Photo: Kristina Lozanovska
Author: Venhar Ramadani
Kur nis ta njohësh Shkupin më mirë dhe dëshiron të përjetosh traditën e kryeqytetit të Maqedonisë, ndjen se në këtë qytet ka shumë ndarje. Këtë e kupton, pasi jeta në Shkup është e ndarë përgjatë vijës së etnive që jetojnë në të dy anët e Shkupit. Ana shqiptare dhe ajo maqedonase. Kjo është pamja e përgjithshme e Shkupit, edhe pse shpeshherë ky perceptim nuk përkon me realitetin.
Realiteti është i ndryshëm – ai është më i pasur dhe më i dinjitetshëm se sa duket në fillim. Gjallëria e njerëzve është më e rëndësishme se sa mënyra në të cilën është organizuar sistemi. Me një organizim më dinjitoz ndërmjet komuniteteve në të ardhmen, që edhe është qëllimi, edhe Shkupi do të ketë jetë pa ndonjë dallim dhe për të gjithë.
E gjitha ajo që nevojitet për jetesën në Shkup është të marrim një shembull nga jeta në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Një miniaturë e bukur, e pasur dhe e përmbushur, ku të gjithë mund të veprojnë, punojnë dhe jetojnë. Shkupi ka shumë pasuri dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit është pasuri universale që i përket të gjithëve: shqiptarëve, maqedonasve, turqve, romëve, serbëve, vllehëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Çarshia e Vjetër e Shkupit i takon turistëve që vijnë të shijojnë çajin dhe qebabët e shijshëm. Çarshia e Vjetër i takon besimtarëve që vizitojnë xhamitë dhe kishat dhe të pasionuarve pas historisë të cilët shkojnë në Kalanë e Shkupit, që gjithashtu përfaqëson një pasuri unike, një shtojcë historike të Shkupit të lashtë.
Të gjitha këto së bashku kanë për qëllim të lidhin dy pjesët e rëndësishme të Shkupit. Të parapara të funksionojnë jo vetëm si urë lidhëse, por edhe si mjet i rëndësishëm për zhvillimin e Shkupit. Rruga e mjeshtërve (zanatlinjve) të arit, të filigranit, të kostumeve të vjetra popullore për të gjitha kulturat e pranishme në Maqedoni vetëm sa ia shtojnë bukurinë kësaj lagjeje kulturore. “Çarshia e Vjetër është Maqedonia, Maqedonia është Çarshia e Vjetër” është një thënie që përmbledh të gjithë historinë e Çarshisë së Vjetër që nga fillimi.
Kur kërkon në internet diçka për Maqedoninë, rezultatet e kërkimit menjëherë të lidhin me Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Kjo ndodh pasi turistët e kanë sugjeruar si vendin që u ka lënë përshtypje gjatë vizitës së tyre: ngrohtësia, diversiteti dhe shpirti që mund të ndjehen në çdo gur të kësaj lagjeje të veçantë. Në Trip Advisor ky vend renditet i shtati kur kërkoni për Maqedoninë. Pra, është në listën e 10 vendeve më të vizituara dhe sugjerohet nga turistët.
Çarshia e Vjetër konsiderohet si diamanti i Shkupit, për shkak të pasurisë kulturore, ekonomike dhe të atributeve shoqërore. Është diamant, pasi ngërthen në vetvete të gjithë pasurinë shoqërore dhe diversitetin etnik. Është diamant, pasi ruan brenda lidhjen ndërmjet Shkupit të Vjetër dhe Shkupit të Ri. Është diamant, pasi shumë breza kanë ushqyer familjet atje dhe bizneset kanë zhvilluar ekonominë e vendit.
Rruga me kalldrëm mund të jetë ndërruar disa herë deri tani, mirëpo është vlerë kulturore e Çarshisë së Vjetër, për të treguar se e kaluara e pasur ka një energji pozitive për të ndriçuar të ardhmen. Kalldrëmet të bëjnë të besosh se je në ndonjë vend të lindjes, por kur e përjeton, Pazari i Vjetër të bind se je në perëndim dhe shpirti i zhvilluar të jep perspektivë. Rrugët me kalldrëm lidhen me Kalanë e Shkupit, me tregun që njihet si Bit Pazar, me xhamitë dhe me kishat, me sinagogat dhe muzetë, me Sahat Kullën dhe shumë struktura të tjera që janë të paharrueshme.
Brenda Çarshisë së Vjetër është Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve dhe Filipi i Dytë i Maqedonisë. Periudha të ndryshme historike dhe besime të ndryshme fetare që kurrë nuk kanë qenë shkak për konflikte etnike, fetare, kulturore apo të vendit. Që të gjithë kanë jetuar në harmoni, të sigurtë se punojnë dhe jetojnë në pasurinë më të madhe të Shkupit.
Edhe pse qeveritë nuk kanë bërë shumë për Çarshinë e Vjetër deri tani, ky vend shpesh ka mbijetuar edhe pa përkrahje institucionale, por vetëm nga shpirti i atyre që e duan dhe që jetojnë nga dhe për Çarshinë e Vjetër. Para se të gjendet, diamanti mund të jetë i fshehur në dhé ose i groposur për vite të tëra. Qytetarët, afaristët, zanatlinjtë, artistët dhe të tjerët e kanë mbajtur gjallë Çarshinë e Vjetër.
UNESCO e ka vendosur në listën e zonave të mbrojtura, ndërsa vetë vendi, Maqedonia, në vitin 2008 miratoi një ligj të posaçëm për Çarshinë e Vjetër. Edhe pse mbrohet me ligj, që nga ajo kohë Çarshia e Vjetër nuk ka parë ndonjë investim të madh, por as edhe ndonjë mbrojtje nga ata që e dëmtojnë në forma të ndryshme. Diamanti i Shkupit është mbrojtur nga njerëzit që e vizitojnë çdo ditë.
Diamanti i Shkupit, Çarshia e Vjetër, mbrohet nga qytetarët, pavarësisht se çfarë identiteti grupor kanë. Ajo mbrohet nga e kaluara dhe nga e ardhmja. Ajo mbrohet nga Zoti, pavarësisht besimeve fetare. Ajo mbrohet nga duart e punëtorëve që në mes të ditës pinë çaj dhe shpresojnë për ditë më të mira.
Edhe pse gjendet në mes të një Shkupi modern dhe melankolik të së kaluarës, Çarshia e Vjetër mbron me fanatizëm pasurinë e saj të pashtershme. Ajo mbron kulturën, shpirtin dhe idenë që mbledh bashkë të gjithë. Të gjithë në një vend, një vend për një të ardhme të përbashkët të ndritshme.
Një jetë për të gjithë në Maqedoni është shpirti i ri i Maqedonisë. Ashtu si vetë Çarshia e Vjetër që ka qëndruar që nga fillimi. U deshën më shumë se 27 vjet që dikur ta merrte shpirtin e Çarshisë së Vjetër, ta shkruante si program politik dhe të bënte pastaj përpjekje për ta vënë në zbatim. Është shumë e thjeshtë, është dashur të marrin parasysh përvojën e të gjithëve dhe të bënin një strukturë shtetërore funksionale nga miniversioni.
Diamanti është gjetur. Ai ka ekzistuar. Ne nuk ishim në gjendje ta shihnim. Ne e kemi gjetur diamantin. Ka filluar të ndriçojë! Drita e diamantit na ka verbuar pasi ishim mësuar të shihnim vetëm negativen, të shihnim vetëm errësirën!