Ana tjetër e medaljes

Është viti 1992 në Bosnje e Hercegovinë… Zgjohemi dhe shohim se gjithçka që kemi njohur, të gjitha idealet, ëndrrat, dashuria dhe shpresa, po veniten. Ndjejmë diçka të keqe në ajër, tek njerëzit që na rrethojnë. Preferojmë të ikim larg, por nuk mundemi, sepse nuk jemi person që ikën, por që lufton. Marrim pushkën dhe shkojmë në front dhe luftojmë çdo ditë sikur të ishte e fundit, luftojmë për një të ardhme më të mirë, për veten, për familjen dhe njerëzit që duam.

Në kulturën tonë të kujtesës, gratë kryesisht kanë luajtur rolin e “kreut” të familjes që ka siguruar jetesën, por një rol femëror që rrallëherë përmendet në shoqërinë tonë është roli i ushtarave femra.

Ushtare = luftëtare

A mund t’i paramendoni gratë si ushtare ose si ndodhi që gratë u gjendën në front? Dy gra, njëra pjesëtare e Forcace të Armatosura të Republika Srpskas dhe tjetra pjesëtare e Forcave të Armatosura të Republikës së Bosnje e Hercegovinës, me sy të ndritshëm dhe rrudha që tregojnë atë çka kanë përjetuar, ndajnë përvojat e tyre me mua [1] për disa qëllime më fisnike se sa ato të luftës. 

”Kur vdiqën foshnjat nga Banja Lluka, si studente me stërvitje ushtarake vendosa të bëhem pjesë e ushtrisë bashkë me babain, vëllain dhe motrën time, për të kaluar përmes ”korridorit”. Gjatë këtij aksioni ushtarak, babai im u plagos dhe ne vazhduam me brigadën. Unë u plagosa në njërën nga betejat unë, pasi një predhë ra pas shpinës time. Jetën ma shpëtoi jeleku antiplumb, por motra ime u vra. Edhe pse kisha paaftësi në shkallën 80%, linda dy vajza me përgjegjësi personale”, thotë njëra nga luftëtaret e Forcave të Armatosura të Republika Srpskas.

Një nga ushtaret e Forcave të Armatosura të Republikës së Bosnje e Hercegovinës deklaroi si më poshtë: ”Kur vendosa të marr pushkën, e bëra. Më pranuan, luftova krah për krah me shokët e mi me të cilët isha rritur, ne nuk e dinim se çfarë duhej të bënim, çfarë na priste, ndaj ishte normale që u organizuam dhe luftuam kryesisht për jetën tonë. Ishim krenarë, të mllefosur dhe për këtë arsye vendosëm ta mbrojmë qytetin tonë’.’

Lufta nuk përfshin vetëm njërën gjini

Gjatë shekullit 21, shoqëria jonë ende feston kultin e mbrojtësit dhe heroit – një burrë. Këtë e shohim çdo ditë, por ajo që harrojmë është se lufta nuk përfshin vetëm njërën gjini. Gratë ishin ato që morën përsipër barrën për t’u përkujdesur për familjet e tyre, gratë ishin ato që u vranë dhe u dhunuan, gratë luftuan krah për krah me burrat në vijën e frontit. Duke patur parasysh gjithçka që ato përjetuan, a nuk duhet ta thonë fjalën e tyre se si duhet të rindërtohet jeta në një vend të shkatërruar? A nuk duhet që përvojat e tyre të jenë pjesë e kujtimeve tona?

Rruga drejt paqes

”Pas luftës, më degraduan, kisha rang më të ulët se sa ai që kisha patur gjatë luftës. Asnjë grua nuk mori çmim, nuk mbajti rangun që kishte patur apo nuk u promovua. Pavarësisht përpjekjeve të mia, njohurive dhe përvojës time, disa vite më vonë dola në pension. Trauma, gjithçka që ndodhi gjatë luftës, patën ndikim tek unë. Jetoja si robot, nuk e ndjeja aromën e luleve, ditën me diell, e kuptoja se brenda meje kisha dy personalitete, njëri që dëshironte të kishte jetë normale, dhe tjetri që ishte ende në luftë…”, e vazhdon rrëfimin ushtarja e Forcave të Armatosura të Republikës së Bosnje e Hercegovinës.

Si e përballojnë njerëzit trashëgiminë e tmerreve, abuzimit dhe keqbërjes nga e kaluara? Si mund të shërohen plagët e shkaktuara nga përçarja dhe konfliktet? Si mund të shërohen njerëzit? Në rastin e shoqërive si e jona, që janë përballur me ndasi dhe kanë trashëgimi të hidhur të shkeljeve të të drejtave të njeriut, është me rëndësi kyçe që njerëzit të gjejnë mënyrën për t’u përballur me humbjet e tyre dhe të jenë të gatshëm ta vazhdojnë jetën për të siguruar paqen. Të jesh në gjendje ta lësh pas të kaluarën, ta harrosh etjen për hakmarrje, është në zemër të asaj që shumë e përkufizojnë faljen. Hana Arendt ka shkruar kështu në librin Kushti njerëzor”Falja shërben për të zhbërë veprat e së kaluarës, “mëkatet” e së cilës varen si Shpata e Demokleut mbi çdo brez të ri”. [2]

Këto dy ushtare sërish e morën situatën në dorë për të luftuar kundër trashëgimisë së tmerrit, abuzimit, mohimit dhe diskriminimit dhe shkuan të luftojnë, por këtë herë në mënyrë të ndryshme. Ushtarja e Forcave të Armatosura të Republikës së Bosnje e Hercegovinës është një nga themelueset e shoqatës së grave që vepron në Bosnjen Lindore, ndërsa ushtarja e Forcave të Armatosura të Republika Srpskas është anëtare e Shoqatës së Veteranëve të Luftës me Aftësi të Kufizuara në rajonin e Posavinës. Duke punuar me veten, duke u përballur me traumën e tyre, ato iu ndihmojnë ushtarëve të tjerë të përballen me traumat e tyre dhe t’u tregojnë se kjo është e vetmja mënyrë për ata dhe për familjet e tyre që të përmirësohen. Këto ushtare janë bërë aktiviste të paqes për të rinjtë në Bosnje e Hercegovinë. Ato u bënë aktiviste të paqes, sepse donin të shikonin, njihnin dhe kontribuonin për ndryshimet, të luftonin për një të ardhme më të mirë, por në mënyrë të ndryshme. Këto gra janë ato që ia dolën të tërheqin paqësisht vëmendjen e publikut të gjerë në komunitetet e tyre lokale drejt proceseve të ballafaqimit me të kaluarën, janë ato që pa u lodhur luftojnë të ridërtojnë marrëdhëniet e shkëputura dhe të rindërtojnë besimin ndërmjet qytetarëve që nuk janë në gjendje të ngrenë zërin dhe të drejtat e të cilëve janë shkelur.

A ishte arsyeja për këtë fakti se këto aktiviste të paqes ishin edhe feministe? Nga njëra anë po, edhe pse feminizmi nuk barazohet me pacifizëm. Ashtu sikurse u bënë ushtare për të luftuar për jetën e tyre dhe të të tjerëve, ashtu edhe u bënë aktiviste të paqes për të treguar se përballja e tyre me vdekjen, abuzimin dhe traumën nuk është thjesht një ”histori femërore”, por edhe një çështje politike, që kërkon përfshirjen e të gjithë sistemit, si dhe paraqitjen e qasjes alternative për zgjidhjen e konfliktit, një qasje jo e dhunshme e zgjidhjes së konfliktit dhe të punës për forma të ndryshme të pabarazisë: etnike, shoqërore, gjinore, pabarazisë seksuale – kjo i bën ato feministe. Këto dy lëvizje nuk kanë pse të jenë detyrimisht të ndërlidhura, por duhet të analizohen në kuadër të një konteksti më të gjerë shoqëror, pra në pajtueshmëri me vlerat që ato përfaqësojnë, pasi, ashtu si dikush nuk lind, por bëhet grua, dikush nuk lind feminist dhe aktivist paqeje, por bëhet i tillë.

Mirjana Trifkoviq është juriste me profesion dhe aktiviste me pasion. Ajo është grua me shumë qytete dhe adresa. Mirjana i kontribuon procesit të ballafaqimit me të kaluarën dhe ndërtimit të paqes në kuadër të nismave të shumta. Asaj i pëlqen të punojë me të rinjtë, pasi ata janë shtytësit për një botë më të mirë dhe më të drejtë. Mirjana jeton dhe punon në Sarajevë.


[1] Autorja e këtij teksti i di emrat e grave të intervistuara.  

[2] H. Arendt, The Human Condition, Nju Jork: Doubleday Anchor, 1959, f. 213.