk si me m’përqafë përnime. Më tha, “U ktheva, Marigonë”. Ma boni, “Koke rritë shumë”. Tha, “T’kom lonë shumë t’vogël”. Tha, “Sa shumë po ndihna krenar, çfarë çike je bo. Edhe unë me konë, noshta nuk kisha mujtë me t’eduku me u bo qeshtu”. I thashë, “Bab’, a muj veç edhe ni herë me të përqafë?
Po s’di, nuk kom mujtë. Nuk m’kujtohet ma shumë. Veç e di që m’u ka dukë shumë përnime.
Zakonisht në andrra e shoh edhe babin, edhe axhën bashkë. Kur çohna, m’shkon tanë dita n’mendime, edhe nja dy-tri ditë mendoj që ka me u bo mirë, kena me ditë dikur për fatin e tij. Po çdo ditë vazhdon njejtë.
Unë kom ni vit që jom mlu. Besoj që çdo njeri e ka lirinë me bo çka të don. E unë nihna e lirë qeshtu. Ndihna taman vetvetja, edhe kom pasë qef me e kry obligimin që e kam ndaj Zotit tonë.
M’pëlqen me lexu shumë, romane zakonisht. Po, në fakt, nuk osht roman ky libri i fundit që e lexova. Osht për Ajshën, Radi Allahu Anha. Tregon tregime të saj për jetën. Osht shumë e nevojshme për ni femën m’e lexu atë libër.
M’pëlqen edhe me pikturu. S’osht që di mirë, veç nihna ma shlirë kur pikturoj. Pikturoj çkado që ndjej, nuk kom naj preferencë. M’pëlqen edhe me dalë mëngjeseve me ecë.
Gjithë menoj që ta kisha pasë babin, isha konë ma e sigurt. Jo që nuk jom tash, po e kisha pasë ni mbështetje ma t’fortë se tash. E, Fatosi gjithë e ka pasë andërr me u bo si ai. Nashta tash pak ia ka arritë me realizu andrrën. Ish konë ma lehtë edhe për Fatosin, edhe për nanën, për krejt ne, sikur ta kishim babën këtu. Ta kisha këtu, ma s’pari e kisha përqafë shumë, i kisha tregu për jetën teme edhe mungesat që i kom pasë sa nuk o konë ai. I kisha tregu gjithçka.
Për fund, s’osht që kom diçka t’caktume, po muj me thonë se prej shtetit nuk kena pasë shumë përkrahje si familje e dëshmorëve që jena. Pak e hiç. Kështu që porosia jeme osht me bo sa ma shumë për familjet e t’zhdukurve, edhe me u mundu me zbardhë fatin e tyne.
Ky rrëfim është nxjerrë nga libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera: rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë’ dhe publikohet si seri dhe si pjesë të kornizës së aksioneve të koordinuara të shoqërisë civile në Kosovë, të organizuara për të shënuar Ditën Nndërkombëtare të Zzhdukjeve të Dhunshme – 30 gusht 2023. Libri është botuar në bashkëpunim ndërmjet forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. Prishtinë, 2022