Kanë kaluar njëzet vjet nga rrethimi i Dubrovnikut, që zgjati nga 1 tetori 1991 deri në ditët e fundit të qershorit 1992. Një nga qytetet më të bukura dhe jo vetëm në rajon, u bombardua nga ushtria e ish-Jugosllavisë dhe forcat rezerviste malazeze. Teksa monumentet shkatërroheshin, shtëpitë digjeshin dhe njerëzit vriteshin, sulmi mbi Dubrovnik u glorifikua nga media në Podgoricë dhe nga agjitatorët e Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) që ende udhëhiqet nga presidenti i vendit Millo Gjukanoviq. Ata u përpoqën që sulmin ta paraqesin si mbrojtje, pushtimin si çlirim, krimet si patriotizëm. “E urrej shahun për shkak të fushës së shahut”, ka thënë Gjukanoviqi në ethe të luftës.
Forcat anti-luftë të udhëhequra nga Unioni Liberal, SDP dhe nga reformistët, nga e përjavshmja Monitor, grupet e intelektualëve dhe dezertorët trima që nuk donin të marshonin kundër fqinjëve dhe vëllezërve tanë, u përpoqën t’ia shpjegojnë publikut se rënia e Dubrovnikut do të ishte rënia edhe e Malit të Zi, që kishte ndarë me Kroacinë jo vetëm një shtet për shtatë dhjetëvjeçarë, por edhe një vijë të gjatë të lidhjeve të ndërthurrura përgjatë historisë së tyre të përbashkët të ekzistencës mesdhetare. Dubrovniku kishte qenë shtëpi për malazezët, për ata nga malësia që do të zbrisnin për të bërë tregti me banorët e Dubrovnikut dhe për ata nga Boka dhe më larg në jug që shkonin atje për shkollim, trajtime mjekësore, martesa… Malazezët gjithnjë kishin patur dy porta drejt botës së jashtme – njëra ishte Beogradi, tjetra Dubrovniku…
Bashkë me gjithçka tjetër që qyteti nënkuptonte në të kaluarën, rrethimi i Dubrovniku shenjoi fundin e Jugosllavisë, që fuqitë në Podgoricë pretendonin se po shpëtonin, ndërkohë që bënin gjithçka, bashkë me Millosheviqin, ta rrënonin vendin. Alarmet nuk i dëgjoi kush: të gjithë ata që ishin kundër luftës damkoseshin si tradhëtarë, ustashë apo agjentë të huaj.
Dubrovniku ishte vetëm fillimi i rënies së Malit të Zi, njolla e parë e zezë në historinë e një kombi që deri atëherë kryesisht kishte qenë në anën e duhur të historisë, i njohur për betejat për liri. Para gjithë kësaj, me një grusht shteti dramatik, Millosheviqi e copëtoi lidershipin e Malit të Zi dhe solli aparatçikë të rinj komunistë të cilët do ta sundonin Malin e Zi pa ndërprerje për tre dhjetëvjeçarët në vijim. Në fillim të asaj periudhe, qeveria e Malit të Zi iu bashkua Millosheviqit në luftën më të përgjakshme dhe të vështirë në Bosnje e Hercegovinë dhe e ndoqën pas në Sarajevë dhe në Srebrenicë. Atje, të dënuarit për krime lufte u shndërruan në heronj kombëtarë: Karaxhiqi, Shljivançanini, Mlladiqi… Për ta do të këndoheshin këngë dhe do të bëheshin festa në sheshet e qytezave dhe në tubimet nëpër fshatra, ndonjëherë vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Vetëm pasi nënshkrimet për Marrëveshjen e Dejtonit u ftohën dhe u thanë dhe pas demonstratave masive në Beograd gjatë viteve 1996 dhe 1997, të nxitura nga disfata e Millosheviqit në zgjedhjet lokale, Mali i Zi ndërroi drejtimin. Zyrtarët e Podgoricës kthyen një faqe të re me vështrimin drejt Perëndimit, duke u distancuar nga Beogradi i kohës së luftës. Gjatë bombardimeve të NATO-s mbi IRJ-në në vitin 1999, Millo Gjukanoviqi rrezikoi konflikt të armatosur me Millosheviqin dhe ushtrinë e tij duke hapur kufijtë me qindra mijëra refugjatë nga Kosova, gjë që mbetet një pikë e rrallë e ndritshme në historinë rishtazi të Malit të Zi.
Por edhe pse Mali i Zi zyrtarisht e ka ndërruar politikën e vet dy dhjetëvjeçarë më parë për ta afruar vendin më shumë me Evropën, për të bashkëekzistuar me pakicat që më herët i kishte terrorizuar gjatë viteve nëntëdhjetë dhe për të patur marrëdhënie miqësore me fqinjët në Ballkan, ai ende nuk e ka bërë në mënyrë kuptimplote shkëputjen nga e kaluara e rëndë.
Për të perifrazuar Zharko Puhovskin, profesor nga Zagrebi, Mali i Zi sot sillet njësoj si Austria pas Luftës së Dytë Botërore. Austria kishte ndjekur politikat e Berlinit, por pas luftës Perëndimit kryesisht merrej me Gjermaninë dhe krimet e saj.
Gjukanoviqi u ka kërkuar falje fqinjëve të tij për gabimet e së kaluarës dhe për pjesëmarrjen në luftë të Malit të Zi, por ende gjatë mandatit të tij (që, deri së voni dukej se ishte i destinuar të zgjaste përgjithnjë) nuk u bë asgjë për ta detyruar vendin të merrej me të kaluarën. Këtu, akuzat për krime lufte të kryera nga qytetarët e Malit të Zi gjatë viteve nëntëdhjetë janë proceduar shumë ngadalë dhe me hezitim. Deri tani, në Mal të Zi nuk është ngritur asnjë akuzë kundër atyre që kanë marrë pjesë në rrethimin e Dubrovnikut dhe rrethinat e tij. Vetëm ndaj gjeneralit Pavle Strugar u ngrit aktakuzë në Hagë për Dubrovnikun, bashkë me disa nga bashkëpunëtorët e tij. Ai u ekstradua nga autoritetet malazeze dhe kaq.
Por në fakt kështu ka ndodhur me të gjitha përndjekjet e tjera për krime lufte. Nëse diçka është inicuar, gjykatat e Malit të Zi kryesisht janë marrë me ata që kanë zbatuar urdhërat dhe jo me ata që i kanë dhënë që vazhdojnë të jenë të mbrojtur. Shumica e proceseve kanë përfunduar në fiasko. Kjo mund të thuhet edhe për procesin më të famshëm nga të gjithë – rastin që kishte të bënte me deportimin e refugjatëve boshnjakë që kishin kërkuar strehim në Mal të Zi. Gjatë pranverës së vitit 1992, më shumë se njëqind prej tyre u kthyen mbrapsht nga qeveria e Malit të Zi, në kundërshtim me konventën e Gjenevës, tek forcat e Karaxhiqit në Bosnje e Hercegovinë, ku ata u vranë. Pas vitesh të tëra të shqyrtimit gjyqësor në Podgoricë, të gjithë të dyshuarit në këtë rast u lanë të lirë.
Meqë ra fjala, edhe në rastin e këtyre deportimeve, vetëm kryerësit u përballën me gjyq dhe vetëm pas presionit të konsiderueshëm nga media e pavarur dhe nga sektori i OJQ-së. Sipas dëshmive, qeveria e Milo Gjukanoviqit apo më saktë, Ministria e Punëve të Brendshme, ishte ajo që lëshoi vendimin për t’i kthyer refugjatët në zonën e luftës, tek njerëzit prej të cilëve ata kishin ikur. Pjesëtarët e sistemit gjyqësor të Malit të Zi asnjëherë nuk menduan të ngrenë akuza kundër atyre që i lëshuan këto urdhëra për krim.
Mali i Zi është vend pa drejtësi, sikurse ka deklaruar shumë kohë më parë Millovan Gjillasi. Dhe drejtësia nuk mund të ekzistojë në zinxhirë. Dhe sistemi gjyqësor do të vazhdojë të jetë në zinxhirë për sa kohë që vendin e drejton udhëheqësi i kohës së luftës.
Më në fund, qeveria e Millo Gjukanoviqit u dorëzua njëzetenëntë vjet pas sulmit në Dubrovnik, pas zgjedhjeve të 30 gushtit. Është e paqartë përse disa aktivistë anti-luftë nga rajoni e lidhin fatin dhe mbijetesën e Malit të Zi me Millo Gjukanoviqin. Është ekzaktësisht e kundërta: nuk mund të ketë Mal të Zi derisa ai të ballafaqohet me hijet më të errëta të së kaluarës së afërme.
Milka Tadiq Mijoviq është gazetare, analiste dhe ligjëruese e gazetarisë. Ajo ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, me gradë master nga Fakulteti i Shkencave Politike në Podgoricë. Ajo ka publikuar disa qindra artikuj, punime hulumtuese dhe analiza në median rajonale dhe ndërkombëtare. Ajo është bashkëautore e shumë punimeve dokumentuese që merren me korrupsionin dhe abuzimin e pushtetit. Karrierën në gazetari e ka nisur nga fundi i viteve ‘80-të Televizija Titograd dhe Omladinski pokret. Ajo ka qenë korrespondentja nga Podgorica për shumë organizata mediale jugosllave (Stav, Danas, Radio 92…). Ajo është ndër themeluesit e revistës Krug dhe në vitin 1990 edhe të revistës Monitor, që është e përjavshmja e parë e pavarur në Mal të Zi. Si anëtarë e UJDI ajo u angazhua në aktivitete anti-luftë gjatë viteve të 90-ta. Ajo është themeluesja e Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Malit të Zi (CIN-CG) dhe ka shërbyer si presidente e kësaj qendre që nga viti 2016. Qendra fokusohet tek hulumtimet për sistemin gjyqësor, korrupsionin, të drejtat e njeriut, integrimet evropiane etj. Tadiq-Mijoviq ka fituar shumë çmime për punën dhe hulumtimet e saj në gazetari. Reporterët pa Kufinjë e kanë përfshirë në listën e tyre të parë dhe të vetme deri tani për 100 Heronjtë e Informacionit në botë.