Burimi: recom.link
Qendra e Paraburgimit të TNP në Sheveningen, foto nga: TNP
A kanë ndjenjë të fajit kryerësit e genocidit dhe krimeve të luftës? Si e konsiderojnë ata drejtësinë ndërkombëtare? A ua kanë ndryshuar perspektivën gjykimet dhe dënimet e rënda, apo ëndërrojnë për hakmarrje? Deri tani, përgjigjet e këtyre pyetjeve kanë qenë në formë anekdotash. Mirëpo prej katër vitesh (2011-2015), juristi Damien Scalia nga Universiteti Katolik i Leuvenit (Belgjikë) ka punuar për ta mbushur këtë zbrazëti. Puna e tij është financuar nga Swiss National Science Foundation. (Fondacioni Zviceran Kombëtar për Shkencë)
Ai u takua me 55 të akuzuar për krimet më të rënda të mundshme (genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit), prej të cilëve, 9 u liruan nga akuzat. Ai u takua me 37 të akuzuar për genocid nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime për Ruandën (ICTR) dhe 18 të tjerë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime për ish-Jugosllavinë (ICTY). I shoqëruar nga psikologia Mina Rauchenbach dhe kriminologia Marie-Sophie Devresse (që të dyja pjesë e Universitetit Katolik të Leuvenit), Damien Scalia vizitoi të dënuarit për genocidin në Ruanda nëpër burgjet e Malit dhe Beninit, si dhe të liruarit nga akuzat nga ICTR që ende jetojnë në “shtëpinë e sigurtë” në Arusha. Ai shkoi dhe nëpër shumë burgje evropiane për t’u takuar me të dënuarit e ICTY. Ai u bëri atyre pyetje dhe ata i janë përgjigjur me kushtin e anonimitetit. Damien Scalia i hyri një udhëtimi të çuditshëm në botën e këtyre kriminelëve të luftës, ku ndjenjat e fajit zor se ekzistojnë. Për ata që shpresojnë se këta individë kanë ndjerë pendim, apo që të paktën pyetjet për përgjegjësinë e veprimeve të tyre do t’i torturonin, rezultatet e këtij studimi janë një zhgënjim i thellë.
Nga Pierre Hazan, këshilltar redaktues dhe profesor i asociuar në Universitetin e Neuchâtel
JusticeInfo: Çfarë ju bëri t’i hynit këtij hulumtimi?
Damien Scalia: Ka mjaft literaturë rreth pritshmërive që kanë viktimat dhe njerëzit në zonat e konfliktit nga drejtësia ndërkombëtare. Ka edhe disa studime, kryesisht të udhëhequra nga psikologë, se si njerëzit e kapërcejnë kufirin e tyre dhe shndërrohen në kriminelë të luftës. Mirëpo nuk ka patur pothuajse asgjë për perceptimin që kanë kriminelët e luftës për drejtësinë ndërkombëtare. E megjithatë, ata janë një nga akterët kryesorë. Kjo është arsyeja që na bëri të fillojmë të eksplorojmë.
JusticeInfo: A u befasuat?
DS: Po, në disa raste. Në fakt, me përjashtim të të akuzuarve të profilit të lartë si udhëheqësit politikë Milosheviq, Karaxhiq dhe Sheshel, pothuajse të gjithë akuzuarit, apo të paktën ata 55 që kam takuar, e kanë luajtur lojën e drejtësisë ndërkombëtare. Ata nuk janë sjellë si ish-diktatori i Çadit Hisene Habre i cili, gjatë të gjithë gjykimit kundër tij, qëndroi i heshtur dhe me sy të fshehur prapa syzeve të errëta. Ata e organizuan mbrojtjen e tyre aq mirë sa mundën. Në retrospektivë, ata të gjithë thonë – dhe s’mund ta them nëse kanë qenë të sinqertë apo nëse është një gjendje e rikonstruktuar pas ngjarjeve – se kanë pritur drejtësi nga tribunali, por nuk e kanë marrë.
JusticeInfo: A keni takur ndonjë kryerës të genocidit apo krimeve të luftës të mbushur me pendim?
DS: Nga 46 kriminelë të luftës me të cilët bisedova, vetëm dy e pranuan fajin. Njëri është nga Ruanda dhe tjetri është nga ish-Jugosllavia. Nuk e di nëse është rastësi, por që të dy janë akuzuar për përdhunim dhe dhunë seksuale. A mos është kjo më e vështirë për t’u mohuar se bombardimi i civilëve? Ndoshta, por edhe njerëz të tjerë të akuzuar për dhunë seksuale kanë mohuar përgjegjësinë. Pasi e kam thënë këtë, nëse flisni me shumë ish-ministra apo udhëheqës politikë, ata asnjëherë nuk janë përballur me realitetet e luftës. Ndaj, është më e lehtë për ta të mos ndjejnë pendim apo faj.
Ata e shohin veten si “kurban” apo viktima për shembull.
JusticeInfo: Do të thuash se nuk kanë asnjë ndjenjë faji?
DS: Po. Çuditërisht, nuk jam takuar me asnjë të revizionuar. Askush nuk u përpoq të mohojë se ka patur genocid kundër tutsive në Ruanda, apo krime në ish-Jugosllavi. Mirëpo ata thonë se nuk janë ata fajtorët. Ndonjëherë ata nënkuptojnë se është i burgosuri tjetër me ta dhe se ai ka vepruar për të ruajtur pushtetin ose pozitën udhëheqëse nga frika për vete dhe për të shpëtuar lëkurën. Por individualisht ata nuk e pranojnë se janë fajtorë, mirëpo thonë se janë “kurbanë” apo viktima për shembull. Njëri prej tyre më ka thënë, për shembull, se “kur e dëgjova aktakuzën, m’u duk se po flisnin për dikë tjetër”.
JusticeInfo: Pra, ata po i përmbysin rolet e tyre?
DS: Ata e perceptojnë veten si viktimë. Mendoj se kjo ndodh për disa arsye. Së pari, natyra konfrontuese e gjykimeve nënkupton se ata duhet të mbrojnë veten. Së dyti, është simbolikisht e vështirë të etiketohesh si “kryerës i genocidit” apo “kriminel i luftës” dhe kështu zhvillohet një mekanizëm rezistues psikologjik. Sa i përket atyre që kanë pranuar fajësinë para drejtësisë ndërkombëtare, ata thanë se e kanë bërë për arsye taktike në mënyrë që të marrin dënim të zbutur, mirëpo nuk ndjeheshin fajtorë! Së fundmi, të gjithë ata mendojnë se drejtësia ndërkombëtare është e paligjshme, e përbërë nga njerëz që nuk e kuptojnë aspak kulturën e tyre apo realitetet e luftës së tyre. Një ruandas i ka krahasuar gjyqtarët e tij me të verbërit, si të paaftë për të perceptuar “realitetin”. Një ish-udhëheqës ushtarak nga ish-Jugosllavia më tha se përdorimi i koncepteve perëndimore si “përgjegjësia komanduese” ishte diçka absurde në kontekst të luftërave në ish-Jugosllavi. “Unë kisha dhjetëra mijëra burra nën komandën time,” më tha ai. “Padyshim që disa dyzina prej tyre kanë kryer krime. E nga ta dija unë këtë gjë në atë kaos dhe anarki? Ata ishin njerëz të zakonshëm që ngjeshën armët dhe vepruan ashtu si menduan që ishte më e mira. Tribunali imagjinon se çdo ushtri është e disiplinuar dhe i bindet një zinxhiri strikt komandues, ndoshta si disa ushtri në perëndim. Por nuk ka qenë ky realiteti.”
JusticeInfo: A ka ndonjë ndryshim ndërmjet kriminelëve nga Ruanda dhe atyre nga ish-Jugosllavia?
DS: Ndryshimi kryesor rrjedh nga fakti se ICTR ka patur mandat të dënojë të gjitha krimet ndërkombëtare të kryera në Ruandë në vitin 1994, por ka dënuar vetëm ata që kanë kryer genocid kundër tutsive dhe askë nga ana tjetër. Në sytë e kryerësve të genocidit, kjo ka qenë dëshmi se Tribunali ishte i anshëm. Si rezultat i përgjithshëm, ata besojnë dhe kjo vlen edhe për kriminelët e luftës nga ish-Jugosllavia, se drejtësia ndërkombëtare është vijimësi e luftës me mjete gjyqësore. Gjykimi i tyre dhe vitet që kanë kaluar në burg nuk kanë shërbyer për asnjë qëllim edukativ. Disa prej tyre thonë se duan të rikthehen në pushtet. Të gjithë akuzuarit pajtohen se, sipas tyre, drejtësia ndërkombëtare është e politizuar dhe e kontrolluar nga ish-armiqtë e tyre dhe perëndimi.
JusticeInfo: Si kanë reaguar autoritetet gjyqësore ndërkombëtare dhe vendore ndaj studimit tuaj?
DS: Shpresojmë që konkluzionet tona t’ia paraqesim Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Më duhet të them se jemi befasuar nga egërsia e kritikave ndaj studimit tonë. Shumë juristë mendojnë se këta njerëz janë autorë të krimeve aq të tmerrshme saqë opinionet e tyre nuk kanë vlerë. Ndërsa ne mendojmë se është thelbësore të dimë më shumë për reagimet e akterëve kyçë në drejtësinë ndërkombëtare dhe, ju pëlqeu apo jo, të akuzuarit janë akterë kyçë.
JusticeInfo: Për fund, cilat janë konkluzionet tuaja nga ky studim i paprecedentë?
DS: Një nga çështjet që të akuzuarit kanë ngritur vazhdimisht është dëshira e tyre për të bërë dallimin mes “tyre”, gjyqtarëve të huaj, dhe “nesh”, të akuzuarit që ndjehen të privuar nga drejtësia ndërkombëtare. Një gjë që dua të verifikoj është nëse drejtësia vendore dhe Komisionet e të Vërtetës do të pranoheshin më mirë nga të akuzuarit.
Publikuar në Justice.info, 05.05.2016.