Historia e muzeve, nga krijimi i tyre e deri më sot, dëshmon se si muzetë rregullisht përfshihen në procesin e formimit të identiteteve kombëtare dhe në rindërtimin e tyre të vazhdueshëm. Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konfliktet ndërmjet komuniteteve të ndryshme dhe brenda tyre zakonisht janë tërësisht të maskuara. Qëllimi është që për ne të krijohet imazhi ideal, pra, i shoqërisë ku jetojmë dhe jo që ai të bëhet problem apo aspiratë që jeta reale, jomuzeale të bëhet më e mirë. Prandaj dhe muzetë shpeshherë lënë përshtypjen e “institucioneve pasive/të vdekura dhe elitiste që përpiqen të na kthejnë diku ku nuk kemi qenë asnjëherë” (Gavriloviq 2009). Duke folur për lidhjen ndërmjet nacionalizmit dhe Muzet të Artit Afrikam, koleksioni i Veda dhe Dr. Zdravko Peçar në Beograd (Muzeu i Artit Afrikan) fillimisht mund të duket i çuditshëm, por kur e sheh nga brenda, ato histori dhe dëshmi të dukshme dhe të padukshme në fakt tregojnë se edhe ky muze që duket “i huaj, i largët dhe i panjohur” mund të na çojë pikërisht ku kemi qenë, në periudha të ndryshme kohore, përfshirë dhe atë periudhë që ka të bëjë me luftërat dhe konfliktet gjatë viteve 1990-të.
Që nga hapja e tij në vitin 1977, ky muze ka trajtuar aktivisht sfidën e implementimit të të menduarit dhe punës antikolonialiste, falë koleksionit themeltar të krijuar nga Veda Zagorac dhe Zdravko Peçar. I hapur si një muze miqësor, me theks tek blerja e ndershme e objekteve të ekspozuara në të (Epshtajn 2021) dhe tek karakteri i tyre si dhuratë “për Jugosllavinë e largët dhe mike”, si dhe për shkak të të gjithë historisë së dhurimit dhe donacionit të objekteve përgjatë 45 viteve, Muzeu i Arteve Afrikane përpiqet të realizojë potencialin e muzeut vetëreflektues, antikolonialist të ndjeshëm ndaj problemeve të së tashmes, në përputhje me çastin bashkëkohor. Ndonjëherë, ia del me sukses duke u fokusuar pikërisht tek çështjet e migrimeve moderne, tek prania ose mungesa e botës afrikane online, tek ekspozimi i pabarazive, rëndësia e të kujtuarit të antikolonializmit, solidariteti dhe mosrreshtimi dhe tek kritika e imazhit stereotipik të Afrikës dhe të njerëzve që jetojnë atje, racizmi i kudondodhur dhe diskriminimi. E megjithatë, ndonjëherë i njëjti muze nuk arrin t’i realizojë potencialet e përmendura dhe mbetet i palëvizshëm dhe i ngrirë në imazhin e Afrikës së krijuar në këto zona pothuajse gjysëm shekulli më parë.
Në atë rast, është muzeu që mund ta vërejë dhe në përgjithësi të njohë çdo komb jo vetëm kur ia del të largohet nga imazhet e përsëritura, të ngurtësuara dhe tani të mërzitshme të kontinentit afrikan si një monolit apo simbolet tipike që e shoqërojnë atë imazh. Ose me fjalë të tjera, kur kujton në mënyrë aktive arsyet e origjinës së tij para së gjithash: koha e Lëvizjes Neutrale, rolit aktiv të RSFJ-së në politikat e veta dhe më pas, domethënia dhe kuptimi i historisë së përpjekjeve antikolonialiste (Radonjiq 2020). Për një muze që synon ta bëjë jetën reale, të tanishme, më të mirë këtu dhe tani sigurisht që nuk i mjafton që thjesht të angazhohet në kujtimin aktiv dhe në nxjerrjen nga kujtesa pasive të gjërave të fshehura dhe më pas të njohë se kombet dhe njerëzit prej vërteti jetojnë në “objektin” e quajtur Afrikë, të ruajtur në Muzeun e Artit Afrikan; se këta janë kombe dhe njerëz me të cilët jemi lidhur, të cilët kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë atje.
Përveç përpjekjeve për të mbajtur mend vlerat sociale bazë pasi i mbijetuam të nëntëdhjetave; për të njohur rëndësinë e antikolonializmit, solidaritetit, barazisë dhe antiracizmit dhe për t’i nxjerrë ato nga kutitë e pluhurosura të muzeve (Epshtajn, Slladojeviq 2017) dhe t’i theksojmë si trashëgimia jonë domethënëse dhe e rëndësishme që ia vlen të ruhet, është po ashtu me rëndësi të tërhiqet vëmendja tek fakti se nuk është trashëgimi e pakontestueshme, e paprekshme dhe se i nënshtrohet kritikës (Slladojeviq 2022). Thënë thjesht, është e rëndësishme të vihet në dukje dhe të zbulohet se ajo çka është ekspozuar në Muzeun e Artit Afrikan është në kundërshtim me atë që dimë dhe mbajmë mend rreth saj.
Falë trendit mbizotërues të të harruarit dhe mbetjes në margjina, Muzeu i Artit Afrikan i mbijetoi viteve 1990-të. Domethënia e trashëgimisë së tij është eksploruar aktivisht përgjatë dy dekadave të mëparshme. Veçantësia e tij dhe ajo ajo jugosllave janë rishqyrtuar në mënyrë kritike nëpërmjet një sërë ekspozitash dhe publikimesh nga autorë të ndryshëm, përfshirë edhe ekspozitën që aktualisht është e hapur, Muzeu antikolonialist.
*
Përveç faktit se materiali dokumentar që ruhet nga my muze mund të na japë një vështrim në historinë e nacionalizmave afrikanë/neutralë dhe të kolapsit të tyre, gjë që ka ndodhur ndër të tjera edhe për shkak të shfaqjes së të ashtuquajturës borgjezi nacionaliste, historia e arkitekturës së këtij muzeu gjithashtu mban mend episodin e konflikteve nacionaliste në hapësirën publike dhe shtypin ditor gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, që qartazi nuk e kanë anashkaluar këtë muze kinse “të parëndësishëm dhe jointeresant”. Edhe pse përmes një pjese të arkitekturës së muzeut – kupolës së tij – po humbej një pamje më e gjerë e sistemeve social-politike dhe e ndryshimeve të tyre, e shpërbërjes së RFSJ-së, kontureve të ideve të neutralitetit dhe solidaritetit, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, përpjekjet vazhduan dhe arritën kulminacionin. Publikimi i arkivave dhe dokumentacionit të Muzeut të Artit Afrikan që nga koha e ndërtimit të kubesë (1989) dhe e gjithë dekada që pasoi, na japin një vështrim në sekuencën e ngjarjeve që do t’i quaj drama e kujtesës. Drama është procedurë e zakonshme në rrëfimtarinë letrare dhe është e pranishme edhe në mitologji, në Bibël, si dhe në kujtesën kolektive (Kuljiq 2012). Do t’ju tregoj se si kubeja e Muzeut të Artit Afrikan funksionon si makinë e kujtesës (Pint 2013) përmes strukturës së lojës, pra përmes një prologu, fabule, kulminacioni, përmbysjeje dhe përfundimi të mundshëm.
*
*Prologu: si një nga vetëm të paktat ndërtesa të muzeve në Beograd, Muzeu i Artit Afrikan u hap më 23 maj 1977 duke përshtatur dhe rinovuar ish-studion e artit (Mosha Pijade, Zora Petroviq, Boshko Karanoviq). Quhej “ndërtesa e mrekullueshme e muzeut”, “e formave të lira”, qëllimisht “jomonumentale”, një ndërtesë që ftonte jo vetëm diplomatët, mësimdhënësit dhe studentët – “vizitorët me detyrim të muzeve” – por edhe njerëzit “e zakonshëm”. Ajo mbahet mend si një ndërtesë jopenguese, jo vetëm ndaj shoqërisë, por edhe ndaj historisë dhe natyrës. Arkitekti i saj, Sllobodan Iliq e ka përfshirë me kujdes dhe me respekt hapësirën e studios (1952) brenda ndërtesës së re, duke ia ruajtur strukturën hapësinore, vatrën e vjetër, stolin, si shenja dalluese të ndërtuesve. Nga kopshtet dhe gjelbërimi i harlisur ka larguar, sikurse shënohet në projekt, vetëm dy pemë, për të ngritur këtë ndërtesë shumë të ulët prej betoni dhe me çati të sheshtë, me sistem të ndriçimit natyror, me fanarë, cilindra prej betoni dhe një lëndinë mbi kulm. Me fjalë të tjera, si një ndërtesë për vetëdijen e rëndësisë së ruajtjes së mjedisit kulturor dhe natyror, si një shembull të arkitekturës që me kënaqësi pranon atë që historia dhe natyra ia kanë dhuruar.
Fabula: Jo shumë kohë më pas, ajo ndërtesë e mrekullueshme e muzeut nisi të pikojë. Solidariteti po testohet sërish, shkruajtën gazetat. Në vitin 1989, Beogradi organizoi Samitin e 9-të të Neutralitetit. Historitë orale sjellin ndër mend propozimin që samiti të mbahej në Muzeun e Artit Afrikan dhe në hapësirën e tij të re ne nën kube. Mirëpo ajo gjë nuk ndodhi, sepse ndërtimi i planifikuar filloi shumë vonë dhe fakti se ende sot e kësaj dite, në vitin 2022, kjo hapësirë është duke u ndërtuar, është dëshmi e dramës së kujtesës që vijoi.
Kulminacioni: Samiti kaloi, me apo pa Muzeun e Artit Afrikan, në frymën e optimizmit në shuarje sa i përkiste politikës së neutralitetit dhe të mosbesimit të hapur për vazhdimësinë e vëllazërim e bashkimit. Muzeu i Artit Afrikan mbeti me skelat prej druri, skeletin e kulmit për t’u përballur me sanimin e lagështisë dhe gjendjen përgjithësisht të keqe të ndërtesës. Në fushëbetejën e jetës imagjinare të kubesë së Muzeut të Artit Afrikan, sidomos nga viti 1992 deri në fund të vitit 1994, fatet individuale, dëshirat dhe interesat u përplasën. Për Zdravko Peçarin, njërin prej themeluesve të Muzeut të Artit Afrikan, muzeu ishte “viktimë e plaçkitjes grabitqare të sistemit socialist që po rrënohej” dhe kupolës iu dha funksioni i një sinekdoke në debatin publik, që i referohej “një lloji tinëzar të shitjes së pronës shoqërore, procesit të marrjes fund, nevojës që Muzeu i Artit Afrikan të hynte në bilancin e ndarjes ndërmjet FR të Jugosllavisë dhe Kroacisë, ndërkohë që Beogradi shenjohej si qytet që shkatërronte dhe degradonte artin mysliman”. (shih më shumë: Knezheviq 2021). Paradoksi i tonit nacionalist, që i atribuohej edhe konotacioneve të pakëndëshme dhe të pandershme politike, mori dimensione më të gjera gjeografike me një artikull të publikuar në Jean Afrique, të cilit iu përgjigj edhe UNESCO-ja. Në arkitekturën si makinë e kujtesës, ky konflikt vuri në lëvizje atë kujtesë të pavullnetshme prustiane që mishërohej në kryetitullin e gazës për (ende) Çatinë afrikane nga druri (i ri) kroat në Beograd dhe shembjen e federatës jugosllave, që besohej se çoi direkt në rrezikimin e këtij koleksioni.
Përmbysja: në këtë mjerim dhe varfëri ata kapen, mbijetojnë, ringjallen dhe madje rinohen – është pra një arritje e paparë më herët në rrethanat tona, ka shkruar prof. Dr. Mihajllo Çanak në maj 1994, kur një grup i madh i nxënësve që sapo kishin përfunduar shkollën e mesme hynë fshehurazi në ndërtesë për t’u përgatitur për provimin pranues në Fakultetin e Arkitekturës.
Përfundimi: me ritmin e muzikës së vallëzimit dhe botës së artit. Fillimi i viteve 2000 shënon rolin e kësaj hapësire në skenografinë e shfaqjeve dhe videove edukative, por edhe argëtuese muzikore. Fakti që ka interier mbresëlënës sigurisht është dëshmuar nga mahnitja e shpeshtë e artistëve me të dhe nga një sërë instalacionesh, performancash dhe veprash arti që janë frymëzuar (dhe ende frymëzohen) nga ai, dhe/ose brenda tij.
*
Epilogu: një tregim me fund të hapur. Është viti 2022 dhe Muzei i Artit Afrikan po pret për lejen e ndërtimit dhe rindërtimin. Në këtë proces, parashihet që hapësira e përmendur poshtë kubesë si dhe e gjithë ndërtesa që ende ka kujtesë të freskët të studios së vjetër të artit të vitit 1952, përshtatjen e ndjeshme ndaj natyrës dhe historisë në vitin 1977 dhe makinën e kujtesës arkitekturore të paraqitur këtu nga viti 1989 deri në ditët e sotme, do të marrë formë dhe projektim të ri. Me vendosjen e shtresave arkitekturore për më shumë se gjysëm shekulli, ndërtesa aktuale e muzeut mund të kuptohet saktë si një vend i rëndësishëm i kujtesës dhe çatia e saj afrikane e bërë nga druri kroat është episod që tregon qartë se si mund të kuptohen, shihen dhe shkruhen historia e shpërbërjes së RFSJ-së dhe konfliktet e saj të brendshme nëpërmjet një copëze të arkitekturës së një “muzeu afrikan” në vija anësore.
Ajo çka i mbetet lexuesve (pra, të gjithëve ne) të shqyrtojmë në fundin e hapur është diskutimi se si ta kuptojmë, ruajmë dhe si t’i përdorim këto konflikte për hir të një jete më të mirë, jomuzeale, reale në të ardhmen. Si të kuptohen pikturat ku e njëjta hapësirë është edhe strehë, një kënd për t’u arratisur nga realiteti ku rrëshqasim pa e kuptuar, një vend ku mezi jetohet në varfëri dhe nga ana tjetër, një copëz plaçkitjeje grabitqare dhe konotacionesh të pandershme politike? Si mund t’i vendosim imazhet e krijuara nëpërmjet punës në bazë, përpjekjeve spontane dhe të sinqerta në vijën e parë të frontit në krahasim me ato që planifikohen dhe formohen në radhët e strukturave politike dhe mediatike? Për një muze të ri, vërtet antikolonialist, realizimi i të cilit është planifikuar, sigurisht që do të jetë me shumë rëndësi të zbulohen të gjitha jetët e ndërtesës së përmendur këtu. Ndryshe nga imazhi i vjetër, përfaqësues dhe i pandryshueshëm i muzeut, ky këtu, që është në gjendje të lexojë me kujdes historinë e krijimit të muzeut, historinë e tij, si dhe arkitekturën dhe trashëgiminë e ndërlidhur me të, në vend të një “këndi, oazi apo arratie” drejt diku ku nuk kemi qenë kurrë apo që në fund të fundit nuk ekziston, do të jetë në gjendje të ofrojë një hapësirë për diskutim, ballafaqim dhe kuptim të kohërave dhe problemeve ku jetojmë, edhe në muze, edhe – më e rëndësishmja – jashtë mureve të tij, qofshin ato prej fildishi apo betoni.
Rekomandim pwr lexim:
Epštajn, Emilia, Sladojević, Ana (eds.) 2017. Nyimpa kor ndzizi – One Man, No Chop: (Re)conceptualization of the Museum of African Art – the Veda and Dr. Zdravko Pečar Collection. Belgrade: Museum of African Art.
Epštajn, Emilia, 2021, “STORIES OF AUTHENTICITY. The origin of objects in the Museum of African Art and how the Pečar collection was created”, habilitation thesis, e-publication available at mau.rs
Gavrilović, Ljiljana, 2009, About politics, identities and other museum stories, Belgrade: Ethnographic Institute SANU
Knezević, Ana, “Imaginary and real life of one space: the dome of the Museum of African Art in Belgrade”, Social History Yearbook no. 2 (2021), 43-64.
Kulji, Todor, 2012, Memory culture, Belgrade: Čigoja štampa
Kris Pint, “If These Walls Could Walk: Architecture as Deformative Scenography of the Past” in Performing Memory and Art in Popular Culture. ed. Liedeke Plate and Anneke Smelik (New York: Routledge, 2013)
Radonjić, Nemanja, 2020, Image of Africa in Yugoslavia (1945-1991), doctoral dissertation, Department of History, Faculty of Philosophy, University of Belgrade.
Sladojevic, Ana, 2022, An Anticolonial Museum, Belgrade: Museum of African Art.