HESHTJA SI ALIBI

Duhej të ishte një likuidim rutinor i civilëve, një nga të shumtit që i bënte skuadra e forcave policore të Prijedorit në vitin 1992. Një shteg i gdhendur në shkëmbinjtë mbi shkrepat e malit Vllashiq dukej vendi i duhur për ta. Një shkëmb me maja të thepisura dhe një humnerë të thellë dhe vdekjeprurëse poshtë thjesht i ndolli ata të ndalonin autobusët me 200 burra brenda tyre. Këta ishin burrat që kishin veçuar nga një konvoj më 21 gusht 1992, teksa përndiqnin popullsinë joserbe nga Prijedori. Ata ishin tashmë vrasës profesionistë, pjesëtarë të skuadrës së intervenimeve të forcave policore të Prijedorit që kishin vrarë tashmë disa qindra civilë, trupat e të cilëve shtriheshin nëpër periferitë që rrethonin Prijedorin. Nëse lexojmë vendimet, emrat e tyre përmenden si pjesëtarë të skuadrës së pushkatimit që vriste njerëz përballë një xhamie në Çarakovo, si ata që torturonin dhe vrisnin të burgosurit përballë kampit të burgimit në Manjaça, ata që kishin marrë me vete shumë banorë të Prijedorit që ishin zhdukur pa asnjë gjurmë. Pothuajse nuk ekziston asnjë krim i rëndë pa pjesëmarrjen e pjesëtarëve të skuadrës së intervenimeve të forcave policore të Prijedorit. Komandanti i skuadrës ishte Mirosllav ParaAnchorshi[1], një polic aktiv eprorët e të cilit e caktuar të menaxhonte oficerët e forcave rezerviste të cilët u bënë pjesë të skuadrës më famëkeqe të vdekjes në Prijedor, pjesërisht me vullnet dhe pjesërisht sepse ishin përzgjedhur dhe konkurrenca ishte e fortë. Rreth 40 pjesëtarë të skuadrës, të shpërndarë në dy divizione, sillnin vdekje 24 orë në ditë, në dy ndërrime.

Atë 21 gusht 1992, ata caktuan një tjetër rekord personal, pasi synonin t’i vrisnin 200 vetë përnjëherë. Ata besonin se shkëmbinjtë e rrezikshëm do të ishin garanci shtesë që vdekja do të ishte e sigurtë për viktimat që ishin përzgjedhur në mënyrë rastësore nga konvoji me më shumë se njëmijë vetë. Mirosllav Parashi ishte përgjegjës për të gjithë operacionin dhe urdhërat i mori nga eprori i tij Dushan Jankoviq. Parashi ishte ai që përzgjodhi njerëzit për t’u ekzekutuar nga skuadra e pushkatimit, ai që vendosi se ku duhej të ndalonin autobusët. Ai i rreshtoi civilët në dy radhë, i urdhëroi t’i afroheshin skajit të humnerës dhe kërkoi nga civilët në rreshtin e parë që të uleshin në gjunjë pranë skajit. Bashkë me pjesëtarët e tjerë të skuadrës së pushkatimit ai i qëlloi njerëzit që zhdukeshin para syve të tij ose sepse ishin goditur, ose sepse kërcyen në humnerë.

Edhe pse atë ditë ata shkuan në një kafe në Knezhevo pasi i kishin kryer krimet, vetëm më pak se gjysëm ore më vonë, në mënyrë që të ngrinin dolli për punën e kryer me sukses dhe për të shpërndarë plaçkën – para dhe ar që kishin marrë nga viktimat – shpejt doli se atë ditë ata bënë gabime të shumta dhe të pafalshme. Doli se humbëtira malore ishte në fakt një pikë me rëndësi kyçe për banorët e Knezhevos, që në atë kohë quhej Vakëfi i Skenderit. Rrjeti i furnizimit me ujë e merrte ujin nga kjo zonë dhe se kalbja e trupave përbënte katastrofë mjedisore dhe rrezik infektimi. Brigada e Forcave të Armatosura të Republika Srpskas nga Knezhevo reagoi e para, meqë zona ishte nën përgjegjësinë e tyre dhe shumë shpejt pati reagime të tjera dhe u inicua hetimi nga autoritetet ushtarake dhe civile të Banja Llukës.

Kjo detyrë rutinore që përfshinte edhe likuidimin e myslimanëve nga Prijedori u shndërrua në makth të vërtetë për pjesëtarët e skuadrës së intervenimeve të forcave policore të Prijedorit. Kriminelët e luftës kurrë nuk kishin patur më shumë telashe me trupat pas krimeve diku tjetër. Askund në Bosnje e Hercegovinë. Ata u detyruan të zbresin në humnerë dhe të largojnë trupat që po dekompozoheshin nga i nxehti i gushtit. Vinçi që morën me vete nga Prijedori u prish pasi kishin tërhequr vetëm katër trupa, ndaj nisën që t’i djegin trupat duke i mbuluar me gurë dhe duke i shtyrë në guvë. Doli se ata nuk kishin qenë mjaftueshëm efikasë kur i kishin vrarë viktimat, pasi 12 vetë ia dolën t’u mbijetonin plumbave dhe rënies nga shkëmbi i thepisur nga lartësia më e madhe se 40 metra. Për ca kohë, policët që i kishin vrarë këta njerëz u frikësuan se mos i arrestonin dhe u desh të fshihen në shtëpizën e pushimeve të Darko Mërgjës, i cili ishte i pari që dha llogari për atë krim para TPNJ-së në Hagë.

Menjëherë më pas, skuadra e intervenimeve u dërgua në një arenë të vërtetë lufte në Bosnjen Lindore, ku vrarësit mësuan ndryshimin ndërmjet betejës së vërtetë dhe vrasjes së civilëve të paarmatosur. Ata mund të gjenden në listën që është pjesë e raportit të SHQ-së të Trupave të Parë të Krajinës në tetor 1992, ku shkruhet: ”Policët e Stacionit Policor të Prijedorit i braktisën pozicionet dhe u arratisën drejt vendit të origjinës. Akuzat penale duhen ngritur menjëherë kundër çdo individë dhe duhen marrë masa të tjera  për ta informuar publikun. Emrat e tyre do të botohen në gazetat lokale dhe do të transmetohen në radio, bashkë me mesazhin se këta janë persona që nuk janë të gatshëm të mbrojnë interessat e popullit serb dhe të sakrifikohen për krijimin e shtetit serb”. Këtë deklaratë e nënshkroi Gjenerali Momir Taliq.

Menjëherë pas krimeve të kryera në Shkëmbinjtë e Koriçanit, skuadra e intervenimeve u shpërbë, por jo për shkak të këtij krimi, por sepse nuk kishte më nevojë për të, pasi pjesa më e madhe e popullsisë joserbe ishte përndjekur dhe ata me më pak fat ishin varrosur në varre individuale dhe masive. Në atë kohë, askush nuk i kishte inat pjesëtarët e skuadrës së intervenimeve për shkak se kishin vrarë civilë në Shkëmbinjtë e Koriçanit, por për shkak të faktit se e kishin bërë pa dijeninë dhe pajtimin e autoriteve ushtarake dhe civile lokale në Knezhevo dhe për shkak të faktit se ata nuk kishin marrë masa që trupat të varroseshin si duhej. Si rezultat i dekretit të miratuar nga ish-Presidenti i Republika Srpskas, Radovan Karaxhiqit, Mirosllav Parashi mori medaljen e majorit Millan Tepiq në prill 1993 dhe eprori i tij, shefi i policisë Dushan Jankoviq i cili u dënua me 27 vjet burgim nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës për krimin e kryer në Shkëmbinjtë e Koriçanit, mori medaljen Millosh Obiliqi me të njëjtin dekret.

Mirosllav Parashi u vra më 8 shkurt 1994, në arenën e luftës në Bihaq, bashkë me shtatë policë të tjerë nga Prijedori. Në shenjë hakmarrjeje, kolegët e tyre dhe ish-anëtarët e skuadrës së intervenimeve kryen një sërë krimesh kundër boshnjakëve të mbetur në Prijedor. Radosllav Knezheviqi, Drago Radakoviqi dhe Drashko Krndija u dënuan me burgim për kryerjen e këtyre krimeve nga Gjykata e Qarkut në Banja Lluka më vitin 1994. Radosllav Knezheviqi po ashtu u dënua nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës për rastin e Shkëmbinjve të Koriçanit. Përveç Dushan Jankoviqit dhe Radosllav Knzheviqit, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës gjithashtu dënoi Zoran Babiqin, Millorad Shkërbiqin, Zheljko Stojniqin, Sasha Zeçeviqin dhe Marinko Ljepojan. Damir Ivankoviq, Gordan Gjuriq dhe Ljubisha Qetiq arritën marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Që të gjithë ata ishin policë dhe ky krim është më i madhi që njihet i kryer nga forcat policore të Republika Srpskas në Bosnje e Hercegovinë. Zyrtarë të lartë policorë kurrë nuk janë distancuar nga ky krim, përkundrazi, në ndërtesat e policisë mbahen ngjarje të rregullta për të përkujtuar vdekjen e Mirosllav Parashit dhe të policëve të tjerë. Vizitorët mund të shohin statujën dhe emrin e tij, që janë pjesë e monumentit në sallën e pritjes, menjëherë sapo hyjnë në ndërtesë. Përveç statujës së tij, ekziston edhe statuja e Zheljko Bulliqit, pjesëtar i një skuadre të intervenimeve që gjithashtu ka marrë pjesë në masakrën e Shkëmbinjve të Koriçanit. Monumenti nuk i përfshin emrat e policëve nga Prijedori të cilët u mbajtën të burgosur në kampet e burgimit në Prijedor dhe u torturuan atje, sikurse Emir Karabashiq dhe shumë policë të tjerë joserbë, të cilët u vranë në vitin 1992.

Emri i Mirosllav Parashit është i gdhendur edhe në një monument në vendlindjen e tij, Donji Garevci, periferi e Prijedorit. Monumenti nuk i përfshin emrat e tre fëmijëve, Alen, Ajdin dhe Maida Xhenanoviq, të cilët u vranë në shtëpinë e tyre në atë periferi më 22 korrik 1992 nga kryerës që ende nuk janë gjetur.

Në vitin 2012, autoritetet e qytetit, bashkë me shoqatën e veteranëve të luftës, organizuan ceremoninë e zbulimit të monumentit me emrat e pjesëtarëve të vrarë të ushtrisë dhe forcave policore serbe me rastin e 20 vjetorit të fillimit të luftës. Monumenti u quajt “lulja e gurit”, duke aluduar në monumentin e famshëm të Bogdan Bogdanoviqit në Jasenovac dhe aty u gdhend emri i Mirosllav Parashit. Pothuajse askush në Prijedor nuk i bën vetes pyetjen nëse është e këshillueshme që vdekja e ushtarëve, përfshirë të ushtarëve si Mirosllav Parashi, të krahasohet me vdekjen e civilëve të pafajshëm të Jasenovacit. Edhe vendndodhja e monumentit është shumë e diskutueshme. Ai gjendet në parkun që dikur i përkiste qendrës së shkollës fillore menjëherë pranë shkollave të mesme në Prijedor. Elvir Karariq, i cili u vra nga Mirosllav Parashi në Shkëmbinjtë e Koriçanit, pati ndjekur shkollën e mesme përballë të cilës është ngritur monumenti me emrin e vrasësit të tij. Nxënësi gjashtëmbëdhjetë vjeçar i asaj shkolle ende nuk ka ndonjë monument me emrin e tij në Prijedor, pavarësisht faktit se për vite të tëra ka ekzistuar një nismë që të ngrihej një monument për fëmijët e vrarë.

Komandanti i skuadrës së intervenimeve, polici nga Prijedori dhe vrasësi famëkeq Mirosllav Parashi, mori medalje sa ishte gjallë dhe pasi vdiq, emri i tij u ruajt në përjetësi, shkruar mbi tre monumente në hapësira publike që janë financuar nga buxheti i qytetit. Dhe askush nuk shqetësohet nga kjo. Gjatë dy viteve të fundit, ka patur varrime kolektive të viktimave dhe shumica e këtyre viktimave janë vrarë në Shkëmbinjtë e Koriçanit. Janë thënë shumë fjalë të panevojshme, të zbrazëta dhe të kota gjatë këtyre varrimeve dhe nëpër komunikata për media dhe askush, absolutisht askush nuk vë në dukje sa problematik është fakti që janë ndërtuar memoriale për personat për të cilët janë vërtetuar nga gjykata fakte se kanë kryer krime lufte gjatë jetës së tyre.

Autoritetet e Prijedorit nuk e kanë mohuar kurrë krimin në Shkëmbinjtë e Koriçanit, gjatë dhjetë viteve të para, ata kanë financuar transportimin e familjeve të viktimave nëpër ngjarje përkujtimore. Çdo vit, autoritetet e qytetit ndajnë fonde nga buxheti i qytetit, të planifikuara nën linjën për varrimin e të pagjeturve, në llogaritë e dy mexhliseve të Komunitetit Islamik për mirëmbajtjen e varrezave të veteranëve të vrarë. Në të njëjtën kohë, të njëjtat autoritete financojnë monumente që përfshijnë emrin e personi që ka më së shumti përgjegjësi për krimin në Shkëmbinjtë e Koriçanit, por edhe për krime të shumta në Prijedor. Kjo është e mundur vetëm me pajtimin e heshtur të përfaqësuesve politikë lokalë të boshnjakëve, por edhe të mexhlisit të Komunitetit Islamik që organizon varrimet kolektive të viktimave. I gjithë problemi i krimeve të luftës është tek akti humanitar i varrimit të dinjitetshëm dhe tek fjalët: ‘Mos u harroftë kurrë”. Në vend se të këmbëngulin për gjetjen e përgjegjësve, fuqizimin e kapaciteteve të gjyqësorit, inkurajimin e dëshmitarëve, arritjen e distancimit institucional nga kriminelët e luftës, gjithçka përfundon tek varrimet, ritet fetare dhe disa narrativa imagjinare për harresën. Në fund fare, familjet e viktimave e kanë pranuar se mjafton të gjejnë mbetjet mortore dhe t’i varrosin. Askush nuk pret që të hapen procedura të reja gjyqësore.

Heshtja ka mbretëruar edhe gjatë kërkimit për trupat e viktimave në Shkëmbinjtë e Koriçanit. Në vitin 2003 nisi zhvarrimi, por vetëm në vitin 2017 u vërtetua se mbetjet mortore të viktimave kishin qenë gjatë të gjithë kohës në vendin e krimit. Kjo ishte pretenduar që në fillim nga dëshmitarët para Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës. Një dëshmitar, Velimir Vrabçiqi, pretendonte se kishin patur me vete një ekspert të minave për t’i varrosur trupat poshtë shkëmbinjve. I akuzuari, Damir Ivankoviqi, tha në deklaratën e tij se e kishte dërguar Udhëheqësin e Institutit për të Pagjeturit, Amor Mashoviqin, tek vendi dhe i kishte treguar atij se ku ishte kryer krimi. Ata duhej të kërkonin më mirë në atë zonë dhe të gërrmonin dheun, mirëpo ”ekspertët” kishin teoritë e tyre, shfajësimet dhe metodat e dobishme vetëm për ta zvarritur procesin. Duke qenë se shoqatat e të burgosurve të luftës kanë marrë përsipër organizimin e ceremonive përkujtimore për Shkëmbinjtë e Koriçanit, askush nuk bën pyetje për përgjegjësinë e atyre që kanë mbetur të padënuar. Gjatë ceremonive përkujtimore të para të organizuara që nga viti 2001 nga Shoqata e Grave nga Prijedori ”Izvor”, emrat e policëve nga skuadra e intervenimeve janë lexuar dhe janë bërë kërkesa që të prcaktohet përgjegjësia e tyre. Një nga emrat ishte Sasha Zeçeviq, Udhëheqësi i Departamentit të Komunikacionit në Stacionin Policor, i cili e dëgjoi emrin e tij në Shkëmbinjtë e Koriçanit, ku kishte shkuar si pjesëtar i forcave të sigurisë policore. Më vonë, ai u arrestua në uniformën e tij policore dhe u dënua për krimin në Shkëmbinjtë e Koriçanit. Përkujtimet më 21 gusht, raportimet në media dhe dy protesta përballë ndërtesës së Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës, krijuan presion publik që rezultoi në aktakuzat kundër 13 policëve. Nuk ka më kërkesa të till,a ndaj pjesëtarët e mbetur të skuadrës së intervenimeve të forcave policore të Prijedorit mund të flenë të qetë. Njëri prej tyre është Zheljko Zec, i cili ishte më brutali gjatë plaçkitjes së njerëzve në konvoj. Pasi ndërprenë të shtënat, ai pastaj hodhi bomba në humnerë që t’i vriste të gjitha viktimat që mbijetuan. Thuhet se është në Australi, nën një emër të rremë, por sigurisht që mund të flejë i qetë, sepse sapo trupat e mbetur që gjenden në sallën e identifikimit në Urën Sanski të jenë varrosur, askush më nuk ka për ta përmendur Shkëmbinjtë e Koriçanit apo të kërkojë drejtësi për viktimat. Ish-anëtarët e skuadrës së intervenimeve ndodhen në Gjermani, Serbi, por hsumica e tyre jetojnë ende në Prijedor. Askush nuk po e kërkon kolegun e tyre Drashko Krndija, i cili rrinte pas Parashit kur zbarznin karikatorët mbi trupat e civilëve në humnerën e Shkëmbinjve të Koriçanit. Ai madje as nuk është shfaqur gjatë shpalljes së aktgjykimit në Gjykatën e Qarkut në Banja Lluka në vitin 2005 dhe që nga ajo kohë është në arrati. Ai është fshehur për një periudhë më të gjatë se sa të arratisurit dikur famëkeq Mlladiq dhe Karaxhiq dhe ai është harruar jo vetëm nga institucionet, por edhe nga ata që organizojnë varrimet e viktimave dhe përfaqësojnë familjet e viktimave në publik.

Është heshtja ajo që paraqet problem, jo harresa. Si rezultat i heshtjes së elitës politike boshnjake në Prijedor, emri i Mirosllav Parashit është gdhendur në tre monumente që janë paguar me buxhetin publik, që mbushet edhe nga taksat që paguajnë familjet e viktimave të tij. Nëse dikush do të kishte protestuar ndonjëherë kundër kësaj, ndoshta autoritetet lokale do ta kishin rishqyrtuar se farë lloj monumentesh financohen dhe në nder dhe përkujtim të kujt ato po ngrihen. Po të kishte patur ndonjë kërkesë nga shoqatat e të burgosurve të luftës, ndoshta në hollin e ndërtesës së stacionit policor do të kishte patur ndonjë pllakë me emrat e policëve të vrarë në kampet e burgimit. Heshtja sjell qetësi, sikurse ka shkruar Ivo Andriqi, fituesi i mimit Nobel. Siguri për kriminelët e luftës.

Edin Ramuliq, është aktivist për të drejtat e njeriut nga Prijedori. Ai është ish-gazetar dhe redaktor i tre edicioneve të një libri për të pagjeturit Ni krivi, ni dužni. Ai angazhohet vazhdimisht për të dhënë mbështetje për dëshmitarët dhe viktimat e krimeve të luftës dhe për të mbledhur informacion për të pagjeturit. Duke vepruar kështu, ai dëshiron t’i kontribuojë proceseve për ndërtimin e një kulture të kujtesës dhe ballafaqimit me të kaluarën. Ai është presidenti i Fondacionit për Ndërtimin e Kulturës së Kujtesës në Prijedor dhe aktualisht po themelon një qendër për dokumentim dhe informim në atë qytet.

Foto: Edin Ramuliq, mbetjet mortore të viktimave në Korićanske stijene   


Anchor[1] Për më shumë informacion shikoni: Gjykata e Bosnje e Hercegovinës, 3472_1K_BZ_i_dr._prvostupanjska_21_12_2010-2.pdf