Varësisht se kë e pyesni, dy dekada më parë ose ka patur luftë për lirinë, ose konflikt ndërmjet një shteti dhe një grupi guerilas në Kosovë. Kështu nisin të flasin për të kaluarën e tyre të përgjakur dy komunitete të ndryshme etnike, shqiptarët dhe serbët. Përgjatë vieteve, që të dyja palët janë përpjekur të zhvillojnë një gjuhë më neutrale kur i referohen kësaj periudhe. Sidomos pas luftës, media nga të dyja palët ka luajtur rol kyç në formësimin e narrativës për të kaluarën, edhe pse më shumë si një reflektim i njëanshëm i ngjarjeve të viteve 1998-99.
Deri më sot, një pjesë e madhe e medias serbe përdor term fyes për shqiptarët etnikë nga Kosova. Shqiptarët vendas në Serbi kanë bërë padi ndaj Ministrit të Brendshëm se ka përdorur gjuhë të urrejtjes në publik, por vetëm sa për t’u zhgënjyer nga vendimi i gjykatës që e ka lejuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Tabloidët serbë e përdorin me vetëdije këtë term për të tërhequr më shumë lexues dhe shikues.
Edhe shqiptarët e Kosovës e kanë një term fyes po aq lëndues për serbët që përdoret gjerësisht, por zakonisht jo në median kryesore. Mirëpo, kjo nuk ndodh për shkak se mediat janë të ndjeshme ndaj kësaj çështjeje, por për shkak të sanksioneve të ashpra nga Komisioni i Pavarur i Mediave, organi rregullativ i medias në Kosovë.
Teksa media serbe vazhdon ta portretizojë Kosovën si një vend të rrezikshëm, që i është marrë Serbisë me dhunë, media në gjuhën shqipe në raportimet e tyre kryesisht përdorin fjalën “serbët” kur flasin për krimet e luftës, pra duke mos e bërë dallimin ndërmjet fushatës së organizuar nga shteti në atë kohë dhe publikut të gjerë.
Media shqiptare në Kosovë përdori një foto të automjeteve të Ushtrisë së Kosovës duke lëvizur në autostradën e vendit, duke pretenduar se ishin nisur drejt Shqipërisë pas tërmetit vdekjeprurës. Ajo shërbeu për t’i nxitur ndjenjat kombëtare në mesin e popullsisë vendase. Nga ana tjetër, media serbe publikon foto të tankeve që nisen drejt kufirit me Kosovën sa herë që në Veriun e Kosovës ka tensione.
Përtej asaj që munden mediat të bëjnë, në epokën e teknologjisë moderne janë Qeveritë ato që nxisin lajmet e rreme në Kosovë, duke publikuar artikuj që e shtrembërojnë të kaluarën. Ato investojnë në platforma të ndryshme dhe shpeshherë udhëheqëin fushata online që në rastin më të mirë janë disinformata që kundërshtojnë faktet e vërtetuara mirë nga historia.
Në vitin 2004, së paku 19 persona nga të dy komunitetet u vranë gjatë protestave dy-ditore që pasuan raportimin joprofesional të transmetuesit publik të Kosovës rreth 3 fëmijëve shqiptarë etnikë të cilët u mbytën në Lumin Ibër në Veri të vendit, ku kryesisht banojnë serbë. Ai raportim i nxiti njerëzit të dilnin nëpër rrugë dhe të shkatërronin kishat ortodokse. Deri më sot, mbetet një temë që i ndan të dy palët gjatë raportimeve.
Tema e personave të pagjetur është e vetmja që realisht rezonon njësoj për të dyja palët. Për shumë vite, Komisione të posaçme kanë ndihmuar njëri-tjetrin për të gjetur trupat e zhdukur, mirëpo raportimi është kryesisht i njëanshëm. Përpjekjet e forumZFD që edhe viktimat serbe t’i rrëfenin tregimet e tyre u shmangën nga transmetuesi publik, RTK, por eventualisht media private krijoi hapësirë.
Shumica e gazetarëve shqiptarë të Kosovës më së shumti janë në të 30-tat dhe edhe pse nuk e kanë përjetuar vërtet shumicën e luftës, ende janë të lidhur fuqishëm me të kaluarën, për shkak të mënyrës se si janë rritur. E njëjta vlen edhe për gazetarët serbë dhe lidhjen e tyre të fuqishme me Serbinë. Mirëpo, të shpjeguarit dhe të kuptuarit e pikëpamjeve të njëri-tjetrit dhe vendosja e profesionalizmit para kombësisë mund të fillojë të ndryshojë qëndrimet.
Për më tepër, raportimi mediatik në Kosovë ende mbështetet fuqishëm tek përdorimi i tepruar i elitave politike si burime të informacionit. Pavarësisht armiqësive dhe ndasive të thella etnike, Gazetaria për Paqe dhe Parandalim të Konflikteve nuk janë ndër shtyllat e kurseve përkatëse të gazetarisë dhe komunikimit në Kosovë.
Remzije Shahini-Hoxhaj, profesoreshë pranë Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit publik të Prishtinës, thekson se për vende si Kosova, është me rëndësi që t’i përgatisë gazetarët e rinj për gazetari për paqe, drejtësi tranzicionale dhe ballafaqimin me të kaluarën.
“Në kuadër të kurseve Etika dhe Media dhe Media dhe Politika, unë po tentoj t’i përfshij këto elemente. Është e rëndësishme për shoqëritë pas konflikteve, sikurse Kosova, që të ballafaqohen me këto tema për t’i edukuar gazetarët e rinj si duhet”, thotë Shahini-Hoxhaj.
Mediat në Kosovë bëjnë përpjekje për të raportuar për të kaluarën pasi prej vitesh kanë ngecur ndërmjet narrativave etno-centriste dhe ndikimit politik, të shtytur për të ekspozuar krimet e Tjetrit, duke shpërfillur të vetat. Për më tepër, shtetndërtimi, kushtet e pasluftës dhe tensionet ndëretnike janë faktorë që i kontribuojnë mangësive në raportimin e së kaluarës.
Tregu mediatik në Kosovë nuk është tërësisht i rregulluar dhe e gjen veten në një situatë të ndasive të thella etnike dhe politike, ku çdo komunitet ka zhvilluar median “e vet”. Ashtu si në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, kur është fjala për kombësinë, vlerat kryesore të gazetarisë për paanshmëri gjatë portretizimit të viktimave dhe të kryesve jo gjithnjë përqafohen edhe nga media në Kosovë.
Nora Ahmetaj, hulumtuese për paqen dhe ballafaqimin me të kaluarën thotë se me pak përjashtime, narrativa e medias ka qenë konsistente me elitat politike. “Si rezultat, media në Kosovë jo gjithnjë i ka kuptuar dallimet, e as nuk nuk janë lodhur të nxisin diskutime dhe debate serioze për të kaluarën” thotë Ahmetaj.
Gjendja aktuale që ende bart plagët e shoqërisë së pasluftës drejton vëmendjen nga hulumtimet në të ardhmen që do të ndihmojnë të thellohet të kuptuarit nëse gazetaria për paqe mund të konsiderohet si mjet në fushën e zhvillimit të medias në Kosovë.
Abit Hoxha, i lindur në Kosovë, ligjërues dhe hulumtues i medias në Universitetin e Agder-it në Norvegji, thotë se trajnimet dhe gazetaria e vërtetë për paqe janë shumë të vështira për median në një shoqëri shumë të polarizuar si është Kosova. “Narrativat e konfliktit në Kosovë nuk prodhohen nga brenda dhe ajo çka media mund të bëjë është të ndërveprojë më shumë me palën tjetër. Jo për barazpeshë falso, por me qëllim që të sjellë perspektiva në reja në raportimin për konfliktin”.
Pak është bërë përgjatë viteve që gazetarët e Kosovës dhe të Serbisë të bisedojnë me njëri-tjetrin. Për më tepër, ajo çka nevojitet është një dialog i brendshëm ndërmjet gazetarëve vendas nga të dyja komunitetet në Kosovë. Përballja me njëri-tjetrin dhe bisedat për gjuhën lënduese ndaj komunitetit tjetër do të ishin një fillim i mbarë.
Serbeze Haxhiaj është gazetare hulumtuese dhe redaktore e lajmeve në Prishtinë, Kosovë, e cila e ka fokusin tek korrupsioni, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë, ekstremizmi fetar, terrorizmi dhe krimet e luftës. Aktualisht ajo është redatore pranë Radio Televizionit të Kosovës dhe gazetare e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).
Xhemajl Rexha është Kryesuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, organi që përfaqëson rreth 750 gazetarë nga të gjitha prejardhjet etnike në vend. Rexha tani është autor i programit “Prime Time” për temat e aktualitetit në Kanal 10 dhe që nga viti 2005 ka punuar në Kohavision (KTV), ku ishte autor i njërit prej programeve më të shikuar për temat e aktualitetit ‘Interaktiv’. Bashkë me AGK, Rexha është i angazhuar në mënyrë aktive në ngjarje për njohuri mediatike, përfshirë trajnime dhe raportime për të kaluarën dhe gazetarinë e ndjeshme.