FILJANA KOKA: EMOCIONET MBETEN NË FUSHËN E KONFLIKTIT, NE NDJEKIM THIRRJEN E PROFESIONIT PËR RAPORTIM ETIK DHE PROFESIONAL

Gazetarët kanë një përgjegjësi të madhe shoqërore. Përveç raportimit, ata i kontribuojnë edhe “krijimit të paqes së përhershme”. Prandaj, çkado që ata ndjejnë në zonën e konfliktit, duhet ta “lënë” anash dhe t’i referohen ekskluzivisht thirrjes së profesionit për raportim etik dhe profesional, si gjatë konfliktit, ashtu edhe pasi ai të përfundojë. Kjo është posaçërisht me rëndësi nëse gazetari kthehet në mjedis ndëretnik, ku tani jetojnë qytetarët nga dy vende që dikur ishin në konflikt. Gazetarja Filjana Koka thotë se “kjo është shumë e vështirë”, por emocionet duhet të mbeten në fushën e konfliktit për hir të ndërtimit të urës së paqes përmes raportimit profesional dhe etik.

Filjana Koka është gazetare prej shumë kohësh, e cila punon për stacionin televiziv shtetëror MTV. Ajo është Zëvendëskryetare e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM). Ajo është gazetare me reputacion, e cila ka raportuar për konfliktin e armatosur në qytetin e Tetovës, që nisi në vitin 2001, kur grupi i armatosur shqiptar, Ushtria Çlirimtare e Kombit (UÇK) sulmoi forcat e sigurisë së Maqedonisë së Veriut, si dhe për konfliktet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut para atij.

Me çfarë emocionesh përballen gazetarët kur raportojnë nga zona e konfliktit?

Zonat e konflikteve janë në vetvete, stresuese për gazetarët. Të gjitha shqisat janë të tensionuara dhe reagimet emocionale varen nga gatishmëria e mëparshme për t’u përballur me situata të tilla, kryesisht nga përvoja që kanë patur dhe sigurisht, nga personaliteti i tyre. Kur shkoni në një zonë të tillë, jeni në terren të rrezikshëm, të panjohur, të huaj. Askush nuk të garanton asgjë atje. Pra, përballesh me rrezikun, madje edhe ndaj jetës. Pavarësisht a është zonë lufte apo ndonjë protestë e zakonshme paqësore, ndjenja është e njëjtë. Sigurisht, je më shumë në rrezik për jetën kur kërcasin armët. Mirëpo, gazetarët i ekspozohen presionit intensiv psiko-fizik nga njëra anë, që të shohin gjithçka, të hulumtojnë gjithçka dhe t’ia kalojnë audiencës informacionin e menjëhershëm dhe të saktë, por edhe të paanshëm, objektiv dhe profesional dhe nga ana tjetër, ta ruajnë kokën, edhe nëse duket vend i sigurtë gjatë raportimit. Po ashtu, emocionet e tyre ngarkohen nga ajo që shohin në terren, pavarësisht a janë të lënduar, të plagosur, apo – Zot mos e bë – të vrarë. Ose ata dëgjojnë aeroplanët, helikopterët, të shtënat e armëve të zjarrit dhe shpërthimet. Që të gjitha lënë gjurmë të përhershme në gjendjen psiqike dhe mendore të gazetarëve. Statistikat tregojnë shumë raste kur kolegët të cilët kanë raportuar nga zona të tilla, pas kthimit prej atje u është dashur të kalojnë nëpër trajtime afatgjata me psikologë, sociologë dhe profesionistë të tjerë për t’iu kthyer përditshmërisë dhe së paku në një gjendje solide psiko-fizike. Mirëpo ka edhe nga ata që nuk e kanë bërë dhe kanë mbetur përgjithnjë me shëndet të dobët. Për të tjerët, se cilat kanë qenë arsyet që nuk e kanë bërë, rrallëherë është dikush që dëshiron të flasë dhe ndoshta kjo është më e keqja.

Sa e vështirë është për një gazetar t’i lërë ato emocione në fushën e konfliktit dhe t’i rikthehet raportimit profesional në një mjedis ndëretnik, si Maqedonia e Veriut?

Është më e vështira. Por sa më shpejt që dikush e tejkalon dhe ngrihet mbi atë që i përket, qoftë ajo përkatësi fetare, etnike, etj., aq më shpejt do të tejkalohen ndjenjat negative dhe imazhi i brendshëm që gazetari ka pikturuar duke u identifikuar me ata me të cilët identifikohet dhe aq më shpejt do t’ia përkushtojë veten thirrjes së profesionit, për të raportuar në përputhje me normat etnike dhe standardet profesionale. Vetëm me qasje profesionale ndaj raportimit mund t’i kontribuojnë shërbimit jo të verbër ndaj komuniteteve etnike të cilave gazetarët u përkasin, por t’i kontribuojnë vetëm të vërtetës dhe së mirës publike, që nënkupton promovimin e proceseve demokratike, jo dorëzimin e teksteve të njëanshme apo paragjykuese. Gazetarët në asnjë rast nuk duhet të bien nën ndikimin e lidhjes emocionale që kanë me një komunitet në veçanti, por përkundrazi, duhet të jetë korrigjuesit e parë të tij nëse dëshirojnë progresin dhe kjo do të thotë të raportojnë për të gjitha dukuritë e dëmshme njësoj, pavarësisht se kush i përket kujt, sepse përkatësia është jorelevante për progresin e vërtetë demokratik të shoqërisë në tërësi.

Ju keni raportuar për situata të konfliktit të një natyre ndëretnike. Cili ka qenë bashkëpunimi ndërmjet gazetarëve nga të dyja palët dhe si ia keni dalë që nga ajo periudhë deri më sot të ndërtoni urën e gazetarisë së paqes?

Unë kam raportuar nga zonat e konfliktit në vendin tonë dhe mund të them se rikthimi i besimit ka qenë gjithnjë i vështirë. Ende mund të ndjehemi sikur jemi të varrosur në llogoret tona dhe ecim drejt llogores së dikujt tjetër, nëse mund të shprehem kështu. Ka shembuj të individëve që janë më guximtarë, por ky numër është ende i vogël nga sa duhet të jetë. Sigurisht, ura nuk mund të ndërtohet menjëherë, por besoj se edhe pse mund të mos jetë kompletuar, ajo i ka themelet, ka strukturën dhe thjesht duhet të avancohet. Brezi më i ri i gazetarëve duhet të motivohet dhe udhëzohet për t’i tejkaluar barrierat e mundshme ndërmjet tyre, për t’i larguar të gjitha përpjekjet e disa qendrave të caktuara të pushtetit për t’i shfrytëzuar pozicionet e tyre në mënyrë që ata të mos e arrijnë qëllimin e tyre, që duhet të jetë pikësynimi i vetëm për ta dhe ai është t’i bëjnë të dukshme të gjitha dukuritë e devijuara në shoqëri, si korrupsionin, krimin e organizuar dhe dukuritë e tjera që janë të pranishme kudo.

Raportimi i sensibilizuar në baza kombëtare

Në një shoqëri si ajo maqedonase, ku, pavarësisht bashkëekzistencën mbizotëruese ndërmjet njerëzve të kombësive të ndryshme është për fat të keq e lehtë të rriten tensionet, gazetarët janë palë interesi me rëndësi për të ndërtuar stabilitetin dhe paqen dhe si të tillë, ata luajnë rol kyç.

Mirëpo, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka disa media që i shfrytëzojnë kryetitujt për të theksuar kombësinë.

“Nxënësit shqiptarë dhe maqedonas u përfshinë në grindje”, thotë njëri shembull.

Koka thotë se këta shembuj janë të këqinj, pasi ata shkojnë kundër kodit të etikes së gazetarisë dhe të parimeve që parashtron kodi, që vlejnë për secilin profesionist.

Në gazetarinë e përditshme, kemi shembuj individualë ku media na informon me shembuj si, “Shqiptarët dhe maqedonasit u përfshinë në përleshje”, në vend se të raportojnë “të miturit, nxënësit ose personat”. Përse është i gabuar ky raportim, pra çka mund të shkaktojë?

Ky raportim është i gabuar, sepse është në kundërshtim me kodin e etikës së gazetarëve dhe të parimeve të parashtruara në kod, që vlejnë për secilin profesionist. Raportimi në kundërshtim me dispozitat e kodit mund të mos jetë në të mirë të publikut apo të së mirës publike, që në të njëjtën kohë është detyra e parë dhe themelore e gazetarëve. Etnia e pjesëmarrësve në përleshje, aktet kriminale, aktet e paligjshme etj., nuk duhet ta shfokusojnë publikun i cili merret me etninë e palëve të interesit dhe nuk do të merret me atë se sa të dëmshme janë ndodhitë e dhunës, urrejtjes etj., pavarësisht përkatësisë. Përkundrazi, kryesit e atyre akteve dhe motivet e tyre dhe kush dhe çfarë qëndron pas tyre duhet të udhëhiqen nga qëllimet e raportimit dhe jo nga përkatësia e tyre. Shfokusimi në kuptimin e nxitjes së jotolerancës ndëretnike për shembull, u sjell përfitime disa personave të caktuar të fuqishëm, disa bizneseve, politikës ose të tjerë, që të arrijnë qëllimet e tyre, ndaj gazetarët nuk duhet asnjëherë të jenë në shërbim të këtyre qëllimeve të tyre, por të publikut.

Çfarë këshille keni lidhur me këtë?

Gjatë kryerjes së profesionit të vet, gazetari duhet t’i përmbahet respektit për diversitet etnik, kulturor dhe fetar. Duke vepruar kështu, duke u përpjekur rreptësisht për të raportuar, për t’u përkujdesur për respektimin e të drejtave apo lirive të njeriut, është me rëndësi që edhe kur ëndërron, gazetari të mos flasë me gjuhën e urrejtjes. Është e papranueshme që gazetari të nxisë dhunë dhe diskriminim mbi çfarëdo baze (kombëtare, fetare, gjinore, sociale, gjuhësore, orientimi seksual, politike), diçka që qartazi parashtrohet në kod. Përse është me rëndësi që gjithnjë të respektohen standardet e pranuara në tërësi nga shoqëria? Thjesht, sepse interesi i publikut është prioriteti numër një për këtë profesion. Nëse gazetari i ndjek me zell, ai/ajo kurrë nuk do të stigmatizojë apo favorizojë një qytetar në dëm të një tjetri në vend, që nga ana e tyre gëzojnë të njëjtat të drejta dhe detyrime. Receta është e thjeshtë, raportimi bëhet në interes të publikut dhe jo në interes të individëve apo të grupeve të disa qendrave të caktuara të pushtetit.

Autore: Simona Srbinoska

Redaktor: Xhemajl Rexha

Ky shkrim është produkt i trajnimit rajonal për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD-së.