Pavarësisht rrethanave politike nëpër të cilat kanë kaluar dhe vazhdojnë të kalojnë në rrugën drejt paqes shteti i Kosovës dhe ai i Serbisë, tregtia ndërmjet këtyre dy vendeve mbetet në mesin e shteteve ku bashkëpunohet më së shumti sa i përket eksportit dhe importit. Nenad Gjurgjeviq, këshilltar i Kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë, ka thënë se eksporti nga Kosova në Serbi ka shënuar rritje për 43 milionë euro dhe është më i lartë për 47.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Po ashtu, sipas shifrave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në shtator të këtij viti, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 7.0 për qind, Maqedonia e Veriut 4.6 për qind dhe Shqipëria 4.0 për qind.
Sa i përket eksportit të produkteve të Kosovës për në Serbi, ato kapin shifrën e 7.7 %.
“Në muajin shtator 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28.1 milionë euro, ose 36.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Maqedonia e Veriut (11.9%), Shqipëria (11.5%), Serbia (7.7%) dhe Mali i Zi (4.1%)”, thuhet në raport.
Lidhur më këtë, Kryetari Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Skënder Krasniqi, ka thënë se Kosova ka probleme të eksportojë produkte në Serbi në saje të sabotimit të produkteve tona atje. Ai po ashtu ka dhënë vërejtje edhe për moszbatim të marrëveshjeve ekonomike. “Kosova në kontinuitet, si rezultat i mungesës së politikave të vazhdueshme, çdo marrëveshje që e ka shënuar në raport me vendet e rajonit apo të Evropës në përgjithësi apo tjera ka pasur më shumë ndikim negativ në rritjen e importit sesa në rritjen e eksportit të Kosovës. Edhe marrëveshja e CEFTA-s që është nënshkruar para ca vitesh është nënshkruar pa asnjë kusht që ka vënë Kosova dhe në këtë mënyrë, kemi pas një rritje enorme të importit dhe eksporti ka qenë simbolik, qoftë me vendet e CEFTA-s apo edhe të Bashkimit Evropian, po ashtu edhe me Turqinë që kemi nënshkruar marrëveshje të Tregtisë së Lirë”, thotë ai.
“Ne kemi kërkuar që të rishikohen këto marrëveshje dhe të mbrohen prodhimet vendore dhe ta përballojmë importin e këtyre vendeve. Sa i përket raporteve me Serbinë, ne kemi pengesa shumë të mëdha që të eksportojmë prodhime në Serbi si rezultat i kushteve të sabotimeve që i bën shteti përmes mekanizmave të vet, kemi pengesa që të eksportojmë edhe në vendet e Evropës përmes Serbisë për shkak të kushteve që i vendosin ata duke shkelur ligjin. Ne do të duhej që këtë reciprocitet ta vazhdojmë”, u shpreh Krasniqi.
Nga ana tjetër, Nenad Gjurgjeviq, këshilltar i Kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë, ka thënë se importi nga Kosova në Serbi ka shënuar rritje për 43 milionë euro dhe është më i lartë për 47.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. “Totali i tregtisë me Kosovën, në nëntëmujorin e parë të vitit 2022 arriti në 392.3 milionë euro, që është më i lartë për 21.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, kur ishte regjistruar 322.7 milionë euro. Eksporti nga Serbia ishte 349.2 milionë euro dhe është më i lartë për 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021”, ka thënë ai. “Importi nga Kosova ishte 43 milionë euro dhe është më i lartë për 47.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Suficiti në gjashtëmujorin e parë është 306.2 milionë euro”, u shpreh ai.
Ai po ashtu ka thënë se tregtia me Kosovën në vitin 2021 ishte 444.9 milionë karshi vitit paraprak.
“Tregtia totale me Kosovën në vitin 2021 është 444.9 milionë euro, që është më e lartë për 60.6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, kur ishte regjistruar 277.1 milionë euro. Eksporti nga Serbia arriti në 404 milionë euro dhe është më i lartë për 60.05 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Importi nga Kosova ishte 40.9 milionë euro dhe është më i lartë për 61.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Suficiti në 2021 është 363.1 milionë euro”, tha ai.
Ai foli edhe për produktet kryesore që eksportojnë në Kosovë dhe në bazë të sasisë së importit, ai ka thënë se prijnë pijet, etanoli dhe uthulli, derivatet e naftës, drithërat, kaldaja, makineritë dhe pajisjet, plastika dhe produktet e saj, goma dhe produktet e saj.
“Produktet kryesore të eksportuara në Kosovë në vitin 2021: pije, etanol dhe uthull, derivatet e naftës, drithërat, kaldaja, makineritë dhe pajisjet, plastika dhe produktet e saj, goma dhe produktet e saj, kafshë të gjalla, makineri elektrike, pajisje dhe pjesë, ushqime të ndryshme, dru dhe produktet e drurit, dhe vaji dhe produktet e tyre”, tha ai.
Sa i përket eksportit të produkteve të Kosovës në Serbi ai ka thënë se në vitin 2021 prinin produktet e hekurit, çelikut, si dhe frutat e freskëta. “Produktet kryesore të importuara nga Kosova në vitin 2021: produktet e hekurit dhe çelikut, frutat e freskëta, plastika dhe produktet e tyre, goma dhe produktet e tyre, lëkura, derivatet e naftës, produktet nga perimet dhe frutat, pijet, etanoli dhe uthulla, celuloza nga druri dhe plumbi”, tha ai.
Më tutje, Nenad Gjurgjeviq ka thënë se analiza e eksportit serb në Kosovë tregon se nga eksporti i përgjithshëm në vitin 2021 (404 milionë euro), pjesa e produkteve të klasifikuara si mjete të punës është 33.5 milionë euro (8.3%), pjesa e produkteve për prodhim të mëtejshëm nga ana e subjekteve ekonomike që blejnë mallra të ndërmjetme nga Serbia është 214.8 milionë euro (52.2%), ndërsa pjesa e mallrave të vendosura drejtpërdrejt në shitore me pakicë është 155.7 milionë euro (38.5%). “Këto të dhëna tregojnë se importi kryesor i Kosovës nga Serbia janë mallra për prodhim të mëtutjeshëm nga kompanitë kosovare dhe e vendosin atë në treg si produkt final me vlerë më të lartë. Kjo është e mundur edhe për shkak të Marrëveshjes CEFTA që mundëson tregtinë e lirë nga taksat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, u shpreh ai.
Gjurgjeviq tha se nga ana tjetër, struktura aktuale e ekonomisë së Kosovës është e tillë që Kosova mbështetet shumë në importin e mallrave, jo vetëm nga Serbia, duke krijuar një disbalancë të madhe tregtare. “Partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kosovës (të njëjtat qëndrime nga Serbia) janë BE-ja dhe vendet që marrin pjesë në marrëveshjen e CEFTA-s”, u shpreh ai.
Sipas Gjurgjeviqit, bashkëpunimi ekonomik tregtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i stërngarkuar nga klima negative politike. “Bërja e biznesit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e stërngarkuar me klimë negative politike, pasiguri që biznesi të ketë planifikim afatgjatë, vendosjen e tarifave dhe mungesën e njohjes së numrit të dokumenteve – pra harmonizimin e certifikatave veterinare, mosnjohjen nga autoritetet serbe të deklaratës për dokumentet dhe ambalazhet e produkteve që vijnë nga Kosova, tarifat për materialet e bllokut etj”, tha ai.
Ai shtoi se tejkalimi i këtyre çështjeve dhe puna për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të kontribuonte në marrëdhëniet e përgjithshme ekonomike. Ai përmendi me theks të veçantë përfshirjen e investimeve dhe bashkëpunimit në sektorin e energjisë. “Tejkalimi i këtyre çështjeve dhe puna për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të kontribuonte në rritjen e vëllimit të tregtisë, por edhe në marrëdhëniet e përgjithshme ekonomike”.
Svetllana Staletoviq, gazetare që jeton në Llapnasellë, fshat që kufizohet me Graçanicën, po ashtu ka treguar se në vendin ku ajo jeton ka bashkëpunim të mirë si në nivelin e bizneseve, ashtu dhe atë shoqëror. “Pranë shtëpisë sime është një furrë e bukës ku pronarët janë shqiptarë dhe ne nga aty ushqehemi me bukë dhe me produktet e tjera të miellit, çdo ditë”, ka thënë ajo.
Stejanoviq, e cila ka një dyqan dekoresh në Graçanicë, ka thënë se veprimtarinë e saj biznesore e operon në mënyrë të lirë dhe s’ka pasur asnjëherë probleme të afarizmit në Kosovë. “Unë punoj prej pesë vitesh këtu dhe shesim gjëra dekorative. Kam klientë të të gjitha etnive dhe asnjëherë s’kam pasur probleme. Pra, ne shesim gjëra dekorative për dasma, mirëpo edhe për evente të tjera festive”.
Ajo ka thënë se po ashtu, ka bashkëpunim të mirë edhe me kolegët e punës.
Shpejtim Kastrati, një tjetër konsumator nga Kosova, ka thënë se i konsumon produktet serbe, pasi sipas tij, kanë çmim të arsyeshëm, por edhe cilësi. Ai theksin e vuri tek keksat ‘Plazma’.
“Disa produkte i konsumoj. ‘Plazma’ keksat, pasi kanë shije më ndryshe dhe janë të përpunuara më ndryshe. Mendoj se çështja historike është e ndjeshme, por kur vjen puna tek ushqimet, është më ndryshe”.
Autore: Albulena Mavraj
Redaktor: Xhemajl Rexha
Ky shkrim është produkt i trajnimit rajonal për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD-së.