Burimi: Recom.link
Pas një gjykimi të stërzgjatur, ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiq u shpall fajtor për një akuzë për genocid si dhe për shumë krime kundër njerëzimit nga Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi në Hagë. Denisa Kostovicova vlerëson se çfarë kuptimi ka patur ky aktgjykim për Bosnjen, duke shkruar se edhe pse përfundimi i këtij gjykimi është tepër simbolik për viktimat e luftës në Bosnje, vendi ende mbetet shumë i përçarë.
Aktgjykimi ndaj Karaxhiqit: Si u zhvillua gjykimi dhe çfarë kuptimi ka për Bosnjen
Aktgjykimi për fajësi që ui shpall ndaj udhëheqësit të serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiq është një çast madhor në historinë 23-vjeçare të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në Ish-Jugosllavi në Hagë (ICTY). Karaxhiqi është zyrtari më i lartë që është gjykuar dhe dënuar për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën e Bosnjes në vitet 1992-5 dhe në fakt, kudo në territorin e ish-Jugosllavisë. Aktgjykimi për fajësi ndaj Karaxhiqit do të sjellë deri diku drejtësi.
Të 11 pikat në aktakuzën ndaj Karaxhiqit (dy prej të cilave për genocid) përmbledhin dëshmitë tmerruese të vdekjes dhe shkatërrimit nga lufta e Bosnjes në të gjithë vendin, kur serbët e Bosnjes nën udhëheqjen e Karaxhiqit u nisën të krijojnë një mini-shtet etnikisht homogjen nga Bosnja shumëetnike. Fushata rezultoi në një prej shfaqjeve më të dhunshme në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore, përfshirë vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë dhe rrethimin tre vjeçar të kryeqytetit Sarajevë.
Vetë gjykimi ka patur përmasa historike. Ai ka zgjatur 497 ditë dhe janë dëgjuar qindra dëshmitarë. Janë paraqitur dhjetëra mijëra prova dhe faqe me dëshmi të shkruara që janë shqyrtuar nga gjyqtarët. Procesi ka nxitur krahasime të shumta të ekspertëve me gjykimet e Nurembergut. Mirëpo njëzetë vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, impakti që ka aktgjykimi tek pajtimi në këtë vend pas-konfliktit do të kufizohet nga vazhdimësia e pasojave të vdekjes dhe shkatërrimit që ka sjellë Karaxhiqi.
Çfarë do të ndryshojë aktgjykimi?
Vetë fakti se Karaxhiqi erdhi të dëgjojë aktgjykimi është tepër domethënës. Gjykimi i Karaxhiqit erdhi pas vdekjes në vitin 2006 të Slobodan Milosheviqit, trurit të politikave për Serbinë e Madhe dhe luftërave që sollën shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë, që po ashtu ishte akuzuar për genocid, por vdiq ndërkohë që ishte nën arrest nga ICTY. Me vdekjen e tij, Milosheviqi i iku drejtësisë, duke lënë pas një ndjesi të përgjithshme të tradhëtisë në mesin e viktimave në të gjithë ish-Jugosllavinë, përfshirë Bosnjen.
Memoriali në Srebrenicë, Foto nga: photo rnw.org
Aktgjykimi ndaj Karaxhiqit, edhe pse shumë i vonuar, ka rëndësi kritike për viktimat dhe të mbijetuarit në Bosnje, shumë prej të cilëve kanë mbledhur forcat për t’u përballur me të në gjykatë. Mirëpo dënimi i një zyrtari të lartë si Karaxhiqi nuk është dhe aq çështje e krijimit të një precedenti ligjor (edhe pse precedentë të tillë janë me rëndësi të madhe për zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare): me duzina gjykime dhe aktgjykime për kryerës nga rangje më të ulëta të dhunës në Bosnje tashmë janë marrë nga ICTY, që ka treguar të jetë risi në kuptim të normave të reja globale të llogaridhënies për dhunë në konfliktet bashkohore.
Pavarësisht, rëndësia simbolike e aktgjykimit është madhështore. Ky aktgjykim krijon një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet retorikës vdekjendjellëse të Karaxhiqit dhe vdekjes e shkatërrimit në kohën e luftës, pikërisht ashtu si viktimat e kanë parë dhe e kanë kuptuar në mes të konfliktit. Tani, konfirmimi vjen si një masë e drejtësisë dhe çka është më e rëndësishmja, para se të jetë shumë vonë. Ata që kanë qenë në mesmoshë gjatë luftës, tani janë gra dhe burra të moshuar, shumë prej të cilëve janë frikësuar se nuk do të arrinin të shihnin të vërtetën apo drejtësinë gjatë jetës së tyre, ata janë prekur keq prej dhunës së shpalosur nga Karaxhiqi. Shumë të mbijetuar më të moshuar nuk arritën të jetojnë për ta parë këtë moment.
Këtij momenti iu desh një kohë e gjatë të vijë. Në fillim të viteve 2000 nuk ka qenë aspak e sigurtë se do të vinim deri tek kjo pikë. Pas aktakuzës së ngritur kundër tij në vitin 1995, Karaxhiqi i iku drejtësisë shumë mirë, duke u fshehur për trembëdhjetë vjet dhe u kap në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, ku hiqej si shërues alternativ, në kohën kur Serbia përballej me zgjedhjen mes kapjes së të arratisurve që kërkoheshin nga Haga apo ndjekjes së të ardhmes së re të vendit në Bashkimin Evropian.
Sidoqoftë, edhe pse do të ketë njëfarë kënaqësie me drejtësinë e ndarë kur viktimat myslimane dhe kroate të shohin imazhet nga ICTY sot, kjo ndjenjë do të cenohet në ditët në vijim nga politizimi dhe kundërshtimi i pashmangshëm i aktgjykimit.
Çfarë nuk do t ë ndryshojë aktgjykimi?
‘Politika e genocidit të udhëheqjes së serbëve të Bosnjes ka qenë një sukses i padiskutueshëm’, më ka thënë gjatë vizitës time të fundit në Bosnje një i mbijetuar i genocidit të Srebrenicës që ka humbur 17 anëtarë të familjes së vet. Myslimanët e Bosnjes janë spastruar etnikisht nga shtëpitë e tyre. Efekti i dhunës ka qenë ndër breza, më ka shpjeguar ai, duke risjellë emrat e të afërmve të vrarë që nuk do të trashëgohen. Vetëm njëzetë vjet pas luftës, Bosnja mbetet një vend i ndarë në aspektin politik, kulturor dhe gjeografik. Këto ndarje kanë ndikuar në perceptimet e grupeve etnike për drejtësinë dhe sidomos për drejtësinë që vjen nga ICTY.
Pak para shpalljes së aktgjykimit, u shfaqën perspektivat etnike kundërshtuese. Viktimat myslimane dhe kroate që e shinin Karaxhiqin si trurin e luftës, ishin në pritje të aktgjykimit dhe të drejtësisë së pritur prej kohësh. Serbët e vendit, shumë prej të cilëve e konsideronin Karaxhiqin si heroin e tyre kombëtar, e kishin kontestuar paraprakisht aktgjykimin e fajësisë, si dhe legjitimitetin e gjykatës ndërkombëtare, të cilën ata e konsideronin si instrument antiserb. Reagimet e para ndaj aktgjykimit fajësues ndiqnin të njëjtin model.
Në mënyrë paradoksale, ato reagime tërhiqnin vëmendjen edhe tek një tjetër arritje perverse e Karaxhiqit dhe politikave të tij: përkatësisht përpjekjet e tij për ta paraqitur veten si mishërim të kombit dhe për të kolektivizuar fajësinë dhe përgjegjësinë. Nuk u akuzua ai, por populli serb, ka thënë ai në fund të gjykimit. Kjo logjikë kolektive qëndron prapa kontestimit të aktgjykimit ndaj Karaxhiqit dhe ICTY.
Zërat kundërthënës në mesin e serbëve të Bosnjes që dënojnë politikat e kohës së luftës të Karaxhiqit janë dëgjuar fortë dhe qartë. Mirëpo si zëra pakicë, ato konfirmojnë se tribunali do të ketë sukses të limituar në individualizimin e fajësisë penale, që është me rëndësi kyçe që në Bosnje të arrihet rruga drejt pajtimit, si dhe në rajonin e Ballkanit në tërësi.
Në fund, aktgjykimi tregon edhe kufizimin e përdorimit të gjykimeve si instrument për të arritur drejtësinë në situata pas-konfliktit. Aktgjykime si ai që u dha sot janë me rëndësi kyçe për krijimin e hapësirave të reja, sado të kontestuara, për t’u përballur me të kaluarën penale, mirëpo kërkimi për drejtësi duhet të vazhdojë në terren, në shkolla dhe komunitete, që janë të obliguara të trajtojnë çështje të vështira si dhe të riparojnë marrëdhënie të këputura apo të zhdukin ndarjet.
Shënim: Ky artikull paraqet pikëpamjet e autores dhe jo pozicionin e EUROPP – European Politics and Policy, as të London School of Economics. Artikulli është postuar në on EUROPP, 24. March 2016
_________________________________
Rreth autores
Denisa Kostovicova – London School of Economics and Political Science
Denisa Kostovicova është Profesor i Asociuar i Politikave Globale pranë Departamentit të Qeverisë dhe Hulumtuese pranë Njësisë për Shoqëri Civile dhe Siguri Njerëzore në Departamentin e Zhvillimit Ndërkombëtar të London School of Economics and Political Science. Në vitin 2015 ajo fitoi bursën Leverhulme Research Fellowship për të studiuar qasjen rajonale të drejtësisë tranzicionale në Ballkan. Interesat e saj hulumtues përfshijnë nacionalizmin dhe demokratizimin në këtë epokë globale, rindërtimin pas-konfliktit dhe sigurinë, shoqërinë civile dhe sigurinë njerëzore, krimet e luftës dhe drejtësinë tranzicionale si dhe integrimet evropiane të Ballkanit Perëndimor.