Gërmimi dhe dokumentimi me tingull i së shkuarës

Hulumtuesit e tingullit dhe kompozitorët thonë se në procesin e memorializimit, tingulli mund të jetë një aleat për shoqëritë, e kaluara e së cilave është shtrembëruar apo mohuar.

Për njerëzit dhe vendet, e kaluara e të cilëve shpesh është mohuar, tingulli është parë si një potencial i pasur për të dokumentuar dhe kujtuar shumëçka të tyre.

Koncepti i tingullit, si format i dokumentimit në ballafaqimin me të kaluarën është ende një element pak i përfaqësuar në proceset e memorializimit kolektiv.

Ilir Bajri, kompozitor dhe pianist, në një intervistë për DWP të Forumzfd ka folur për konceptin e tingullit në dokumentim dhe për gjërat që kanë humbur “prezencën” e tyre në raportin mes tingullit dhe kujtesës. “Përmes tingullit njerëzit mund të krijojnë apo risjellin kujtimet e tyre për një periudhë të caktuar kohore”, thotë ai.

Bajri thotë se elementet akustike hyjnë në vetëdijen publike dhe rreth tyre mbetet një kujtesë e caktuar.

“Instrumentet virtuale, për shembull, janë vetvetiu një formë e memorializimit. Ato janë pjesë e incizimeve të tingujve, të instrumenteve të vjetra”, shton ai.

Për Bajrin, kujtesa e tingullit bazohet në idenë se ai jep informacion rreth vendeve dhe ngjarjeve dhe ofron njohuri të vlefshme, të ndryshme nga imazhet.

“Ajo që ndihmon gjithmonë, në secilin aspekt, është qasja reale, të mësohemi ta pranojmë të vërtetën edhe kur nuk na pëlqen, sidomos në raport me të kaluarën”.

Në dekadat e fundit, tingulli gjithashtu është ndje shpesh si mjet i një narracioni glorifikues dhe Bajri thotë se nevojitet një “çlirim” nga nevoja e mitizimit të së kaluarës. “Duhet të mundohemi ta pranojmë atë që ka ndodhur dhe ta kuptojmë, sidomos në kontekst kohor”, thotë ai. Për këtë nevojitet, arti dhe momeorialzimi sepse të ndihmon në këtë përpjekje”.

Në një kohë kur publiku është i vërshuar me tinguj, sidomos muzikës që përbëjnë hiperbolizime historike, ata që janë të mishëruar me akustikën, si Bajri, e shohin këtë peisazh si një ikje nga një “realitet që dhemb”.

Tingulli ka qenë gjithashtu një spektër ku Bajri e ka parë mungesën e një platforme për viktimat e luftës. “Ka pasur një lloj heroizmi të manipuluar, ndërkohë që nuk u jepet platformë viktimave”, thotë ai. “Kur dëgjon ato, krejt çka dominon është zakonisht, heroizmi, egocentrizmi, hedonizmi”.

Paralelisht me përvojën e së kaluarës, Bajri thotë se tingulli mund të jetë gjithashtu një aleat për shoqëritë, si ajo e Kosovës, e kaluara e së cilave është shtrembëruar apo mohuar.

“Për shembull, Serbia aktualisht e ka të vështirë të pajtohet me realitetin karshi së kaluarës së vetë dhe kjo duket të jetë arsyeja pse janë katandisur në njëlloj fashizmi”.

Për kompozitorët, tingulli perceptohet si një mjet që ndihmon njerëzit të gërmojnë një ndjenjë specifike të përvojave të tyre.

“Shpesh kur e dëgjon një tingull e ke një perceptim dhe një përfytyrim më të plotë dhe të vërtetë të një rrethane”, thotë Bajri.

Ai nënvizon se regjistrimet krijojnë një arkiv tingulli, njëjtë sikurse arkivat e tjera.

“Dëgjimi i peizazhit zanor ka të bëjë me të tashmen. Por është e mundur të dëgjosh të kaluarën nëse ajo regjistrohet në mënyrë evokuese”, thotë Bajri.

Teknologjia që ruan tingullin, thotë ai, është e re dhe mungon tingulli i punës së shumë gjeneratave.

“Prandaj është me rëndësi që tingulli të jetë më shumë prezent në procesin e memories kolektive sepse ruajmë edhe një dimension të jetës sonë”, shton ai.

Peter Cusack, një regjistrues në terren, muzikant dhe studiues i tingullit të  mjedisit në qendrën për Kërkime Kreative në Praktikën e Arteve të Zërit (CRiSAP) të Universitetit të Arteve në Londër, ka bërë kërkime dhe regjistrime dokumentuese në zona me interes të veçantë. Ai thotë se dëgjimi i peisazhit zanor është i lidhur gjithmonë me të tashmen.

“Mendoj se është e mundur të dëgjosh të kaluarën nëse është regjistruar, qoftë edhe duke përdorur imagjinatën”, thotë Cusack për DWP.

“Ndonjëherë tingulli është larg, por duket shumë afër, sikur një eksplodim, britmat e njerëzve që humbën anëtarët e familjes apo fëmijët që qajnë”, shton ai.

Tingujt për Cusack janë nxitës shumë të fuqishëm për kërkime.

Ai ka bërë regjistrime në zona të katastrofave si Çernobili dhe thotë se idetë e kujtesës kolektive ndërlidhen gjithmonë me peizazhet e regjistruara zanore.

“Në fakt kur ndeshesh me vendet që janë shkatërruar nga luftërat ose katastrofat si Çernobili, ndjen sikur në të vërtetë njerëzit nuk kanë ikur kurrë”, thotë Cusack.

Ai thotë mungesa e njerëzve në vendet e braktisura qoftë nga lufta apo katastrofat krijojnë një ndjenjë trishtimi.

“Zërat e tillë jo vetëm dokumentojnë ngjarjet që kanë ndodhur por kanë një ndikim të fuqishëm”, thotë Cusack. “Janë shumë më tepër se fakte ngase gjithashtu transmetojnë një ndjenjë të fuqishme të hapësirës, atmosferës dhe kohës”.

Cusack thotë se është “lidhja e këtyre elementeve” brenda një regjistrimi të vetëm që e bën atë të paharrueshëm.

Përderisa kultura zyrtare përkujtimore përmes muzeve dhe arkivave kërkon gjithmonë të krijojë një regjistër më të plotë të së kaluarës, historianët gjithashtu e shohin një rritje të interesimit për historinë gojore dhe tingullin si një komponentë tjetër të rëndësishme të memoralizimit.

Dubravka Stojanoviq, profesoreshë e historisë në Universitetin e Beogradit, thekson se historia gojore është një mënyrë tjetër për të hyrë sot në një lloj të kaluare përvojash dhe subjektesh që janë problematike ose të ndërlikuara. “Të tilla mund të jenë përvojat e serbëve të zakonshëm në epokën e Millosheviqit”, thotë ajo për DWP.

Bazuar në përvojat e viktimave të luftës, ende jo plotësisht të dokumentuara, tingulli vlerësohet si një mjet jetik për të hyrë në ato të kaluara të fshehura apo të mohuara dhe për t’i bërë ato më të qasshme  dhe më të kuptueshme.

“Fijet zanore që kalojnë përmes tregimeve lidhin kujtesën dhe ndjenjën për të kaluarën”, thotë Cusack.

Në dokumentimin e ngjarjeve si Çernobili apo luftërat kudo ku ndodhin, Cusack thotë se tingulli është ende i nënpërfaqësuar. “Tingulli është një mjet i fortë në evokimin e një atmosfere të caktuar  dhe jep një ide të fortë se si mund të ndihesh kur ndodhesh në një vend të tillë shumë e shumë kohë pas”, përfundon Peter Cusack.


Serbeze Haxhiaj është gazetare hulumtuese dhe redaktore e lajmeve në Prishtinë, Kosovë, e cila e ka fokusin tek korrupsioni, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë, ekstremizmi fetar, terrorizmi dhe krimet e luftës. Aktualisht ajo është redatore pranë Radio Televizionit të Kosovës dhe gazetare e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).