Burimi: Balkandiskurs
Shkruan: Danka Cvijiq
(Foto: Shutterstock)
Jemi dëshmitarë se gjuha e urrejtjes përdoret më pak se sa gjatë viteve të 90-ta, por ende ekziston, kryesisht gjatë fushatave politike. Prandaj, ajo duhet të parandalohet në mënyrë që të mos shndërrohet në një krim.
Helmimi me fjalë shumë shpejt dhe shumë lehtë bartet tek e gjithë popullsia. Një mënyrë e tillë e të folurit ka shkaktuar disa nga konfliktet, luftërat dhe krimet më të këqija. Një shembull i tillë është hapësira e ish-Jugosllavisë. Gjatë viteve 90-ta, përmes medias dhe me anë të propagandës, pala kundërshtare ka bërë thirrje për linçim. Edhe pse ato vitet e 90-ta i kemi lënë pas, shpesh ka mesazhe që fshehin në vete gjuhën e urrejtjes.
Profesoresha në Fakultetin e Shkencave Politike në Banja Llukë, Radmilla Çokorilo, beson se gjuha e urrejtjes është arma më e fuqishme, sidomos në luftë, sepse ndikon në mënyrë psikologjike mbi ata të cilëve u drejtohet. Sipas Çokorilos, një nga funksionet e fjalimeve të urrejtjes është frikësimi i popullatës.
Nëse një fjalim i tillë, siç thotë ajo, do të transmetohej me anë të masmediave, arrijmë deri tek një gjendje e frikës në mesin e qytetarëve, një gjendje e mbushur me pasiguri, si dhe deri te frika për mbijetesë personale.
“Unë mendoj se besimi i qytetarëve në media nuk është as afër sikurse ishte më përpara, me përjashtim të dhjetëvjeçarit së fundit të shekullit të 20-të. Sot propaganda përdoret kryesisht për qëllime politike. Politikanët nuk i zgjedhin fjalët e tyre gjatë fushatave zgjedhore vetëm e vetëm që të ushtrojnë ndikim psikologjik mbi votuesit e mundshëm”, thotë profesoresha Çokorilo.
Megjithatë, Çokorilo konsideron e gjuha e urrejtjes nuk është aq e pranishme sa ka qenë gjatë luftës dhe në vitet menjëherë pas saj.
“Mendoj se gjuha e urrejtjes ngadalë, por sigurtë, po shkon në histori atje ku edhe e ka vendin. Shpresoj se mediat e kanë marrë mësimin dhe se nuk do të lejojnë hapësirë dhe kohë për gjuhën e urrejtjes. Të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë që kurrë më të mos ekzistojë gjuha e urrejtjes”, përfundon Çokorilo.
Nga të gjitha mediat, portalet janë ende më pak të kontrolluara. Pronarët e portaleve u lënë hapësirë të lirë lexuesve për komente, që shpesh e keqpërdorin këtë hapësirë duke u thirrur në fjalën e lirë.
Magjistri i Studimeve të Komunikimit dhe eksperti për media, Borislav Vukojeviq, e krahason propagandën luftarake me gjuhën e urrejtjes në mediat e sotme dhe rrezikun e mosndëshkimit të komenteve nëpër portale.
“Propaganda e viteve të nëntëdhjeta ishte e ashtuquajtura propagandë e zezë, propagandë e hapur, e cila është plasuar përmes mediave dhe nuk është sanksionuar. Në ditët e sotme, nuk mund të flasim për përhapjen e nxitjeve të tilla (nëse është fjala për mediat klasike), por mund të flasim nëse marrim parasysh portalet që nuk e ndalojnë gjuhën e urrejtjes në pjesën e komenteve” thotë Vukojeviq.
Vukojeviq sqaron se përhapja e gjuhës së urrejtjes nëpërmjet radios, gazetave televizionit ose përmbajtjes editoriale të portaleve në internet bart përgjegjësi penale. Megjithatë, për shkak të pozitës ende të paqartë të portaleve në internet, Vukojeviq thekson se ato janë kthyer në periudhën e propagandës së zezë.
“Personat përgjegjës heshtin dhe arsyetohen ata nuk kanë të drejtë ta ndalojnë fjalën e lirë, duke mos e kuptuar se kjo nuk është liri, por abuzim” shton Vukojeviq.
Urrejtja e pasluftës është shprehur përmes mediave në formën e vandalizmit – mbishkrimeve në mure, si dhe në disa këngë nga muzikantë që e quajnë veten patriotë.
Në takime të ndryshme dhe gjatë kremtimeve të festave, urrejtja mes pjesëtarëve të kombësive të ndryshme është shumë e shprehur, shpesh në formën e mesazheve, të cilat shpërndahen përmes mediave dhe pastaj shkaktojnë reagime përcjellëse – konflikte. Një formë tjetër ku mund të shprehet në mënyrë të qartë urrejtja janë komentet në rrjetet sociale, të cilat gjithashtu kanë një ndikim të fortë mbi njerëzit që lexojnë komente të tilla.
Nëse i pyesim të rinjtë se çfarë ata mendojnë në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe si përfaqësohet gjuha e urrejtjes në media, ata nuk japin përgjigje të plotë, për shkak se ekspertët e mediave e dinë mirë se si të “paketohet” gjuha e urrejtjes, që mënyrë subtile të plasohet në nënvetëdijen e qytetarit.
“Çdo ditë i përcjell mediat, nëse jo televizionin, atëherë lexoj gazeta apo shikoj se çfarë ka të re në portale. Gjuha e urrejtjes nuk vërehet aq shumë se sa frikësimi i popullatës përmes lajmeve të ndryshme dhe mesazheve. Fyerjet janë të pranishme në komentet në faqet e portaleve dhe janë kryesisht në baza racore, seksuale, fetare apo të tjera” thotë A.R. një studente nga Banja Lluka. Sipas saj, diskriminimi është më i pranishëm kur është fjala për popullatën LGBT apo për tek fjalimet politike gjatë fushatave zgjedhore.
Ajo që mund të konkludohet është se lufta ka kohë që ka përfunduar dhe armët kanë pushuar, por ndonjëherë duket sikur vazhdojmë të vrasim njëri-tjetrin. Prandaj, mediat dhe të gjithë të tjerët duhet të punojnë kundër gjuhës së urrejtjes, e cila, sikurse shihet nga vitet e 90-ta, mund të jetë një forcë lëvizëse vdekjeprurëse.