Gratë në bronz

Në shumicën e vendeve të Evropës Lindore, arkitektura e periudhës së socializmit karakterizohej nga ngritja e monumenteve si përzierje e nacionalizmit dhe socializmit. Pothuajse çdp vend i kampit socialist ka patur “Nënën”[1] e vet, të përjetësuar me krenari në bronz: nga Ukraina dhe Gjerogjia, deri në Armeni, Rusi dhe në Shqipëri. Këto monumente paraqesin një grua anonime[2], mishërim i tipareve femërore/mëmësore të Mëmëdheut.

“Nënë Shqipëria”, “Monumenti i Mëmëdheut” në Ukrainë, “Mëmëdheu Thërret” në Rusi, “Nënë Armenia” dhe “Nëna e Gjeorgjisë” vendosin figurën e gruas mbi piedestal. Edhe pse “nëna” e një kombi shpeshherë ishte një copë abstrakte bronzi, “babai” i kombit ishte gjithnjë një person i vërtetë. Ai kishte jetuar me të vërtetë. Ai ishte “shpikësi”, “heroi”, udhëheqësi i ndonjë kryengritjeje mesjetare apo i revolucionit socialist.

Sigurisht, kjo përmban portretizimin e “gruas tipike” dhe të vendit të saj në shoqërinë socialiste, që përcaktohej nga ideologjia dominuese e regjimit. Gruaja ishte nëna. Ajo ishte nëna e kombit. Ajo ishte rigjeneruesja fizike dhe shpirtërore. Ajo sillte në jetë “burrat trima” që pastaj i rriste me “shpirtin e patriotizmit”. Ajo ishte në rolin pasiv të furnizueses, infermieres dhe edukatores së brezave të rinj. Pra, figura më e lavdëruar e kombit duhej të ishte gruaja. Monumentet e “nënave” socialiste të kombit ishin “Virgjëreshat Mari” shekullare, të përshtatura për rrethanat politike dhe ideologjike të asaj kohe.

Kosova bënte përjashtim. Kosova nuk kishte “nënë” nga bronzi. Ndoshta për shkak të faktit se nuk ishte shtet i pavarur si Shqipëria apo shtetet e BRSS-së, as republikë si Armenia, Gjeorgjia ose Rusia.

Në fakt, Kosova jo vetëm që nuk ka monument të “Nënës së Kombit”, por në përgjithësi ka prani minimale të monumenteve, memorialeve dhe busteve të figurave historike femërore. Edhe pse çdo qosh është përplot me monumente të kontributit të burraveve, kryesisht në aktivitet politik dhe ushtarak, por edhe kulturë, arte, akademi etj., numri i monumenteve për të nderuar gratë është i ulët. Jashtëzakonisht i ulët.

Nuk ka nevojë të thuhet, pa dashur të biem viktimë e viktimizimit dhe duhet të pranohet se numri i burrave që u kanë kontribuar sektorëve të ndryshëm të shoqërisë kosovare është më i madh sesa numri i grave. Megjithatë, kjo ka shpjegimin e vet. Si një shoqëri ku patriarkalizmi ka qenë shumë i fuqishëm, sidomos në të kaluarën, numri i grave me mundësi të barabarta për të patur sukses në jetën publike njësoj si burrat ka qenë shumë më i vogël.

Ka qenë e vështirë për një grua të angazhohej në aktivitete politike ose ushtarake. Gjatë luftës në Kosovë, numri i grave që kanë luftuar ka qenë proporcionalisht më i ulët se i burrave. Nga ato pak pjesëmarrëse gra në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shumë kanë luajtur role dytësore, si mjeke, si korriere të besueshme në terren dhe menaxhoninlogjistikën e luftës, kryesisht në qytete. Në një shoqëri patriarkale, lufta dhe betejat shihen se u përkasin ekskluzivisht burrave dhe vetë lufta shihet si tipar mashkullor. Duke patur parasysh numrin e ulët të grave në UÇK, në krahasim me burrat, numri i memorialeve dedikuar grave është shumë më i vogël.

Monumenti i Nënë Terezes

Në fakt, gruaja e parë së cilës iu ngrit monument në Kosovë as nuk kishte lindur, as nuk ishte rritur këtu. Ajo ishte një misionare fetare. Ajo ishte Nënë Tereze. Ajo lindi në Shkup, qytet shumë pranë Kosovës që ka shumë elemente të shoqërisë kosovare. Si 18-vjeçare ajo shkoi në Irlandë dhe një vit më vonë, në 1929, udhëtoi drejt Indisë për t’iu shërbyer të varfërve në kuadër të një misioni katolik.

Nënë Tereze nuk i harroi kurrë rrënjët e saj shqiptare. Në dhjetor 1990 ajo vizitoi Tiranën, asokohe nën regjimin komunist. Nënë Tereze u takua me Ramiz Alinë, Presidentin e Shqipërisë dhe pasardhësin e Enver Hoxhës dhe i kërkoi t’i jepte leje të hapte misionin e saj bamirës në Shqipëri. Ajo nuk e harroi as Kosovën. Në fakt, gjatë jetës së saj, Nënë Tereze e ka vizituar Kosovën dhe Shkupin pesë herë[3] – në 1970, 1978, 1980, 1982 dhe 1986.

Me shpërbërjen e Jugosllavisë nga fundi i viteve 1980, nisi të shfaqej pluralizmi politik. Partia e parë politike jokomuniste në Kosovë ishte Lidhja Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova. Rugova e mbështeti diskursin e tij publik mbi referencat historike të së kaluarës dhe Nënë Tereze ishte një nga figurat më të rëndësishme të narrativës politike të tij.

Rugova gjithashtu i ka përdorur këto figura në terma simbolikë. Pas luftës, ai propozoi ndërtimin e një katedraleje katolike në qendër të Prishtinës për ta nderuar misionaren shqiptare. Në 2002 u përcaktua vendndodhja: në qendër të Prishtinës, ku ishte një shkollë e mesme. Në 2007, Qeveria miratoi buxhetin për ndërtimin e Katedrales “Shën Nënë Tereza” dhe në 2010 ajo u përurua me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj.

Më herët, në korrik 2002, në bulevardin në qendër të qytetit u ndërtua një monument që nderonte Nënë Terezen, duke e bërë atë të parën grua për të cilën u ngrit monument pas luftës.

Memoriali “Heroinat”

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitet 1998 dhe 1999, mijëra gra shqiptare u dhunuan[4] nga forcat ushtarake dhe policore serbe, si dhe nga paramilitarët serbë të lidhur me qeverinë e Serbisë. Sipas përllogaritjeve[5], numri i grave të dhunuara arrin në 20,000. Dëshmitë individuale të të mbijetuarave janë tmerruese: ato rrëfejnë për dhunime në shtëpi, para pjesëtarëve të familjeve, në qendra të paraburgimit, në radhët e refugjatëve, të shoqëruara nga rrahje dhe poshtërime…

Sot e kësaj dite, fare pak është bërë për këtë “kategori” që i ka mbijetuar luftës. Pavarësisht miratimit të ligjit që parasheh se këto të mbijetuara do të marrin së paku reparacione materiale dhe përkrahje morale, deri më tani ndërlikimet buxhetore e kanë shpërfillur zbatimin e plotë të tij. Në fakt, edhe krijimi i listës së grave të abuzuara gjatë luftës ka mbetur në vendnumëro.

Edhe pse me vonesë, kujtesa për to nuk ka munguar. Në qershor 2015, me rastin e 16 vjetorit të çlirimit të Kosovës, në qendër të Prishtinës u ngrit një monument në nder të grave të dhunuara gjatë luftës. Një fytyrë femërore, e krijuar nga 20,000 gjilpëra, ku secila përfaqëson një viktimë të dhunimit në Kosovë. Nuk është as statujë, as bust për një grua, por përfaqëson dhimbjen e mijëra grave.

Statuja e Hyrë Eminit

Hyrë Emini lindi në Ferizaj në vitin 1973. Që nga vitet e saj si studente e Universitetit të Prishtinës, ajo u angazhua në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe nëpër organizata ilegale. Në moshën 21-vjeçare, ajo u arrestua në qytetin e saj të lindjes nga Sigurimi i Shtetit. Pasi u lirua, ajo shkoi të studiojë në Tiranë, por në vitin 1998 u kthye në shtëpi për t’u bërë luftëtare e UÇK-së. Hyra luftoi në beteja të vështira, në krah tër luftëtarëve burra. Emri i saj i luftës ishte “Mira”.

Pas luftës, Hyra u angazhua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Kur në vitin 2001 në Maqedoni shpërtheu konflikti i armatosur, Hyra dha dorëheqjen nga TMK-ja dhe u bë pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni. Më 29 korrik 2001, bashkë me katër shokë të saj luftëtarë – një nga Kosova, një nga Shqipëria dhe dy nga Maqedonia, Hyra u vra duke luftuar në Kuk-Zabel, Gostivar.

Në mars 2017, në qendër të Ferizajit, vendlindja e saj, u zbulua statuja e Hyrë Emini-Mirës. Shumë qytetarë dolën ta nderojnë kujtimin e Mirës. Kështu, Mira u bë e para ushtare e UÇKs-së për nder të së cilës u ndërtua një statujë në Kosovë.

Statuja e Xhevë Krasniqi-Lladrovcit dhe Fehmi Lladrovcit

Xhevë Krasniqi-Lladrovci lindi në vitin 1955 në një fshat të Drenicës. Ajo ishte vajza e një aktivisti të organizatave klandestine, i cili në vitet 1980 kishte punuar ilegalisht për të nxitur kryengritjen kundër Jugosllavisë Socialiste. Si babai i saj, ajo u angazhua në lëvizjen e rezistencës nga mosha e re.

Gjatë aktivizmit politik, ajo u njoh me një nga aktivistët kryesorë të operacioneve të fshehta, Fehmi Lladrovcin. Më vonë, Fehmiu u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg, por më parë, Xheva dhe Fehmiu vendosën të martohen. Edhe pse Fehmiu ishte në burg, Xheva jetoi në shtëpinë e tij, ashtu si e kërkonte tradita dhe u bë nuse pa dhëndërr. Pas lirimit të Fehmiut, për shkak të persekutimit politik, ata vendosën të largohen nga Kosova dhe të kërkojnë azil politik në Zvicër, ku e vazhduan aktivizmin politik deri në pranverën e vitit 1997.

Në maj të atij viti, Xheva dhe Fehmiu u nisën për Kosovë, kapërcyen malet shqiptare për ditë të tëra dhe tentuan të krijojnë celulat e UÇK-së në Kosovë. Mirëpo serbët i zbuluan, ndaj hyrja e tyre dështoi dhe ata do të riktheheshin vetëm në mars 1998.

Xheva mori pjesë në betejat më të ashpra që në Drenicë. Më 22 shtator 1998, Fehmiu u vra në krye të luftimeve. Për të mos dobësuar besimin e ushtarëve, Xheva mori komandën dhe vazhdoi derisa u vra disa orë më pas. Xheva dhe Fehmiu nuk ishin thjesht një çift i martuar, por shokë aktivistë lufte.

Pas luftës, Xheva dhe Fehmiu u shpallën “Heronj të Kosovës”. Ajo u shpall pas vdekjes “gjeneral-major” e UÇK-së.

Në shtator 2018, statuja e Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit u inaugurua në qendër të Drenasit. Ashtu u memorializuan si kishin jetuar: bashkë, krah njëri-tjetrit si shokë të jetës, aktivizmit dhe luftës.

Në Kosovë do të hasni edhe statuja dhe buste të grave të tjera, si Ganimente Tërbeshi, aktiviste antifashiste, e varur në vitin 1944 në qendër të Gjakovës nga gjermanët nazistë. Ajo ishte 17-vjeç. Shumë nga këto buste janë ngritur në shkollat e emërtuara për to.

Ajo çka i mungon Kosovës janë memoriale dedikuar kontributit femëror për shoqërinë, shembull në fushat e shkencës, akademisë, kulturës, artit, apo letërsisë. Duket se për momentin kjo gjë nuk është përparësi për qeverinë tonë. Një vend që po mbytet nga “temat e mëdha”, nga negociatat me Serbinë e deri tek tema e punësimit të militantëve partiakë, mezi gjen kohë të diskutojë temën e dhunës kundër grave, e aq më pak temën e nderimit dhe të përkujtimit të grave që i kanë kontribuar shoqërisë tonë.

Shpresojmë se e ardhmja do të sjellë përkushtim më serioz ndaj të drejtave, ku u tregojmë respekt grave që janë gjallë dhe pastaj atyre që kanë vdekur, së paku me statuja.

Eurisa Rukovci


[1] https://www.mywanderlust.pl/mothers-of-post-soviet-countries/

[2] https://balkanist.net/national-mothers-of-socialism/

[3] https://www.kultplus.com/tag/nene-tereza-viziton-kosoven/

[4] https://www.politico.eu/interactive/a-dark-legacy-the-scars-of-sexual-violence-from-the-kosovo-war/

[5] https://www.theguardian.com/global-development/2018/aug/03/after-two-decades-the-hidden-victims-of-the-kosovo-war-are-finally-recognised