E di kush e ka qitë bombën

Në mars të vitit 1999, në pazarin e Mitrovicës shpërthen një bombë. Rrahim Hasanit i vdes vajza pesëvjeçe Elizabeta. Tjetra, shtatëvjeçarja Elvira, plagoset në të dyja këmbët.

            Rrahimi, sot me banim në Podgoricë, kujton kohët kur jetonte e punonte i lumtur në gjithë Kosovën.  E gëzon fakti që në pllakën përkujtimore për viktimat e asaj dite, të vënë nga komuna e Mitrovicës në vendin e ngjarjes, është shtuar më në fund edhe emri i vajzës së tij, i munguar fillimisht. E, ndërsa i afrohet moshës 70-vjeçare, tashmë i ve, gjysmë i paralizuar nga këmbët, pa të ardhura të rregullta, i vetëm mes katër muresh, ai ka edhe një dëshirë të fundit.

Rrahim Hasani

Unë jom Rrahim Hasani, i lindun me 17 maj 1953 n’Mitrovicë. Babën e kom pasë t’Mitrovicës, Ramadan Hasani, nana Selvie Hasani. Kom pasë shtatë vllazën e katër motra. Në Mitrovicë jena shkollu të tanë. Gjithsecili prej nesh e kena kry shkollën e mesme. Na jena t’parët në Kosovë që jena kena punu fshisa n’shpinë tonë, nëpër pazare kena dalë me i shitë, kena gjallu diqysh. Baba ka dalë në Gjermani, ka punu do vjet. Atje e ka fitu pensionin.

            Unë jam martu në vitin 1972. Në vitin ‘78 kom lidhë kunorë me gruen Nadën n’Mitrovicë, edhe jom dalë prej Mitrovicës, kom jetu n’Beograd deri me 1996, mandej jom kthy prap në Mitrovicë me jetu, masi kom hi n’do vjet t’bukra edhe i kom pasë shpiat e mia këtu. Jom ardhë me gruen e me fminë e mi edhe kom punu si taksist prej ‘96 deri me ‘98. E kom pasë n’kojshillëk nonën plakën 75-6 vjeçe. Problem s’kom pasë kurrë me kurrkon. Shumë vetë mu m’ngjohin t’Mitrovicës se jom marrë si djalë i ri me muzikë nëpër kafe, nëpër hotele. M’thirrshin Rruti. Mitrovicalitë e dijnë kush o Rruti, ju boj t’fala t’gjithëve.

             Baba ka lindë në Bajgorë, por shumë herët, në vitin ‘47-8 besoj, jonë ra n’Mitrovicë e qaty jonë metë vllaznia. Ai i ka pasë edhe tre vllazën tjerë. Osht’ baba Ramadani, mixha Nezir, mixha Beqir edhe mixha Feriz. Ata krejt kanë ndrru jetë, bile njonin, Beqirin, e kom pasë frizer në Mitrovicë në Center që ka punu, e ngjeh krejt gjenerata jeme, se frizer i mirë o konë.

            Baba rahmetlia ka punu në nji fabrikë, atëherë o konë e fortë në kohë të Jugosllavisë, ka pasë marrëdhanie me Beograd, Minhel u thirrke. Në vitin ‘69 ka shku në Gjermani, e ka nejtë koxha do vjet atje, e ka marrë penzinë. O konë vozitës atje në Gjermani edhe mjeshtër që do maqina i ndreqke. Kur e ka marrë penzinë, mbasi e ka shtydhë gjermani, ai s’ka jetu edhe shumë, veç gati ni vjet. Në vitin ’80 ka ndrru jetë me 51 vjet, shumë i ri. Baba o konë punëtor. Ai s’dike kurrgjo tjetër pos punë. Kurrë shokë për veti s’ka pasë. O konë njeri punëtor, i kqyrke punët e veta.

            Nana kurrë s’ka dalë kërrkah, o konë e shpisë. Punojke kah shpia edhe o konë me Kuran. Në atë kohë me dijeninë e vete i falke pesë vakte namaz. I kqyrke punët e veta, shpinë e vete. Na thuejse pa babë jena rritë, se ai në Gjermani. Na ka rritë, na ka shkollu, na ka mësu besa mos me i bo zarar kojshisë. Nana ndihmojke sa mujke me fuqi t’vete, deri ka ndrru jetë edhe vetë.

            Vllaznit e mi kanë punu edhe ata krejt. Nji vlla, Isufi, ka punu në Zveçan, o konë mjeshtër bash i furrës qaty ku u shkrijke dukati. Atò shumë t’ri e kanë qitë n’pension, se 18 herë u smu pi plumbit, pluhuni tu i hi nëpër gjak. Ia kanë dhonë penzinë, po o konë punëtor i fortë.

            Ni vlla, Tarzanin, në firmën që bojnë lule, bash drejtor të firmës e kom pasë. Tjetri, Binaku, ka dashtë me hi për polic, po e kanë refuzu se kena pasë bo zhurmë n’mahallë, e nja 15 ditë e kanë majtë në burg, kështu që s’ka mujtë me hi polic, edhe pse ka pasë qef. E ka kry shkollën për qat punë, ka dashtë me hi, por s’o konë kismet. Krejt vllaznit jonë konë me shkollë të mesme. Kurrë keq s’i kanë bo kërrkujna.

            Shkollën e kom kry në Mitrovicë, thirret ‘Svetozar Marković’. Edhe të mesmen në Mitrovicë. Bile qaty e pata njoftë ni pejon, Ramiz Muriqi. E, që osht gjallë, selam prej Rrutit ki, ti e din sa të du. Ai e ka kry shkollën aty n’Mitrovicë, e kom pasë jaran t’fortë, jom shoqnu shumë me tò. I kërkoj falje vllazënve të tij Abdylit, Ahmetit, ishalla jonë gjallë. T’gjithëve i kërkoj falje, ju kom vllazën, e dini vetë. Kom qenë në shpi t’juj, kom hangër bukë me ju. Valla e kom çu mirë me ta shumë, s’kom pasë kurrë problem.

            Jena konë familje e shoqnushme, e nderume. Mirë e kena pasë jetën tonë. Kena bo fshisa, i kena shitë. Se njeri kur punon i ka senet normal. Kena pasë për me jetu, s’jena anku kurrë, por as zarar s’i kena bo kurrkujt hiç kurrë.

            Kur isha kah shpia, veç me vllaznit jom shoqnu. Kur dilsha nëpër kafe me bo muzikë, jom marrë me shqiptarë, se muzikë shqiptare kom bo. Me shqiptarë jom shoqnu, orkestrën e Pejës e kom pasë t’policisë, bojshim muzikë kur i kishin banketet e veta. Në koftë gjallë, i boj t’fala shumë Shehim Krasniqit, inspektor o konë, burrë shumë i mirë. Haxhisë, Metit, t’gjithëve iu boj selam. Unë jom hala gjallë, por gjindna n’Mal t’Zi tash. Të gjithë jeni konë të mirë me mu.

            Unë mirë me shqiptarë e kom çu, po ndodhi qajo punë, qajo çikë që u vra aty. Luftë o konë për krejt. Kena hupë gjithsecili, si ana e shqiptarëve, si serbët, si na romët. Por nejse, ka ndodhë çka ka ndodhë, apet jeta mirë. Elhamdulila, shyqyr u çliru Kosova, mirë osht. Unë jom kosovar burrë. Unë n’skaj t’botës me shku, thom që jom i Mitrovicës, i Kosovës, se babën e babës e kom pasë t’lindun qaty n’Mitrovicë.

            Qitash prej çka i kom gjallë motra e vllazën, vetëm nji vëlla e kom n’Belgjikë, n’Audergen. Këta tjerët krejt jetojnë në Francë. Jetojnë në qytetin Lion. Qaty jonë krejt vllaznit e motrat. Bile nji motër ka ble tokë edhe i ka maru shpiat e veta privat. Po jetojnë mirë, e kanë jetën e mirë, probleme nuk kanë. Kajherë po ndihemi me telefon, kur ka lazëm ma çojnë naj dinar, naj diçka kajherë kur kanë, se as Evropa nuk osht mo qysh o konë.

            Në kohën kur jom shkollu unë, s’ka pasë me ia pasë dikujna mërzi. N’atë kohë, na qytetarët e kena çu si anëtarë t’familjes. Shqiptarët e dinë vetë, unë kom hangër, kom pi me ta. Kanë flejtë në shpia t’mia, kom flejtë n’shpia t’tyne. I kom do shokë të gjeneratës teme, që besoj jonë gjallë, e dijnë që jom kah e foli t’vërtetën. S’ka pasë xhelozi në kohën e Titos. Tash, për dikon Tita a o konë i mirë a s’o konë, nuk di, po për mu o konë i mirë. Jetën e mirë e kom pasë, lirinë e kom pasë, ofendim s’kom pasë prej kërrkujna, kom shku ku kom dashtë, natë, ditë, kurrë kërrkush nuk m’ka ngucë, as s’i kom ngucë. Tash krejt o ndryshu, o ardhë koha ndyshe.

            Unë kom çalldisë gitare solo, edhe bas gitare, bile kom pasë emër. Në çdo hotel t’njoftun, si “Bozhuri”, “Theranda” në Prizren, “Pashtriku” në Gjakovë, s’kanë dashtë pa mu tjetër muzikë. Gitarën e kom mësu vetë, se jom shku me ‘74 në Greqi. E kom nxonë të parin vend, po për mos me ulë Greqinë, se Theodore Rakitzis u thirrke ai kompozitori i Greqisë për buzuki, më pati thonë, “S’mundesh ti me nxonë t’parin vend”. Komisioni tha, “Na duhemi me t’qitë ty në t’dytin vend, se po e poshtërson Greqinë qysh po çalldis”. Se gitarën kur e çalldisin, e çalldisin me tre gishta. Unë me pesë çalldissha. Stakato thirret, me pesë gishta. Në vitin ‘74, t’parin vend e zuna në Greqi, djalë i ri jom konë. Gazetarët kanë shkru, 36 qytete unë krejt i kom rrxu. Tha, “T’parin vend e ki nxon, por duhet me t’qit si të dytin, mos me rrxu Greqinë, të dytin vend po ta jep, se unë jom kompozitori ma i fortë i Greqisë”.

            Po du me thonë, jom marrë me muzikë edhe e kom pasë shumë mirë valla. Qe për shembull me Danin kongëtarin, kom bo muzikë. Besoj që osht n’shtete t’jashtme, nuk besoj që osht mo n’Pejë ai. E kom pasë Lan Burgiashin shok. I boj t’fala Lanit. Kom punu me Arifin, me Dërvishin, me Xhaferin. Ata jonë konë muzikanta t’Pejës, jonë konë shumë t’fortë. Kom punu shumë vite me ta nëpër Pejë.  Kena bo kangë popullore. Njonën që e kom pasë për qef shumë osht, “M’ka shku mendja me u fejue”. O konë e popullarizume në atë kohë.

            Jonë do kangë të moçme që t’rrokin në shpirt. Vike shqiptari, i nxirrke paret, “Merri urdhno vëlla, veç kno, mos u nal”. Ka pasë atëherë punë, po s’ka pasë pare boll, mirëpo kena pasë rreth, kena pasë dashni, miqësi, jarani kena pasë. S’kena ditë sherr, në atë kohë s’ka pasë. Por qysh erdh kjo punë valla as vetë nuk e di. Në atë kohë tjetër kulturë ka pasë. S’kanë kqyrë kush je ti, veç a je njeri i mirë. N’kofsh i mirë, gjithkah derën çelë e ki pasë. Në atë kohë, rininë e kom çu shumë mirë, apostafat me shqipatarë, e dijnë vetë mitrovicalitë e mi. Nifarë vakti edhe me Mahmut Bakallin kom punu, kom nejtë me tò n’Deçan, bashkë kena pi, kena hangër bukë.

Gruen, Nadën, e kom njoftë n’Beograd. Femër ma e bukur s’ka ekzistu. Ajo ka qenë me babë t’vet atje në Beograd në nifar vendi ku vijshin libra me kqyrë. E ngreha t’parën herë prej flokëve. Po m’kqyr ajo mu niherë, ia lëshova sytë, ku shkojke ajo, unë mas saj. U njoftova me tò. Për ni kohë t’shkurtë e kom ikë, masi kom pasë ni djalë me ni tjetër gru. Ajo e ka pranu, ma ka rritë atë djalë. Ai ka qenë në Itali, ku ka pasë bo ndeshje me ni makinë, ka ndrru jetë në ‘98-tën. Ajo ma ka rritë qatë djalë. Gruen e kom marrë në vitin ‘72, në vitin ‘78 kom bo kunorë, jom dalë prej Mitrovice në Beograd me 1996. Tani kur u ktheva, u bona taksist.

            Me Nadën kemi pasë tetë fëmijë.  Qitash i kom gjashtë çika gjallë, njona që o dekë, shtatë. Edhe djalin e hasretit, po bojnë tetë fëmijë. Sadetja osht e para, mandej Selvia, Jasmina, Dragica, mandej osht Elvisi edhe Elvira, Elizabeta edhe Maria Tereza.

            Sadetja ka lindë n’Mitrovicë në ‘78-tën. Unë atëherë kom bo nji festë t’madhe në Hotel “Adriatik”. Atëherë ka qenë popullor Muharem Serbezovski. E pata thirrë, se e kom pasë shok. Ka ardhë bash n’qatë gëzim që ia bona për t’parën datëlindje çikës. Kom festu shumë mirë, edhe fminë e mi i kom kqyrë mirë. Nuk dojsha çka s’kom pasë unë mos me pasë as ata. Kom pasë qef krejt me jau dhonë, krejt. Jom nji prind që kurrë s’i kom bërtitë fëmive. I kom kqyrë sa kom mujtë me mundësinë teme. E madhja o martu e re, ka dalë në Gjermani. E dyta m’u ka smu me tetë vjet. Ka pasë zjarrmi t’madhe, 40, 41. Nja 15 ditë n’Mitrovicë s’kanë mujtë zjarrminë me ia zbritë. E me 38 vjet, para nja pesë mujve, ka ndrru jetë. Po ajo zarar nuk bojke kurrë, o konë çikë e urtë. Me kuklla lujke, 38 vjeç, hala me kuklla lujke. As bukë s’dike me lypë me hangër, derisa ia afrojshe vetë.

            Jasmina osht’ e martume, bile n’kojshillak e kom pasë. Bash t’zemrës e kom atò. Dragica e ka emnin e vjehrrës. Vjehrra jeme osht shkinë. Gruja jeme babën e ka pasë mysliman, Haxhi Drini prej Gjakove, e nonën shkinë. Ajo i ka pasë pesë djem. Asnjoni s’u kujtu emrin e nonës së vet me qitë, e unë thashë, “Për hir të Allahut du me ia qitë qatë emër çikës teme”. Dragica, çika jeme, osht e martume për ni malazez, biznismen në Nikshiq. I ka tre djem me tò. Vetë jonë dashtë, vetë kanë dashtë. Më ka ardhë malazezi, më tha, “P’e du çikën tonde, du mu martu me tò”. E kom vetë çikën, “A ki kqyrë ti çfarë karakteri ka ky? Çfarë sjellje ka? Qysh osht, tek osht? Mos thuj nesër t’kom dhonë unë, e me m’i nxonë sytë. S’kom qef me thonë ‘ti m’ki dhonë’”. Tha, “Tatë, unë e du, sjelljet e mira i ka”.

            Elvisi edhe Elvira jonë bineq. Ata kurrë s’kanë hangër njoni pa tjetrin. A kanë pasë ni çokolladë, gjysën e kanë mshefë për tjetrin, motra për vllaun, vllau për motrën. Pak e kanë pasë vështirë çika kur u martu, që jonë nda.

            E Elizabeta, me pesë vjet ka pasë dijeni si dikush që i ka njizet vjet. “Ku je konë tatë?”, ma bojke. “Pse çka u bo?” e vetsha. “A din sa kom kom kajtë për ty, baba jem”. Gruja isharet m’jepke që s’ka kajtë hiç, po e kish sa m’e marrë n’prehën. “Shumë kom kajtë për ty. Pse po m’len vetë?”, “Çika jeme, ti je me mamin, je me motrat, me vlla”. “Jo, kur po ti po m’len, unë po kaj gjithë ditën për ty”.

            Maria Tereza osht sugarica, ma e vogla. Ajo tash osht nonë e katër fëmijëve, dy çika e dy djem i ka. Osht në Budvë e martume. Mirë kalon, i ka shpiat e veta, problem nuk ka. Asni fëmijë i jemi nuk ka problem. Krejt jonë mirë, s’muj mu anku prej miqve.

            Po jom njeri që kurrë te miqtë nuk shkoj, s’kom qef. A po ndij mirë për fminë e mi? Po. Çka kom me shku te miku? Ni kafe e kom edhe n’shpi teme. Çikat po vijnë te unë, po m’vizitojnë, po m’bojnë hyzmet te shpia, po m’pastrojnë, e unë s’po shkoj. Më vesin çikat, “Pse s’po vjen hiç?”. “Babë, unë po nij mirë për ju. Me ni keq, ruje Zot, vi aty”. Sa jom unë gjallë, evladin s’mundet kurrkush me ma shkelë. Po rri këtu, pe kqyri pleqninë teme. Kom fat, jom kah i mushi 70 vjet.

            Kur jetojsha në Beograd, ish nji punë interesant: qytet i çelun për çdo popull. Sot ka shqiptarë aty që jetojnë. Shumë spikera të televizorit punojnë në Beograd, se shumë kanale i ki aty. Kurrkush nuk t’nguc kur i kqyr punët e tua. Mos u përzij n’tenxhere çka osht kah zien dikushi. Se, çka t’lypsh ki me gjetë. Kqyri punët e tua, e nuk t’nguc kurrkush. Sa kom nejtë, kurrë ni ofendim s’kom ndi prej popullit atje. Qatë punë që e kom punu, e kom punu për veti. Jom mundu me rritë fëminë. Me kojshillak e kom pasë mirë. Kur erdh vakti, e shita banesën.

            Atje jom marrë me tregti. Na romët jena për tregti, blej këtu, shit aty. Po vendosa me u kthy, se i kom pasë 47 vjet. Kom mendu për pleqni. Isha me mendimin, “Kur i kom shpiat e punën në Mitrovicë, çka po jetoj unë në Beograd? Po shkoj në Mitrovicë, edhe në vdeksha, vdes në vend temin, qaty ku i kom shpiat”. Dakord jom konë me shoqën teme. Banesën privat që e kom pasë, e shita. Bile bash kryetari i komunës, Opština Stari grad thirret, ma ka ble. Me pare t’mira ia shita. Jom ardhë në Mitrovicë.

            Mitrovicën, me folë realitetin, jashtë kolluseti e kom gjetë, se pak policia serbe kish dalë andej. Atëherë shqiptarët mo në polici nuk ishin. Në ‘96-tën mo s’ka pasë polici, po jonë konë do, s’po di as prej kahit, as çka jonë konë. Jonë konë si t’çartun. Vallah bilah, unë n’qatë kulturë s’jom mësu. Bile kom pasë problem me nji inspektor. Ma lypi kerrin, me çu gruen e fëminë e vet te doktori. Kur i thashë, “Kthema kerrin”, ma boni, “O kom rrugë për Mal të Zi, se po shkoj te miqtë”. “Jo more, me kerr temin sa jom gjallë unë, jo kurrë. Ti qitash ki me lëshu punën, në kofsha gjallë unë”. Shkova u ankova, thashë, “Ia dhashë kerrin me çu gruen në spital”, se Mitrovica e vogël, u njifshim na. Ai i merr grue e fëmijë, e niset për Titograd. E kanë qitë prej pune, se s’guxon qito punë m’i bo. Po du me thonë, atëherë policia s’u konë bash n’rregull.

            Më ka ndodhë në vitin ‘97 në “Adriatik” o konë ardhë policia e Beogradit. Njeri dy metra i gatë, po ma bon me gisht. Ia çova dorën me ia bo ‘jo’ me gisht. U nis te unë, tha, “Pse s’po vjen, kur po t’thirri?” Thashë, “Unë jom me shoqe. Ti po ma bon me gisht sikur me konë unë shoqja jote”. Tha, “Ama letërnjoftimin!”. Ia dhashë. E kqyri, nisi do fjalë me i folë. S’u sjellshin mirë.

            Shkau, me folë të drejtën, ka pasë ma shumë fuqi, por s’jonë konë fer. Ia merrshin hajet e pijet grave prej duerve. O konë keq puna. Vetë e kanë bo luftën ata. Sa shkije që i kom pasë qaty në shkollën e mesme, i kom vetë, “Çka i keni qitë këta punkta? Për kon po përgaditeni?”. Thojshin, “Ti kqyri punët e tua”. “Po kjo nuk o n’rregull more burrë. Çka jeni kah boni kështu”? Shkollën e kryva me ta, e kisha pak liri me folë me ta. Po, kush ka pasë, ia kanë marrë, s’ia kanë lonë.

            Punojsha taksi unë në atë kohë, shkojsha gjithkah. Bash në ’98-tën m’kanë nxonë UÇK-ja te stacioni i autobusit në orën njò të natës. Isha tu pritë nji njeri me ardhë me autobus prej Podgorice. Atëherë vike në dy sahati t’natës autobusi. Patën ardhë me ni xhip, me do maska, “Letërnjoftimin! Poshtë në tokë”. Thashë me veti, “Kanë me m’pushaktu”.

            Ma kanë qitë letërnjoftimin n’shpinë, as s’po di ku jonë shku, as çka kanë bo. Po mu m’lanë n’tokë. Po çohna, po kqyri, s’osht kërrkushi. E kom marrë letërnjoftimin, e dheza makinën, shkova e piva njò, erdh njeri, e mora, shkuem. Pse më lanë? E kanë pa që jom i pastër, me politikë kurrgjo. Se, kërrkush sot budallë nuk osht. Krejt sot kanë fakulteta, gjindja dijnë. Se, kur je i drejtë nuk t’nguc kërrkushi, veç kush rren.

            Në Mitrovicë kur u kthyem, nji ditë e çova çikën me ble bukë te furraxhia. Kur erdh, tha, “Tatë, po tutna me ble bukë se kuku çfarë gjind ishin qaty”. Aty ishin këta tanët, romët. I thashë, “Po çika jeme, edhe na jem si ata”. “Jo, jo, ata jonë t’zhytën”. E s’mujsha me bindë çikën. Tha, “Tatë, unë tutna me ble bukë, m’u afru me qatë popull”. Shkova tani unë bleva bukë. Po, në shkollë nuk më shkuen fëmija. Ata s’e dijshin shqipen. Tanë fëmija mi jonë rritë në Beograd edhe jonë lindë atje, e s’dijshin shqip me folë.

Në ’98-tën m’u ka mytë djali i madh. Si mu ka mytë, e lashë gruen edhe fëminë, e mbasi e kom vorrosë në Mitrovicë, jom shku për Itali. Jom ra n’burg aty njo dy vjet e gjysë, e në vitin 2002 jom ardhë qetu në Podgoricë. Pra, prej 2002-tës jom qetu.

            Po, në Kosovë kurrë keq prej kërrkujna s’kom pasë, pos që ke kismet qajo çikë m’u mytë. Mu m’ka tregu shoqja, se jom konë në kontakt me to. Ajo ka dalë me fëmijë, ni hallë e madhe o konë aty, i ka ndihmu. O dalë në pjesën e shkijeve, ka shku në Leposaviq. Po, ma përpara e kanë qitë në autobus. Dojshin me çu nëpër autobusa knej kah Peja. Shoqja iu thotë, “Ku po m’çoni me këta fëmijë?”. Këta serbët i thonë, “Bjere letërnjoftimin. Çka je kah bon në Serbi?”. Gruja ka ditë me nxerrë veten. Kur e kanë pa, ajo letërnjoftimin e Beogradit. “Unë jom prej Beogradi, burrin e kom mitrovicali, jom ardhë mysafir këtu. Ku po m’çoni ju mu?”. E kanë kthy shoqën. Ajo o dalë në Leposaviq atje. Atje tani ka nejtë pak kohë, masanej do miq të mi ma kanë gjetë numrin.

            Unë i thashë me ardhë në Podgoricë, por ajo s’dijke me ardhë se s’o konë e dalme. Thashë, “Veç merre autobusin për Podgoricë. Unë edhe naj ditë dal prej burgut e vi”. Kur dola, çka me pa? Krejt nëpër shatora, kjamet. Tani i kanë maru n’tonë Podgoricën do baraka. N’qato baraka ka pasë për shembull kanta, gjuj plehna atje, atje mbledhu pacova. Deri erdh vakti me na e bo banesën këtu. Kur kena hi n’banesë, prej gëzimit kom kajtë. Thashë jeta e njeriut osht banjë, higjienë, pastërti. Qitu kena hi me 2005-tën.

            Kur ka qenë lufta në ‘99-tën, do muej para bombardimit shoqja kish dalë në me bo do pazar. I kish marrë dy vajzat e mia me veti. Nji vajzë i ka pasë pesë vjet, tjetra shtatë. Njona u thirrke Elizabeta, tjetra Elvira. Në pazar ka eksplodu bomba. Qaty m’u ka mytë Elizabeta pesëvjeçe, e Elvira shatëvjeçe asht plagu në dy komët. Kanë kalu 21 vjet. Faleminderit vllaznive që jonë ardhë e jonë interesu për këtë çikë temen, edhe i falënderoj do gazetarë që m’kanë thirrë prej Kosove për me ia qitë emnin e vitin e saj saktë në pllakë, edhe besoj që e kanë qitë. I falënderoj shumë edhe t’fala kanë prej meje shumë. Kurrë s’jom marrë me politikë, kurrë kurrkujna borxh s’i kom pasë kurrgjo. Po nejse, kjo o konë luftë. Si prej anës t’juve, si prej anës tonë, kena hupë gjithsecili diçka.

            Unë e di kush e ka qitë bombën edhe e njoh njerin, s’ka nevojë me folë tash kush osht. O konë shqiptar ai, por me qëllim kurrë fëminë e mi ai s’e kish mytë. Ai i kish mbrojtë, por ka ndodhë qajo punë. Kërsiti ajo bombë, më vdiq qajo çikë. Çikën tjetër koxha do vite e kom shnoshë me do operacione.

            Unë s’po thom që dikush ma ka mytë çikën me qëllim. E ka rrokë, ka vdekë, po pak m’ka metë hatri, drejt me ju kallxu, që 21 vite kanë kalu, asni shoqate n’Kosovë s’i ka ra n’men si qetyne vllazënve që jonë ardhë me m’pytë qysh e tek.

            Elizabeta o mytë në ‘99, unë jom konë n’burg, s’më kallxojshin. M’ka kallxu nji shqiptar i Shqipnisë, bash i Vlorës, e thirrshin Qorr. Tha, “Rrahim, du me të tregu diçka, veç mos kallxo që të thashë unë”, se jonë konë do mitrovicali aty. Tha, “Ty po m’dokët që nji çikë ta kanë mytë, e njò ta kanë plagu në ‘99-tën”. Thashë, “A je ti mirë n’men?”. “Rrut, a e ki ti nji çikë Elizabeta, e nji Elvira Hasani”. Qaty e kom marrë vesh.

            Nejse, kur jom dalë e pata zatetë unë familjen. Në njifarë hajmi në Itali, por atje kur s’kish kush m’i pranu ata, rrishin në hajm e unë i kisha dokumentet e Italisë, me patentë e me letërnjoftim. Nuk po m’bjen n’mend qysh u thirrke ai vend. I kena marrë dy furgona e jena nisë. Kur p’i shoh atje robët e mi, vllaznit, nuset, fëmija krejt. I kom nxerrë prej aty, se e ka pasë banesën e madhe motra edhe nipi, masi atje në Evropë kqyrin me kuadratura, e i kena marrë prej aty. Do lypshin me shku në Belgjikë, do në Francë. I kena shkepë nëpër Evropë, unë jom metë qitu në Podgoricë sa t’jom gjallë. Nana m’vdiq, e kanë vorrosë atje në Francë. Edhe nji motër m’vdiq në Francë.

            Në fillim, këtu në Podgoricë jepshin ndihma çdo javë që me pasë haje, pije. Me kamiona bishin. Për haje e pije s’kanë hjekë, veç qajo barakë. Na patën dhonë nji barakë. Bile punojshin italianë, e unë u kapa me ta muhabet. E kom pasë rrugën pak ma t’çelun prej tjerëve. Me italianë u shoqnojsha, folsha italiançe mirë edhe kom pasë me ta mirë.

            Elvira o konë e plagume në dy komë, ka pasë shumë shenja. Ajo i ka kry nja shtatë a tetë operacione, që hekin lëkura anash e ta qesin aty me ta mushë. Atëherë o konë e hallshme, po tu shku, tu u trashë. Me ia pa komët sot, thu, “Kjo çikë, rrenë koftë, kurrë s’o konë e plagume”. Po o konë n’dy anët, ia shihshe ashtin, si knej, si knej. Iu mush mishi, u plotësu, u shnosh. E kisha gjithë mendimin a e pranon naj burrë me qato komë a jo. Po, ka deshtë Zoti, o shnoshë mirë, osht e martume, nonë e tre fmive osht. Qetu ngat e kom në kojshillëk. Jetën e mirë e ka, po kalon mirë.

            Kur më pati tregu shoqja për Elizabetën, më tha, “O konë marsi, ftoftë, e me i lonë te shpia, zjarrmi i dhezun, kallën fëmija e vogël. I kom marrë me veti, me po pazar, e me u kthy te shpia”. Po kur kanë hi në pazar, ka ble çka ka pasë nevojë, edhe torbën çka e ka ble, e ka lonë me dy fëmijë. Iu ka thonë, “Rrini qetu se mundeni m’u hupë në kallabllak”. Prej qasaj, si magacinë e gatë, aty veç djathë shitet, ka dalë knej ku shiten perime, e ka kërsitë bomba. O konë në nji torbë të zezë. Kallxojke gruja, tu ikë, gishtat e njerëzve kanë metë nëpër tela. Bomba o konë e fortë. Elizabetën n’tokë e ka lonë, e Elvirën e ka rrokë komëve, mishin ia ka shkulë krejt prej komëve. Elizabetën, kur o rrxu, këta që kanë ikë normal që e kanë shkelë. Mu s’më ka thonë kërrkush, po logjika vetë të kallxon. Ajo o vdekë për kiamet, ama çka me bo. Krejt kismeti qashtu ish konë.

            O ardhë helikopteri, urshtria, i kanë marrë të dyja, i kanë çu në spital në Prishtinë. Elizabeta ka ndërru jetë. Elvirën e kanë majtë aty nja tri ditë, ia kanë mjeku komët, e kanë kthy në Mitrovicë. Edhe shoqja o konë në spital qatëherë, o bo operacion, ia kishin gjetë do gurë. Qaty edhe nona edhe çikat. Ata dy fëmijët ma të vogjël i ka marrë nona jeme rahmetlikja, m’i ka majtë, se s’kish kush m’i kqyrë, masi unë këtu në burg.

            Elizabetën e kanë vorrosë këta të mahallës, Rruga e Fabrikës ku kena jetu. Qai populli jonë. Në Mitrovicë ka ndërru jetë, në Mitrovicë o vorrosë. Tash po thojnë në atë vend e kanë vnu njifarë pllake aty, nji gazetar m’u ka lajmëru.

            Unë jom shku masanej në Kosovë prej këtuhit, me krejt robët, dikun para nja 12-13 vjetve. Thashë me kqyrë ku m’u ka mbytë çika, po s’ka pasë atëherë asni shejë aty. Masanej e kanë qitë. Lypa vërtetim prej shqiptarëve, s’më ka dhanë kurrkush, as te shkijet s’më ka dhanë kush. Jom shku, jom kthy badihava.

            Unë jom prind. Kur e kanë qitë pllakën pa emnin e çikës, mirë s’m’u ka dokë. Me rrena s’bon. Evladi osht evlad. M’u ka dokë keq, se o mytë, e asnji shoqatë e Kosovës mos me mujtë m’u interesu, me m’vetë, “A ki nevojë për ndihmë diçka Rrahim?”. Qe e para herë që po vini ju, mas 21 vjetve, tu vetë për këtë çikë. Bash jom çuditë, se te gjenerata jeme nuk ekziston njeri i Kosovës që nuk m’njeh: Rroti, gitaristi i Mitrovicës. M’vijke keq qysh mos me më vetë. Unë sot me pasë fuqinë, e nxerri trupin, e bi kho te nana e te motra e vet. Me pasë mundësinë s’e kisha lonë atje.

            Nji herë jonë ardhë, po m’doket në 2004, me më folë për m’u kthy. O ardhë nji vajzë që m’ngjihke, kojshike e kom pasë. “Rrahim”, tha, “ti e ki vendin në Mitrovicë”. Thashë, “Nuk kthehna. Ti m’ngjeh, ma din jetën, nuk kthehna”. Shkoi ajo, jonë kthy tjerë. Thojshin, duhet m’i pasë dokumentat, çka di unë çka folshin. Thashë, “O vlla, leni qito rrena. S’mujna na mi pasë dy dokumente, edhe t’Kosovës edhe t’Serbisë”. Thojshin, “Rrahim ki me pasë punën në zyrë edhe besën e ki që ki me pasë djalin polic kur të rritet”. Thashë, “Jo, nuk kthehna”. Kom pasë lutje edhe plus 800 euro me pasë rrogën. Qeshtu m’kanë thanë, por s’kom dashtë. Meta këtu, po punoj si përkthyes prej gjuhës italiane qitash.

            Si çdo njeri prej neve që ka nonë, e din vetë, nuk du me folë unë çfarë dhimte ka pasë nona e Elizabetës për evlad t’vet. Gjithsecili që osht inteligjent, e din çfarë dhimte ka nona.  Gruja jeme vdiq në 2015-tën, në të shtatin muj. Bash ditën e Bajramit e kena vorrosë. Përniherë iu blloku fryma. E kena çu me makinë në spital. Dy ditë me aparate o konë, në të tretën na lajmëruen që ka ndërru jetë.

            E kom pasë shok. S’kom ditë me çu zo të tò hiç. Kom pasë gjuhë bashkëshortore me tò. Ajo, edhe kur ka bo fjalë me mu, dalsha jashtë nja 15-20 minuta. “Qe ku o muri, bon zhurmë me murin”, veç qet fjalë ia folsha. Dilsha, kur vijsha mrenda, ma qitke kafën, kërkojke falje. Kurrë dorë s’kam çu. Kom pasë me tò dashni, e kom çu mirë. O konë femën bukuroshe. I ka pasë sytë e gjelbërt.

            Besa për djalin që m’u ka mbytë në ‘98-tën me kerr, shumë ka vujtë për tò, se e ka dashtë shumë djalin e madh. Mbas tij mo ajo s’ka pasë hajr, ia nisi sëmundja, u mërzit, e veç tu pi duhan, se e ka rritë vetë. Djali 31-vjeçar m’u ka mytë, e ka lonë shoqën, katër fëmijë. Shoqja e tij o martu dikun në Amsterdam, në Holandë. I kanë marrë nipat, bile qitash mbesa ma e madhe, m’u ka martu.

            Tani ndodhi puna e Elizabetës, edhe e kish çikën tjetër smutë, Selvien, që kurrë nuk shkojke kurrkun pa tò. Kur shkojke, s’e lejke kurrë, s’u ndajshin hiç.

            Unë si babë s’muj ni çikë 38-vjeçare me qitë në banjo e me la. S’më takon, s’bon kush osht babë i mençëm. E pata lutë çikën ma t’voglën, Terezën. I thashë, “Baba s’mundet tash me la”. Tha, “S’ka problem”. E lajke edhe Jasmina. Unë ia shtisha teshat në kese, e dijke ajo, shkojke te motra, u lajke. Tani e ka marrë çika ma e vogla, e ka majtë nja pesë a gjashtë muej.

            Por ajo o konë sheqerashe e madhe, e unë s’e kom ditë si prind që e ka sheqerin. Sheqeri e ka mbytë. Ajo s’dijke me tregu, e 40 iu ka çu sheqeri, doktorët e kanë konstatu. I ka mëshu, në vend e ka lanë. Para pesë mujve, bile hala pesë s’i ka, ka vdekë.

            Vështirë për mu, se e shoh krevetin ku flejke, osht shprazët tash. S’kam gjumë natën, jom vetë me katër mure. Çka me bo? Kundër kohës s’mundesh me luftu. Kajherë çikat vijnë, “Qe babë dhjetë euro, qe babë njizet euro”. As ato për veti s’kanë. Sot për nesër, diqysh po kërpitna. S’jom njeri që harxhoj shumë. S’mërzitna unë hiç, mirë osht. Çka e ki t’shkrume, s’mundesh me i ikë. U bo puna që jom sëmu qitash prej komëve, e p’e kom pak ma vështirë me dalë me fitu dinar, se kur jom konë i shnoshë e kom nxerrë dinarin vetë.

            E kom nxonë do ujë n’komë, përniherë kanë nisë komët me m’u ajë, se unë e vaditsha nji xhami. Në sabah herët shkojsha e çelsha xhaminë, i vaditsha lulet, i qitsha ujë komëve. Ai uji i ftoftë kishe m’i flladitë komët, ai në eshna tu ma mëshu, e mora reumën. 28 killa ujë kom qitë prej trupit. Kur e qita atë ujë, u paralizova. S’mujsha katër muej me ecë hiç, rrisha vetëm në katër mure. Bash kur o bo ai izolacioni, por deshti Allahu, e kom pasë nji vëlla të fesë islame qaty. Kur kom pasë nevojë, veç e thirrsha në mesenxher, për nji sekond n’prehën m’kapke, për krejt çka ka pasë nevojë, për haje, për pije. Ka deshtë Zoti, sado kudo po çohna n’komët e mia, po eci kapak.

            Me konë me mujtë me ndreqë vorrin e çikës, kisha pasë qef. Edhe atje në Mitrovicë me ndreqë ish konë mirë. Aty e ka emrin Elizabeta Hasani. Në pjesën e shkijeve osht e vorrosne andej. Asht rruga që shkon kah Zveçani, në të majtë. Bile babën e kom aty, Ramadan Hasani. Ai e ka betonin aty. As dhetë metra s’i ka, shkon tenalt, janë vorret Nezir Hasani, Ramadan Hasani, dy vllazën. Te komët e tina osht djali jem, njò i vogël që o vdekë, edhe çika Elizabeta. Bash kom pasë qef me mujtë dikush me ia ndreqë atë vorr qysh duhet, se ajo beton sigurisht nuk ka. Me konë me ma kry dikush, e kisha falënderu.


Ky rrëfim është nxjerrë nga libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera: rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë’ dhe publikohet si seri dhe si pjesë të kornizës së aksioneve të koordinuara të shoqërisë civile në Kosovë, të organizuara për të shënuar Ditën Nndërkombëtare të Zzhdukjeve të Dhunshme – 30 gusht 2023. Libri është botuar në bashkëpunim ndërmjet  forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. Prishtinë, 2022