I lindur në një familje të varfër me njëmbëdhjetë fëmijë, i regjur me punë të rënda qysh adoleshent nëpër vende të jashtme, Sabriu, tashmë 61-vjeçar, është nga ata më të sprovuarit këso jete.
Sprova të jashtëzakonta jetësore i shtoi atij lufta. Sabriu u përfshi në UÇK; shkëmbeu zjarr me ushtrinë serbe edhe ndërsa po transferonte familjen drejt kufirit në rimorkion e traktorit, pa vajzën t’i vdiste nga plumbi në ballë; nënën, gruan e të tjerë familjarë të plagosur nga minahedhësi i strehoi e u vu në kërkim të ndihmës, por asnjërin nuk e gjeti më kurrë; u kap si rob lufte; u torturua e u mbajt në burg; u kthye për ta gjetë shtëpinë krejt të rrënuar dhe fëmijët e mbijetuar të sëmurë.
Sot, me probleme zemre, përpiqet t’u dalë në krah edhe familjarëve të tre vëllezërve e të djalit të axhës që nuk rrojnë më.
Sabri Kelmendi
Quhem Sabri Kelmendi, i lindun në Lutogllavë me 19 prill 1960. Kom jetu në Lutogllavë afër tridhjetë vjet e mandej kom kalu këtu, në fshatin Zallq, Komuna e Istogut, se e kom ble tokën. E kom ndërtu nji shpi. Jeta ka qenë koxha e vështirë, se tanaherë të dhunuem, kapitalin e dobët. Baba i ka pasë njimbëdhetë fëmijë. Si mjeshtër ka punu me na majtë. Unë 16 vjeç kom dalë n’gyrbet, për me iu bo krah babës. Kom punu do kohë në Mal të Zi, do kohë në Slloveni, nja pesë vjet në Libi, nja tri-katër në Austri, e kështu deri tash së mbrami. Jeta o konë koxha e vështirë për ne.
E kom pasë nanën, shtatë vllazën, tri motra. Tash m’jetojnë katër vllazën, edhe të trija motrat. Dy herë m’u ka bo lazëm m’u martu. Me gru t’parë i kom pasë katër fëmijë, dy vajza e dy djem. Me të dytën i kom dy vajza. Tash jom vetë i teti anëtar në familje, jetoj me dy djem, dy vajza, me renë e djalit.
Tetëvjeçaren e kom krye në shkollën “Rilindja” në Tresenik. Si e kom kry, kom shku për Titograd në Mal të Zi. Kom punu mjeshtër i shpive. E në Libi jom konë rojtar i pacientave. Në Austri prap ndërtimtari. Edhe këtu kom punu ndërtimtari, kom mbaru shpija. Qet profesion ende e kom, por tash jonë bo do vjet, nuk po guxoj fort nalt me hypë. I plagosun jom, besa i smutë pak prej zemre, i nxontë prej ni damari, po duhet me u majtë me ilaçe. Tash gruen e vllaut edhe gruen e djalit të axhës si m’i kqyrë i kom, u ndihmojnë edhe fëmija, iu dalin krah.
Jeta o konë shumë e dobët sa isha fëmijë. Kemi punu çka kemi mujtë me krah, po edhe tokën. Deri u bona me dalë jashtë. E kom marrë vëllaun me veti, e prej aty pak ma mirë, deri në kohën e luftës. Në kohën e luftës i kemi pasë bo do sene t’mira, patëm ble do tokë, nisëm me gjallnu, por prap u rrafshuen krejt. Tash jemi n’kohë t’re, e me t’re ia kemi nisë me bo diçka.
Jom martu 27 vjeçar. Jom pa me gruen, kemi folë, ma kanë dhonë. Jetën e kom pasë të mirë me gruen, edhe punët i kemi bo bashkë. Po, ia shkurtuen jetën, nuk e lanë me jetu.
Lindja e vajzës së parë, Albulenës, o konë gëzimi i parë i joni. Vajzë e bukur edhe e zgjuet o konë. Mandej ka lindë Albana, mandej Egzoni, mandej Vetoni. I kom majtë mirë. Kom punu n’mjeshtri, pata marrë kambë koxha mirë e i majsha si me shkolla, si me veshmbathje, i kanë pasë të gjitha. Nuk kanë hjekë keq si na sa ishim fëmijë, se na ishim shumë, e tokë baba ka pasë pak.
Me vllaun, Bajramin, që dolëm jashtë me punu, i kemi martu krejt vllaznit e motrat. Krejt kapitalin e shpisë e kemi bo na dy, si për vete si për vllazën e për familjen komplet. As tash nuk osht keq. Edhe tash kapak po punojmë e po gjallnojmë, por kur të thyhet zemra, koxha zor osht m’u plotësu.
Këtu para se me krisë lufta në Dukagjin, ka pasë shkëmbim nëpër Drenicë, në stacionet policore kur u sulmojshin. Kemi pasë edhe na tortura këtu, deri ka ardhë komandant Stajković, se në Gurakovc e ka pasë Stacionin e Policisë. Do tortura po, vëllaun e vogël, Bekën, ma kanë keqtrajtu koxha shumë, edhe mu po ashtu. Pa u dhezë lufta në Dugagjin, nja tri-katër herë këtu tortura kemi pasë.
Nisa me çelë ni pus, taman i doli uji, ma kanë ndërpre. “S’bon me punu”! “Qysh more s’bon me punu n’tokë teme”? Më thanë, “Mbylle!” po s’e kom mbyllë. M’kanë mbajtë 24 orë, se unë as me m’vra nuk e mbyllsha, e kisha çelë në tokë teme. Kanë ardhë, ma kanë mbyllë vetë me bager.
Ma vonë krisi lufta në Dukagjin, te Ramushi andej. Unë jom konë i kyçun, po ilegalisht. S’e ka ditë kurrkush. Kom marrë pjesë kah o konë nevoja nëpër Komunë të Istogut, deri n’Gllogjan. Derisa ka krisë lufta te na në Lutogllavë. Iu kemi dalë n’pritë, tanë ditën e gatë kemi bo luftë me ta me 6 maj 1998, prej orës 6 të mëngjesit deri në 5 n’mramje. Deri në 3 ora bile kemi luftu dhom për dhom me ta. Kur e panë që s’munden me na thye, na kanë rrethatu prej Malushganës edhe prej kshtojave t’Deçanit na kanë bombardu. Aty jemi detyru m’i lëshu pikat se s’kemi mujtë m’i majt, se po me na bo rrafsh me tokë e me krejt. Kemi dalë teposhtë. E lshuem Zllaqin, patëm shku në lindje, atje jom kyçë në Brigatën 133 ‘Adrian Krasniqi’.
Kur vi, robët n’shpi. Ka ardhë Stajković-i me nja nizet policë, tha, “Me lëshu Zllaqin se ju jeni terrorista. I keni pesë minuta”. Na detyruen me dalë, kurrgjo mos me marrë hiç. Kemi ngarku traktora edhe jemi tfillue për Staradran. N’traktora na dy vllaznit, unë me Bekën. Beka ka vozitë, unë si n’mbrojtje rrisha. Në traktorin tjetër ka qenë Gania, djali i madh i axhës.
Në traktora e kemi marrë rrugën. Si jemi hi në fshatin Tersenik i kemi ndi revolet. Unë jom konë mbi traktor. Plumat i kisha mbi traktor. Kom kcy prej traktorit, e kom marr peticën teme edhe ia kom kthy. Kur ia kom kthy, jonë palu. Atëherë Beka i ka grahë traktorit, unë përmas në traktor tue gjujtë n’ta, ata tu gjujtë në ne. Po nuk e kishin numrin e plumave me na bo kurrgjo. Ata nuk dojshim me na lonë me kalu, dojshin me na nxonë gjallë. Na jemi mbajtë me armë derisa iu kemi kalu plumave. Kur e kanë pa që nuk po mujnë me na nxonë, atëherë i kanë marrë minahedhësat, që gjujnë deri në ni kilometër e gjysë largësi. Midis rruge në fshatin Tersenik kanë gjujtë në traktor. Qaty m’u kanë vra tanë këta në traktorin e djalit të axhës. E në traktorin tonë, e kom pa veç kur i ka ra traktorit drejt e n’prikolicë. Ka qenë nana, Albulena, grueja jeme Fata, Beka grueja e tij, Bahrija, edhe Bledari. E në traktorin e djalit të axhës ka qenë Gania, Rinori, edhe Qerimi, domethonë mixha.
Mandej kanë nisë bombardimet. Kanë plasë nja 10-15 granata. I kom hekë prej traktorave viktimat, i kom mshefë mas ni plehi. Grueja o konë gjallë, po tepër shumë rondë e plagostë, knej kah barku. E kom shti traktorin n’midis nifar lisi qaty, çka kom mujtë m’i pshtu. I kom lonë mas ni plehi, se knej ishin plumat. Çika o konë e vdekme n’vend. Ma kanë vra me t’parin plum që e kanë shkrepë. Në lule t’ballit e ka kapë. Edhe Bahria o konë gjallë, edhe ajo plagu në bark. Edhe nanën, gjallë e kom qitë në tokë. Ajo kah gjoksi ish plagosë. Unë u pata plagosë n’qafë edhe afër synit.
I thashë nanës, “Po t’marr e po t’shti n’odë”, se ish nifarë shpie afër, pa kallë hala. Tha, “Jo nanës. Mos më prek. M’luen prej vendit, unë vdes”. Qashtu jom shku te Fata, qashtu te Bahria. Beka pak ma i fortë se ato o konë, tha, “Kqyri në mujsha vi vetë. Se me më kapë mu, na vrasin të dyve”.
Nana thojke, “Ama bre bir do ujë, ama do ujë”. Nuk guxojsha m’i dhonë. E disha që vdes dogri, se gjaku lyp ujë kur të derdhet. Lypke ujë edhe Bahria, unë s’i jepsha.
Kom tentu me shku n’Trubohoc, mos p’e gjej naj mjek. Dojsha me i marrë gruen e nonën, po nuk pranojshin, se iu shkojke gjaku. Në orën 11 t’natës jom nisë prej atyhit, s’shihsha as me ecë. Jom dalë me gjetë naj mjek, mos p’e gjej ni mesë ma t’madhe me shku m’i tërhjekë. Kur kom mrri n’Trubohoc kurrkush hiç. Tentova m’u kthy m’i marrë, po nuk kom mujtë m’u avitë. Sërbët i kishin pasë marrë.
Masanej kemi nejtë ni natë n’Staradran. Me 8 maj e kanë formu kolonën, e na kanë shti n’kolonë prej Staradrani në Klinë e për Shqipni me na çu. Kur kemi arritë n’Zllaq, sërbët m’kanë ngjoftë mu, tanë policia. E kisha djalin e vogël Vetonin, n’qafë e majsha edhe u mundojsha me mshefë me kamë të tij varën që e kisha t’madhe, po edhe me majtë, se s’mujke me ecë. Po, si m’kanë pa, thanë, “Zhdryp”! Janë ndalë dy vllaznit edhe Ramadani. Kolona vazhdoi, ne na nalën n’Zllaq, e na çuen n’burg.
Tortura t’mëdhaja n’burg, rrahje, maltretime. Bile mu kenë tuj m’mytë krejt, se m’njoftën. S’e kom çu mirë me ta as para lufte hiç. Na çuen n’Gllogovc e n’Pejë e nja nji muj na majtën n’Pejë. Kur më rrehshin, për dy minuta, ujë qitsha prej nxehtësie. E qitsha peshkirin e lagët në trup, për dy minuta arrë u bojke.
Qatë ditë që u nënshkru marrëveshja, na kanë qitë jashtë e na kanë çu për Leskovc, dy muej na kanë majtë. Mu, vllaznit e mi, Ramadanin, kanë qenë edhe dy-tre t’fshatit. Shumë veta kemi qenë. Nja 150 jonë konë dalë atë ditë. Edhe gjatë rrugës kanë bo çmos. Ramadanin, ai n’autobus tjetër, e kanë shti me hangër sapun. Kur e kaluem kufinin, i nalshin autobusat e i shtishin fëminë, “Hajde hini e rrehini”! Na sjellshin fëmija.
Kemi pasë tortura t’mëdhaja. Prej burgut kur pata dalë, jom konë dikun 42 killa krejt. Kur erdha në shpi, baba folke me mu e më veti, “Ku o Sabriu?”. I thashë, “Unë jom babë”. Qaq kisha ra, se bukë veç sa me majtë shpirtin, sa mos me vdekë, na jepshin n’burg. Kur erdh dita me na lëshu, na prunë gjysë kille bukë. Thanë, “Hajeni qita bukë se dojmë me jau ndërru vendin e burgut”, tu mos na kallxu hiç që po na lëshojnë. Masanej na ra n’mend që na e kanë dhanë se kur të dalim prej qelive mos m’u rrxu për tokë, mos ma na pa keq Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.
Kur dolëm, masi hina në autobus, ni përkthyes i Shqipnisë më tha, “Jonë tu ju çu dikah larg”. Bona pak hajgare, “N’burg shumë ma t’keq”. Tha, “Kush e dhez duhanin këtu prej juve?”. Asnjoni s’guxojke me folë. Po, qysh m’u kishin terë sytë, i thom, “Unë du me dhezë”. Ma qiti cigaren, tha, “Dheze në autobus edhe mos ta nin leshi hiç”. Po ma bon, “A din ku je tu shku? A din që jeni liru?”. Thashë, “S’osht e vërtetë”. “E di unë”, tha, “jemi tu ecë për Kosovë”.
Atërehë u çu, i ka vetë edhe ni herë, “Kush don me dhezë duhan?” Kurrkush hiç! Tha, “Çou kallxoju”! Thashë, “Kallxoju ti, se s’po muj m’iu kallxu unë”. Iu tha, “Jeni tu shku për Kosovë. Burgu juj u kry, u çliru Kosova”.
U çu, tanëve jau shkepi ka nji paketë cigare. “Dhezeni tash, mos e nalni deri n’Kosovë”. Qaty e morëm vesh që jemi liru. Qatë ditë, kur jom ardhë prej burgut, m’i kanë kthy familjen prej Shqipnie ku i kom pasë. Përmeniherë kemi mrri bashkë qatë ditë.
Kur vijmë, shpiat e kallta, s’po kanë fëmija as kah me hi. Ni syngjer ma dhanë Kryqi i Kuq. Qaty flejtën fëmija, e vetë tanë natën nejta çuet. Dikush e boni ni shator, naj diçka, derisa filluem ni dhomë me ndreqë, se u patën shkrumbu krejt. Bile, hala jemi në ndërtim e sipër, nuk e kemi kry krejt, veç nuk osht keq.
E ata familjarë që i lamë atë natë të plagostë, hiç nuk di çka kanë bo mo me ta. Beka m’ka metë i plagosun aty, o ardhë ushtria e rregullt, kanë dashtë niherë m’i hjekë, krejt m’i vra. E ka pasë edhe çikën e plagosne Beka, e o konë edhe vjehrra jeme aty, se ajo s’mujke me ecë natën. E ka marrë ushtria Bekën, e kanë çu me gjithë çikë e me vjehrrën n’spital n’Pejë. Ni herë kishin pasë dashtë me i vra, po s’i kish pasë lonë komandanti. Prej aty e kanë marrë, e kanë çu për Rozhajë Bekën, se ka lypë me dalë. Më ka kallxu, “Ma qitshin thikën n’qafë, e lypa ja me m’vra, ja m’hiqni prej aty, se dojshin me m’pre”. Atëherë tha, “M’kanë çu për Rozhajë”. Pak u shëru n’Rozhajë, mandej o kthy këtu, po o konë i plagosun rondë n’komë. Me shtagë çka mujke pak me ecë.
Masi dolëm prej burgut, nisa m’i kërku, ku po muj me iu ra n’gjurmë. Shkova deri n’Pejë n’komunë te kryetari. Agim Çeku o konë. Thashë, “A mundesh me ditë a ka najfarë vorri t’familjes teme”. Tha, “Kelmendtë jonë në Pejë te vorret e reja”. Shkova, p’i gjej qashtu qysh na kanë hupë, krejt vorret, shkrujke “Lutogllavë, Lutogllavë, Lutogllavë, Lutogllavë”.
Tahir Dema o konë për mbrojtjen e t’drejtave dhe t’lirive t’njeriut atëherë. E ka marrë ni ekip mjekësh edhe jemi shku i kemi zhvarrosë, n’bazë të fotografive qysh kemi mujtë me i njoftë se për dy muj n’dhé po ndyshojshin shumë xhenazet. I kemi marrë, i kemi varrosë për tanët në Lutogllavë. Jau ngritëm ni lapidar, kur mas dy vjetëve UNMIK-u tha, “Duhet m’i zhvarrosë, se jonë marrë gabimisht”. Çka me bo? Me pranu a mos me pranu? Na e morën për analiza gjakun. “Çka janë t’juve, kthehen, çka s’janë, nuk kthehen”. Po, nuk dulën tonët.
Masanej e kanë pru mixhën, Ganinë, ni mixhë tjetër Nicani, e kanë pru prej Batajnice. Këta tjerët jo, këta janë t’pagjetun hala.
Jom konë niherë n’Prishtinë n’morg me kqyrë për tesha t’çikës e t’grusë. Po s’mujsha me ditë, s’mujsha m’ia qëllu. M’u dokshin do tesha si t’çikës, thashë, “Qeto po m’përngjajnë, por muj edhe me konë gabim, se e kom pasë fëminë n’gjak”. Na kanë vizitu, kanë marrë informata kishe për m’i lypë e m’i gjetë, po s’ka shansë.
Kurrkush që jonë konë, as Albulena, as nana, as gruja, as Bahria, as Bledari, as Rinori nuk jonë gjetë.
Shpesh mendoj, sa ndryshe ish konë jeta t’ishin konë gjallë këta. Për herë t’fundit, më pat kallxu gruja, se çikës ia kish ndi zemra zaherë, kish thonë, “Po tutna. Kanë me na masakru”. Kjo dy ditë para se me krisë lufta. O konë veç njimbëdhjetë vjeçe, po e zgjuet shumë. E imagjinoj që tash Albulena ish konë najfarë deputete, a ministreshe. S’ka pasë nxanës ma t’mirë.
Niherë m’kujtohet ishim unë tu punu me gruen. Albulena kish fjetë e i kishin shku dy orë të mësimit në gjumë. Kur u çue, i thashë, “Babës, mos shko hiç sot në shkollë. Dy orë të kanë shku”. Kur dola jashtë, gruja më tha, “More u mbyt tu kajtë çika. Pse i the mos shko?”. “Po ajo edhe dy orë lshohet”, i thashë. “Për mu le t’shkon”. Shkoi. Fort e dojke shkollën.
E, Fata më kujtohet, ma pati përmendë që s’ka me pasë jetë. Ma t’parën shpi kanë ra n’tonën në krejt fshatin. Grues iu kputën kamët, tha, “Kurrë s’ke me mujtë me maru shpinë prap”. Thashë, “Veç ta fitojmë lirinë se me emër t’Zotit, me shpi e me krejt kemi me i bo”. Tha, ”Le luftën, mos shko n’luftë mo, se shpia na u ka kallë. Edhe ti mu vra, kush me u interesu për fëmijë masanej?”. Thashë, “Hiç gajle mos ki, edhe n’u vrafsha unë, shpija ka me t’u maru, veç luftën nuk e ndërprej”. Qe ma së mrami, çka kom kalu e kesh tu e hangër në kolonë, si shoqja jem e me familje komplet gati. Po, ndryshe s’ish ardhë liria. Pa u derdhë gjaku e pa t’u shkrumu zemra mirë, liria nuk po vika.
E nana… Nanë ma s’të bohet kurrkush, nana osht shtylla e jetës. M’kujtohet, na thojke, “Mos dilni n’luftë”, se na tanë vllaznit patëm dalë n’luftë, veç Isën, vllaun e madh, e patëm lonë. I thamë, “Ti rri edhe sa t’mundesh provo m’i trasferu”. Nana thojke, “Boll osht me shku dy veta n’luftë, jo te tonë”, por babën e kemi pasë shumë t’fortë. Ai thojke, “Tonë shkoni, krejtve le t’ju vrasin, nashtë, duhet me i dalë armikut përballë”.
M’kallxojnë për n’Shqipni, sa jom konë n’burg, djemtë e mixhës thojshin, “N’Shqipni baba juj i harroj këta t’deknit, kasaveti juj”. E kur dola prej burgut unë, m’veti për Isën e për Bajramin. Tha, “Ata a jonë gjallë?” Thashë, “Po, babë, gjallë jonë, po n’burg jonë”. Thojke, “Le t’i majnë edhe dhjetë vjet, veç le të jenë gjallë”. Ka pasë mërzia t’mëdhaja ai. M’i shku n’vorr përmenihere krejt familja e vet.
Kur dola prej burgut i jepsha pak gajret se plak, thojsha, “Babë, veç ti me pasë pshtu, masi erdh liria, nashtë”. “Po babë po, veç shpellë e madhe babë”. E disha edhe vetë, po u mundojsha me i dhanë gajret.
Zahmet t’madh kemi hekë na. Luftë e mrapshtë o konë për krejt Kosovën, po dikush ka hangër shumë, e dikush hiç. Me t’shku njimbëdhetë anëtarë t’familjes jonë shumë, krejt lufta që i ka hangër.
Këta tre vllazën që s’jonë mo gjallë, jonë konë arsimtarë, kanë dhonë mësim. Bajrami, vllau i dytë, edhe ai kapak me ndërtim t’shpijave bashkë me mu ka punu. Beka o konë nifarë tregtari, u merrke kapak me shitblerje. Mirë i kemi pasë punët, shumë mirë i patëm bo senet e tonë vllazënve, me shpi e me krejt, por na i kallën, na shkrumun n’luftë.
Bajrami o konë i plagosun, i ka pasë dy pluma n’kamë, njonin ia kanë hjekë, njonin s’kanë guxu, e prej qaty e ka marrë kancerin e ka vdekë. Isa prej torturave t’burgut e prej kancerit vdiq. Bekën prej torturave t’kamës e lshoi zemra. Të tretë prej torturave t’luftës jonë shku. Të tretë kanë lonë familje mrapa. E, pasha Zotin, po duhet m’u kujdesë për këta të Bekës, se edhe kur o konë gjallë mezi ecke n’shtaga. Invalid e kom pasë martu. Gjithë u duhke m’i dhonë pare. Ka lonë nji djalë e nji çikë, se osht martu t’dytën herë, e po duhet m’u kujdesë unë derisa t’i rritet qai djalë. Tash djali i ka 15 vjet edhe nja dy a tre deri sa t’bohet për punë qysh duhet. Edhe Ramadani, djali i axhës, e ka djalin të vogël, 16 vjeç tash, e n’mujshim me ia gjetë naj punë t’lehtë, se i ri. Çikat i ka pasë ma t’mëdhaja, dy i ka t’martume.
Prej atyne që i kemi pasë në traktora, Albulena, Bledari edhe Rinori jonë konë t’vdekun kur i kena zhdrypë. Po, se i gjojnë, hiç s’kom shpresa. Kurse, për nanën e për gruen mendoj mos po dalin dikun eshnat, se si njerëz pak ma t’moshuem. Nana, gruja e Bahrija nuk besoj që gjenden gjallë, masi jonë gjetë mixha, nji djalë i mixhës edhe nji mixhë tjetër n’Batajnicë të Sërbisë në vorreza. Edhe ato dikun n’Sërbi duhen m’u konë. E, fëminë kom ndi që i kanë djegë nëpër furrnaja që m’i hupë gjurmët e krimeve të luftës. Se, fëmija osht fëmi, s’ka ligj për me vra, as s’ka ligj me vra civilin, por lufta nuk i pyt këto.
Sot, në këtë kohë, kisha pasë qef çikën me pasë najfarë deputete ma së paku. Nonës i kisha thonë, “Nonë kqyr çka na bonën shkijet, por po e gjojmë rrugën ma mirë”. Grues i kisha thonë, “Qe shpija, se ma vajtojshe shpinë”. Qito porosi ia kisha dhonë, e iu kisha thonë, “Rujini fëminë e rritini tash n’liri”, si grues teme, si Bahrisë.
Albulena m’kujtohet n’andërr. E kena pasë shitorën afër. Më thojke, “Babë t’i bleva, se e pashë që t’paska vyjtë cigarja”. M’shkojke sikur flutura, s’e disha qysh m’vike, se shpejt u kthejke, shkojke, vike. Pa e dhezë, pa i ardhë fundi cigares, m’vike. “Me çka shkove o babë?”, “N’kamë babë”. “Kaq shpejt u ktheve a”? “Po”. Nji herë m’u ka diftu qikjo n’andërr. E, në shkollë m’u diftojke shpesh, shpesh.
Sot, kur i shoh shoqet e Albulenës, do jonë bo koxha të gjata, nja dy prej tyne në komunë janë tu punu. Ma përmenin ato shpesh. “T’ish Albulena, ish konë me ne, ajo ma e zgjuet se na o konë”, më thojnë.
Kur u pata kthy prej burgut, erdhën edhe tanët prej Shqipnie përniherë. Kur i pashë fëminë, Albanën, Egzonin edhe Vetonin krejt puçrra, se kishin hekë keq, tue flejtë n’rrugë ose n’shatora. O konë nifarë zhuge a s’di çka. M’u ka dashtë me i çu te mjeku n’Pejë, nejse n’KFOR te italianët ma shumë kom intervenu, i kom shëru.
M’u sëmu djali Egzoni prej mushnive, se ish konë keq edhe ai, krejt prej mundimeve. Edhe ai o konë n’traktor. I vogël, po e ka majtë n’mend, e ka pa që nonën s’e ka, motrën s’e ka, ka ditë boll. I nejta gati, sot osht mirë, shnosh.
M’kujtohet, menxi ecsha prej torturave t’shkijeve kur pata dalë. S’kom pasë pushim hiç. Mule me i shëru fëminë, me i lypë të pagjetunit kah jonë kah s’jonë, m’i varrosë e m’i zhvarrosë, m’iu ngritë lapidarë, knej shpijat e djegme, me punu n’to. Pra, mundime plot.
Kur erdhëm knej, fëmija t’vocërr, bukë u duhke me iu bo dikush, m’i pastru dikush, vetë s’mujsha, se u duhke me ndërtu, me punu, me pasë ku m’i strehu, m’i shti me flejtë dikun. Vendosa m’u martu. Baba tha, “O martohu, o dilëm prej shpije. Kush po don me ta rritë fëminë? A po don me t’i rritë unë a?”. E vendosa m’u martu.
Me nji mik jom shku te familja e Xhemiles, e kom lypë dorën, i kom kallxu shqip trup nër sy t’familjes, “Kurrë për jetë s’boj gru mos t’i kisha tre fëmijë, m’i marrë me m’i kqyrë si fëminë e tu po t’marr, po martohemi, p’e çojmë nji jetë t’lumtun, përndryshe mos hajde të unë”. Se mos t’i kisha pasë qita fëmijë, në jetë s’isha martu. Atëherë m’ka folë nana e saj, “T’i pastë Zoti n’Xhenet ishalla. E në mos t’i kqyrtë fëmijët, asni minut mos ma maj çikën. Se paske nevojë m’u martu, je i ri besa”. Shoq me gruen isha 39 vjeçar. U martova mirë, në vitin 2003, ka dashtë Zoti, m’i ka rritë këta fëmijë si t’vetët me i pasë. Aferim i ka. N’shkollë jonë shku t’pastër, jonë kthy t’pastër, gjithë tu i ndihmu n’mësime e n’krejt. I ka mbajtë mirë fort.
Mas nji viti e dy-tre mujsh martesë na lindi edhe çika e parë me gruen e dytë. Tash i kemi dy çika. Çika e parë quhet Albulenë. Ia kom lanë emnin e të parës. Vetë gruja ka dashtë me ia përtri. E kësaj t’dytës ja kom ngjitë unë Arjetë.
Kjo Albulena tash, njejtë, shumë mëson. E kom në fakultet në Prishtinë për shkenca sociale, krejt me dhetëshe osht. Ma çon mallin e asaj tjetrës. Edhe kjo osht fort e zgjut, mas shkolle osht shumë e dhonme.
Sot për sot nuk muj m’u anku. Me punu po punoj, djali po punon, ka pak po m’ndihmojnë çikat. Nuk o keq, po m’ndihmojnë djemtë ka pak. Po jetojmë qysh po mujmë. Gjenerata e re s’po ka as punësim t’hajrit qysh duhet n’Kosovë, rrogat jonë t’vogla, por osht edhe toka, e me bujqësi po ia dalim diqysh.
Këtu në luftë atëherë ka pasë edhe ushtri edhe paramilitarë. Kur kanë gjujtë, i kom pa, jonë konë ushtria të pozicionum, tu i pritë kolonat. Kanë tentu me pluma m’i likvidu krejt, por kur jau kom kthy unë armën, jonë shku tu u rrallu, se sa mujsha gjujsha n’ta. Ma mirë me m’kapë mu, se m’i kapë ata n’traktor. Nuk guxojshin me na gjujtë derisa jem dalë edhe nji kilometër n’lendinë. Atëherë na kanë gjujtë me granata se e panë që nuk po mujnë me na ndalë.
Me emna nuk dihen kush janë ata. E di se qeky Sejković-i, koloneli i policisë, o angazhu shumë për me i ra Lutogllavës, se e ka ditë që jemi tu u ba gati me iu kundërvu. Atëherë e ka marrë iniciativën. Ka shku nji muej tu bo plane me na rrethu. Na ruejshim përgjithnatë roje aty, deri me 6 maj, kur s’kish mo tjetër, e dolëm tanë.
Kemi kërku drejtësi në EULEX boll. I kemi dhonë me emna, me krejt, por na thojshin veç, “Jemi tu kqyrë, jo e bojmë, jo s’e bojmë”. Kurrgjo konkrete. E kemi provu edhe me KFOR-in.
Manej, i prunën shkijet këtu, i kthyen mas lufte, para nja shtatë-tetë vjetve. Jau bonë shatorat njiherë. U çuem në protesta, për nji muej tri protesta i majtëm. Erdh te unë Delli, ambasadori amerikan, edhe kryetari i Komunës, Hajredin Kuqi, e Beqir Shala. Iu thashë, “S’keni nevojë me i maru shpijat. Qe ku i kanë shpijat e gatshme. Na i lshojmë tonat e le t’hijnë këta, se na po dalim prej ktuhit krejt”. Tha Delli, “Edhe na kemi luftu, por u dasht m’u pajtu”. Thashë, “Qeta m’i kanë vra familjen, kanë gjujtë në ‘99-tën në Zllaq. E me ta vra unë ty familjen, a më m’pranon ti mu kojshi me ty?”. Tha, “S’ka kurrfarë rrugëdalje hiç a?” Thashë, “Rrugëdalja e vetme osht me hjekë dorë familjarisht krejt na, e le t’hijnë n’shpijat tona”. Ia ka bo komandantit t’KFOR-it, “Çu”. Mu më tha, “Me na falë”! Thashë, “Ju t’mirëseardhun jeni tanaherë, po me qet kusht, ndryshe jo”. Kur t’nesërmen i kishin hekë shatorat, se s’i kom lonë rahat, çdo natë i kom gjujtë. Ku kisha mujtë me jetu unë me ta ktu? Kur ka dhjetë-njimëdhetë mijë t’vramë, e familje me pesë a gjashtë t’pagjetun, me na i pru n’derë aty a? Zotni Delli i heki prej ktu, se sa për Hashim Thaçin kurrë s’ishin hekë.
Derisa t’gjinden këta tanët, drejtësi kemi me lypë, se kurrë nuk hek njeri dorë. Edhe në mos u gjetshin, kurrë dorë prej tyne nuk mundet me hekë kush. Bile me ditë a jonë a s’jonë. A jonë djegë, a najfarë lajmi me marrë.
Këtu duhet me pasë drejtësi, po ku me gjetë atë drejtësi? Masi shteti i ka punët n’dorë, pse po don dialog? Çka po i vyn dialogu me ta? Hiç bre, le dialogun! Me luftë e kemi fitu, kthemi familjarët, e të vi n’dialog, ti n’punën tonde, na n’tonën. Po, duhet m’u përgjegjë për qeto viktima e dame çka i ka bo. Ai na ka sulmu n’tokë tonën, s’kena shku na me sulmu n’Serbi. Kjo tokë shqiptare osht, na e kanë zaptu me zor. Kanë bo koloni prej Kroacie, prej Bosne, prej tona anëve knej. Kosova o konë e kolonizume. Na e kemi fitu me gjak e plus tash me shku me hi n’dialog? Tonë këta t’pagjetun, edhe 1620 a 1630 hala. Sa torturat jonë bo, sa djegiet, sa vrasjet.
Ishalla bohemi shtet qysh duhet. T’pagjetunit kollaj osht: si Presidenti, si Kryeministri, veç e qesin dorën n’zemër. Po asniherë nuk trokiti dikush i shtetit te dera me më thonë, ”A ki naj djalë t’papunsuem? Po ta punësoj dikun”. Kurrkush prej shtetit hiç. Shyqyr bile qet liri që e kem, s’kemi të huj me na cokatë mbi kry. Po, me shtet s’jemi hiç t’knaqun burrë. Ma së pari Kryeministri o dashtë me i marr n’konsideratë dëshmorët e luftës. Bile me pasë ka nja n’shtet t’punësuem. Por hiç bre edhe mos të pastë shkollë, a mundet m’u konë edhe rojtar? Me gjetë nji vend pune dikund. Me intervenime t’mia duhet me shti djalin n’punë, edhe atá privat.
Derisa nuk vjen shteti m’i qitë këto sende n’vijë, s’ka kurrgjo. Po ndrrohen sikur qenët, po rrijnë ka nji vjet, dy, po hin njoni, po hin tjetri, po merr secili për veti. Për qata po shkon qeshtu puna. Duhet m’i pasë pak prioritet shteti këto sende. Mos me konë qiky gjak m’u derdhë, kurrë çliru s’ishim. Kurrë. Falë edhe Amerikës se s’e ki pasë as armatimin m’i dalë përballë qysh duhet. Edhe Shqipnia me pasë hi n’luftë, ish shku sikur n’Palestinë qashtu gatë. Amerika na ka pshtu, por me këta tonët, s’jom i knaqun valla.
Për fund vetëm juve si organizatë ju falënderoj se p’e boni nifarë pune koxha t’mirë për mendimin tem. Bile le ta din nji publik ma i gjonë se Kosova. Kosova e din, por le te dinë edhe të jashtmit çka ka ndodhë. Osht punë e qëllume kjo, se jet si histori, nji shkrim dikun jet.
Sa për shtet niherë kurrgjo. Jau kom maru lapidarian, krejt me pare t’mia. Pak na kanë ndihmu konë e kemi pasë jashtë prej tonëve. E kena maru në Lutogllavë. Hajt e kemi maru na, por po duhet me rujtë se po prishet mos m’i nejtë gati. E bojnë naj lapidar se kanë pasë luftëtarë për veti, se kanë pasë t’afërm, shokë, se për n’përgjithësi kështu jo. S’e kanë interesin.
Duhet dikush m’e kqyrë popullatën qysh po jeton, se shteti si shtet po ec, po po ndërtohet për nji natë, e ti duhet me pasë pare t’gatshme për me ndërtu. Po ndërtohen senet shumë shpejt. Dikush u bo pasanik i madh, po nashtë.
Me t’nime e kom, i ka thonë Clinton-i Rugovës, “A mund e man nji javë luftën a jo? Mos e përmend Amerikën për m’u çlirue, se për me hi me intervenu, duhet m’u derdhë do gjak. Unë s’muj me hi pa u derdhë gjaku”. Këtu u derdh gjaku veç për qet tokë. Ishalla e gëzojmë brez mas brezi tjerët n’liri.
Ky rrëfim është nxjerrë nga libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera: rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë’ dhe publikohet si seri dhe si pjesë të kornizës së aksioneve të koordinuara të shoqërisë civile në Kosovë, të organizuara për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme – 30 gusht 2023. Libri është botuar në bashkëpunim ndërmjet forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. Prishtinë, 2022