Serbia e mori aktgjykimin në rastin e Ratko Mlladiqit, kriminelit më të madh në mesin e krimenelëve në historinë e re të Evropës. Qytetarët e Serbisë e morën aktgjykimin bashkë me protagonistët e gjenocidit dhe të krimeve të luftës që aktualisht janë në pushtet, me ata që ishin më së shumti aktivë politikisht gjatë luftërave dhe agresionit të Serbisë kundër vendeve fqinje. Partitë, karrierat dhe “imazhi” i tyre aktualisht mbështeten tek lufta dhe tek krimet e luftës. Kjo rrethanë tregon se qytetarët e Serbisë nuk kanë mësuar asgjë nga gabimet e tyre, pra që ata të cilët i zgjodhën atëherën dhe vazhdojnë t’i zgjedhin kanë mësuar më shumë dhe kanë përparuar më shumë sa i përket mënyrës si paraqiten dhe përmbahen. Profiterët e luftës dhe të politikës nga vitet e nëntëdhjeta vazhdojnë të grumbullojnë pasuri në kurriz të tyre, për fat të mirë jo më në kurriz të të vdekurve, sepse sidoqoftë ata janë mundur në të gjitha luftërat, pasi dërguan qindra-mijëra drejt vdekjes.
Përballja me aktgjykimin në rastin e Ratko Mlladiqit nuk është përballje me përmbajtjen e aktgjykimit, por interpretimi që jepet specifikisht nga konspiratorët e politikës të të dënuarit nga Tribunali i Hagës. Për të qenë të drejtë, duhet të theksojmë se qytetarët e Serbisë, pas Revolucionit të Pesë Tetorit, që ndodhi menjëherë në përfundim të luftërave, u çliruan nga qeveria e sotme, mirëpo zgjedhja e tyre në atë kohë i dënoi me personat që relativizonin tmerret e kryera nga qeveritë e mëparshme. Ndaj pas asaj periudhe të përkrahjes së gjenocidit, krimeve të luftës dhe spastrimit etnik, pati një periudhë të ruajtjes dhe mbulimit të këtyre krimeve. Në mënyrë specifike, ata përfaqësues të qytetarëve të Serbisë që perceptoheshin i udhëheqës të kinse shërimit të shoqërisë serbe nga krimet e luftës kanë mbrojtur dhe arsyetuar Ratko Mlladiqin në aspekt ideologjik për njëmbëdhjetë vjet. Ky ka qenë dënimi i parë për qytetarët, pasi në fakt është e vetmja pasojë e mundshme e sjelljes së shoqërisë që ishte në gjendje të mbështeste gjenocidin dhe ta shihte si luftë legjitime për krenarinë kombëtare dhe mbijetesën. Pasoja tjetër logjike e një rezultati të tillë ishte kthimi në fuqi pikërisht i atyre që nuk janë verifikuar; që prapa politikës së re dhe kohës së paqes qëndron qeveria që edhe i largoi. Edhe sot, duke iu paraqitur me legjitimitet qytetarëve të Serbisë, ata e marrin aktgjykimin në rastin e Ratko Mlladiqit për t’ia dhënë më pas shoqërisë. Mënyra se si e bënë këtë mund të kishte qenë tërësisht e pritshme dhe është në përputhje me kohën jashtëzakonisht të gjatë që ka kaluar ndërkohë. Gjashtëmbëdhjetë vjet gjatë të cilëve Mlladiqi me gjasë është fshehur dhe në fakt ai vetëm sa është ruajtur me kujdes me ndihmën e institucioneve më të rëndësishme në shoqërinë serbe. Gjykimi i tij zgjati gjashtë vjet dhe ai nisi të kryejë gjenocid dhe krime të tjera lufte 25 vjet më parë. Pas pothuajse tre dekadash mbështetje, arsyetim, relativizim, hedhje faji tek të tjerët për të shmangur përgjegjësinë, rrethanat shoqërore janë të tilla që vetëm pak njerëz kujdesen për faktin se ai ende po e bën këtë me të njëjtin zell si më parë. Përsëritja e pandërprerë e të njëjtave reagime dhe paraqitja e argumentave sipërfaqësorë dhe idiotikë vazhdimisht e ka zbehur zjarrin e marrëzisë së tyre dhe të dhunës tipike për fillesat e tyre të trazuara politike dhe kulmi i urrejtjes u arrit menjëherë pas përfundimit të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fakt, që në fillim, vetëm pak persona kishin për të thënë diçka kundër gjenocidit, ishte fitorja e serbëve “hyjnorë” kundër “paganëve të pafe’’, myslimanëve të këqinj. Krimet e tyre ishin mënyrë për të arritur “drejtësinë për të gjitha mëkatet e kryera kundër serbëve”. Gjenocidi arsyetohej duke thënë se kishte të bënte me mbrojtjen e jetëve dhe mbijetesën e tyre, sepse nëse “nuk do t’ua kishim bërë atë, ata do të na e kishin bërë ne’’, ndërkohë që në të vërtetë ishin përplot racizëm të pastër dhe urrejtje kundër boshnjakëve, që janë kultivuar në shoqërinë serbe për dekada të tëra para fillimit të luftës. Në fazën tjetër, që nënkupton tashmë shqyrtim post-gjenocid, tipik për fundin e konflikteve dhe shenjave të para të paqes, kishte një nevojë të natyrshme për të mohuar gjithçka që ishte bërë. Pra, kishte një lëvizje nga deklarata që gjenocidi ishte nevojë dhe akt sublim për mbijetesë, ashtu si elitat tona e lavdëronin në publik çdo ditë, deri tek relativizimi i tij dhe falsifikimi i ngjarjeve që e përcaktuan. Këtu hynte edhe të kuptuarit e numrit të viktimave, edhe analiza e termit gjenocid dhe kuptimi i tij. Në fakt ishte periudha më e gjatë që ende po vazhdon, edhe pse intensitetin e ka në rënie.
Së fundmi, duket se jemi në prag të një faze të re në shoqërinë tonë të post-gjenocidit, që është po ashtu shumë e logjikshme dhe e natyrshme, duke patur parasysh gjithçka që i ka paraprirë. Kjo është faza ku qasja që tashmë ekziston paralelisht me pikëpamjen e përmendur “s’kemi të bëjmë me këtë” do të mbizotërojë. Unë nuk kam të bëj asgjë me gjenocidin, nuk kam asgjë të bëj me Ratko Mlladiqin, nuk e kam mbështetur, nuk kam marrë pjesë, përkundrazi, kam luftuar kundër të gjitha këtyre. Mirëpo, ajo që e shpërfaq këtë marrëdhënie është qasja e bashkëkohasve me përpjekjet e tyre për t’u “fokusuar tek e ardhmja dhe për ta lënë të shkuarën pas”. Kjo është e pamundur, sepse e kaluara e tyre, e kaluara jonë është aq e dhimshme dhe traumatizuese për të gjithë, përfshirë dhe krijuesit e saj, saqë duke këmbëngulur pikërisht se “nuk kanë asgjë të bëjnë me të” me gjenocidin, qeveria jonë dhe qytetarët tani në të vërtetë ia çjerrin maskën vetes shumë spontanisht – kushdo që ndjen nevojën sot për ta siguruar publikun se nuk kanë patur asgjë të bëjnë me gjenocidin, duke i nxitur të fokusohen tek e ardhmja, në fakt kanë rrëfyer se kanë një pjesë thelbësore dhe të pandashme të lidhur me gjenocidin. Përgjithnjë.
Snezhana Çongradin, gazetare e së përditshmes Danas