Photo Credit: Korab Krasniqi
Dardan Hoti
Një prej sfidave më të mëdha sot mbetet trajtimi i duhur i çështjeve të ndryshme që prekin thelbin e shoqërisë. Kur e kaluara mbyllet në sirtarin e historisë, e tashmja rëndohet dhe nuk ka vend për ndryshime. Shpeshherë, kjo ndodh si rrjedhojë e ndërhyrjes së politikës, të cilës i konvenon që historia të shkruhet sipas interesave të caktuara.
Në rastin e Kosovës, tema të tilla mbahen të heshtura si rezultat i mosngritjes së zërit, stigmës apo edhe mentalitetit. E kur duket se të gjitha rrugët janë mbyllur, është arti ai që mund të bëjë ndryshimin. Një gjë e tillë tashmë është dëshmuar gjithandej në botë, por edhe në Kosovë. Pasojat e luftës së fundit – e cila pas vetes la mijëra njerëz të vrarë, shtëpi të djegura e të shkatërruara, viktima të dhunës seksuale, një ekonomi tërësisht të shkatërruar – tash e gati dy dekada ende vërehen. Si formë e tejkalimit, ose ballafaqimit me një realitet që ka ndodhur, shpeshherë është përdorur arti.
Një shembull i mirë në këtë drejtim është instalacioni i artistes kosovare e cila jeton në Londër, Alketa Xhafa-Mripa. “Mendoj për ty” e realizuar në vitin 2015 në stadiumin e Prishtinës, ngriti një prej temave më të ndjeshme për shoqërinë kosovare të pasluftës. U dha zë atyre që për shumë vite qëndruan të heshtura: trajtoi temën e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë. Me mbledhjen e fustaneve nga vetë viktimat, të cilat për herë të parë nuk u paragjykuan për një “krim” që nuk e kanë bërë, por edhe të fustaneve që të tjerët i dhuruan në shenjë solidarizimi, bëri që mbarë bota të flas për to. Në këtë rast, jo vetëm shoqëria kosovare hapi sytë për një çështje shumë të ndjeshme, por zëri i këtyre grave u dëgjua edhe më tej.
Xhafa-Mripa është vetëm një prej artistëve e cila përmes platformës së saj artistike ka arritur të prekë tema të tilla, shumë të rëndësishme. Këngëtarja, arkitektja e njohur kosovare Eliza Hoxha, është një tjetër shembull në këtë mes. Rishtazi ajo prezantoi Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venecia me instalacionin “Qyteti është gjithandej”. Hoxha gërshetoi aspektin arkitektonik dhe artistik në Pavijonin e Kosovës, në prezantimin që solli në retrospektivë të kaluarën historike të vendit. Në thelb, ajo preku vitet ’90, kur në vend zhvillohej sistemi paralel i arsimimit.
Për të, platforma e shprehjes artistike (cilado qoftë ajo) është shumë e rëndësishme për të adresuar çështje të ndryshme shoqërore, qofshin ato nga e kaluara, tema tabu apo edhe problematika të tjera të theksuara në shoqëri.
“Shpeshherë në këtë kontekst, arti në mënyrë shumë të butë dhe të paimponuar hap debat apo edhe krijon një strehë të re për të kaluarën, për dhimbjen dhe për të pathënat e shumta që vijnë si pasojë e mentalitetit shoqëror. Sepse artistët në shumë raste prekin çështje për të cilat shoqëria shpesh nuk është gati për të folur dhe vepruar”, thotë Hoxha, e cila gjatë dy dekadave të fundit ka ngritur përmes artit të saj edhe çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, e po ashtu ka bërë edhe një projekt për gratë e dhunuara.
“Kur jemi te ky i fundit – procesi i projekti ka zgjatur dy vite – si hulumtim dhe si diskutim me akterët, në mënyrë që të kuptohet çështja në thelb dhe gjithmonë me shumë kujdes rreth ndjeshmërisë së madhe që ka tema. Dhe në kohen kur shoqata të shumta po punonin ndër vite me këto gra, por nuk po flisnin publikisht, ky projekt thyen heshtjen dhe hap derën për shumë ngjarje të reja publike në lidhje me këtë çështje”, thotë Hoxha. Sipas saj, arti shërben dhe në të njëjtën kohë ndihmon në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, duke e memorizuar kështu atë në një format më kreativ. Hoxha thotë se e kaluara është e rëndësishme për të reflektuar dhe për t’u çliruar nga shumë pikëpyetje individuale dhe kolektive. Efektet e saj mund të jenë të ndryshme.
“Ndonjëherë të thyej tabu, ndonjëherë të hap debat, ndonjëherë të shtyj një proces tutje, ndonjëherë të bëhem zëri i të margjinalizuarve, ndonjëherë të mobilizoj e të sensibilizoj, ndonjëherë të regjistroj e të memorizoj e të tjera”, thotë Hoxha, e cila vetëm një muaj më parë me një ekspozitë të saj u bë pjesë e një festivali i cili mbahet në Beograd, e që për qëllim kryesor ka ballafaqimin e dy popujve: shqiptar dhe serb, me të kaluarën. Përkundër faktit se janë trajtuar shumë tema sa i përket historisë së viteve ’90, është e qartë se ende ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim. Ndalimi i Hoxhës në kufi kur po udhëtontebashkë me ekipin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” dhe pas konfiskimit të disa prej fotografive të saj, është tregues i mirë i kësaj gjendjeje. Pak ditë më parë, pothuajse të njëjtin fat e pati edhe kritiku i artit dhe analisti Shkëlzen Maliqi, të cilit iu ndalua hyrja në Serbi. Ai ishte nisur atje për promovimin e një monografie që përmbledh 20 vjet të bashkëpunimit artistik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por që përqendrohet në ekspozitën e vitit 1997 “Përtej”, të cilën Maliqi e kishte hapur për herë të parë në Beograd bashkë me katër artistë kosovarë.
“Arti mund të përdoret dhe të shfrytëzohet si mjet, por atëherë është në rrezik të bëhet mjet i propagandës, t’i shërbejë ideologjive dhe politikave etj., duke u vetëdegraduar, madje edhe kur kjo arsyetohet me ‘qëllime të mira’”, ka thënë Maliqi. Sipas tij, arti nuk shfrytëzohet për t’u ballafaquar me të kaluarën, por arti e përdor të kaluarën, sikur edhe temat tjera, si “medium” për realizimin e veprave, artefakteve.
“Atë çka e bën historia ose morali duke shpjeguar të kaluarën, nuk ka pse ta bëjë arti, sepse shndërrohet në ilustrim. Arti synon më thellë, unikalitetin kompleks të ndodhive të së kaluarës ose të së sotmes, edhe në dimensionet që nuk janë njohje dhe mësim, por që janë përjetim sublim i tërësisë së situatave jetësore. Këtë përjetim Aristoteli e ka quajtur katarsis, ose trandje, shok të të kuptuarit / moskuptuarit të misterit të jetës me aspekte që mund të jenë njëkohësisht tragjike, lumturuese, komike etj…”, thotë Maliqi.
Krahas shprehjes artistike përmes fotografisë, instalacionit apo edhe artit pamor, një formë tejet e rëndësishme në këtë mes është edhe teatri. Dramaturgu i njohur kosovar Jeton Neziraj, tashmë ka realizuar disa drama përmes të cilave preket edhe e kaluara. Ai thotë se kur dramat e tilla bëhen publike, qoftë si botime apo si inskenime, ato në një formë e ballafaqojnë publikun me të kaluarën që trajtohet aty. Për të, ballafaqimi “artistik” është shumë i rëndësishëm.
“Natyrisht, madje, do të thosha që format e shprehjes artistike, të cilësdo disiplinë të artit, ngelen mediumet më efikase për t’u ballafaquar me të kaluarën. Por sidomos teatri. Sepse, teatri natyrisht nuk e pretendon të vërtetën, ose, të themi, e pretendon ‘të vërtetën artistike’. Teatri shtron pyetje dhe kur këto pyetje kanë të bëjnë me të kaluarën, sidomos me atë të kaluar e cila është e pazbardhur si duhet, e kamufluar me mite, e ngarkuar me të pavërteta, e mbingarkuar me lavdi të rrejshme, me krime për të cilat askush nuk guxon të flasë, e kështu me radhë”, thotë Neziraj, i cili një gjë të tillë e bën në dramën “Carla Del Ponte pi Vanilla Chai Latte nё Prishtinё” apo “Një shfaqje teatri me 4 aktorë…”, “Bordel Ballkan” e të tjera.
“Atëherë teatri bëhet ai forumi i domosdoshëm që duke shtruar pyetje, synon ta ‘pastrojë’ shoqërinë nga ajo e kaluar dhe njëherazi ta vetëdijësojë për të ardhmen. Pra, duke ia kujtuar të shkuarën, teatri synon ta përmirësojë shoqërinë, ta bëjë më humane, ta bëjë më tolerante, në mënyrë që e kaluara të mos përsëritet”, thotë Neziraj. Kjo dëshmon se arti ka fuqinë ta vetëdijësojë shoqërinë për të kaluarën, në mënyrë që ajo të mos përsëritet. Një e kaluar “problematike” në këtë rast, të cilën shoqëria shpesh e shtyp, e fsheh e me të cilën nuk ka fuqi të ballafaqohet.