Rexhep Maloku
“Helmimet ma kanë helmu jetën”, thotë Arta M. “Ma merr mendja se arsyeja kryesore pse nuk mund të bëhem nënë është e lidhur me helmimet”.
Ajo është vetëm njëra prej shtatë mijë nxënësve e studentëve të cilët u helmuan me agjentin nervor sarin në pranverën e vitit 1990, thotë historiani Ilir Bytyçi, duke u ndaluar te zhvillimet e shumta politike para helmimeve. Kosovës i ishte suprimuar autonomia në 23 marsin e vitit 1989. Regjimi i Slobodan Milosheviqit nuk po zmbrapsej, përkundër formave të ndryshme të pakënaqësisë së shqiptarëve. Kosovës po i shtrëngohej laku në fyt.
“Masat e dhunës dhe represionit po rriteshin dita-ditës dhe ato përfshinin të gjitha poret e jetës”, thekson Bytyçi. “Kësaj radhe, vala e spastrimeve etnike do të merrte përmasa më të mëdha, siç ishte rasti me pranverën e vitit 1990, ku shteti serb në krye me kasapin e Ballkanit, Slobodan Milosheviq, do të bënte një akt makabër, duke helmuar shtatë mijë nxënës, duke filluar nga cikli parashkollor deri tek ai universitar”.
Arta M, atëherë nxënëse e shkollës së mesme në Ferizaj, nuk besonte se regjimi serb do t’i shënjestronte edhe fëmijët shqiptarë. Madje edhe ata të shkollave fillore, sikurse do të ndodhte në ditën e 6 prillit 1990 me nxënësit e shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj. Shokët e shoqet po binin një nga një përtokë në njërën prej paraleleve të klasave të pesta të shkollës më të madhe fillore jo vetëm në qytet, por edhe në Kosovë. Disa u shtanguan e të tjerët po alivanoseshin. Është një prej ditëve më të zeza në jetën e Afërditës, Avniut, Nebahates, Bekimit, Saberes, Sinaveres, Arbenit, Bukurisë, Teutës, Fizës, Xhylës dhe Arbenitës, përshkruajnë historiani Ramadani dhe mjeku Agim Bytyçi në librin e tyre “Shëndetësia e Ferizajt me rrethinë në shekullin XX”. Nxënësit dëshmonin se helmimi kishte ndodhur vetëm në aneksin e nxënësve shqiptarë në shkollën me klasë të ndara të serbëve. Autorët i paraqesin me lista emrat e mbiemrat e të gjithë shkollarëve të helmuar ferizajas.
Pranvera e kthesës së madhe
“Viti 1990 pa dyshim ishte viti i kthesave të mëdha për Kosovën. Ngjarjet që zhvilloheshin njëra pas tjetrës me shpejtësi marramendëse ishin fatale për popullatën shqiptare të Kosovës, e në veçanti për arsimin shqip. Pranvera e këtij viti ishte edhe më e rëndë, sepse ndodhi helmimi i nxënësve shqiptarë, kryesisht në shkolla fillore dhe të mesme të Kosovës”, shkruajnë Ramadani e Bytyçi, mjeku i cili do t’i trajtonte nxënësit e helmuar. “Helmime pati edhe në Ferizaj. Ishte një dhunë e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë. Ndodhi ajo që mendja e njeriut dhe imagjinata e tij asnjëherë nuk mund ta mendonte. Pra, ndodhi ‘helmimi misterioz’ i nxënësve shqiptarë”, tregon ai.
Autorët e cilësojnë përdorimin e armëve kimike kundër fëmijëve shqiptarë akt gjenocidi, krimi e terrori shtetëror serb. “Ky akt nuk ishte vepër me tendenca gjenocidi vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, por ishte vepër edhe kundër njerëzimit, kundër parimeve të proklamuara dhe të miratuara të Kombeve të Bashkuara”, shkruajnë ata.
Historiani Ilir Bytyçi thotë se për helmimet e nxënësve shqiptarë do të deklarohej edhe majori anglez, David Craig, i cili do të vlerësonte se “fëmijët e Kosovës u helmuan me helmin sarin” dhe “ajo që ka rëndësi është se ky helm u prodhua në fabrikën Potoçi Afër Mostarit”. Bytyçi pastaj citon edhe historianin anglez, Noel Malcolm, autor i librit “Kosova: Një histori e shkurtër”, i cili shkruante: “Këta nxënës ishin helmuar me substanca kimike të njohura si sarin, të cilët bënin pjesë në armët kimike”.
“Këto helme të përdorura ndaj fëmijëve shqiptarë bënë që ndaj tyre të shkaktohet tronditje nervore”, thekson Bytyçi.
Arta M. do të pësonte shpesh sulme të papritura që i shkaktonin shtangim e alivanosje. Nuk do t’i gjendej ilaçi në Kosovë, ku edhe ashtu regjimi i Milosheviqit ua vështirësonte trajtimin, sikurse dëshmohet edhe në dëshmitë e nxënësve dhe mjekëve në librin “Shëndetësia …..” Po aty, bëhet e ditur se nxënësit me gjendje më të rënduar do të dërgoheshin nëpërmjet të afërmve në spitalet e kryeqyteteve të ish-republikave jugosllave, por edhe në botën perëndimore. Familja e dërgoi Arta M. në Gjermani.
“Kam qëndruar dy muaj te familja e një kushëriri në Gjermani, ku më ka trajtuar një mjek me bioenergji”, thotë ajo. Më nuk i janë shfaqur telashe shëndetësore, por beson fort se shkaku i helmimit nuk po mund të bëhet nënë. “Kam harxhuar dhjetëra mija euro nëpër mjekë, të cilët më kanë thënë se nuk kam probleme shëndetësore as unë e as burri, por po bëhen thuajse dhjetë vjet që po shpenzojmë pa sukses”.
“Teatralizëm i shqiptarëve!”
Mjeku Shyqeri Hyseni shkruan në libër se ky ka qenë njëri prej qëllimeve të helmimeve të regjimit serb. “Këto helmime që atëherë mendoj se nuk kishin për qëllim vetëm vuajtjet e nxënësve, trishtimin e prindërve, arsimtarëve dhe të gjithë popullatës. Jo, ishte për t’ua bërë të ditur shqiptarëve se kështu do t’u ndodhë fëmijëve vazhdimisht, duke e shtuar propagandën që natyrisht ishte brengosje e jona se helmet toksinante kanë veprim edhe në fertilitet”, shkruan Hyseni, njëri prej mjekëve që do t’i trajtonin nxënësit e helmuar.
Rastet e para në Ferizaj ishin trajtuar më 22 mars 1990. Ishin nxënës të shkollës fillore përballë ambulantes së qytetit. Mjekët Abaz Beqa e Minire Reçica po përgatiteshin të nisnin ndërrimin e pasdites në dispanserin shkollor në ambulancën qendrore. Ora 13:00. Reçica porsa kishte veshur mantelin e bardhë dhe po sistemonte gjësendet në tavolinën e punës kur do të dëgjonte thirrjet për ndihmë të dy djelmoshave që po bartnin në krah një vajzë. Kishte menduar se filloristja kishe pësuar ndonjë lëndim në sallën e edukatës fizike.
“Sapo arritëm ta vendosnim mbi shtrat pa pasur kohë për një ekzaminim të denjë, arriti pacientja e dytë, gjë që na befasoi shumë për shkak të simptomatologjisë së njëjtë me pacienten e parë”, shkruan Reçica, duke përshkruar shenjat e skuqjes, shtrëngimeve muskulare dhe vështirësitë në frymëmarrje. “Pa mbaruar mirë, arriti edhe një pacient tjetër, një djalosh nga e njëjta klasë”.
Shumë shpejt, mjekët do të sfidoheshin prej dhjetëra rasteve, duke alarmuar edhe qytetarët. “Atë rrëmujë nuk mund ta përshkruajnë as fjalët, as incizimet. Vetëm ata që e përjetuan mund ta tregojnë. Të gjithë mantelbardhët dhanë maksimumin e mundshëm”, shkruan Beqa në “Shëndetësia e Ferizajt me rrethinë në shekullin XX”.
Agim Bytyçi tregon për organizimin e punës profesionale, por edhe përfshirjen e tij për organizimin e taksive për t’i dërguar pacientët në gjendje më të rëndë në Prishtinë.
Korrespodenti i televizionit të Beogradit nga Kosova, Goran Miliq, do të deklaronte në edicionin qendror të lajmeve të 22 marsit 1990 në TV Beograd se “aktrimeve të shqiptarëve do t’u kishin lakmi edhe artistët e Kanës”. Në të njëjtën edicion do të paraqitej edhe infektologu Stefan Balosheviq, i cili kishte nënshkruar raportin e konsorciumit të mjekëve për helmimet, por do t’i ndërronte krejtësisht fjalët para kamerës: “Fjala është për një teatralizëm të ushtruar mirë”.
“Qysh ish tuj ec, u përplaske thmija përtokë”
Në terren gjendja ishte ndryshe. Shefki Hajdari, banor nga fshati Nerodime e Poshtme, do të dërgonte në ambulancë dy herë nxënës që po alivanoseshin në rrugë derisa po ktheheshin nga shkolla. “Qysh ish tuj ec, u përplaske thmija përtokë”, thekson ai.
Autoritetet lokale serbe ishin kujdesur që qytetarët të kishin sa më pak informacione se çfarë po ndodhte me fëmijët e tyre në shkolla. Antenës së Radio Ferizajt, për “çudi” – sikur se shkruajnë Ramadani e Bytyçi – i ishte shkaktuar aksidentalisht një defekt nga një mjet transportues dhe “kështu ndërpritet transmetimi i programit të rregullt, për t’u bërë i pamundur me kohë informimi i qytetarëve”.
Por, fjala për lajmet e zeza po merrte shpejt dhenë. Kisha katolike në Ferizaj do t’i hapte dyert dhe do të kthehej në spital të improvizuar. Policia serbe kishte urdhëruar personelin mjekësor që të largohej nga tempulli fetar dhe pacientët ishin lëshuar në shtëpi për ta vazhduar kurimin, shkruan mjeku Hajdin Ymeri, pjesë e ekipit mjekësor në kishë. “Inspektorët e policisë serbe e marrin në pyetje publikisht Dom Lush Gjergjin, pse i kishte liruar hapësirat e kishës katolike për trajtim në aspektin shëndetësor të nxënësve të helmuar shqiptarë”, kujton ai, duke treguar pastaj se në qytet ishin trajtuar mbi tetëqind nxënës të helmuar gjatë marsit, prillit, majit dhe qershorit të vitit 1990.
Bytyçi, historiani, thotë se ngjarjet e pranverës së vitit 1990 janë ngulitur thellë te nxënësit që vuajnë pasojat e atij “cikli makabër”, i cili ishte orkestruar nga Beogradi për të goditur rininë shqiptare. “Edhe në ditët e sotme kur Kosova dhe Serbia janë në proces afatgjatë dialogu për shumë çështje që lidhen me proceset politike që ndodhën në të kaluarën, por çështja e helmimeve nuk ka marrë ende një trajtim meritor dhe është krejt natyrshme që kjo çështje të ketë një vëmendje më të madhe, për të mos harruar tmerret që goditën dhe dëmtuan rëndë rininë e Kosovës”, thekson ai.
Arta M. ende beson se një ditë do të bëhet nënë. Shpresën ia mban gjallë rasti i një të afërmeje të helmuar, e cila pas shumë përpjekjesh lindi fëmijë.
Dëshmia e “Mjekëve të botës”
Historiani Ilir Bytyçi citon edhe dëshminë e Dr. Bernard Benedetti, psikiatër, mjek me famë botërore, anëtar i Shoqatës “Mjekët e Botës” (Medecen du Monde) dhe themelues i Universitetit të Korsikës. Ai citon fjalët e Benedettit, i cili ishte keqtrajtuar derisa po kryente punën në terren: “Më së tepërmi na pengonte policia, e cila ishte në çdo hap, gjë që e ngadalësonte punën tonë. Ajo shkonte kudo pas mjekëve, por më e keqja ishte kur policia e ndiqte popullatën shqiptare. Prandaj kam shkruar, kam folur, por do të shkruaj e do të flas edhe më tutje se është e papranueshme kur policët civilë hyjnë nëpër sallat e konsultimeve, u japin urdhra mjekëve që shërojnë të sëmurët!” – lexon Bytyçi citatin e Benedettit. “Arrogancën e tyre e përjetova vetë. Ata më morën madje tri herë edhe pasaportën! Obligimi kryesor i mjekut është të shërojë dhe të shpëtojë jetën e njerëzve, duke biseduar lirisht me ta. Madje, kjo është njëra ndër vlerat themelore të demokracisë. Demokraci do të thotë së pari të jetosh, mirëpo për të jetuar duhet pasur mundësi shërimi, domethënë të shërohesh lirisht nga një mjek i lirë, gjë e cila nuk ishte në Kosovë. Prania e policisë nëpër spitale është presion i padurueshëm, sikurse edhe prania e veturave të blinduara me polici nëpër rrugët e qytetit”.
© KOHA Ditore
(Ky shkrim botohet në bashkëpunim me forumZFD Kosovë, në kuadër të angazhimit “Përballja me të kaluarën”)