Nuk e kanë prekur kornizën, as nuk e kanë thyer qelqin. Ia kanë marrë vetëm fotografinë. As posterin me fytyrën e tij, që varet përballë fotografisë, nuk e kanë prekur. Korniza është ende në vend, edhe qelqi, të paprekura. Duket sikur fotografia u tret në ajër. Sa kohë ka që është zhdukur? Si nuk na ka rënë në sy? Dua të them, nuk është se varej në vendin më të dukshëm. Korridoret e kinemasë janë të gjata dhe të ngushta, të lyera me ngjyrë të kaltër të lehtë. Në këto mure varen postera të vjetër nga e kaluara. Postera të filmave nga një epokë tjetër. Një epokë që disa e kujtojnë me lavdi, të tjerë me dhimbje.
Kur i shikon këto korridore të ngushta për aq kohë sa i kam parë dhe unë, fillon të kuptosh se ekzistojnë vetëm për të të sjellë deri tek salla kryesore, ajo e madhja, ku shfaqen filmat. Ky ka qenë qëllimi i vetëm i këtyre korridoreve. Disi, nuk janë projektuar për të ekspozuar postera. Nuk janë projektuar që njerëzit të ulen atje dhe të bisedojnë për filmat. Duket sikur njerëzit thjesht do të kalonin nëpër ta për të arritur tek salla e madhe, të zhyten në një botë të ndryshme, në botën e dramës dhe aksionit, për t’iu rikthyer më pas jetës së përditshme. Bota brenda kinemasë ishte dera e tyre për tek idetë, besimet dhe konceptet e reja, të kuruara në mënyrë propagandistike, për t’iu përshtatur sistemit të besimeve politike të caktuara.
Kam dëgjuar rrëfime se si aktiviteti më i madh zhvillohej para se njerëzit të arrinin në këta korridore. Ata mblidheshin para një sporteli të vogël në përpjekje për të marrë biletat për tek ajo bota tjetër. Secili kishte teknikën e vet se si ta siguronte një biletë. Jo se nuk kishte mjaftueshëm bileta për të blerë, por vetëm sepse ata donin të arrinin tek ajo bota tjetër sa më parë të ishte e mundur. Pra, ata nuk mërziteshin për të ndenjur në radhë, por vetëm e kishin mendjen të gjenin një mënyrë që ta siguronin një biletë sa më parë të mundeshin. Disa, me shpirt prej ndërmarrësi, krijonin aleanca me punonjësit që shisnin bileta, blinin një tufë dhe i shisnin sërish me çmim më të lartë – ata quheshintapkaroshë. Çfarë emri i çuditshëm! Disa, më trupvegjël, kapërcenin mbi të tjerët, ndërsa më trupmëdhenjtë përdornin duart e stërmëdha për t’i kaluar anash njerëzve dhe për t’ia dalë mbanë disi t’i kalonin paratë nëpër sportelin e vogël. Madje disa kishin gjetur dhe mënyra alternative për t’u futur brenda pa paguar. Sapo hynin brenda atyre korridoreve të gjatë të ngushtë, ata ecnin drejt sallës kryesore dhe shikonin disa prej filmave, posterat e të cilëve ende varen në të njëjtët korridore. Ata vinin për të parë dokumentarë si “Josip Broz Tito” nga Kërsto Shkanata, posteri i të cilit varet sot përballë fotografisë së munguar të protagonistit tonë, Titos.
Kur erdhën në kinema së pari herë, fotografinë e tij e gjetëm të fshehur në mesin e shiritave të filmave në dhomën e projeksionit. Pas luftës në Kosovë, stafi i Kinemasë kishte vendosur ta largonte nga vendi i vet i ladvisë. Edhe ata e fajësonin Titon për atë që kishte ndodhur.
Josip Broz Tito njihej për dashurinë që kishte për filmin. Bashkë me gruan e tij Jovankën, ata shihnin nga një film çdo natë. Ai u përfshi edhe në produksionin e tyre, duke e kuptuar rëndësinë që kishte filmi në formësimin e kulturës. Nga rrëfimet që kam dëgjuar, mendoj se njerëzit në Pejë e kanë kuptuar që filmat me partizanë ishin ngritje në qiell e atyre që kishin fituar luftën, mirëpo unë mendoj se ata parapëlqenin filmat uestern amerikanë dhe filmat e Bollivudit, pasi zakonisht ata përmenden. Nga ana tjetër, Tito i dashuronte filmat uestern amerikanë.
Për shumicën prej nesh, më të rinjtë, që nuk e kemi jetuar atë kohë, ishte mahnitëse të shikoje imazhin e tij. Më kujtohet që kisha ndjenja të përziera. Ishte ndjesi rebelimi ta kishe fotografinë e tij për shkak të atyre që ishin në pushtet, por edhe të përjetimit të dhimbjes që Jugosllavia u kishte shkaktuar shumë pjesëtarëve të komunitetit dhe familjes sime dhe kjo jepte ndjesinë e gabimit. Gjatë 5 viteve që kemi qenë këtu, fotografia është vendosur në pozicione të ndryshme. Përballë tualetit, në zyrën kryesore, në depo. Madje njëherë është varur ndërmjet flamurit turk dhe flamurit të Kosovës, në anën e pasme të ndërtesës. Paramendoni çfarë ironie. Rishtazi, një nga kuratorët vendosi ta lërë bashkë me posterat e tjerë të kinemasë. Disi ta jepte përshtypjen që aty e kishte vendin. Kjo kinema u ndërtua gjatë asaj kohe. U ndërtua nga sindikata e punëtorëve. Madje edhe quhej Kinemaja e Punëtorëve – Kino Rad. Nuk kishte borgjezi në këtë kinema. Nuk kishte kolltukë apo karrige të sofistifkuara. E ndërtuar nga Jugosllavia Socialiste. Krahas zhvillimit të saj. A mos vallë ishte ndonjë nga ish-punëtorët që ka ndjerë nostalgji për lavdinë e asaj kohe? Apo ndoshta ishte ndonjë nga punëtorët aktualë, i mahnitur pas qëndrimit dhe paraqitjes së tij?
Së pari, duhet të gjejmë ‘përse’? Cili ishte motivi që e morën fotografinë e tij? A mos ishte dikush që ka parë lavdi në atë periudhë, apo dikush që ka ndjerë dhimbje? A varet në murin e dikujt, apo e kanë djegur tashmë? Në qytetin tonë, në Pejë, i kemi të dyja palët.
Ashtu si rrathët në trungun e një pemë që tregojnë moshën e pemës, edhe kinemaja jonë dhe filmat që shfaqeshin aty disi përfaqësojnë historinë e qytetit nga vitet ’50-të e tutje. Pas Luftës së Dytë Botërore, industria e filmit në Jugosllavi planifikohej si aktivitet i kontrolluar nga shteti, i shtytur nga motivet politike, edukative dhe kulturore socialiste. Kryesisht nën ndikimin e industrisë filmike sovjetike. Duke filluar nga mesi i viteve ’50-të, kjo qasje ndryshoi dhe nisën të shfaqen më shumë filma komercialë. Filma që vinin nga SHBA-të, kryesisht uestern amerikanë, filma të Bollivudit dhe çka jo. Një industri e decentralizuar e organizuar nëpërmjet ndërmarrjeve shoqërore që vepronin në vend si pasojë e krizës në marrëdhëniet sovjetiko-jugosllave nga fundi i viteve ’40-të. Kjo mundësoi një qasje më liberale në produksionin dhe shpërndarjen e filmave. Gjë që nënkuptonte se edhe marrëdhëniet e njerëzve me kinemanë po ndryshonin brenda këtyre strukturave.
Prandaj, kemi ata që e mbajnë mend atë kohë me lavdinë e vet dhe Titon si personifikimin e asaj kohe. Marshalli Tito, ai e bëri të mundur që njerëzit të dilnin dhe ta shëtisnin botën. Me 10% të pagave të tyre ata paguanin faturat komunale, me 50% mund ta kalonin verën në Spanjë. Njerëzit kishin gjithçka dhe gjithçka që kishin ishte më e mirë se më parë apo më pas. Ata nuk kishin politikanë të korruptuar, as super të pasur, disi të gjithë ishin të barabartë. Ose kështu mendonin. Sepse janë dhe ata që kanë humbur të dashurit e tyre për shkak të një ideologjie politike, që nuk kishin të drejtë të lexonin në gjuhën e nënës apo të studionin në gjuhën e tyre të parë. Ata nuk fitonin jetesë të mirë, as nuk udhëtonin në Spanjë. Ata kishin edhe mllefin për kohën që erdhi pas Titos, pasi disi e fajësonin Titon edhe për atë kohë. Ai fliste të njëjtën gjuhë si ata që nisën luftën. Pra, kush ishte? Kush e mori fotografinë?
Pyetja e dytë që kam është: si? Si e morën? A ndodhi gjatë ngjarjes së fundit që patëm, kur kishte me qindra njerëz që përkujtonin kohën e protestave masive studentore që po zhvilloheshin në vitet ’80-të, kur të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi shtypeshin? Pas vdekjes së Titos në maj 1980, tensionet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë u intensifikuan. Në vitin 1981, studentët shqiptarë nisën të organizojnë protesta për të kërkuar që Kosova të bëhej republikë brenda Jugosllavisë dhe jo provincë brenda Serbisë, ashtu si ishte bërë me miratimin e Kushtetutës së Jugosllavisë të vitit 1974. Protestat u intensifikuan në trazira të dhunshme të përhapura, ku morën pjesë mbi 20,000 vetë. Figura e Titos veçse kishte nisur të shpërbëhej.
Mirëpo është e vështirë të thuhet se ata e morën. Ata erdhën, ecën me shpejtësi nëpër këto korridore të gjata dhe të ngushta dhe pastaj dolën jashtë. Nuk qëndruan gjatë; thjesht ishin të fokusuar tek ajo që do të ndodhte në sallën kryesore. Për të përkujtuar angazhimin e tyre qytetar në të kaluar. Gjithashtu, fotografia e tij ishte në fund të korridorit, përballë tualetit. Dikush duhej ta dinte mirë se si të arrinte deri aty. Dhe korniza është e paprekur. Të paktën, ashtu duket. Pra, duhet të ketë qenë dikush që pati kohë sa deshi. E ka hequr me ngadalë dhe me kujdes e ka kthyer kornizën në vend.
Krejt ajo që di me siguri është se fotografia e Titos nuk është më. Duket sikur fotografia e tij ka kohë që mungon tani. Muri i kaltër është ende aty. Edhe korniza është ende aty. Ajo tani shfaq muret e kaltra të atij korridori të gjatë e të ngushtë, të të vetmes kinema në qytetin e Pejës në Kosovë.
Kinemaja e punëtorëve, e ndërtuar nga punëtorët dhe e shpëtuar nga njerëzit e vet.
*Kur artikulli u shkrua, muret e kinemasë ishin të kaltra. Ndërkohë, stafi vendosën t’i lyejnë me ngjyrë të kuqe. Ky veprim nuk ka aspak të bëjë me artikullin.
Vullnet Sanaja është aktivist kulturor dhe bashkëthemelues i një sërë organizatash dhe nismash, si Anibar, Rrjeti i Organizatave Kulturore të Pejës, Akademia e Animacionit në Pejë dhe Prishtinë, Peja Jazz dhe Festivali në Park. Z. Sanaja ka punuar për disa OJQ të përfshira në angazhimin qytetar, edukimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm nëpërmjet arteve, si ERA, Forumi Kulturor dhe CYCC. Që nga viti 2010, ai është Drejtori Ekzekutiv i Anibar-it, një organizatë me qendër në Pejë, Kosovë, që i përkushtohet thyerjes së apatisë qytetare nëpërmjet aktivizmit kulturor. Anibar është dhe organizatori i të vetmet festival të filmit të animuar në vend dhe menaxhon të vetmen kinema në Pejë. Organizata zhvillon programe edukative në Prishtinë dhe në Pejë.