Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë (TPNJ) do të mbyllë dyert pas 24 vjetësh, duke lënë pas një trashëgimi me të cilën vendet në rajon do ta kenë të vështirë të përballen.
Tribunali ishte gjykata e parë ndërkombëtare pas Nurenbergut dhe Tokios që u mor me krimet e luftës. Gjatë më shumë se dy dekadave të punës së vet, 161 persona u përballën me aktakuza. Këta persona përfshinin presidentë të vendeve, kryeministra, oficerë të rangjeve të larta ushtarake dhe policore. Ata të gjithë u përballën me aktakuza ose u arrestuan (disa pasi i kishin ikur drejtësisë për pothuajse dy dekada) ose u dorëzuan vullnetarisht, ose vdiqën para apo gjatë mbajtjes nën arrest.
Nga këta 161 të akuzuar, 90 u ndoqën penalisht dhe u shpallën fajtorë. Nëntëmbëdhjetë u shfajësuan. Në mesin e atyre që u gjykuan ishte dhe një grua, situatë kjo që nuk ndodh shpesh para gjykatave që gjykojnë krime lufte.
Në këto 24 vite, Tribunali dëgjoi dëshmitë e 4,650 personave që folën për krimet e kryera nga perspektiva e viktimave, kryesëve apo dëshmitarëve. Tribunali ka lënë pas më shumë se 2.5 milionë faqe të transkriptuara. Për fat të keq, nuk është e lehtë që të hulumtohen në databazën online, por janë arkiv i vlefshëm.
Këto transkripte, si shumë gjëra të tjera në Tribunal, janë bërë në mënyrë të çuditshme. Dëshmitarët që erdhën nga ish-Jugosllavia folën në gjuhën e nënës dhe pastaj këto dëshmi u përkthyen dhe transkriptet u bënë në bazë të përkthimeve dhe pastaj u përkthyen në gjuhët e personave që kishin jetuar në ish-Jugosllavi. Një proces absurd që flet shumë për vetë Tribunalin.
Ka edhe shumë artefakte të tjera ende të fshehura në kutitë e arkivit të paimagjinueshëm të Tribunalit dhe që do të mbesin aty. Aktualisht, këto artefakte nuk i janë vënë askujt në dispozicion, as hulumtuesve dhe është ende e paqartë se si do të trajtohen në të ardhmen.
Me siguri nuk do ta dimë kurrë sa artefakte janë shkatërruar. Edhe në rast se kjo mësohet, nuk do ta dimë kush ka qenë përgjegjës për shkatërrimin e tyre. Ashtu si ndodhi me rastin e më shumë se 1,000 artefakteve nga Srebrenica, të cilat u shkatërruan pasi u magazinuan me vite të tëra në kushte të papërshtatshme. Këto artefakte janë thesar i vërtetë për anëtarët e familjes, por u shkatërruan si rezultat i neglizhencës së punonjësve të Tribunalit. Kemi mësuar tashmë se vetëm OKB-ja dhe punonjësit e tyre janë të paprekshëm dhe se nuk ka gjykatë që i gjykon ata.
Në shumë raste, Tribunali ka nxjerrë aktgjykime që u bënë precedentë në të drejtën ndërkombëtare. Ndoshta një nga më të rëndësishmit ka të bëjë me aktgjykimin sipas të cilit përdhunimi dhe abuzimi seksual që lidhen me luftën janë pranuar si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa dëshmitë dhe dënimet e dhëna i inkurajojnë të mbijetuarat të flasin edhe për këtë krim, jo vetëm në rajon, por në të gjithë botën.
Nga ana tjetër, Tribunali nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për të ndjekur penalisht personat përgjegjës për propagandën që ka ushqyer luftën. Pra, ata që nxitën luftën dhe ndikuan në krijimin e gjuhës së urrejtjes, persona që janë ende gjallë, nuk janë dënuar. Mirëpo shumë aktgjykime përmendin rolin e medias dhe të atyre që krijuan propagandën, që është pjesë e trashëgimisë dhe është në dorën tonë të gjejmë se si ta përdorim.
Në një intervistë këtë vit, Kryetari i Tribunalit, Karmel (Carmel) Agius ka thënë se TPNJ po lë pas edhe një koleksion të madh të faktve të vërtetuara. “Po ju japim të vërtetën për atë që ka ndodhur. Nuk po ju ofrojmë pajtim, sepse nuk është ky mandati i këtij Tribunali”, ka thënë ai.
Mandati i Tribunalit nuk ka qenë kurrë pajtimi, nuk mund të kishte qenë pajtimi. Mirëpo në shumë raste, Tribunali nuk ka arritur të gjejë ndonjë mënyrë për të ndërprerë manipulimin e fakteve të vërtetuara apo së paku të dënonte publikisht këto përpjekje dhe të ofronte një interpretim të saktë. Nuk ka patur kufizime për ta bërë këtë, por nuk ka patur as vullnetin apo interesin.
Politikanët e rajonit, lakejtë e tyre në media, OJQ-të, madje edhe në komunitetin akademik, e kanë shfrytëzuar mungesën e interesimit për të interpretuar faktet e vërtetuara ashtu si iu është përshtatur. Duke përdorur shpesh të njëjtën retorikë ashtu si menjëherë para apo gjatë luftës, ata e kanë mbajtur gjallë gjuhën e urrejtjes. Prandaj, kemi mësuar se ata që interpretojnë faktet e vërtetuara janë ata që përcaktojnë drejtimin e të gjithë procesit të ballafaqimit me të kaluarën dhe procesin e pajtimit potencial. Ky fakt është tmerrues, kur kemi parasysh se personat në pushtet janë ose të njëjtët persona që ishin të përfshirë aktivisht në luftë, ose persona të afërt me ta, p.sh. persona që ende mbështesin ide të njëjta. Çka është më e keqja, ata i interpretojnë faktet në bazë të interesave të tyre personale dhe jo të së mirës publike dhe vetë ideja e ballafaqimit të shëndetshëm me të kaluarën nuk sjell përfitim për ta, por ka mundësinë që t’i japë fund sundimit të tyre.
Megjithatë, nuk ka dyshim për faktin se trashëgimia nga Haga mund të jetë një sinjalizues i rëndësishëm në rrugën e ballafaqimit me të kaluarën. Në disa vende të rajonit, ky proces më së shumti është nisur nga OJQ-të ose grupet e qytetarëve, media përgjegjëse dhe artistët. Ka shumë shembuj të tillë në Bosnje dhe Hercegovinë, shumë prej tyre në Serbi dhe Kosovë, por dukshëm më pak në Kroaci, gjë që është e dukshme në bazë të reagimeve ndaj aktgjykimit në rastin e udhëheqësve të Herzeg-Bosnas.
Ndoshta Prijedori është shembulli më i mirë se si është e mundur që të arrihet progres në bazë të fakteve të vërtetuara në Hagë dhe të krijohet mjedis për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin e mundshëm. Në këtë qytezë, qytetarët nisën t’i diskutojnë vetë çështjet, pa ndonjë organizim formal dhe gjetën mënyra për të folur rreth gjërave që kanë ndodhur gjatë luftës. Kur është fjala për aktivitetet e tyre, ata kryesisht mbështeten në faktet e vërtetuara në Hagë. Atmosfera në këtë qytezë po ndryshon, ndoshta më ngadalë se sa do të dëshironin ata që janë përfshirë në proces, por ndryshimi është i dukshm.
Sektori i shoqërisë civile, media, institucionet arsimore, hulumtuesit, artistët etj., kanë detyrën të gjejnë mënyra se si të nxjerrin mësime nga trashëgimia e Tribunalit dhe t’i interpretojnë. Me përgjegjësi dhe me ndërgjegje. Dhe sa më larg politikanëve. Një tjetër mundësi është modeli nga Prijedori, ku qytetarët, të lodhur nga interpretimet dhe manipulimet e të tjerëve, nisën të krijojnë modelin e tyre për t’u ballafaquar me të kaluarën në bazë të fakteve të vërtetuara. Sigurisht, ekziston gjithnjë rreziku më i madh i manipulimit. Për këtë arsye, institucionet arsimore luajnë një rol të rëndësishëm që aktualisht është më shumë negativ, sepse vetë sistemi ekzistues arsimor është i mbështetur mbi manipulimin dhe mungesën e profesionalizmit dhe i helmuar nga politikat e vendit.
Vetëm një proces i ballafaqimit me të kaluarën që nuk përlyhet nga propaganda dhe manipulimi ka mundësinë të krijojë hapësirë për diskutime rreth pajtimit dhe ta bëjë të mundur të përkufizojë atë term brenda kornizën tonë shoqërore, sepse pajtimi nuk është i njëjti në të gjitha shoqëritë. Sipas avokuesve të modelit të drejtësisë tranzicionale, procesi i pajtimit është rezultat i një serie të mekanizmave që vihen në zbatim, ku përfshihen edhe konsultimet me median, sektorin e shoqërisë civile, por edhe me lëvizjet politike.
Sidoqoftë, koncepti i drejtësisë tranzicionale vetë është bërë i diskutueshëm prej kohësh, saqë është e nevojshme që vazhdimisht të kërkojmë për qasje dhe modele të reja. Thelbi qëndron në gjetjen e mënyrave për palët, që deri kohëve të fundit kanë qenë ndërluftuese, të fillojnë të diskutojnë për të kaluarën në atë mënyrë që nuk shkakton probleme të reja dhe nuk përfshin gjuhën e urrejtjes. Kërkimi për pajtim apo ballafaqim me të kaluarën është gjithnjë i dhimbshëm. Ai rihap plagët e vjetra dhe është dëshmuar shkencërisht se shkakton trauma psikologjike tek pjesëmarrësit. Mirëpo ka raste kur në fund arrin të përmirësojë marrëdhëniet brenda komunitetit.
Faktet tani janë në dispozicion dhe ajo që na pret është procesi i ndërtimit të një shoqërie të përgjegjshme që do të dijë si t’i interpretojë në atë mënyrë që t’i kontribuojnë shërimit kolektiv.