Dita Ndërkombëtare e Gruas në tri dekada

Më 8 mars 1990, disa qindra gra, përfshirë këtu anëtare të Shoqatës së Grave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partia politike që drejtoi rezistencën paqësore ndaj shtypjes serbe gjatë viteve ‘90, u mblodhën në Qendrën Rinore “Boro e Ramizi” në Prishtinë (sot, Pallati i Rinisë). Shoqata e Grave të LDK-së lajmëroi publikisht shkëputjen e saj nga Lidhja e Grave Socialiste Jugosllave, në një kohë që shënonte fillimin e dekadës së shtypjes dhe aparteidit nën regjimin e Millosheviqit.

Ishin vrasjet e të rinjve në protestat e studentëve përgjatë viteve ‘80, si dhe dhuna sistematike policore që nxiti bojkotimin e të gjitha festimeve të organizuara për 8 Mars, ashtu si ndodhte në vitet paraprake.

Gjithashtu po zinte fill një përpjeke që mbështeste nocionin e krijimit të një shoqate të pavarur të grave, të shkëputur prej partive politike, që do t’i vinte gratë në qendër të lëvizjes komëbtare. Por disa protestuese të atij 8 Marsi u zhgënjyen shpejt. Siç kujtohet nëpër intervista teksa flitet për ngjarjet e asaj kohe, shumica e grave aktiviste iu bashkuan LDK-së. Ndërsa emrat e mbetur jashtë dyerve të partisë, bashkë me aktiviste të tjera që u bashkuan rrugës, themeluan shoqata dhe organizata që për herë të parë, punën e tyre ia kushtonin të drejtave të grave.

Për shembull “Motrat Qiriazi” e udhëhequr nga Igo dhe Safete Rogova u angazhua për eliminimin e analfabetizmit në zonat e thella rurale të Kosovës, ndërsa “Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve” e drejtuar nga Sevdije Ahmeti dhe Vjosa Dobruna dokumentonte format e ndryshme të dhunës ndaj grave.

Madje pikërisht këta emra patën disa nga rolet kryesore në organizimin e disa prej protestave ikonike që thyen rezistencën paqësore në pjesën e dytë të viteve ‘90. Më 8 mars 1998, BBC-ja raportoi: “Demonstrata më e madhe (në Ditën Ndërkombëtare të Gruas) u mbajt në qytetin e Prishtinës, kryeqytetin e krahinës serbe të Kosovës, në të cilin kemi parë shumë dhunë së fundmi”.

Mijëra gra me fleta të bardha në duar marshuan atë ditë rrugëve të Prishtinës kundër dhunës së forcave serbe. Fillimi i vitit 1998 u bë dëshmitar i masakrave të para të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë të Kosovës në fshatrat e Drenicës. Konteksti kohor i represionit dhe pastaj luftës e bëri të pashmangshme që lëvizja e grave në vitet ‘90 të lidhej më shumë me lirinë dhe kombin, por njëkohësisht u bë rrugë dhe frymëzim për mobilizim për shumë aktiviste të reja në periudhën e pasluftës.

Pas ‘99-ës, ashtu si ndodh me shumë lëvizje të grave globalisht, edhe në Kosovë është saktësisht natyra e aksioneve dhe e protestave në secilën Ditë Ndërkombëtare të Gruas, që japin edhe një portret mbi çështjet politike e shoqërore në zhvillim të asaj periudhe të caktuar. Prej kësaj perspektive, 8 Marsi 2006 flet qartë për nevojën për adresim emergjent të përjashtimit tërësisht të nevojave të grave nga negociatat në lidhje me statusin final të Kosovës. Kjo bëri që në Ditën Ndërkombëtarë të Gruas të vitit 2006, Rrjeti i Grave të Kosovës të protestonte kundër mospërfshirjes së grave gjatë bisedimeve të mbështetura nga OKB-ja, që çuan deri tek pavarësia e Kosovës në vitin 2008.

“Ne nuk duam lule, ne duam pushtet”, thirrën aktivistët në protestë.  Ajo ishte protesta e parë ku u përdor motoja simbolike “Ne nuk duam lule”, që u bë për shumë vite kryefjala e protestave së ardhshme.

“Ne nuk duam lule, ne duam drejtësi për gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë luftës”, ishte kërkesa e protestës në vitin 2012, ku u protestua për drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale, të cilët fituan njohjen ligjore vetëm në vitin 2014.

Por ishte 8 Marsi 2016 që bëri kthesën e madhe në lëvizjen feministe në Kosovë. Për herë të parë, protesta u drejtua nga Kolektivi MARS’hojmë S’festojmë, i përbërë nga gra dhe burra të rinj, duke e përhapur aktivizmin jashtë mureve të organizatave joqeveritare drejt një mobilizimi më organik dhe të larmishëm, ashtu siç e shohim sot.

Ky kolektiv vazhdimisht bën thirrje për punësim pa shfrytëzim, për sigurim shëndetësor, për punë pa diskriminim për të gjithë dhe kundërshton haptazi seksizmin, homofobinë, transfobinë dhe racizmin. Ndërsa diskursi i lëvizjes së grave pas vitit 1999 kryesisht lidhej me drejtësinë politike dhe me përfaqësimin e barabartë të grave në institucione, ku gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara, lufta për barazi gjinore, veçanërisht viteve të fundit, u zhvendos më majtas duke këmbëngulur në drejtësi ekonomike dhe sociale.

Më 8 mars të vitit të kaluar për herë të parë u kërkua në Kosovë pagë për punë të papaguar, duke e kategorizuar si punë çfarëdo përkujdesjen, përgatitjen e pastrimin brenda shtëpisë, e jo si punë të zakonshme dhe të natyrshme brenda rolit të gruas si amvise dhe nënë. Paradoksalisht, tema e protestës së vitit të kaluar i parapriu realitetit të shpërfaqur edhe më shumë gjatë pandemisë, ku barra e punës së papaguar u shtua shumëfish në kurriz të grave. Kështu, shënimi i 8 Marsit 2021, filloi me thyerjen simbolike të pjatave dhe enëve të shtëpisë, nga një organizatë e re feministe “QIKA”, si protestë për të ndërhyrë në kushtet e shtëpisë dhe për të përmbysur rolet gjinore, ashtu si bënë ato atë ditë me tryezën.

Ndërkaq, shënimi i kësaj dite u përmbyll me marshin, tashmë tradicional, të organizuar nga Kolektivi MARS’hojmë S’festojmë, nën sloganet “Kundër patriarkatit që vret”, “Poshtë patriarkati kapitalist”, “Secila grua është grua punëtore”, “Vrasja e grave është politike”. Pankartat e mëdha që dënojnë femicidin u valëviten nga ballkonet e shumta anembanë Kosovës, duke e bartur dhunën në baza gjinore nga sfera private në atë publike, për të theksuar zëshëm se është sistemi patriarkal ai që mundëson vrasjen e grave, e kjo duhet urgjentisht të luftohet.


Dafina Halili është gazetare e Kosovo 2.0, ku mbulon kryesisht tema që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale. Dafina ka master në fushën e diversitetit dhe medias nga Universiteti i Uestminsterit në Londër, MB.