E kaluara si e tashme, rinia si e ardhme

Padyshim, stereotipet dhe paragjykimet ende formësojnë sjelljet tona dhe vendimet që marrim. Ligjërimet e të “tjerëve” dhe kultura e aktiviteteve separatiste nuk janë në interes të të rinjve, të shtetit apo të agjentëve të tjerë që, për vite me radhë tashmë, kanë investuar në rrugën evropiane për Bosnje e Hercegovinën. Është barrë e konsiderueshme për dialog të shëndetshëm, për të vijuar me pajtimin, për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe për sundimin e ligjit që mbetet kërkesa parësore për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për fat të keq, revizionizmi historik në Ballkan nuk merret me kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë, por me fuqizimin e disa ideologjive politike që mohojnë vuajtjet e disa popujve kundrejt të tjerëve.

Në këtë artikull as nuk propozojmë ndonjë kornizë për ndonjë zgjidhje ideale, as ndonjë marifet magjik që do t’u jepte përgjigje të gjitha pyetjeve të mundshme që shumë prej jush me siguri i keni, disa prej të cilave janë: A do t’i përmbushim premtimet që ia kemi bërë BE-së dhe për rrjedhojë, të marrim statusin e kandidatit, apo do të mbetemi kryesuesit e detyrimeve të munguara? A është Bosnja e Hercegovina në rrugën drejt Evropës? Mirëpo, këto do t’ia përkujtojmë vetes se pajtimi dhe qasja profesionale ndaj dekonstruktimit të ligjërimeve të gabuara mbeten faktorë me rëndësi nëse duam që të jemi dëshmitare të modeleve pozitive të sjelljes që janë në interes të shoqërisë, të shtetit dhe të Bashkimit Evropian.

Edhe pse kalojmë vite të tëra duke argumentuar se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, shkaqet e konflikteve, kush ishin fitimtarët dhe humbësit në lëvizjet e madha gjeopolitike në Ballkan, diskutimet për jetën pas konfliktit në mënyrë cilësore lihen anash. Brezat para nesh, por edhe ata aktualë, sidomos të rinjtë e lindur gjatë apo pas luftërave në vitet 1990s-të kanë bërë paqe me faktin se një e kaluar me të cilën ata nuk kanë të bëjnë asgjë ende ua dikton jetën. Diskutimet se si të rinjtë i shohin jetët e tyre në komunitetet pas konfliktit, se çfarë nënkupton pajtimi për ta (dhe me kë dhe për çfarë duhet të pajtohen), dialogu me “të tjerët”, si edhe gjithçka tjetër që duhet të bëjmë si shoqëri në rrugën drejt integrimit evropian, janë lënë në plan të dytë. Kjo ndodh pasi këto pyetje nuk kanë përgjigje të thjeshta, pasi ne me vonesë e pranojmë se trashëgimia e konflikteve në vitet 1990-të ende është shumë e pranishme dhe ka vizatuar për ne dasi përgjatë linjave etnike, politike dhe fetare. Kjo nuk është e fshehtë. Linjat janë vizatuar në mënyrë që ata të cilët i kanë vizatuar ato të jenë të sigurtë që personat të cilët ngrenë pikëpyetje për këto linja të kthehen tek një e kaluar, pjesë e së cilës ata nuk janë. Kjo është kredi e trashëguar nga e kaluara, me norma interesi fikse dhe duket se ne po e paguajmë në emër të brezave të prindërve tanë, apo ndoshta edhe të prindërve të tyre. Kjo tërhiq e shty i dëmton proceset e pajtimit, integrimin evropian, zhvillimin e mëtejshëm të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, dialogun dhe punën tjetër që bëjnë aktivistët për rininë, zyrtarët e rinisë, aktivistët, organizatat lokale dhe rajonale për rininë, si dhe partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Bashkimi Evropian.

Ne shpesh përdorim frazën e mirënjohur se të rinjtë nuk janë vetëm potencial me rëndësi, por edhe pjesëmarrës të domosdoshëm në të gjitha bisedat për proceset e vendimmarrjes dhe integrimit evropian. Gjë që është absolutisht e vërtetë. Mirëpo, dhe kjo është me rëndësi të theksohet, thjesht pjesëmarrja simbolike e rinisë nuk është më opsion. I vetmi opsion është përfshirja kuptimplote me sugjerime dhe kritika si dhe gatishmëria për të ndërmarrë disa masa. Miratimi i Rezolutës 2250 për Rininë, Paqen dhe Sigurinë ka shenjuar një ndryshim historik në mënyrën se si duhet ta shohim dhe angazhojmë rininë. Ngjarjet e viteve të fundit kanë treguar se të rinjtë janë disa nga shtytësit më të fuqishëm të paqes dhe se ata kanë fuqi të konsiderueshme transformuese kur është fjala për ligjërimet, për rrjedhën e ndërtimit të paqes, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka folur prej disa kohësh për rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në të gjitha proceset dhe aktivitetet. Më së shpeshti, apo gjithnjë, të rinjve u mungon qasja në strukturat tradicionale të pushtetit dhe nuk janë në gjendje të kontribuojnë për ndryshimet, por nga ana tjetër, pushteti i tyre manifestohet në trendet, në të menduarit e shpejtë dhe në pranimin e gjërave që kanë qenë të paimagjinueshme për brezat para tyre. Gjendja aktuale në rajon, por edhe tjetërkund, ka treguar se duhet të ndodhin ndryshime të reja, si në krijimin e ligjërimeve dhe veprimeve politike nga disa palë, ashtu edhe në diskutimet për sfidat dypalëshe dhe shumëpalëshe me të cilat përballen vendet në Ballkanin Perëndimor. Nëse presim nga të rinjtë që të përfshihen në proceset e ndërtimit të paqes, është me rëndësi të padiskutueshme që t’i pyesim se çfarë mendojnë për ngjarjet nga e kaluara, meqë i bartin ato si peshë të rëndë, por edhe se çfarë mendojnë për të ardhmen. Po ashtu, nëse i shohim si nismëtarë të proceseve konstruktive në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon, atëherë ata duhet t’u besojnë atyre që janë në krye, që udhëheqin proceset me rëndësi në emrin e tyre. Po ashtu duhet t’i shohim në vendet ku merren vendimet. Kënaqshmëria e të rinjve është e pakënaqshme kur flasim për sistemet e menaxhimit dhe udhëzimet.[1] Në shumicën e rajoneve, të rinjtë u kanë dhënë vlerësim prej 3 pikësh apo më pak qeverive, parlamentëve, gjykatave dhe medias, në shkallën e vlerësimit nga 1 deri në 5[2]. Kjo tregon se besimi i të rinjve në qeveri dhe siguria se ata do të bëjnë të duhurën, është diku në nivelin mesatar dhe zero, që sigurisht i shkon kundër inkurajimit të të rinjve të marrin pjesë në proceset e udhëhequra nga autoritetet zyrtare. E gjitha kjo kthehet tek fakti se sa herë që bëhet ndonjë argumentim, duhet t’i kthehemi së kaluarës, ku e vërteta mjeko-ligjore ka pak ndikim. Marrja e vendimeve gjyqësore në rastet e krimeve të luftës është hap në drejtimin e duhur, por është e qartë se të gjitha proceset e ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimin janë të papërfunduar pa ekzekutimin e tyre. Mesatarisht, mendimet e të rinjve janë disi neutrale sa i përket vlerësimit të rëndësisë së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë sa i përket pajtimit dhe ballafaqimit me të kaluarën[3]. Shumë do ta quanin këtë të pasaktë, por është fakt që lë hapësirë për diskutime për brezat gjithnjë e më të rinj që, duke folur nga përvoja, janë gjithnjë e më shumë të lodhur nga fakti se linjat etnike përcaktojnë mundësinë ekonomike dhe shoqërore. Duke folur nga përvoja personale dhe nga puna me të rinjtë për të kaluarën dhe pajtimin, ekziston një nevojë shumë e qartë për të kuptuar integrimin evropian dhe reformat që duhen bërë në mënyrë që Bosnja e Hercegovina dhe vendet e tjera në rajon të mund të kapin ritmin, por kjo ende nuk është prioritet. Të rinjtë janë agjentët e ndryshimeve, personat të cilët përmes studimeve, takimeve me të tjerët dhe mobilitetit brenda në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon, do ta ndryshojnë rrjedhën drejt Bashkimit Evropian, drejt një sundimi më të mirë, një sistemi më të mirë dhe një cilësie më të mirë të jetës. Ata kanë vërtet nevojë të bëhen pjesë e bisedave rreth asaj se si do të jenë Bosnje e Hercegovina (dhe rajoni) nesër, në pesë apo 25 vjet. Përfshirja e tyre dhe mësimnxënia e tyre nga e kaluara (jo detyrimisht nga ballafaqimi me të) mbetet kërkesë kyçe për kohezion shoqëror dhe qëndrueshmëri të paqes në rajon. Është e sigurtë se, në kuadër të këtij procesi, ne duhet të flasim për gjërat e përmendura më sipër në këtë artikull: për paragjykimet rreth kombeve të tjerë dhe demistifikimit të ideologjive politike. Po aq sa ne, si brez i ri, jemi të dhënë pas udhëtimeve, mësimnxënies dhe takimeve me të tjerë, po ashtu mundemi të mendojmë për bashkëpunimin dhe ndryshimet progresive në mjedisin tonë. “Të ardhmet e përbashkëta” kanë analizuar ato lloje të kontakteve që të rinjtë kanë patur me persona nga etni të tjera dhe perceptimet e tyre për popuj të ndryshëm të Ballkanit Perëndimor.

Analiza ka treguar dy kategori të rëndësishme të të rinjve. Njëra, ku shumë të rinj kanë deklaruar se kanë shokë të ngushtë nga grupe etnike të tjera nga ai të cili i përkasin, u besojnë më shumë njerëzve nga kombet e tjera në rajon dhe pajtohen se kombet në rajon janë më të ngjashëm se sa të ndryshëm. Tjetra, ku të rinjtë kanë pretenduar se kanë disa të njohur nga grupet e tjera etnike, por jo shokë, të cilët kanë shprehur nivel më të ulët të pajtimit me të tjerët dhe nivel më të ulët të besimit tek kombet e tjera në rajon dhe kështu, nuk besojnë se popujt nga rajoni kanë mjaft të përbashkëta. Përjashtim bën Bosnje e Hercegovina, ku të rinjtë që kanë të njohur kanë parë ngjashmëri ndërmjet grupeve të ndryshme. Kjo mund t’i atribuohet kontekstit specifik të Bosnje e Hercegovinës dhe kombeve që gjithnjë kanë jetuar në këtë zonë, por edhe sot, pavarësisht të gjitha retorikave të politikave njkombëshe, këto mendime të të rinjve në Bosnje e Hercegovinë dëshmojnë optimizmin se ata po përpiqen të gjejnë rrugën e përbashkët në mënyrë që ne, si shoqëri, të ecim përpara. Gjendja aktuale shoqërore dhe politike i kontribuon diskutimeve të mëdha rreth identiteteve individuale dhe kolektive, si dhe përgjegjësive individuale dhe kolektive për krimet e kryera në luftën e fundit. Në të gjithë këtë situatë, shumë shpesh të rinjtë përdoren si mish për top dhe të gjitha investimet në programe të shkëmbimit, mobilitet, fuqizim të rinisë dhe mësimit për qasjet kontruktive ndaj ballafaqimit me të kaluarën kritikohen nga ata që nuk besojnë se paqja në Ballkan është e qëndrueshme.

Së fundmi, nuk ka asnjë hulumtim të vetëm që të ofrojë zgjidhjen absolute kur ka kaq shumë faktorë të ndryshëm në lojë, mirëpo ofrojnë një lloj të filtrit të kontrollit të realitetit.

Kontrolli i realitetit: Çështjet rreth së kaluarës në Ballkan, rreth luftërave dhe përpjekjeve për ndërtimin e paqes nuk janë punë me orar nëntë me pesë. Ajnshtajni ka patur të drejtë kur ka thënë se është më e lehtë të thyesh një atom se sa një paragjykim. Mësimet e nxjerra janë se duhet të vazhdojmë të shkatërrojmë paragjykimet, sepse ato nuk çojnë drejt pajtimit dhe ne duhet të punojmë edhe me veten dhe komunitetet tona parësore, nga ku fillon gjithçka dhe ku mund të mësojmë më shumë për të tjerët, pra nga familjet tona. Së fundmi, bëhet e pakuptimtë të themi se të rinjtë duhet të jenë pjesë e këtyre proceseve, sepse ata janë të ngarkuar nga e kaluara dhe nga paragjykimet që nuk i kanë krijuar, por thjesht i kanë trashëguar.

Pajtimi në Ballkanin Perëndimor duhet të vijë nëpërmjet drejtësisë, prandaj dhe qeveritë duhet të bëjnë përpjekje shtesë dhe ta diskutojnë të ardhmen në partneritet me të rinjtë. Sepse të flasësh për pajtimin, faljen, kujtimet dhe të drejtat e njeriut në Ballkan nuk është të flasësh për të kaluarën, por për të tashmen. Duke u ballafaquar me të kaluarën, është e mundur t’i afrohemi së vërtetës, por jo vetëm nëpërmjet ndjekjes penale, gjykimeve dhe vendimeve. Të ballafaqohesh me të kaluarën do të thotë të ballafaqohesh me veten dhe me besimet e tua. Që detyrimisht do të thotë të ballafaqohesh me të tashmen.

Pa asnjë dyshim: të rinjtë dëshirojnë të udhëtojnë, të mësojnë, të takojnë të tjerë, të fitojnë shkathtësi të reja, të punësohen dhe të jetojnë nga frytet e punës së tyre. Ata duan t’i planifikojnë hapat e radhës apo së paku të kenë mundësinë që t’i planifikojnë, t’i përkasin një strukture që do të bënte gjithçka për të mbrojtur interesat e tyre dhe t’u ofrojë një vend në bisedimet lidhur me çështje të rëndësisë shoqërore, që është realiteti evropian dhe e ardhmja për ata që i bashkohen BE-së.

Berina Bukva Alibashiq ka diplomë universitare në juridik dhe aktualisht po punon në temën e masterit në të Drejtën Ndërkombëtare Penale, Universiteti i Sarajevës. Puna e saj e mëparshme është fokusuar tek fuqizimi i të rinjve dhe edukimi i të rinjve si dhe tek avokimi për parandalimin dhe dhënien fund të dhunës kundër grave dhe vajzave. Ajo është trajnere e certifikuar për rininë në fushën e të Drejtave të Njeriut, Demokracisë dhe Barazisë Gjinore. Nga viti 2009, ajo ka qenë aktive në sektorin e OJQ-ve. Ajo ka punuar për disa vite pranë Institutit për Zhvillimin e Rinisë KULT si Zyrtare për Projekte dhe është përfshirë në nisma të ndryshme për fuqizimin e rinisë, punën me të rinjtë dhe dialogun me institucionet qeveritare dhe në çështje gjinore. Bukva Alibashiq ka punuar për Këshillin Britanik të Bosnje e Hercegovinës në programet e artit, edukimit dhe shoqërisë. Ajo ka punuar si koordinatore e Qendrës Burimore TACSO VESTA, ku ka menaxhuar aktivitete të projekteve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Prej 4 vitesh është Udhëheqëse e Degës së Zyrës Lokale të RYCO-s në Bosnje e Hercegovinë ku i kontribuon diskutimeve dhe aktiviteteve lidhur me dialogun ndërkulturor, pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal në nivel programatik. Fushat e saj të interesit janë media sociale dhe komunikimi. Ajo është rrëfimtare dhe i pëlqen të shkruajë për rrëfime të jetës së zakonshme. Ajo beson në fuqinë e bashkimit, Bashkimin Evropian, dijeninë dhe punën e përkushtuar.


[1] Studimi “Të ardhmet e përbashkëta: perceptimet e të rinjve për paqen në Ballkanin Perëndimor” u zhvillua nga UNDP së bashku me UNFPA dhe Zyrën Rajonale përë Bashkëpunimin e të Rinjve (RYCO) nëpërmjet një procesi hulumtues pjesëmarrës që përfshiu të rinjtë, rreth 4500 të rinj e të reja në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë*, Mal të zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

[2] 1 është pakënaqshmëria e plotë dhe 5 kënaqshmëri e plotë

[3]Studimi: “Të ardhmet e përbashkëta: perceptimet e të rinjve për paqen në Ballkanin Perëndimor”