Transparenca e institucioneve në Manastir po përmirësohet. Disa, madje, kanë zëdhënës që mbajnë konferenca për shtyp dhe shumica e autoriteteve u përgjigjen tani telefonatave nga gazetarët. Megjithatë, gazetarët lokalë ende mundohen që ta marrin shpejt informacionin që u nevojitet. Duke qenë se jetojmë në kohën e medias elektronike, gazetarët duhet të jenë në gjendje që informacionin ta marrin shpejt dhe, më e rëndësishmja, përgjigjet zyrtare ndaj pyetjeve të mediave duhet të jenë të plota. Në këtë drejtim, institucionet dhe gazetarët kanë ende shumë punë për të bërë.
Ky është mendimi i shumicës së gazetarëve nga Manastiri, një qytezë në jug të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që konsiderohet një nga bastionet e rëndësishme të gazetarisë në vend. Pavarësisht kohërave të vështira për median në këtë vend, në Manastir ende veprojnë një stacion televiziv, një radiostacion, pesë gazeta, tre portale online dhe shtatë korrespondentë individualë . Në të kaluarën, Manastiri ka patur më shumë se 250 punonjës në media dhe aktualisht ka rreth pesëdhjetë.
Gazetarët nuk janë mjet që u shërben agjendave të qeverisë
“Për ne, është me rëndësi që t’i bëjmë autoritetet institucionale, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, të kuptojnë se gazetarët nuk duhet të përdoren si mjete për të arritur qëllime politike apo për manipulim”. Gazetarët “duhet të jenë të hapur, transparentë dhe llogaridhënës”, thotë Aneta Blazhevska, e cila punon si gazetare prej 22 vitesh.
Pesë gazetarë me përvojë nga Manastiri, secili prej tyre me përvojë pune mbi dy dhjetëvjeçarë në gazetari, kanë shpalosur gjatë intervistave të bëra për këtë artikull se ata perceptojnë se institucionet qeveritare të udhëhequra nga partia SDSM (në tre vitet e fundit) janë më transparente se ato që kanë funksionuar nën qeverisjen e partisë VMRO-DPMNE (2006-2016). Por ende ka shumë punë për t’u bërë.
“Nuk e di nëse ka patur shembuj të tjerë të kësaj gjatë shekullit 21 në komunën tonë apo në zonat rrotull, por nën qeverisjen e kaluar lokale në Manastir, kur kryetar i komunës ishte Vladimir Taleski, mua nuk më kanë ftuar në asnjë konferencë për shtyp në komunë, apo në ndonjë prej aktiviteteve të tij. Ma merr mendja se kjo ka ndodhur ngaqë më parë i pata bërë Kryetarit pyetje të vështira, të cilat ai menjëherë i hodhi poshtë dhe ngaqë pastaj bëra pyetje për sjelljen e tij, ai u përgjigj me zor”, thotë Emilia Misirlievska, gazetare dhe korrespondente për TV Telma.
Përvoja e Blazhevskës me qeverinë lokale të mëparshme është e ngjashme. “Më përjashtuan nga të gjitha ngjarjet e komunës për më shumë se tre vjet, për shkak të qasjes time objektive dhe kritike ndaj çështjeve dhe ngjarjeve”, thotë ajo. Lidhur me qeverisjen aktuale, ajo shton se pavarësisht se ka komunikuar me disa zëdhënës, ndonjëherë nuk merr përgjigje për pyetjet e saj për javë ose muaj të tërë. “Ata nuk përgjigjen, sepse nuk u shkon për shtat”, shton ajo. Stevçe Mitrevski, korrespondent prej shumë kohësh për MTV, e konsideron ndërmarrjen publike “Niskogradba” (inxhinieri ndërtimi) nga qeverisja e mëparshme si shembullin klasik të mungesës së transparencës. Autoritetet përgjegjëse të kësaj ndërmarrjeje publike u shmangen përgjigjeve për punën e tyre, edhe pse financohen nga taksapaguesit. Martin Nikolovski nga Manastiri, student i gazetarisë në Ankara, Turqi, që ka punuar për disa media në Maqedoninë e Veriut, ka kërkuar informacion publik prej Agjencisë së Shërbimeve Audio dhe Audiovizuale disa vite më parë dhe ende nuk ka marrë përgjigje. Këtë vit, ai mori përgjigje për kërkesën e tij për informacion pas dy ditësh.
TV “Tera” ka marrë përgjigje nga të gjitha institucionet qeverisëse aktuale që kanë kontaktuar. Mirëpo, Stevo Bashurovski, redaktor dhe gazetar me përvojë, thotë se a janë përgjigjet gjithëpërfshirëse apo jo, kjo është çështje tjetër.
“Qeverisja aktuale po përpiqet ta përmirësojë transparencën. Çështja që mbetet është se deri në ç’shkallë do të përdoret informacioni i pranuar kur media kryesisht merret me sasinë e arrave që ka ngrënë diskush në kurriz të shtetit, duke i shndërruar këto histori në telenovela. Aftësia e medias për të marrë përgjigje po përmirësohet, por përshtypjet e publikut janë se media përqendrohet tek ekspozimi i marifeteve të vogla politike dhe jo tek raportimi substancial”, thotë Bashurovski.
Të gjitha qeveritë reagojnë në mënyrë të njëjtë ndaj pyetjeve të vështira – me ngathtësi
Pavarësisht se nga cila parti politike vijnë, politikanët kanë prirjen të reagojnë njësoj ndaj pyetjeve të vështira – me ngathtësi. Disa janë më të përmbajtur, ndërsa disa të tjerë më shpërthyes. Blazhevska thotë se “ata ose zemërohen, ose përgjigjen me arrogancë”. Misirlievska thotë se të gjithë zyrtarët i marrin personalisht pyetjet e vështira dhe Mitrevski gjen se “nëse nuk reagojnë menjëherë, ata sigurohen pas përfundimit të ngjarjes se në cilën media punon gazetari”, ndërsa Bashurovski thotë se “nëse diçka nuk shkon në favorin e tyre, ata përpiqen ta çojnë ujin në mullirin e tyre (ta kthejnë situatën në favorin e vet)”. Nikolovski, që ka pikëpamje disi më ndryshe për këtë situatë, thotë se vërtet gazetarët mund të jenë të tmerrshëm për bartësit e funksioneve publike; megjithatë, ndryshe nga e kaluara kur gazetarët degradoheshin publikisht pse bënin pyetje të vështira, sot zyrtarët kanë prirjen që t’u japin përgjigje pyetjeve nga media.
Për gazetarët nga Manastiri është gjithnjë e më e vështirë të marrin informacion nga institucionet publike në Shkup sesa është për kolegët e tyre që punojnë në kryeqytet. Në Manastir veprojnë mbi tridhjetë institucione publike, disa janë komunale dhe disa janë nën përgjegjësinë e ministrive. Vetëm gjashtë prej tyre kanë zëdhënës. Proceset e decentralizimit janë vënë në zbatim prej vitesh, por institucionet publike janë ende të centralizuara. Kur gazetarët kërkojnë informacion, ata drejtohen tek institucionet qendrore në Shkup. Nga 16 ministri, vetëm Agjencia Maqedonase për Informacion (AMI) ka të publikuara në uebfaqen e vet emrat dhe informatat kontaktuese për (17) zëdhënësit. Në shumicën e ministrive, Departamentet për Marrëdhënie Publike kanë emëruar persona që nuk janë zëdhënës të plotësojnë rolin e zyrtarit për informim. Ata publikojnë numrat e telefonave fiksë dhe adresat e emailave, por sot, rrallëkush përgjigjet në telefon fiks, gjë që e vështirëson komunikimin.
Nga tridhjetë institucione në Manastir, vetëm gjashtë kanë zëdhënës
Komunikimi është i lehtë me Komunën e Manastirit, Kombinatin e Minierave dhe Energjisë, Sektorin e Brendshëm, Universitetin “St. Kliment Ohridski”, Spitalin Klinik “Dr. Trifun Panovski” dhe Qendrën e Kulturës, pasi këto institucione në Manastir kanë zëdhënës. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve thanë gjatë intervistave me ta dhe përkushtimi i tyre kryesor është të mos heshtin të vërtetën.
“E vërteta është e vetmja mënyrë për t’u përballur me realitetin. Unë kurrë nuk e fsheh informacionin”, thotë Metodija Kunovski. Ai është zëdhënësi për Kombinatin e Minierave dhe Energjisë “Bitola”, kur për shumë vite, ndryshe nga tani, komunikimi ka qenë shumë i centralizuar. Zëdhënësja për Komunën e Manastirit, Emilia Sarafska, thotë se nuk ka shmangie nga pyetjet e vështira. “Të ndash disa informata mund të mos jetë gjithnjë në interesin e institucionit. Megjithatë, transparenca dhe vërtetësia… janë më të mira se gënjeshtra”, thotë Sarafska.
Zëdhënësit kanë orar pune të caktuar, por gazetarët punojnë gjatë të gjithë kohës, ndaj ata përpiqen që përgjigjet t’ua kthejnë sa më parë që është e mundur.
“Ministria e Brendshme (MB) dërgon gjithnjë përgjigje, pavarësisht se si janë bërë pyetjet, me telefon, e-mail, Facebook apo Viber. [MB përgjigjet] menjëherë, në të njëjtën ditë, në kohën më të shkurtër të mundshme, nëse kërkesa nuk bën fjalë për të dhëna statistikore, që nuk mund të jepen menjëherë. Sidoqoftë, ne përpiqemi t’u përgjigjemi edhe atyre kërkesave brenda disa orësh apo një ditë më pas, më së voni”, thotë Sanja Stamatova, zëdhënësja e MB-së.
Zëdhënësit thonë se ka shumë informacione të gabuara dhe manipulime këto ditë. Kunovski shpjegon se interesi i publikut në Kombinatin e Minierave dhe Energjisë “Bitola” ka qenë gjithnjë i lartë, por se interesat e ndryshme apo të ndryshueshme politike nuk munden dhe nuk duhet të diktojnë narrativat e medias. Sarafska thotë se ka patur raste kur gazetarët kanë kërkuar shpjegime ose interpretime dhe më pas e kanë cituar jashtë kontekstit (ndonjëherë si titull artikulli që aludonte për çështje tjetër). Në disa raste, ajo u ka thënë gazetarëve nga Shkupi se Kryetari i Komunës së Manastirit nuk mund t’i priste brenda 48 orëve; e megjithatë, ata e kanë kritikuar Kryetarin publikisht që nuk kishte gjetur kohë t’i takonte.
Gazetarët dhe zëdhënësit e pranojnë se kanë një qëllim të përbashkët – ndarjen e informacionit të saktë dhe të verifikuar me publikun. Për këtë arsye, ata bashkëpunojnë mbi baza profesionale. Sidoqoftë, në disa raste, ata kalojnë edhe kohë të lirë bashkë dhe shoqërohen. Sipas zëdhënësve, secili prej tyre e ka nisur punën si gazetar dhe e dinë se sa të vështirë e kanë gazetarët të fitojnë jetesën.
Zhaneta Zdravkovska, nga Manastiri, ka punuar për njëzet vjet në gazetari. Ajo e ka nisur karrierën si reportere për stacionet televizive lokale “Orbis” dhe “Medi” dhe nga ajo kohë ka punuar si korrespondente për gazetat kombëtare “Dnevnik”, “Vest” dhe “Utrinski Vesnik” dhe për radion “Evropa e Lirë”. Aktualisht ajo punon si gazetare për portalin lokal Apla.mk dhe si kontributore për portalin kombëtar Sakamdakazham.mk. Ajo është koordinatore e Shoqatës së Gazetarëve në Manastir dhe Prilep dhe fituese e disa çmimeve të gazetarisë.