Arsimi dhe drejtësia tranzicionale: mundësitë dhe sfidat për ndërtimin e paqes [raport]

Vegëz Recom: http://www.recom.link/education-and-transitional-justice-opportunities-and-challenges-for-peacebuilding-report/

Për të kuptuar më mirë se si arsimi u ndihmon shteteve të merren me trashëgiminë e konfliktit dhe të mizorive masive, Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale (QNDT), në partneritet me UNICEF kanë filluar një projekt kërkimor ambicioz për të shqyrtuar lidhjet ndërmjet arsimit dhe drejtësisë tranzicionale në kontekste të ndërtimit të paqes.

Pas një pune dy e gjysëm vjeçare për ekzaminimin e përvojave në nëntë vende dhe për trajtimin e një shumëllojshmërie të temave, QNDT dhe UNICEF nxorën raportin “Arsimi dhe Drejtësia Tranzicionale: Mundësitë dhe sfidat për ndërtimin e paqes,” që vë në dukje gjetjet kryesore të hulumtimit të zgjeruar dhe u ofron politikëbërësve dhe zbatuesve udhëzues praktikë për të ndërlidhur arsimin me zhvillimin e masave për drejtësi tranzicionale.

Një nga gjetjet kryesore të projektit që ka theksuar Ramírez-Barat është se sistemet e arsimit janë më të ngatërruara në konflikt nga sa mendohet. “Nuk ekziston vetëm ideja se arsimi mund të ndihmojë në portretizimin e një mesazhi të ri për ndryshim”, thotë Ramírez-Barat. “Vetë arsimi është një institucion apo pjesë e konstruktit social që ka nevojë të ndryshojë”.

Për shembull, gjatë konfliktit të armatosur në Peru në vitet 1980, grupi i kryengritësve i quajtur “Rruga e Ndritshme” shpeshherë ka rekrutuar fëmijë nga shkollat nëpër zona rurale të margjinalizuara. Në raste si ky, ekziston nevoja për reforma të thella, përfshirë kulturën shkollore, kurrikulumin dhe mësimdhënësit.

“Studimi na shtyn ta shqyrtojmë arsimin nga një këndvështrim i ndryshëm dhe të vlerësojmë se si arsimi mund të keqpërdoret dhe se si ai mund të luajë rol konstruktiv”, ka thënë Affolter.

Duke u mbështetur tek pozicioni i UNICEF-it si ofrues i arsimit në vende në krizë, Affolter vëren se ndonjëherë, arsimi mund të përdoret për të adresuar shqetësimet. Ai vë në dukje studimin për Klin që ka bërë projekti, ku viktimave të torturës dhe pasardhësve të tyre u janë dhënë bursa si dëmshpërblim.

Edhe pse arsimi mund të kontribuojë së tepërmi për drejtësinë tranzicionale, raporti vë në dukje se ka edhe sfida që duhen tejkaluar. Duthie përmend implementimin si pengesë kryesore.

“Shumë shpesh, komisionet e së vërtetës bëjnë rekomandime për ndryshime në sektorin e arsimit, por këto rekomandime implementohen pjesërisht ose shpërfillen krejtësisht”, ka thënë Duthie.

Duthie thotë se pengesat për implementim shpesh bien nën dy kategori. Në vendet pas konfliktit, kapacitetet dhe burimet për reforma shpeshherë janë të pamjaftueshme. Për shembull, në Sierra Leone, lidhja e reformës në arsim me procesin e drejtësisë tranzicionale është penguar për shkak se infrastruktura e arsimit në vend ishte dëmtuar rëndë nga lufta. Pengesat politike ndikojnë edhe në implementimin e masave të bazuara tek arsimi. Qeveritë vendore dhe lokale mund të mos jenë të interesuara, apo vetë shkollat mund të ngurrojnë të merren gjatë mësimit me çështje që krijojnë ndasi.

“Komunitetet dhe prindërit e nxënësve mund t’i kundërshtojnë masat”, ka thënë Duthie, duke përmendur Bosnjen dhe Irlandën e Veriut si shembuj të vendeve ku ndasitë brenda shoqërisë e bëjnë të vështirë reformën në arsim.

Edhe pse projekti kërkimor nxori në pah sfida serioze lidhur me reagimin ndaj së kaluarës përmes arsimit, Duthie thekson se edhe ndryshimi i kufizuar është i rëndësishëm. “Prapë do të jeni në gjendje t’u ndihmoni viktimave të tejkalojnë pengesat e vërteta për të patur qasje në arsim, pavarësisht të gjitha sfidave”, ka shtuar ai.

Affolter paralajmëron se profesionistët duhet të jenë realistë se çfarë mund të arrijë arsimi dhe çfarë jo.

“Duhet të pyesim veten se si i prezantojmë temat, si i diskutojmë historitë, në mënyrë që kjo të ketë ndikim”, ka thënë Affolter. “Sepse thjesht të prezantosh diçka në klasë mund të mos ketë rrjedhojën apo ndikimin që shpresojmë të arrijmë”.

Ramírez-Barat thotë se në afat të gjatë, hulumtimi i tyre ka nxjerrë në dukje shumë sfida, por edhe shumë mundësi për të përdorur korniza të drejtësisë tranzicionale kur flasim për reformë në arsim. Mirëpo ky projekt është thjesht një tentativë fillestare për të hyrë në këtë lëmi ku ka pak hulumtime. Ka ende shumë punë për t’u bërë për të fuqizuar rolin e arsimit në drejtësinë tranzicionale dhe për të ndërtuar shoqëri që mund të parandalojnë më mirë rikthimin e dhunës.

Libri për këtë temë do të botohet në pranverën e vitit 2016. Për të mësuar më shumë rreth projektit, vizitoni uebfaqen e projektit.

ICTJ-UNICEF-Report-EducationTJ-2015 [Raporti në PDF]