Familja e Maliq Kryeziut detyrohet të lëshojë shtëpinë kur forcat ushtarake serbe vijnë dhe sulmojnë fshatin me mbi tridhjetë tanke. Sfiliten duke ikur sa te miqtë, sa bashkë me ta, për t’u tubuar në fshatin Kralan me së paku dhjetë mijë të zhvendosur nga zonat e Kijevës, Klinës e Drenicës. Aty i ndajnë disa nga meshkujt e rritur dhe i përgjakin me tortura.
Dy ditë mbeten të uritur jashtë edhe gjatë të ftohtit të natës. Ndonëse serbët ua marrin paratë dhe stolitë e arta si shpagim për t’i lëshuar drejt Shqipërisë, nuk përmbushin gjithë premtimin. Përzgjedhin rreth tetëdhjetë meshkuj, ndër të cilët Mentorin, djalin 18-vjeçar të Maliqit, që nuk i lëshojnë drejt Shqipërisë, por i çojnë drejt asaj që sot njihet si Masakra e Kralanit.
Familja Kryeziu kthehet pas lufte nga Shqipëria për ta gjetur jo veç shtëpinë të djegur nga serbët. Në gjurmim të të birit, në Kralan gjejnë të djegura edhe mbetje trupore njerëzish.
Maliq Kryeziu: Rrëfimi në vetën e parë
Quhem Maliq Kryeziu, i prindëve Lah dhe Tahire Kryeziu. Kam lindë më 25 nëntor 1954 në fshatin Bubavec. Kam jetuar në një familje të gjerë, sepse babai kishte edhe katër vëllezër. Isha fëmija i parë në familjen e gjerë dhe i vetmi djalë i prindëve të mi. Në bashkësinë e gjerë familjare jetuam deri në vitin 1976, mandej u pjesëtuam me mixhallarët. Nëna më la në moshën 7-vjeçare. Babai u rimartua. Me nënën kam veç një motër. Gjithmonë e kam vuajtur mungesën e nënës. Më ka rritë gruaja e mixhës, Halimja, që gjithmonë e kam quajtur loke.
Në vitin 1975 u martova, në atë kohë përmes mësitëve, e pas martesës me lindën pesë vajza, njëra nga të cilat më ka vdekur, si dhe tre djem, prej të cilëve njërin, Mentorin, ma kanë marrë. Tash i kam dy djem e katër vajza. Mbas vitit 1976 jemi vendosë këtu. Në vitin 1975 e kreva shkollën e mesme në Kijevë, mandej shkova në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, vijova drejtimin e gjeografisë dhe më 1984 fillova punën. Para se të filloja, këtu ka qenë një njësi punuese e pemtarisë. Punova aty dy vjet dhe pastaj kalova në shkollë si arsimtar i gjeografisë, meqë me titull jam profesor gjeografie dhe punën gjithnjë e fokusoja në dhënien e dijes tek nxënësit.
Në vitin 1981 u patën organizuar në Prishtinë demonstratat e studentëve në të cilat u kërkua që Kosova të njihej si republikë. Neve si studentë na patën keqtrajtuar së tepërmi forcat sërbe. Policia pati përdorë ujë të nxehtë kundër nesh, pastaj shkopa gome, por edhe plumba gome; patëm përjetuar momente tepër të rënda.
Edhe gjatë kohës sa punoja në Kijevë si arsimtar gjeografie shpeshherë më patën keqtrajtuar policët serbë, meqë stacioni i policisë ishte vetëm 50 metra larg shkollës fillore. Aty dikur kanë banu edhe serbët. Disa punonin në shkollën tonë, e më vonë u veshën me uniformë dhe u bënë policë. Shpesh na dilnin dhe na kontrollonin rrugës për në shkollë na e kërkonin planin ditor që e punonim për t’i mësuar nxënësit. Mua më ka ndodhë personalisht që më kanë ndalë policët në rrugë, ndër ta edhe njëri prej Kijeve, Sllagjan Ristiq. Edhe policët e tjerë na kanë ndalë, ma kanë kërkuar planin ditor. Polici i Kijevës e dinte se isha arsimtar i gjeografisë e ndoshta i interesonte edhe ç’po përgatisja si njësi mësimore.
Ne si shqiptarë dhe si shkollë kemi përjetuar momente tepër të rënda. Njëherë, ishim në mbledhjen e këshillit të arsimtarëve, na erdhën policët serbë e na nxorën prej mbledhjes. E morën arsimtarin Sheremet Morina, tashmë i ndjerë. Kur u kthye Sheremeti ishte krejt i mavijosur prej rrahjeve të tyre. Ishte moment tepër i rëndë për mua, sepse mendoja se edhe mua dhe të gjithë kolegët na priste i njëjti fat, ndonëse nuk kishim bërë asnjë faj. Askush nuk e di pse e morën Sheremetin, pse e rrahën ashtu.
Edhe më vonë, data ishte 20 maj, ne ishim në një protestë në Kijevë së bashku me gjimnazistët. Viti do të ketë qenë 1981, ‘82 ose ‘83. Një numër i arsimtarëve ishin ndjekë penalisht dhe burgosur. Ne i kishim pasë profesorë ata. Në mesin e të burgosurve ishte një mjek. Në atë protestë, policia serbe bëri shumë foto të protestuesve dhe pastaj i thirrte njerëzit një nga një.
Njëherë na patën ardhë te shtëpia, pikërisht ai Sllagjani që punonte në arsim me ne, bashkë me një koleg, të veshur me pancira (jeleka antiplumb), mjete mbrojtëse e automata në dorë. Ne atëherë i kishim shumë frikë ata. Shoqja u ka dalë te dera, unë kam qenë në katin e dytë. E kanë kërku Arbenin, djalin e madh. Arbeni as nuk ishte student në atë kohë, por sipas tyre kishte ba një problem në Prishtinë. Fatmirësisht që Arbenin nuk e gjetën në shpi. Unë nuk guxoja me dalë përpara tyre sepse mendoja se do ta shfrytëzonin rastin për të më marrë mua.
Në vitin 1989, presidenti Rugova e pati krijuar një sistem paralel arsimor. Pra, nuk e njihnim më planprogramin e Serbisë, sepse filluam të punonim me planprogramet tona shqipe. Në klasën e tetë atëherë mësohej gjeografia e Jugosllavisë. Që në momentin e thirrjes së Presidentit që të bojkotonim sistemin e Serbisë, filluam të punonim me planet të Republikës së Kosovës, aq sa kishim mundësi t’i krijonim vetë. Kam pas kërkuar nga sekretari i shkollës së Kijevës – në Kijevë kanë humbur disa dokumente, por nuk janë djegur – vetëm që ta gjejë një orë të shënuar timen të vitit 1989 ku kam shkruar jo më “gjeografia e Jugosllavisë” por “e Republikës së Kosovës”. Dëshmi për këtë kam arsimtarin Hasan Toplana, atëherë student i shkollës së lartë në Gjakovë që pati mbajtë praktikën te unë për nja dy javë. E pata udhëzuar: “Tani e tutje gjej e shfrytëzo literaturë vetëm për Republikën e Kosovës, e jo më tej!”. Sepse mësohej për një shtet që ne nuk e donim më dhe tashma synonim Republikën e Kosovës. Disa herë e kam porositë sekretarin e shkollës që të ma gjejë një orë të tillë të shënuar, ta fotografoj e ta kem si dëshmi se kam punuar në atë drejtim.
Pastaj në vitin 1990 filluan protestat. Më kujtohet, më 30 janar 1990, isha edhe vetë prezent në Malishevë kur m’u vra djali i kushëririt Ali Din Kryeziu, sot i shpallur dëshmor, pastaj u plagosën Qerim Haxhi Kryeziu dhe Murat Rexhep Kryeziu. Si sot më duket që e shoh atë ngjarje; një autoblindë u nis për Rahovec, ndërsa një gazigë serbe në drejtim të Bajës. Unë kam qenë andej nga stacioni i autobusave. Ata kanë gjuajtur dhe Aliu ka qenë andej kah e kanë rrokë fishekët e autoblindës. Brenda pak kohësh, ai në Malishevë ka ndërru jetë. Qerimi edhe sot jeton, kurse baci Murat është i vrarë prej forcave serbe më vonë.
Unë pata shpëtuar pa marrë ndonjë plumb, megjithëse aty, siç flisnin njerëzit, kishte pasur edhe plumba vrasës e jo veç plumba gome. Unë kam pasë fat dhe kam shpëtuar. Pastaj vazhdimisht ishim të kyçur në Lidhjen Demokratike e Kosovës dhe bënim përpjekje me e dhanë kontributin tonë për çështjen kombëtare.
Me folë të drejtën, luftën nuk e prisja, sepse kemi punuar në një shkollë me serbët. Deri në vitin 1989, bile edhe gjuhën angleze e mbanim bashkë, i kombinonim paralelet. Në vitin ‘89 u bë ndarja. Shkolla kishte dy hyrje, në njërën hynim ne shqiptarët, në tjetrën hynin serbët. Ishte atëherë një arsimtar serb, Radosh Spasiq, që i udhëhiqte serbët, ndërsa drejtori jonë ishte Shaban Thaçi.
Duhet falënderuar një drejtor të asaj kohe, Gani Zogaj, nga fshati Llozicë. Isha kujdestar me një kusheri timin, Manush Kryeziun, tash i ndjerë. Na thirrën nxënësit të shkonim me vrap, sepse një punëtor teknik serb, Istreta Gjukiq, donte me e vra një nxënës. Ai e kishte nxjerrë alltinë edhe e ndiqte nxënësin nëpër klasë. Unë edhe Manushi vrapuam – fatkeqësisht që s’kemi pasë si me e fotografu pë të dëshmu çfarë njeriu ka qenë – e kapëm dhe e ndalëm. Ai Istreta vazhdimisht kur lëshoheshin nxënësit, shkonte te drejtori Ganiu, sepse atëherë ishim ende bashkë, ankohej se nxënësit shqiptarë kanë shkruar “Kosova Republikë” në dërrasën e zezë. Një ditë, drejtori i thotë: “Ec more, mos t’shoh, ti je tu i shkrujtë vetë e po thu se nxanësit shqiptarë po i shkrujnë. Vetë je tu i ba këto marrina.” Pra ka plot momente jo të kënaqshme për ne si shqiptarë. Unë atëherë mendoja që ndoshta vetë Zoti mund ta shohë se është ba boll dhe ne shqipëtarëve të na e jepte një rrugë pak më të mirë, por ja që prapë sot jemi me këto probleme.
Që në vitin 1981 njerëz të organizuar shkruanin me ngjyrë nëpër mure, qoftë të xhamisë, qoftë nëpër vende të tjera, “Kosova Republikë”. Që atëherë në fshatin tonë ka pasur të burgosur politikë, fjala vjen Bilall Kryeziu, Mehmet Kryeziu, Isen Kryeziu… Pastaj Shefqet Kryeziu, Fetah Kryeziu e të tjerë janë marrë në pyetje shumë herë për këto raste. Oganizoheshin në atë kohë edhe mbledhje t’ndryshme; kërkohej të zbuloheshin ato vrasje. I organizonte atëherë Lidhja Komuniste. Shumë njerëz janë lënduar edhe shpirtnisht dhe janë burgosur, rrahur e keqtrajtuar. Kuptohet se serbët nuk zgjidhnin rrugë të mirë, por synonin që me keqtrajtim sa më të madh ta fusnin frikën në palcën e njerëzve.
Në fshat, në vitin ‘97 flitej se ishte formuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por atë vit unë kam qenë në Gjermani. Mes dy ofensivave në vitin 1998 jam kthyer në shtëpi. Pata ardhë në Shkup, pastaj me një shofer kam vazhdu këndej. Atëherë ishte një post-bllok në Komoran, por shpëtuem, erdhëm, këtu ishte edhe një post-bllok për në Lozicë, te pishat, po nuk i ramë andej, hymë në një rrugë gjithnjë me frikën se ç’mund të na ndodhë. E kisha lajmëru familjen që do të nisesha, dhe pikërisht Mentori kishte dalë me traktor me më marrë. Ishte natë dhe rrezik shumë në atë kohë. U nisëm prej Lozicës jo rrugës, por nëpër fshatra rreth e rrotull, Vërmicë e Drenoc, e me u kthy për me ardhë në fshat. Na rrinte mbrapa nji veturë, herë i ndalte herë i ndizte dritat, herë ne nuk guxonim me i ndezë, po vazhdonim nëpër terr. Si sot m’kujtohet gjendja e Mentorit, ai ishte 18-vjeçar atëherë, në vitin e katërt të shkollës së mesme. Fatmirësisht mbërritëm gjallë këtu. Erdhëm në shtëpi.
Unë e kam pasë ba gjininë ushtarake minahedhës gjatë shërbimit ushtarak jugosllav në vitin 1981-82. Kur kam ardhë, Avdyl Kryeziu ka qenë këtu si komandant. Ishin formu shtabet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I kam thanë: “Nëse keni nevojë për këtë gjini, jam këtu”. Ndërmjet dy ofensivave ishte një pauzë; OSBE-ja apo nuk di kush e ndërmjetësoi. Atëhere shtabi i UÇK-së ishte i formuar edhe në fshat, kurse në Kijevë ishin serbët. Më tregonte Mentori se ka qenë nji Nuhi Kryeziu, profesor i inxhenierisë më duket, që i kishte marrë disa të rij fillestarë për ushtrime, e në mesin e tyre edhe Mentorin. Por, ai nuk ka qenë ushtarak ma përpara dhe shpesh nuk ka ditë me e rujtë si duhet veten, po ka ndihmuar me mundësitë e veta. Më kujtohet kur thonin se e ka takuar në hyrje të malit një person që ka bashkëpunuar me forcat serbe dhe e ka paraqitur në shtab. Ai më nuk ka guxu me shku andej.
Gjatë ofensivës së parë, familja ka qenë këtu, në vitin 1998. Mandej pati njëfarë tërheqje e më 24 mars 1999 sulmoi NATO-ja. Ne i kemi pa avionët mirëfilli, nga fushat që atëherë punoheshin nga shteti. Gjuajtja e parë mbi forcat serbe më 24 mars ishte në zonën tonë.
Ne ndejtëm në shtëpi edhe katër ditë më pas. Pra, më datë 28 nuk na mbeti rrugë tjetër përveçse ta lëshonim fshatin. Patën ardhë diku mbi tridhetë tanke serbe, prej aty ku është restauranti – dikur ka qenë i Latifit, sot asht i djalit të vllaut të tij – aty ishin renditur në rrugën për Kijevë dhe gjuanin me tanke. Atëherë i kemi marrë familjet dhe jemi nisë për Drenoc. Prej aty vazhduam në Turjakë. Në shkollë të Turjakës pushuam pak. Filluan bombardimet jo veç prej anës së fshatit tonë, por edhe prej Cerallukës, pra prej dy anëve. Atëherë është zbrazë i tërë fshati, më 28 mars 1999. Nja dy ditë më duket ndejtëm në shkollë në Turjakë, por kur filluan bombardimet i morëm familjet. Në Turjakë ishim veç një pjesë e fshatit, jo të gjithë, morëm familjet dhe u nisëm për Llapqevë, ku i kam miqtë. Ata e kanë kullën trekatëshe, sot është monument i ruajtur historik, nën mbrojtje të shtetit. U stabilizuam nja dy net aty. E kisha traktorin me vete, ushqime, veshje. Filluan me gjujtë prapë, erdhën ushtria e policia serbe prej Panorcit edhe gjujtën në drejtim të Llapqevës.
Na ishim te familja e miqve t’mi, kur gjujtën granatë dhe i ranë n’qoshe t’shpisë. Kulla e ka murin mbi nji metër e gjysë t’gjanë, por aq i fuqishëm ka qenë bombardimi sa edhe qoshen e murit, që është ma e fortë, e shkatërroi. U plagos nji person atë ditë aty gjatë këtyre gjujtjeve. Unë i mora djemtë dhe dy nipat, dola n’mal. Ata e gjuanin fshatin, e na ishim nja dy km larg, por edhe aty ku ishim, na vishin gurë e copa, e toka u dridhke. Ndërkohë, forcat serbe hynë në Llapqevë dhe i zunë familjet tona. U kishin thanë: “Ecni për Shqipëri, mos t’ju shohim këndej”. Familjet janë nisë për Shqipëri. Sa kam qenë në Llapqevë, nji prej udhëheqësve serbë një banori t’Llapqevës ia kish dhanë një copë letre e i kish thanë që nëse i del dikush përpara, ia qet atë letër edhe nuk e nguc kush, e lejnë me shku në Shqipëri.
Kur shoqja me miqtë e mi kanë mbërri poshtë n’Mrasor, te asfalti – qysh tregon ajo po edhe baballaku (vjehrri) sa ish gjallë – janë taku me ikunit e Klinës, mbasi Klina kanë ikë prej Llapqevës krejt t’organizuem bashkë. Aty disa prej t’ikunve t’Klinës kanë propozu me u kthy në Kralan, i cili dy herë tashma ish djegë prej forcave serbe. Si duket dikush nga ushtarët u ka thanë që munden me u kthy n’Kralan e mos me shkue për Shqipëri, se ushtria i mbron, e janë kthy. Nji vlla i shoqes që ka qenë i veshun ushtar – Fehmi Hasanaj quhet – ka ardhë n’mal e na ka gjetë. Na tregoi që familjet pshtuen, e se janë n’Kralan. Na kishim veç me e kalu Drinin për me dalë për Kralan. I thashë: “A ka mundësi me na ndihmu, se ti e njeh terrenin?”.
Jom nisë unë me tò, djemtë i lashë n’mal me gjithë nipat. Kur u afruem te hekurudha, njifarë qeni i vogël na u turr. Thashë me veti, i lajtëm duert qetash, se i ndiejnë zhurmat edhe veç kur t’na krisin neve. Fatmirësisht duelëm anej Drinit, e gjeta familjen edhe nuk janë ba as dy orë a tri kur erdhën djemtë, Mentori, Artoni edhe dy nipat. I kishin marrë ata informatat vetë, e na gjetën.
Nji natë fjetëm n’Kralan nëpër talla, nëpër shtëpi t’djeguna, vendas t’Kralanit nuk e di a ishin krejt dy a tre, se kishin ikë. Erdhën katër tanke n’Mrasor, që me Kralanin vijën ajrore e ka 1000 metra. Tytat i kishin kthy drejt nesh. Kur i pamë ashtu, të gjithë u çuem edhe thashë hajde dalim t’ikim për Shqipëri se s’ka rrugë tjetër. Tash nuk m’kujtohet mirë emri i atij ushtarit me uniformë t’zezë, polic ushtarak atëherë i thojshin, që më tha: “Jo, nuk bon me shku për Shqipëri!”. I thashë: “Unë kom depërtu nëpër popullatë o djalë”. Tha: “A e din çfarë përgjegjësie je tu marrë? Ishin ma së paku dhetë mijë vetë, se kish njerëz prej Drenice, prej Kline, prej fshatrave tona që ishin ardhë n’Kralan. Thashë: “Dhetë mijë vetë i ke qetu, mos i nguc njerëzit, leji le t’bajnë hall”. “Jo s’bon”, tha. U kthyem.
Të nesërmen jonë lëshu tenkat teposhtë me ardhë drejt nesh. Kur erdhën, u dolën ushtarët tonë përpara, po a ndalet tenku me automat? Ushtarët tonë nuk patën rrugë tjetër, përveçse me dalë me u shkelë prej tenkave e me u vra krejt ose me u tërhjekë nëpër popullatë. Njerëzit i kanë pa tu qajtë: “Kuku për ne, çka ju bamë”. Ata janë ikë n’male e na lypshim rrugëdalje kah me shku.
Nji grup i shkieve kanë qenë t’vendosun n’Variak me tenka, e me dylbi e shihshin terrenin. Kah ia mësyjshim na me shku, ata para nesh gjujshin me granatë. Kur bike granata përpara, thojshin: “Mos shko ma anej se i lave duert!”. D.m.th. mbetëm tuj u sillë rreth shkollës së Kralanit, prej tetëve t’mëngjesit e deri në mbramje. Kur filloi të errësohet pak, Enver Hoti, profesor i mbrojtjes n’Klinë që ish tu i pri kolonës, tha: “Po dorëzohemi, nxirrini do shami të bardha!”. Nxorën familjet kush çka pat. Ai tha: “Unë ju prij rrugës, ju ecni mas meje!”.
Jemi nisë rrugës për me shku për Shqipëri. Unë isha me familjen, me djem e me vajza, edhe pse djemve u pata thanë: “Ikni!”. Mentori nihere pati vendosë, tha: “Ma mirë na e qet me ikë, se me na nxanë këtu, s’na lshojnë t’gjallë”. Mirëpo nuk deshti me u nda vetë. Artoni ish pak ma i ri.
Ecëm bashkë, e kur jemi ardhë te rruga e ngushtë në Kralan, m’ka kapë njoni për krahu, nuk di a ish ushtar a polic, m’ka nda prej kolone. E kisha ni jakne n’trup, sa kisha ardhë qatëherë prej Gjermanisë. Më tha: “Nxirre kuletën!”. Çka kisha pare m’i fshiu. Na ishim përgatitë për udhë, edhe shoqja kish diçka pare me vete. E kisha edhe nji radio t’vogël që ndëgjojsha lajme. Ma mori e theu për toke. Dokumentet m’i la, nuk m’i preku, edhe tha: “Ikni!”. Kur më ndali aty ai polici, u ndalën edhe grueja e fëmijët, po unë ua bana me dorë le të ecin, të mos ndalen me mu, se unë e llogarita që puna jeme u kry aty.
E zuna familjen prapë, e kur mbërritëm te veni ku u ba krimi, i kishin çelë tri shtigje rend. Në t’parin më caktoi mu me hi. I thashë: “Nuk ka as pesë minuta që më ndali nji prej jush; unë e kreva”. M’ka ra grusht ftyrës. Kur i pashë aty teshat e njerëzve tuba-tuba, më tha serbisht: “Dishu!” Shokë e përpjetë jam deshë krejt, i kom lanë qaty teshat. Fatmirësisht që ajo punë u kry me atë t’rame, me atë grusht, nuk zgjati ma tepër.
Kur shkova poshtë, i pashë rreshtat e njerëzve t’përgjakun. Dihatshin, dikush kajke, tmerr. Aty ka qenë tmerr. Edhe hymë n’rresht, ish nji lis përpara, në livadh. Po na thonë shkitë: “Vetëm n’atë lis kqyrni, nuk guxoni as majtas as djathtas me e kthy kryet!”. Nji dhandri të do kusherijve këtu, nji Rexhep Ahmetit – ka vdekë, ndjestë pastë – i kërsitke trupi tu i mëshu ata, se ish i deshun shokë e përpjetë: “O Zoti ju vraftë, o më mytët, o më mytët”, piskatke.
Nji mik që e kom pasë afër aty, djali i ri i Sali Jahë Llapqevës, krejt u përgjak, se i kishin ra edhe ftyrës e hundëve. Sa ishim aty, nji tenk i ra nëpër gardh, me ardhë me na shkelë, që ishim ba rresht në dysh. I bërtiti dikush prej oficerëve a prej atyne ushtarakëve: “Hej, ku po shkon? Kthehu mbrapa!”. U kthy mbrapa e prej tenkut pshtuem, po veç e hajshim trupin tu mendu kur po ia lëshojnë automatit me na korrë.
Mas nja dy orëve e kanë thirrë Enverin, se ai ish n’krye t’kolonës. I thanë: “Thueju dhetë vetë i kanë pesë minuta, mos me kqyrë teshat e kujt po i marrin, e shpejt e shpejt me u veshë!”. Unë e disha ku i kisha lanë teshat e mia; i vesha e u ktheva aty, mirëpo ishim pa hangër, të lodhun, dojshim me kopë prej të ftohtit, shpirti dojke me na dalë.
Në atë shtegun tjetër e kishin ndalë Mentorin. T’nesërmen n’mëngjes e kom pa, jam afru kadale zhagas, e i kom thanë: “Mentor, hajde ngat meje”. Ka ardhë. E ka pasë nji këmishë t’kuqe veshë, e veçantë prej teshave tjera. Si ta disha, i thashë: “Mentor, kqyr kush i ka teshat e tua”. I gjetëm teshat, e i veshi Mentori. Ndërkohë po na thotë Enveri: “Po lypin pare shkitë për me na lëshu!”. E kanë marrë njifarë shamie i kanë mbledhë kush çka ka pasë marka, kush s’kish pare, ka dhanë diçka prej ari. I tubuem në atë shami koxha do pare t’mira, i dhamë atje.
Prit e prit, kur para mbramjes tha Enveri se na vijnë dy kamiona me na çu n’Shqipëri. Po nuk erdhën dy, erdh veç nji, thanë: “Njiherë t’vjetrit, e ma t’rijtë vijmë i marrim ma vonë”. E mushën kamionin me njerëz edhe i çuen për Shqipëri. Na metëm tu pritë. Dikur n’mbramje na lejuen me i dhezë do zjerme, se kem tu kopë prej t’ftohtit, e u nxemë qysh mujtëm.
T’nesërmen prapë po presim mos po lëviz gja. E po i thonë ata Enverit: “Nuk mujmë me ju liru, se duhet me ardhë komandanti i garnizonit t’Gjakovës, komandant Gorviqi”. Mbetëm tu pritë. Rreth orës 9 ka ardhë ai komandant Gorviqi me uniformë tipike ushtarake që e ka pasë ish-Jugosllavia. Tip i shkurtë, me ato gradat n’uniformë, filloi po e shan Amerikën, po e shan Thaçin, e Rugovën, e t’gjithë: “Ata na prunë deri këtu, se s’kemi pasë nevojë me ardhë te lufta”.
Ai tu folë, erdh nji grup prej nja 8 a 10 ushtarësh edhe filluen me i nda njerëzit: “Ti, ti, ti, ti!”. Si i pashë e dita që nuk osht puna mirë. I thom Mentorit: “Ule kryet, mos i kqyr!” Se, si i kqyrshe të ndajshin. E uli kokën Mentori, unë isha afër tij. I morën diku 77 a 78, e po na thonë: “Hajde ju tjerët me shku për Shqipni!”. Kur u çuem n’kamë, Mentori më kapi për krahu. Njoni prej tyne e pa që djali ma kapi krahun edhe erdh vrap, e ia ngjiti Mentorit për krahu tjetër. Ky u zbeh, asnji pikë gjak nuk i mbeti n’ftyrë. Nji tjetër ma vuni automatin në bark. Unë isha i mbrami në rresht për Shqipëri, Mentori i mbrami për rrugën tjetër, që u vërtetu se kish qenë rruga e pakthimit. Nuk më hiqet prej mendjes kurrë shikimi i tij. Nuk kisha çka me ba përveçse me shku edhe unë me tà, me iu bashkangjitë edhe unë qasaj rruge.
Ky ish momenti i fundit që e kom pa Mentorin. Mo asnjëherë. Përveç fjalë që kemi ndi se janë dikun, se i kanë marrë me punu. Nuk kom mujtë mo kurrë me e pa, asnji gjurmë të tij nuk kom mujtë me e gjetë.
Na tani vazhduem anej për Shqipëri. Unë nji javë kam fjetë n’kazermë të ushtrisë së Shqipërisë tu pritë. Vishin njerëz, “A dini bre, mos keni ndigju për rastin e Kralanit”? Dikush thoshte se do i kanë vra, do i kanë lëshu.
Shkurt, aty asht ba nji krim i hatashëm, nji vrasje makabre. KTV-ja shpesh mbramjeve para lajmeve i qitke masakrat e kryera në Kosovë, po pse Kralanin asnjëherë nuk kom pasë rast me e pa? Përmendin p.sh. Pastaselin, Reçakun, Izbicën, të gjitha me radhë, po nuk e shoh asnjëherë s’paku që me shkrujtë “Masakra e Kralanit”. Në Kralan janë vra mbi 80 vetë në mënyrën ma mizore, edhe në atë kohë, Louise Arbour ka qenë në Hagë me sa di. Kur e ka vizitu Kralanin, ka pasë aty disa pajisje që mbajnë lëng për djegien e trupave. Qysh pas kthimit nga Shqipëria e kemi pa se trupat e tyre janë djegë. Gjetëm copa eshtnash të mëdha sa gishti.
Edhe Artoni disa herë ka qenë i rrezikum. Familja shkoi n’Shqipëri, e m’tregon shoqja që disa herë e kanë pshtetë me e vra shkitë Artonin. E kanë mbulu me flokë do vajza ma të mëdhaja t’miqve t’mi, edhe prej kësaj ka pshtu. Mirëpo gjatë rrugës prapë i kanë kontrollu, edhe i kanë nda mashkujt. Nji herë bile, tregon grueja, e kanë pshtetë për asfalti, po e kanë mbrojtë do gra t’miqve, e n’veçanti tregon për do gra t’Gashëve. Janë do Gashë aty n’Llapqevë, e tha se ato kanë nxjerrë dukat çka kanë pasë e ua kanë gjujtë përpara: “Mosni!”. Edhe nji vajzë e kom t’martueme n’Likovcë. Ajo, tregon shoqja, e ka kafshu nji shka n’dorë kur e ka kapë Artonin.
Unë nji javë prita mos po ka diçka lajm për Mentorin. Mbas nji jave fillova me lypë familjen nëpër Shqipëri. I kam gjetë dikund pas dhetë ditëve n’Shkodër, n’Pallat të Sportit. Aty mandej kemi nejtë. Nji familje shqiptare na ka ofru nji banesë t’veten, kemi nejtë tre muej aty. E kisha renë e madhe, që u dashke me e çu për Gjermani se djali i madh ish prej 91-shit n’Gjermani. E familjen e lashë aty: gruen, Artorin e vajzat.
Ata mandej kishin pasë ardhë n’Kosovë me njifarë kombibusi. Kur janë kthye, shpia e djegun, e rrafshume, s’kanë ditë as kah me ia majtë. Nji shtëpi përtej nesh, e djemve t’mixhës, kish pasë pshtu. Djali i mixhës u ka thanë: “Hajdeni këtu derisa t’bahet nji zgjidhje!”. N’atë kohë, sa kanë qenë ata aty, unë jom kthy, e kom pa shpinë e rrafshume. Nuk disha çka kish ndodhë me familjen. Këtu atëherë ka qenë nji gropë e hapun edhe u shihke që aty kanë nejtë sërbët. E kom pasë nji kosh për misër, prej atyne përpara qysh jonë konë. Ishin hi aty, kishin fjetë, kanë marrë syngjera çka kanë gjetë. Knej shpinë e kishin pasë ba rrafsh. Kur e pashë ashtu gjendjen u trishtova. Noshta edhe po gaboj, po shpesh nuk i quaj serbët qenie njerëzore, sepse njerëzit që dorëzohen nuk duhet t’i shkatërrosh në atë mënyrë. Populli jonë ka qenë i paarmatosun. Ushtria e ka pasë nji armatim, po nuk ka qenë i fortë që me të mbrojtë prej forcave serbe.
Megjithatë, e gjeta familjen te djali i mixhës. Nisi jeta prapë. Atëherë Caritas-i zviceran me atë të Luksemburgut e ndihmonin fshatin. Unë e kërkova nji tendë edhe jetova pikërisht aty poshtë ku janë tash pemët. E kam kaluar nji dimër aty me familje në kushte të tmerrshme, jonjerëzore.
Kishim shpresa se mos po bohet ndoj gja. Na vinin informata të ndryshme se disa janë gjallë. Ma së shumti kemi komuniku me njerëz të Klinës, se kishin marrë shumë nga Klina n’atë grupin e të zhdukunve. Nji serb i Kijevës, Nikolla Stoshiq, i mashtronte, sipas informatave që kam, me djalin e tij të uniformuar, Zoran Stoshiq. Unë këtë e kam njoftë, e ndoshta o konë edhe Nikolla aty, po ne nuk guxonim të komunikonin me ta. Pastaj, Shaban Elezi prej Gjurgjevikut të Madh, që e kemi taku në Shkodër, tregon se dy djemtë dhe nipin n’Kralan ia kanë marrë dy serbë, vllaznit Zoran edhe Mikjo Juksimoviq, kojshi të tyne. Njoni, atëherë kur i kanë zhdrypë prej kamionave pleqtë, i paska thanë Shabanit: “A don me u kthy te djemtë e nipi n’Kralan?”. Shabani i thotë “jo” se i kishte gruen e rejat me veti. Po të ishte kthy, as ai sot nuk do të ishte ma me siguri. Kanë dashtë me e marrë masi i ka njohtë, po nuk kanë mujtë me i nda, mbasi plani ka qenë që të hypunit n’kamion me i nisë për Shqipëri.
Mua më brengos pse nuk intervenohet nga qeveria jonë e nga ndërkombëtarët për me dalë me fakte. Këtu nuk ka diçka që ka qenë e msheftë, ata njerëz i ka njoftë dikush. Së paku, me ua dhanë një dënim të merituar, megjithëse gjaku i djalit nuk më shpaguhet edhe me m’i dhanë milionat tash. Pastaj, vujtjet që i kemi pasë unë e shoqja nuk mund t’i pagujë askush.
Mentori ka qenë 18-vjeçar, në vitin e katërt të shkollës së mesme. Bile atë vit, për shkak të kushteve të sigurisë, e kanë përfundu ma herët në shkolla të mesme, në prill. Asht dallu edhe me kulturë, edhe me sjellje, edhe me respekt, edhe me dashuri ndaj prindëve. Nji kohë ka qenë ma i madhi n’familje, sa ish djali i madh në Gjermani dhe e ka udhëheqë familjen këtu. Ka qenë nxanës i mirë. Asnjiherë t’vetme nuk kom pasë rast me bo dikush me gisht drejt tij e me më thanë: “Mentori më ngacmoi”. Ai ka qenë i lidhur ma shumë me vajzën e madhe, që tash osht e martuar në Likovc. Vajza ishte nji vit para tij, mirëpo në shkollë kanë qenë me nji brez, kanë shku bashkë. Mentorit edhe vajzës teme u kom dhanë edhe mësim n’Kijevë. Ma tepër është shoqëru me Artonin prej familjes, se Artoni i shkonte mbrapa vazhdimisht. Ka qenë djalë për mua shumë i veçantë, shumë i dashtun, i qetë, që nuk ka ditë me e idhnu kurrkond. Ka qenë i gjatë, jo shumë i zhvillum. Jo pse ka qenë i imi, po vështirë ishte me e gjetë nji djalë me sjellje çfare ka pasë ai.
Edhe djemtë e mixhës, Afrimi e Tahiri… Të tre këta kanë qenë e mbeten djemtë ma t’mirë n’lagjen tonë. Edhe Afrimi e Tahiri kanë qenë t’veçantë, po ndoshta veçantia dhe lidhja e tyne e ngushtë në këtë botë edhe n’botën tjetër i ka bashku. Dashtë Zoti që gjaku i këtyne njerëzve të shpaguhet. Dashtë Zoti që të këndellet populli shqiptar, t’këndellet edhe Qeveria, e t’i kthehemi t’mirës për vendin tonë. Unë e kam vetëm nji brengë, e më vjen shumë keq që as ne nganjiherë nuk punojmë drejt për veti.
Mentori e ka pasë përfundu shkollën e mesme dhe me siguri që dikun janë ato shënime… e shof që tash Malisheva mundet me kry këtë punë, po nuk janë ulë asnjiherë, edhe pse e dijnë që Mentori ka qenë nxanës i klasës së katërt. Së paku pse mos me ia lëshu nji diplomë atij që e ka kry shkollën e mesme… me e pasë. Ata në prill e kanë përfundu ligjërisht mësimin. Më 4 prill Mentori asht marrë. Ai vetë nuk ka mbërri me e marrë diplomën.
Unë pak shpresa kam që Mentori të gjendet i gjallë dhe pak kam shpresa që t’gjindet diçka e vërtetë nga trupi i tij. Po të gjeja diçka prej mbetjeve e të bindem se asht vërtet pjesë e trupit të tij, do të isha ma mirë dhe do ta kisha ma lehtë.
Nuk më kujtohet emri i një personi n’Kralan n’oborrin e të cilit janë vra këta njerëz. Ai thotë që ka qenë në mal aty afër edhe ka pa t’gjitha t’zezat që janë ba natën. I kanë nda grupe-grupe edhe në të gjitha ato vende ka pasë shenja gjaku, ka pasë orë, rroba në nji dhomë ku i kanë vra nji grup. Me siguri Mentori nuk ka qenë në atë grup, se e kisha ditë.
Shpresën e kemi humbur që kur Louise Arbour ka deklaru se rasti i Kralanit osht rast i veçantë sepse aty për aty i kanë vra edhe i kanë djegë me njifarë lëngu që e ndihmon djegien e trupit t’njeriut. Po, sikur të deklaroheshin sinqerisht edhe serbët se Mentori edhe t’gjithë të tjerët aty janë djegë, prapë do t’ishte nji lehtësim. Po, lehtësimi ma i madh do të ishte sikur të gjenim diçka që vërtet i takon Mentorit.
Ne kemi bashkëpunuar me familjarë që kanë të pagjetur. Për disa prej Klinës thuhet se ua kanë gjetë eshtrat n’Çabrat të Gjakovës, për çka unë dyshoj shumë. Hysen Krasniqi, nji djalë nga Carralluka që i ka shpëtuar masakrës në Kralan, moshatar ndoshta me Mentorin, më pati tregu se si ka qenë ngjarja. E kishin plagosë në gjashtë vende, po ymri e ka shpëtu. Ka dalë zhag, e kanë gjetë UÇK-ja, e kanë marrë n’mal, e kanë trajtu edhe sot asht gjallë, jeton n’Klinë. Ai pati fillu me më tregu qysh ka qenë ngjarja, mirëpo si duket dikush ia tërhoqi vërjetjen, sepse kish pasë shumë njerëz të sapomartuar, kishin lanë gra të reja, ndoshta nji a dy fëmijë, edhe hajt ta zhagitim edhe pak. Unë dyshoj që atij dikush ia ka mbyllë gojën që të mos japë informata, dhe jo nga të huejt, por nga njerëzit tanë për shkaqe që ata ndoshta i quejnë t’arsyeshme, po që për mua nuk do të ishte e arsyeshme edhe sikur ta kisha pasë djalin të martuar.
Ky djalë nuk e ka njoftë Mentorin, po n’aspektin e përgjithshëm pati fillu me dhanë pak informata. Unë kam bisedu me atë djalin edhe kur e ka shplu trupin, e kom pa që vërtet ka qenë i plagosun.
Na jemi orientu atëherë n’Kryqin e Kuq Ndërkombëtar n’Prishtinë, kemi fillu me bisedu për ato çështje. Pastaj janë formu Shoqatat për të Pagjeturit. Na këtu e kemi pasë Shoqatën ‘Kujtesa’, të udhëhequr nga Hysen Kryeziu. Disa herë kemi pasë takime n’Qeveri të organizuara nga Prenk Gjetaj, pastaj kemi pasë takime që i ka organizu Bajram Qerkini. Aty kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të KFOR-it edhe të EULEX-it dhe përfaqësuesja e nivelit evropian, mirëpo ndonji informatë të saktë nuk kemi mujtë me e nxjerrë. Nuk ka qenë ajo esenca e çështjes. Edhe KFOR-i e UNMIK-u për këtë shtresë kanë tregu pak interesim.
Na ma tepër kemi qenë të orientuem me grupin e Dushëve të Klinës, sepse unë kam qenë n’kontakt me Sefer Manajn. Djali i tij ka qenë me nji post n’udhëheqje n’Prishtinë. Seferi ka pasë nipa, djem, dhandur e miq t’zhdukun aty dhe kemi bërë përpjekje përmes tyne.
Ma herët thonin se Kolë Soshiqi po thotë: “Janë gjallë këta t’Kralanit, e mos u ngutni, dalkadalë kemi me i gjetë, me i zbulu…”. Kjo ka zgjatë nja shtatë-tetë vjet. Bile nji herë ndigjuem për nji nip të Sefer Manajt që ka qenë mjek, Yllin. Takoj Seferin në Klinë. I thom: “Sefer, ndigjuem për Yllin”. Ai tha: “U kry puna, nesër vërtetohet, gjallë asht”. U gëzova, mendova së paku nëse del dikush gjallë, noshta mundet edhe Mentori. Mirëpo nuk na doli kështu.
Fjalë ka pasë prej shumë njerëzve. Ka pasë rast që njerëzit më kanë ardhë se u kanë dhanë dezinformata të tipit: “Shkoni te Maliqi, se i ka ardhë nji letër prej djalit”. Lloj-lloj fjalësh, mirëpo diçka reale nuk kemi gjetë. E kemi bërë edhe nji përpjekje tjetër. Atifete Bytyqi në Klinë është angazhu për t’pagjeturit edhe pati biseduar me nji avokat, më duket të Brukselit. Ne menduem që diçka do të bahet. Na i prunë do formularë që i plotësuem, ishte edhe për punë të kompensimit financiar. Formulari ishte i përgatitur mirë, e menduem që do të bëhej diçka mirë, por as atëherë nuk u ba asgjë.
Kam qenë edhe me nji ekip në Rashkë të Serbisë. Flitej se asht nji varrezë masive atje. Kemi bisedu me nji përfaqësues, më duket ishte i KFOR-it, nuk më kujtohet, por ishin të huej. Na thanë: “Ne do të bajmë përpjekje e do t’i gjejmë”. Në fund rezulati mbeti zero.
Mentori asht marrë edhe me pajisje elektrike, televizora. Edhe me traktorin, bile thoshte: “Traktori asht i jemi”. Kur shkuem n’Llapqevë na e patën djegë traktorin. Ka qenë i shkapërderdhun kur e kemi marrë, e kemi qitë në prekolicë (rimorkio) të nji traktori të tjetërkujt, pjesë-pjesë e kemi pru, e kemi montu.
Këtë fotografi të Mentorit e kemi nga nji shok i tij i shkollës. E kemi nda këtë fotografi, diçka tjetër nuk kemi pasë mundësi, sepse gjithçka ka qenë e djegur, vetëm muret kanë pasë mbetë.
Kam qenë edhe te Bekim Blakaj, te Fondi Humanitar Ndërkombëtar, që është i lidhun me Natasha Kandiqin. Ai m’pati propozu me shku për Beograd. Po familja nuk më la. Kishin pasë nji takim me gazetarë serbë dhe të botës. E pyeta Bekimin a ka farë mundësie që unë prej këtu disi të përgjigjem. Ai ma mundësoi, u lidhëm në ekran, edhe mujta me komuniku drejtpërdrejt me ta. Aty e vërejta që jo vetëm Natasha Kandiqi, po edhe një bashkëpunëtore e saj për ngjarjen që po e bisedojmë, i kishte të gjitha të dhënat. Kah i ka marrë nuk e di, por të gjitha të dhënat i kishte. Bile për emrat e njerëzve që i kanë kry ato krime i kishin shënimet.
Sa i përket qeverisë, jo pse jemi familjarë të të pagjeturve, po t’mjerët na çfarë qeverie kemi. Për të pagjeturit as qeveritë e përparshme, as kjo sot nuk kanë bo diçka me peshë. Menjiherë pas luftës organizatat e hueja na kanë ndihmu, shoqes time ia kanë dhanë nji makinë për qepje, mua një mbjellëse t’misrit. Sot jemi 20 vjet pas luftës dhe e shof që të pagjeturit janë pjesa më së shumti e lënë pas dore nga qeveria.
Tash ligji për pagat: a thue gjaku i të pagjeturve nuk paska vlerë? Po hajt dëshmorët, po i invalidëve? Pse së paku t’mos rehabilitohen familjet? Në komunën tonë ndoshta janë mbi 70 të pagjetur, pse të mos organizohet me nanat e fëmijve ose me prindërit e tyre nji shëtitje, nji ndihmesë, pse t’mos tregohet nji interesim? Nëse qeveria jonë nuk mundet me ndiku në Beograd, pse së paku s’u ofron diçka familjarëve të t’pagjeturve? Qeveria e Beogradit është një nga qeveritë ma mizore që njeh historia e njerëzimit, sepse fsheh eshtrat e njerëzve që janë vra, e prandaj nuk besoj që mund të bëjë diçka n’aspektin njerëzor, moral, ekonomik a çfarëdo qoftë.
Pas formimit t’shtetit të Kosovës kam mendu se do të ketë trajtim tjetër për këtë popull, por e shoh se njerëzit po interesohen vetëm për karrigen e vet, çështjet personale, pasurimin dhe asgja tjetër. Kisha me kërku që qeveria të jetë më syçelë, ta marrë seriozisht punën e t’pagjeturve dhe kjo t’kryhet njiherë e përgjithmonë. Të mos mbetet barrë, të mos mbetet brengë. Sot sa do t’ishte mirë që së paku ta kisha vorrin e Mentorit dikun. Vetëm nëse shkoj ndonjiherë n’Kralan me i rikujtu gjanat, përndryshe nuk shoh ndonji shpresë që në t’ardhmen do t’hiqen këto brenga t’njerëzve. Lus këdo që din diçka për rastin e Kralanit, t’na ndihmojë pa marrë parasysh qysh asht gjendja: edhe nëse janë vra e djegë.
(Ky rrëfim është pjesë e “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve: Libër kujtimi me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, të realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë)