Pavarësisht se si zgjidhen konfliktet, njerëzit në këto anë do të vazhdojnë të jetojnë bashkë. Të gjithë kemi nevojë për paqe, prandaj duhet të punojmë për ta zhvilluar demokracinë dhe për të arritur mirëqenie ekonomike, shoqërore dhe ekologjike. Interesat tona janë të njëjta; lufta dhe dhuna i dëmtojnë të gjithë.
Nga Statuti i Fushatës Antiluftë
Ky vit shenjon përvjetorin e tridhjetë që kur nisi Fushata Antiluftë në Kroaci, një rrjet i organizatave dhe nismave paqësore për të drejtat e njeriut që ka ndikuar shumë mbi zhvillimin e shoqërisë civile aktuale në Kroaci. Ky vit shenjon edhe përvjetorin e dhjetë të botimit të monografisë së parë për Fushatën Antiluftë (FA), që ka bërë bashkë shumë organizata nga FA në përpjekje për të dokumentuar në mënyrë sistematike punën e saj dhe për të reflektuar mbi rëndësinë e saj nga distanca, gjë që e ka mundësuar fillimi i viteve 2010-të.[1]
Dekada paraprake u shenjua nga përdorimi i përhapur i termit ‘kujtesa institucionale’, që shpërfaq jo vetëm nevojën për të rikonstruktuar dhe rimenduar mënyrën specifike si veprojnë organizatat, por edhe pozicionin dhe misionin e secilës organizatë në një kontekst më të gjerë shoqëror. Sot, gjendja në jetën e organizatave të shoqërisë civile kryesisht karakterizohet nga burokracia, presioni i lodhshëm administrativ nga donatorë të ndryshëm dhe nga legjislacioni vendor, kushte të pasigurta pune, mbingarkesë me detyra dhe mungesë e burimeve të nevojshme për t’i kryer ato, tendenca drejt profesionalizimit kundrejt aktivizmit, orientimi i qartë tematik i këtyre organizatave dhe statusi jo i popullarizuar në shoqëri. Ia vlen të vërehet se ky kombinim i mungesës dhe disiplinës nuk i kontribuon zhvillimit të kujtesës institucionale. Mbijetesa shkon kundër zhvillimit të organizatave si institucione alternative.
Disa nga këto karakteristika kanë qenë të pranishme tek organizatat e shoqërisë civile – më të njohura me termin më të zakonshëm OJQ – edhe dhjetë vjet më parë. Mirëpo, mund të argumentohet se në atë kohë, gjendja ishte shumë më kaotike dhe e qartë në shumë mënyra. Një vend po shpërbëhej dhe një i ri po krijohej; vlerat mbizotëruese shoqërore po kalonin nëpër procesin e thelluar të rivlerësimit; vendi po përballej me luftën dhe militarizimin total të shoqërisë. Në atë drejtim, roli i FA-së ishte i dyfishtë: jo vetëm siguronte një kornizë për t’i bërë bashkë individët dhe nismat rreth problemeve specifike shoqërore, duke ndërtuar kështu potencialin për asociim qytetar autonom, por në një kuptim më të gjerë, përfaqësonte edhe fuqizimin e shoqërisë kundrejt shtetit, apo më mirë, zvogëlimin e ndërhyrjes së shtetit në shoqëri, ajo që tani e kuptojmë të jetë një nga parimet më të rëndësishme të sundimit të ligjit. Kjo ka të bëjë edhe me krijimin e një pozicioni specifik antiluftë, d.m.th. me artikulimin e mbrojtjes së civilëve në një vend të shkatërruar nga lufta.
Edhe pse u ndërtua mbi një trashëgimi të pasur të shoqatave antimilitare, pacifiste, alternative nga vitet 1980s-të, themelimi dhe puna e FA-së ishin një vlerësim i vazhdueshëm i pozicionit të secilit në kohë reale. Pritshmëria për masa të tilla, ndërkohë që kriza jugosllave kishte kapluar çdo skaj, mund të përcillet përmes korrespondencës së arkivës së Aksionit të Gjelbër, një nga shoqatat e para të pavarura të qytetarëve në Kroaci, e themeluar në fillim të viteve 1990-të. Gjatë pranverës së vitit 1991 u zhvilluan një sërë aksionesh publike dhe më katër korrik, Aksioni i Gjelbër lëshoi apelin “Ta ndalim luftën!” gjatë një takimi joformal që u mbajt atë ditë në kopshtin e restorantit Zagorka në këndin e Rrugës Dërzhiqeva dhe asaj që dikur ishte Rruga e Brigadës Proletare (sot quhet Bulevardi Vukovar) ku u planifikua nisja e fushatës antiluftë dhe një ditë më pas u shkrua Statuti i saj. Shoqëria për Përmirësimin e Cilësisë së Jetës iu bashkua fushatës në të njëjtën ditë dhe bashkë me Aksionin e Gjelbër, punuan intensivisht në dy muajt vijues për të siguruar përkrahje.
Teksa gjendja politike ndërlikohej më shumë, nismat brenda FA-së lulëzuan. Lista e projekteve të tyre u zgjerua dhe prej tyre u krijuan organizata të tjera të pavarura, disa prej të cilave janë ende aktive. Për shembull, Qendra për Studime të Paqes evoluoi nga projekti Vullnetar; Amnesty International Kroaci evoluoi nga Grupi për Mbrojtjen Direkte të të Drejtave të Njeriut dhe Union 47 doli nga Grupi për Kundërshtim të Ndërgjegjshëm, që kërkonin rregullim ligjor të së drejtës për kundërshtime të ndërgjegjshme. Shoqata pushoi së ekzistuari pas përmbushjes së suksesshme të qëllimit të vet. Në vitin 1993 u botuan dy libra për krimet e luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. ARKzin (FACzine) nisi si revistë e simpatizantëve të FA-së dhe me kalimin e kohës u shndërrua në një nga gazetat e rralla të pavarura të Kroacisë në vitet 90-të. Aktualisht, ajo shërben si burim shumë i dobishëm për studimin e skenës së shoqërisë civile, zhvillimin e të cilës e ndjek nga afër.
Hapësira e parë kulturore autonome në Zagreb “Attack!” lindi në kuadër të ARKzin dhe grupeve anarkiste të Zagrebit. FA-ja promovonte tema që ishin shpërfillur ose kishin qenë joekzistente në sferën publike: të drejtat e grave, komuniteti gej dhe lesbike, mbrojtja e mjedisit, kultura e pavarur dhe vullnetarizmi. Zhvillimi i FA-së si rrjet horizontal është në të njëjtën kohë një seri e krizave të organizimit dhe identitetit; teksa shoqëria civile bëhet gjithnjë e më komplekse dhe shumë projekte dhe organizata nga thelbi i FA-së bëhen të pavarura, po ashtu edhe nevoja që FA-ja të ekzistonte si rrjet pushoi së ekzistuari. Pas një periudhe të gjatë të mosaktivitetit, kuvendi i fundit u mbajt në vitin 2006.
Dokumentat nga arkivi i FA-së tregojnë gjithashtu sa e zgjeruar dhe aktive ka qenë korrespondenca e tyre dhe sa i fuqishëm ka qenë rrjeti në mesin e nismave të ngjashme në nivel lokal, rajonal dhe evropian. Në këtë kuptim, Fushata Antiluftë u bë pjesë e një tendence që po zhvillohej në të gjithë ish-Jugosllavinë, gjë që tregonte vetëdijësim për nevojën për veprim dhe bashkëpunim në hapësirën kolektive. Prandaj, është e mundur të gjenden një seri me shënime dhe letra nga shoqatat në Sllovani, Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi. Katastrofa që pasoi, së pari shpërthimi i luftës në Kroaci, më pas në Bosnje e Hercegovinë, u dha fund të dhunshëm shumë prej atyre lidhjeve. Aftësia krijuese e FA-së u pasqyrua në përdorimin e hershëm të komunikimit elektronik: për herë të parë një modem u instalua në zyrë në Zagreb në fillim të vitit 1992. Rrjetëzimi ishte kusht për mbijetesë.
Sfida me të cilën përballemi sot është se periudha e tridhjetë vjetëve më parë nuk mund të mbahet më mend në kujtesën punuese, edhe pse e meriton të quhet kujtesë në kuptimin e plotë të fjalës. Sot, rindërtimi i kujtesës institucionale kërkon të rrëmosh nëpër arkiva të ndryshëm. Një pjesë e madhe e materialit që e bëri zyrën e FA-së në Zagreb si shërbim për të gjithë rrjetin tani gjendet në Documenta. Dokumentat digjitalë nga fundi i viteve 90-të dhe fillimi i viteve 2000 kanë humbur përgjithnjë, për shkak të ndryshimeve madhore në teknologji, por edhe si pjesë e shpërfilljes proverbiale dhe padijenisë për rëndësinë e ruajtjes. Kujtimet e gjalla të akterëve të asaj kohë janë mbështetje e madhe, por disponueshmëria e këtyre dëshmitarëve eventualisht do të pakësohet. Ky segment është me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse edhe nëse ekzistojnë burime të shkruara, ato shpalosin vetëm një dimension të komunikimit.
Komunitetet e hulumtuesve kanë ruajtur tashmë një pjesë të kësaj trashëgimie duke i shndërruar ato në seri të punimeve profesionale dhe shkencore, teza të masterit dhe doktoraturave dhe në libra. Pavarësisht faktit se temat e veprimit për paqe janë ende shumë alternative për publikun dhe kurrikulën shkollore, pikat e depërtimit dhe dekonstruktimit të kodeve vendore ende ekzistojnë. Por më e rëndësishmja është pyetja se cilat komunitete do të vazhdojnë të trashëgojnë si pasues traditat e lëvizjeve antiluftë dhe paqësore dhe rezistencën dhe t’i riformojnë ato. Sigurisht që nevoja për këtë ekziston kur shohim se deri në ç’masë shoqëritë tona nuk i kanë shtjelluar ende përvojat e luftës, që vazhdojnë t’i përndjekin. Deri në atë masë mund ta shohim rëndësinë e statutit të FA-së.
Nikolla Mokroviq (1983), ka lindur, jeton dhe punon në Zagreb. Ai ka diplomë në shkencat politike. Që nga viti 2010 ai punon në Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën, për mbrojtjen dhe digjitalizimin e materialeve të krijuara nga puna e organizatave të shoqërisë civile dhe kultura e pavarur dhe për projektin “Humbjet njerëzore gjatë luftës në Kroaci në vitet 1991-1995”.
[1] Fushata Antiluftë 1991 – 2011 Historia e parrëfyer (Fushata Antiluftë dhe Documenta, Zagreb 2011)