Do ta kem të vështirë t’i harroj pamjen e frikësuar në fytyrë dhe dëshmitë që ndau me mua një rome, e cila ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Gjatë luftës, atë e dhunuan ushtarët serbë. Dy javë pas përfundimit të luftës, shtëpia e saj u bë shënjestër e shqiptarëve etnikë. Burra të veshur me uniforma e rrëmbyen atë një mbrëmje qershori në vitin 1999. Kur e kthyen të nesërmen në mëngjes, shtëpinë e gjeti në flakë dhe pothuajse të shkatërruar. Për gati 20 vjet, ajo dëshmoi para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) për dhunën e kryer nga serbët në Kosovë, por jo për dhunën e kryer nga shqiptarët etnikë. Disa nga kryesit, shqiptarë të Kosovës, ishin fqinj dhe familja ka frikë t’ua përmendë emrat.
Lufta në Kosovë përfundoi dy dhjetëvjeçarë më parë, por për shumë viktima, vuajtja dhe frika vazhdojnë me pothuajse të njëjtin intenstitet. Ndërkohë, disa viktima kanë vdekur brenda territ të traumës së tyre personale, pa patur rastin të shohin drejtësi. Disa kanë mundur të dëshmojnë vetëm gjysëm të vërtetën e tyre.
Si gazetare, unë hetoj krimet e luftës dhe të pasluftës. Teksa gërrmoj në anët më të errëta të historisë më të fundit, shpesh dëgjoj rrëfime dhe dëshmi, të cilat nuk janë thënë në publik më parë.
Lufta ka lënë shumë viktima “të dyfishta”, që janë dhunuar nga kryesit e të dy krahëve. Në këtë drejtim, gratë rome kanë vuajtur më shumë.
Në shtëpitë e tyre, dhimbja dhe vuajtjet janë ende të freskëta. Këto raste shpalosin dështimin e dokumentimit të krimeve të luftës.
Dy dhjetëvjeçarë pas luftës, raportimi për krimet e luftës është ende fushë e minuar. Shumë gazetarë në Kosovë kanë frikë të raportojnë për krimet që janë kryer gjatë ose pas luftës nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Janë bërë përpjekje për të mbuluar krimet e kryera pas luftës, sidomos menjëherë në përfundim të saj, duke përdorur arsyetimin se Serbia ka kryer shumë më shumë krime dhe se drejtësia për shumicën e këtyre krimeve ende nuk është ndarë.
Narrativa që rrethon krimet e luftës në Kosovë është kryesisht e njëanshme. Ka shumë pak hapësirë që viktimat të paraqesin faktet që do të cenonin lavdinë e shqiptarëve etnikë, luftëtarëve të UÇK-së.
Në Serbi, shteti i strehon kriminelët e luftës, shumë prej të cilëve kanë role të rëndësishme në shoqëri. Në Kosovë, dështimi për të ngritur akuza ndaj personave të dyshuar për përfshirje në krime lufte bëhet gjithnjë e më i vështirë. Për shumë vite, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka ndihmuar në ndërtimin e kësaj narrative të njëanshme. Shumë të pandehur me lidhje me UÇK-në janë liruar nga krimet e luftës për shkak të mungesës së provave, që shpesh ka rezultuar nga frikësimi i dëshmitarëve.
Diskursi i luftës në Kosovë ka ndjekur një trajektore që i është përshtatur nevojave politike të elitave të kohës së luftës. Për këtë arsye, ky diskurs në Kosovë ka nevojë për një fillim të ri.
Gjuha e përdorur nga secila palë për të folur për luftën shpalos dobësitë e të dy vendeve për t’i trajtuar krimet e luftës dhe për t’u ballafaquar me të kaluarën. Narrativat e kohës së luftës dhe armiqësitë ndikojnë edhe në raportimin nga mediat. Diskursi i luftës që nga viti 1999 ka kufizuar dhe formësuar diskutimet publike dhe ka ngurtësuar ndarjet etnike, identitetet, ideologjitë dhe të kuptuarin kolektiv për luftën.
Konkluzionet e nxjerra në këtë artikull kryesisht bazohen tek gjuha dhe narrativa e kohës së luftës që kanë përdorur shqiptarët dhe serbët etnikë në periudhën e pasluftës. Retorika për ndarjen e pritshme po rritet. Përhapja e retorikës përçarëse është pjesërisht fajtore për vazhdimin e konfliktit (jo të dhunshëm) midis dy palëve.
Teksa hulumtoja për rastet e fëmijëve të lindur nga dhunimet që u bënë gjatë luftës, në vitet 1998-99, në Kosovë, kapitulli më i errët i luftës së Kosovës, hyra në një terren të ri sa i përket etikës së gazetarit dhe përgjegjësisë profesionale. Një viktimë, e cila e kishte vrarë foshnjen e saj të lindur nga dhunimi, më luti të mos e zbuloj rastin e saj ose do ta vriste veten. Kjo gjë më mbajti vazhdimisht nën presion dhe të tensionuar.
Ballafaqimi me të kaluarën është betejë e vështirë për brezin që ka përjetuar luftën, që po përpiqet të pajtohet me barrat e rënda të së kaluarës së dhimbshme të Kosovës dhe të çlirohet prej saj. Shumë nuk munden të mos kthejnë kokën pas me zemërim.
Raportimi për krimet e luftës është sfidë për gazetarët këtu, jo vetëm për shkak se i ekspozohemi trishtimit dhe traumës nga lufta. Sapo botova një artikull për vrasjet politike menjëherë pas luftës në Kosovë, makinën time ma lyen dy herë me ngjyrë të kuqe.
Si gazetare që heton dhe raporton për tema rreth konfliktit dhe tema të ndjeshme në Kosovë dhe në rajon, kam kuptuar se ‘gazetaria përfshirëse’ është e pashmangshme. Nuk mundemi dhe nuk duhet të jemi gjithnjë neutralë, kur përballemi me skena të vuajtjes dhe padrejtësisë.
Serbeze Haxhiaj punon prej 20 vitesh si gazetare hulumtuese dhe redaktore lajmesh për mediat në Kosovë dhe ndërkombëtare. Ajo merret kryesisht me çështje të ditës, përfshirë korrupsionin, të drejtat e njeriut, çështje të sigurisë, ekstremizmin fetar, terrorizmin dhe krimet e luftës. Aktualisht Haxhiaj është redaktore pranë Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe gazetare për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN). Më parë ajo ka punuar për gazetat ditore “Rilindja”, “Zëri”, “Lajm” dhe “Koha Ditore”. Ajo ka qenë korrespondentja nga Prishtina për median franceze “Le Courrier des Balkans” dhe, kohëve të fundit, artikujt e saj janë publikuar në “The Financial Times”, “Der Standard”, “Neue Zürcher Zeitung” dhe “Al Jazeera”.. Ajo ka punuar për pesë vjet si hulumtuese për Navanti, një kompani amerikane për hulumtime dhe analiza. Haxhiaj ka marrë 14 çmime nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për raportimet e saj mbi krimet e luftës, krimin e organizuar, korrupsionin, të drejtat e njeriut dhe dhunën kundër grave.
Foto: Serbeze Haxhiaj nga Arben Llapashtica