E kaluara përcakton të tashmen që jetojmë
Vendi ynë ka ngecur në çark. Ne nuk e kuptojmë demokracinë, shoqëria jonë është helmuar, sistemi ynë arsimor ka degraduar, sistemi ynë ligjor është joefikas, minoritetet tona diskriminohen dhe media është nën sulme të pandërprera. Teksa rri ulur dhe lexoj lajmet për ngjarjet që tërheqin vëmendjen e publikut, nuk mund të mos mendoj për gjithçka që është manifestuar gjatë së kaluarës për të cilën dimë aq pak, por që vazhdimisht ia kthejmë shpinën.
Shumica e popullsisë ëndërron të dalë jashtë, por ajo që është interesante është se askush nuk do që gjërat të cilat bëjnë “jashtë” më tërheqëse të zbatohen këtu, askush nuk do të ketë “atë atje” këtu. Ata thonë: “Ne nuk do t’i kthehemi së kaluarës”. Nuk do ta bëjmë, sepse është e pamundur. Por ajo që ka ndodhur është e vetmja gjë që do të mund të kishte ndodhur, reliket e ruajtura mirë të së kaluarës kanë përkufizur çdo segment të së tashmes që jetojmë.
A ka jetë brenda flluskës?
Shpesh dëgjojmë se njerëzit që flasim për të drejtat dhe liritë e njeriut, për përgjegjësinë ndaj së kaluarës dhe kështu, edhe ndaj së tashmes, jetojnë brenda një flluske apo balone. Por çfarë është ajo flluskë, kur e bëri dhe kush është brenda saj? A ka jetë brenda flluskës?
Flluska duhet të përbëhet nga të gjitha veprimet, problemet e identifikuara, idetë dhe modalitetet për ballafaqimin me të kaluarën që shoqëria civile në Serbi ka ofruar, si dhe me njerëz të profesioneve të ndryshme që ballafaqohen me këtë temë për shumë vite. Qëllimi i atyre që jetojnë në flluskë është t’i kontribuojnë paqes që mund të pasqyrohet në tejkalimin e ndasive që na kanë ndarë për 25 vjet (e më shumë) në viktima dhe viktima më të mëdha. Për shkak të këtyre ndarjeve, secila palë e sheh tjetrën si fajtore, sepse secila palë e sheh veten si e fundit.
Njerëzit që jetojnë brenda flluskës e kanë të vështirë, ata janë shënjestra më e lehtë në çdo republikë të ish-Jugosllavisë. Mirëpo të tjerët rrallëherë flasim me ta. Ata etiketohen dhe shënjestrohen nga të gjitha palët. Megjithatë, është e lehtë t’u japësh fund, sepse nuk i përgjigjen dhunës me dhunë se kanë kufij realë në luftën kundër narrativës dominuese. Duke vendosur një grup të caktuar të ideve dhe mesazheve brenda flluskës, ata kanë hequr dorë sistematikisht nga të qenit në vëmendjen e atyre që kanë qenë në pushtet në Serbi nga vitet e 90-ta deri tani.
I gjithë problemi del tek fakti se nuk ka flluskë, nuk ka jetë në të, jeta është jashtë, aty ku ka qenë gjithnjë. Jeta në Serbi është një skenë përballë gjykatës në Ivanjica.
Të gjithë ata të pandehur, artistë, profesorë, politikanë, gazetarë dhe shumë të tjerë jetojnë në vende ku fjalët e tyre (dhe vetë ekzistenca e tyre) shkatërron themelet e sistemit. Të vetë atij sistemi që ushqen papërgjegjshmërinë dhe si i tillë, inkurajon më të keqen brenda një individi. Disa thonë se këto janë “tema të errëta” dhe se ne duhet të merremi me çështje më urgjente, por ata nuk e kuptojnë se do të kemi nga këto “temat më urgjente” për një kohë të gjatë, sepse vazhdimisht dështojmë që kolektivisht dhe politikisht ta pranojmë ku gjenden rrënjët e tyre. Të gjitha problemet tona të mëdha janë pasojë direkte e mohimit dhe refuzimit. Kështu, flluska është thjesht një rrëfim fiktiv i sajuar sa për të arsyetuar vendimin që të mos merremi me veten.
Ka qenë rregull që nga fillimi se mbrojtësit e të drejtave të njeriut nuk duhej t’ua vije veshin, sepse ata flasin për luftën, shkaqet dhe pasojat e saj, për karakteristikat e regjimeve të kaluara, për individët dhe viktimat. Askush nuk donte t’i dëgjonte, sepse fjalët e tyre shtrembëronin të ardhmen që besonin se mund të rritej nga asgjëja, nëse për pak kohë ne thjesht fajësonim të tjerët dhe të heshtnim disa të tjerë. Tani të gjithë ne po dëgjojmë stuhinë të cilën nuk e zgjodhëm.
Kush do ta ketë radhën?
Shumë qytetarë serbë kanë heshtur për shumë nga krimet e kryera në emrin e tyre, duke besuar se nuk kanë asgjë të bëjnë me to. Shteti serb ende hesht për fatet e njerëzve që u zhdukën gjatë luftërave të viteve ’90-të. Arkivat janë vulosur, krimet mohohen, kujtimet e kriminelëve të luftës botohen me paratë e taksapaguesve dhe ata shpeshherë lejohen të përdorin hapësirat në pronësi të shtetit për të promovuar materiale autobiografike.
Aktivistëve (përfshirë dhe mua) ua mbyllin gojën me aktgjykime për shkelje të paqes publike, me dhunë dhe sulme, me kërcënime dhe fyerje që kalojnë pa u procesuar dhe me situatat e pakëndëshme për familjet e tyre.
Sidoqoftë, ka nga ata që kurrë nuk kërkuan të heshtin, përkundrazi, disave u janë dhënë mikrofonë në mënyrë që zërat e tyre të dëgjohen fort dhe qartë.
Le të kujtojmë çdo ngjarje përkujtimore në Beograd, asnjë e vetme prej tyre nuk ka kaluar pa veprime të turpshme nga ata që pretendojnë se udhëhiqen nga ndjenjat kombëtare dhe se është detyrë e tyre të mbrojnë Serbinë.
Sot, teksa shoh videon përballë gjykatës në Ivanjica, ku punëtorët e kompanisë „Milan Blagojević-Namenska“ janë tubuar në përkrahje të drejtorit të tyre që mbahet përgjgjës për vdekjen e një punëtori, nuk mund të mos mendoj çfarë kam menduar shumë herë: rri urtë, vetëm këtë herë, sepse thjesht nuk mund ta bësh këtë gjë. Të gjithë ata punëtorë, njerëz të denjë, që i fishkëllejnë dhe i ulërasin familjes së njërit prej tyre që u vra. Do të kishte qenë e dinjitetshme ta lija pa koment, nuk duhet të ekzistojë një Serbi e tillë apo një drejtor i tillë që do të arsyetonte këto veprime. Kur kjo sjellje kapërcen pa konsensus për pranueshmërinë e saj dhe nuk dënohet nga e gjithë shoqëria, pyetja është: kush do ta ketë radhën?
Mungesa e solidaritetit bazë
Dhunimet masive të grave gjatë luftërave të viteve 90-të, që u përdorën si metodë për të instaluar frikën, bënë të TNPJ të ndërmerrte një hap domethënës drejt ndjekjes penale të dhunës seksuale dhe me bazë gjinore që ka ndodhur gjatë luftës. Në vitin 2017 u mbajt një forum i hapur pranë Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd me titullin “Gjykata e grave: qasje feministe ndaj drejtësisë” ku u diskutuan temat e dhunimit dhe dhunës kundër grave dhe madje u organizua edhe shfaqja e një filmi dokumentar ku tregoheshin dëshmi të grave nga i gjithë rajoni. Forumi i ndërpre nga një protestë krejtësisht e çmendur e një turme njerëzish të zhurmshëm.
Të zhurmshëm ishin edhe ata që nuk i besuan Marija Llukiqit dhe erdhën në Brus për t’i dhënë përkrahje Jutkës. Rasti i Marija Llukiqit nuk ndodhi gjatë luftës dhe nuk rezultoi në dhunim, por nuk mund të mohohet se ishte i njëjti (kur flasim për dhunën kundër grave) në aspektin e mungesës së solidaritetit bazë me viktimën.
Kryesisht nuk ka empati për viktimat, nëse nuk janë tonat. Dhe edhe kur janë tonat, kanë rëndësi vetëm nëse janë të bindura dhe të duhura. Kjo ndodh gjatë të gjithë kohës, pavarësisht se çfarë themi.
Thjesht mungesa e luftës
Reagimet e njerëzve në Borça ndaj bukëpjekësit Mon dhe vëllait të tij janë një tjetër shembull i aktivizimit të sëmundjeve të së kaluarës që nuk trajtohen të kombinuara me demokracinë e rrejshme që është pasojë e humbjes së vazhdueshme të mundësive për të mësuar diçka rreth vlerave dhe politikës së të kaluarës.
Sidoqoftë, duke marrë qëndrim të qartë dhe me përkrahjen e një grupi të njerëzve. Moni dhe familja e tij qëndruan në Borça, ku ata jetojnë dhe punojnë, ndërsa fqinjët e tyre, edhe pse me hezitim, vazhduan ta mbështesin dhe të shkojnë në furrën e tij. A do të kishte ndodhur njësoj nëse askush nuk do të kishte mbajtur anën e Monit? Unë dyshoj. Ashtu si çdo komunitet që ka nevojë për stimuj dhe shembuj pozitivë, kjo është e nevojshme në çdo shoqëri, sidomos në një shoqëri që ka nevojë të mjekohet.
Paqja në Serbi aktualisht është thjesht mungesë e luftës dhe përngjan me demokracinë ku ka shumë gjëra, por gjithçka është kokëposhtë dhe asgjë nuk funksionon. Kemi nevojë për empati për një paqe më të mirë, solidaritet dhe një sërë vlerash bazë për të cilat të jemi pajtuar t’i mbrojmë dhe ruajmë dhe të luftojmë për një të ardhme më të mirë nesër ekskluzivisht për shkak të rrethanave të përziera socialo-politike që janë krijuar sot.
Demokracia jonë është deklarative, sepse ne nuk e përdorim ashtu si duhet dhe nuk ka mënyrë më të mirë, sepse ne vazhdojmë të humbasim çdo mundësi për të mësuar në të vërtetë nga gabimet tona që vetëm ndodhin. Nëse demokracia pasqyrohet më së miri në marrëdhënie me minoritetet dhe ata që janë të rrezikuar, atëherë e jona është ekzaktësisht ashtu si duhet të jetë. Ne duhet të fillojmë nga e kaluara, sepse vetëm atje mund t’ia përkujtojmë vetes se cilat janë pasojat më të këqija që mund të ndodhin nëse nuk ua vëmë veshin parimeve dhe nëse nuk i mbrojmë vlerat që në mënyrë absolute çojnë drejt një jete më të drejtë dhe më të përmbushur pjesëtarët e komunitetit të gjerë që e quajmë shoqëri. Por para asaj duhet t’ia pranojmë vetes se cilat janë pasojat dhe kush është përgjegjës për to. Ne duhet të merremi me shkaqet, sa herë t’i shohim, duke filluar që tani.
Sofija Todoroviq ka lindur më 2 janar 1992 në Beograd. Aktualisht punon në BIRN Hub si koordinatore e projektit, ku koordinon programe të përqendruara tek monitorimi i gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Ajo ka punuar si koordinatore e programit për Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut deri në vitin 2019 dhe temat me të cilat është marrë kanë qenë kryesisht: drejtësia tranzicionale, bashkëpunimi rajona, të drejtat e njeriut dhe demokracia. Ajo është anëtare e komitetit organizativ të Paradës së Krenarisë.