Branko Qulibërk: Është me rëndësi të fillojë diskutimi për çështje “të vështira” dhe të mos ekzistojë frika nga kërcënimet

Burimi: Media.ba

Qendra për të Rinjtë Kvart nga Prijedori është hapur zyrtarisht në vitin 2010, ndërsa jozyrtarisht ka ekzistuar si program për të rinj i organizatës ”Zdravo da ste” që nga viti 2006. Sikurse thonë vetë anëtarët e Kvart-it, kjo është një shoqatë qytetarësh për ndërtimin e paqes, të drejtat e njeriut, jopartiake, joqeveritare dhe jofitimprurëse e mbështetur tek respektimi pa kompromis për vlera njerëzore universal si paqja, mungesa e dhunës, demokracia, liria, barazia, respekti për të drejtat e njeriut dhe drejtësia. Edhe pse anëtarët e Kvart-it i kanë kanalizuar aktivitetet e tyre përmes një sërë dukurish shoqërore, kryesisht aktivitetet e tyre fokusohen tek të rinjtë, nevojat dhe problemet e tyre.

Foto: Branko Qulibërk, Facebook

Branko Qulibërk, i cili prej kohësh është aktivist dhe punon si menaxher i projekteve të Kvart-it, shpjegon se aktivitetet e implementuara nga kjo organizatë i takojnë tri kategorive. ‘Qëllimet tona strategjike bazohen në tri drejtime. I pari, për të cilin Kvart njihet më shumë, është pjesa që ka të bëjë me përballjen me të kaluarën dhe me kulturën e kujtimeve. Në këtë rast, ne merremi më shumë me çështje që kanë të bëjnë me Prijedorin. Drejtimi tjetër është diskriminimi, gjuha e urrejtjes dhe krimet e nxitura nga urrejtja, kryesisht kundër grupeve pakicë dhe sidomos kundër popullatës LGBT. Drejtimi i tretë strategjik është fusha e kulturës ose organizimi i aktiviteteve për të rinjtë përmes një qasjeje më alternative ndaj kulturës dhe promovimi i skenës kulturore të panjohur”.

‘Tradhëtarët e popullit të tyre”

Të inicosh diskutime për tema ”të vështira” është mjaft sfiduese, sidomos në qyteza të vogla si Prijedori. Për shkak të faktit që merren me probleme të së kaluarës dhe ngjarjeve të luftës në këtë pjesë të Bosnje dhe Hercegovinës, aktivistët e Kvart-it shpeshherë u janë nënshkruar kërcënimeve dhe frikësimeve. Qulibërk vë në dukje se është e vështirë të etiketohesh si organizatë ”serbe” që merret me ‘çështje të boshnjakëve dhe kroatëve”. ”Kvart ka ”kapur” tema mjaft të vështira në Prijedor. Shoqata e të Burgosurve të Luftës, Shoqata e Grave nga Prijedori, Izvori, etj. janë shoqata të etiketuara si shoqata boshnjake. Kvart njihet nga komuniteti lokal si shoqatë serbe e cila merret me përballjen me të kaluarën dhe tema që kanë të bëjnë me popullsinë e vrarë civile në Prijedor. Kur flasim për popullsinë civile që është vrarë, ata kanë qenë më shumë civilë boshnjakë dhe kroatë. Në njëfarë kuptimi, ne, pra Kvart si organizatë dhe ne si individë, jemi etiketuar si tradhëtarë, si jo-serbë, si tradhëtarë të popullit serb etj. Nga ana tjetër, asnjë prej nesh në përgjithësi nuk e deklaron etninë dhe atë etni e përdorim më shumë për qëllime politike, e përdorim vërtet për të manipuluar në mënyrë që të sensibilizojmë të tjerët, të shihemi si seriozë dhe relevantë në veprimet tona’. Kvart është sidomos aktiv si pjesë e nismës ”Jer me se tiče” (Sepse ka të bëjë me mua) që merret me çështje që merrem me përballjen me të kaluarën në Prijedor dhe aktiviteti i tyre më i njohur është shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Fjongove të Bardha me 31 maj.

”Një nga organizatorët e Ditës së Fjongove të Bardha është edhe drejtori ekzekutiv i Kvart-it, Goran Zoriq. Ndaj automatikisht u identifikuam si grupi i cili kontribuon më së shumti për këtë çështje dhe në fakt, ky ishte qëllimi ynë kur patën nisur së pari herë problemet dhe kritikat lidhur me aktivitetin tonë. Ndonjëherë, ka edhe kërcënime serioze apo tentativa për sulme fizike, por kohëve të fundit kjo gjë ka ndryshuar. Mendoj se ka ardhur koha për të pranuar faktin se ne jemi këtu dhe e kemi inicuar diskutimin për disa çështje të caktuara. Gjatë gjashtë muajve të fundit nuk i jemi ekspozuar dhe aq shumë kritikave nga publiku. Nuk e di nëse arsyeja për këtë është fakti se janë mësuar me ne, apo ndoshta fakti se ne nuk po punojmë më me të njëjtin intensitet si më parë”, thotë Qulibërk.

Një nga faktorët më të rëndësishëm për punë të suksesshme dhe për arritje të rezultateve si një OJQ është të mësuarit e vazhdueshëm, pjesëmarrja në punëtori, seminare dhe konferenca të ndryshme. Qulibërk beson se është shumë me rëndësi që organizatat të mos mbështeten tek ideja ”i dimë të gjithë”, por të jenë aktive kur vjen fjala tek të fituarit e njohurive të reja. ”Të gjithë kemi ndjekur trajnime të ndryshme dhe jemi të gatshëm të mësojmë, të fitojmë njohuri dhe shkathtësi, gjithçka që na është nevojitur për punën tonë të kaluar. Këtë e shoh si përparësi për aktivitetet tona aktuale, pasi mund të bartim njohuritë dhe shkathtësitë tek më të rinjtë që kanë filluar të marrin pjesë. Shumica e organizatave e fillojnë punën me qëndrimin se i dinë të gjitha dhe nuk janë të gatshëm të investojnë kohë për ndërtimin e kapaciteteve të reja. Sinqerisht, kemi nevojë të vazhdueshme për ndërtimin e këtyre kapaciteteve të reja, vazhdimisht marrim pjesë në trajnime, seminare, punëtori, konferenca të ndryshme dhe e kuptojmë rëndësië e tyre’.’

Luftëtarë për të drejtat e LGBT

Një tjetër temë ku duan të përqendrohen më shumë pjesëtarët e Kvart-it në të ardhmen është ajo e të drejtave të popullatës LGBT. Edhe pse deri tani organizata nuk ka organizuar ndonjë aktivitet specifik në këtë fushë, ekziston dëshira që Kvart-i të përqendrohet në mënyrë strategjike tek çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBT. ”Duke patur parasysh faktin se anëtarët e Kvart-it gjithashtu përfshijnë edhe pjesëtarë nga popullata LGBT, është e natyrshme që të duam të fillojmë të merremi edhe me këto çështje. Ne nuk organizojmë aktivitete direkt me këtë popullatë, por gjithçka filloi nga çasti kur Kryetari i Komunës në Prijedorit deklaroi se grumbullimi i publikut për të shënuar datën 31 maj ishte paradë e gejve. Që atëherë, kemi shqyrtuar edhe mundësinë se si mund të angazhohemi më seriozisht në çështje të LGBT. Planifikojmë që gjatë periudhës së ardhshme Kvart të përqendrohet më shumë në këtë çështje. Deri tani, aktivitetet kryesisht kanë përfshirë bashkëpunim me organizata nga rajoni, si Qendra e Hapur e Sarajevës, Okvir dhe shoqata Kvir Aktivista nga Banja Luka.”

Prindërit ua ndalojnë fëmijëve të shkojnë në Kvart

”Aktualisht, ekipi kryesor i Kvart përbëhet nga ne të katër, jemi pjesë e organizatës dhe që kryesisht bëjmë aktivitetet e përditshme. Ekipi i brendshëm i Kvart përbëhet nga një duzinë individësh që vijnë në organizatë çdo jave dhe marrin pjesë në disa aktivitete, por rrethi më i gjerë përbëhet nga ndoshta tridhjetë persona, tek të cilët mund të mbështetemi se do të marrin pjesë dhe të jenë aktive nëpër aktivitete të ndryshme. Njerëzit i bashkohen Kvart-it në mënyrë spontane, aq më tepër ngaqë ne merremi me disa gjëra që nuk janë trendi. Kemi patur mjaft raste kur prindërit ua kanë ndaluar disa prej anëtarëve tanë të vijnë në Kvart, kryesisht për shkak të këtij ekspozimi dhe të problemeve që mund të kenë nëse njihen si anëtarë të shoqatës. Ia kemi dalë të tejkalojmë probleme të tilla në mënyra të ndryshme. Tani ekziston vetëm ky miti se nëse je pjesë e Kvart-it, kurrë nuk do të gjesh një vend pune. Meqë jetojmë në këtë qytezë të vogël, ne njohim shumicën dhe e kemi kuptuar se nuk ndodh realisht kështu dhe se nuk është aq e tmerrshme të jesh një aktivist dhe të inicosh diskutime për çështje të tilla. Është shumë më e rëndësishme të fillosh të diskutosh disa çështje me rëndësi se sa të kesh frikë se mund të gjesh një vend pune që edhe ashtu është i vështirë të gjendet, nëse nuk je anëtar i ndonjë partie politike”.