IMAGJINATA SI E VËRTETË

Photo: Vladimir Mildović

Procesi i ndërtimit të identitetit kombëtar në Serbi pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ka qenë i privuar nga të gjitha faktet e pakëndëshme dhe nga çdo gjë që shoqëria, komuniteti ose individët e kishin të vështirë të pranonin. Sidoqoftë, arti ia ka marrë narrativës zyrtare hapësirën e pakëndëshme përplot ngjarje shoqërore të papërpunuara dhe traumatike nga e kaluara e afërt. Paradoksalisht, kur faktet e humbasin meritën, imagjinata që ata frymëzojnë është i vetmi mjet që ka fuqinë të arrijë tek e vërteta.

Ndërsa amnezia politike po përpiqet të shtypë zbulimin e varrezës masive në Batajnicë, ku u gjetën trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë, dy autorë nga Beogradi, Ognjen Gllavonjiq dhe Vladimir Milladinoviq, secili me ndërhyrjen e vet artistike, kanë depërtuar me sukses në botën e paprekshme të shmangies, mohimit dhe shpërfilljes.

A po ballafaqohemi me përgjegjësinë për krimet e kryera dhe si po e bëjmë këtë? Këto janë pyetjet kyçe që ngre skenaristi dhe regjisori Ognjen Gllavonjiq në filmin e tij të ri të metrazhit të gjatë “Ngarkesa”. Në film, Gllavonjiqi merret me rrugëtimin e një shoferi të një kamioni-frigorifer, i cili nuk ka dijeni se po transporton nga një lokacion në tjetrin trupat e personave të vrarë dhe në të njëjtën kohë, i bën vetes pyetjen se a dëshiron të dijë se çfarë transporton. Audienca vendore ende nuk ka patur rastin ta shohë këtë film, i cili u shfaq këtë vit në Festivalin e Filmit në Kanë.

Gjatë procesit të gjatë të krijimit të këtij projekti, Gllavonjiqi bëri edhe një dokumentar me titull “Thellësia dy”. E njëjta temë, perspektivë e ndryshme.

“Thellësia dy”është në të vërtetë emërtimi i koduar i operacionit sekret për transferimin e trupave të civilëve të vrarë nga Suhareka në Kosovë drejt një varreze masive në Batajnicë, Serbi.

Në film ndërthurren deklaratat e dëshmitarëve pa emër nga arkivat e gjykatave dhe fotografi të zonës ku janë kryer krimet. Aktori kryesor i filmit në të vëretë është narratori, i cili e dërgon audiencën në një hapësirë personale të imagjinatës, krijimit dhe përjetimit të vetë ngjarjes.

Ashtu si shpjegon autori, këta filma janë hapësira dhe mundësia për të ngritur zërin për personat, ngjarjet dhe vendet që ai konsideron se të lëna anash, të fshehura, në heshtje dhe të harruara. Kjo përzierje e mungesës së njohurive dhe interesit për rrethanat e ngjarjes ka ndikuar edhe tek ajo se si janë formuluar dhe bërë pyetjet e shumta, që, sikurse thotë ai, e shtynë të bëjë dy filma, në fillim filmin e me trazhit të gjatë dhe më pas, papritur, edhe dokumentarin.  

Artisti i artit pamor Vladimir Milladinoviq po ashtu po përpiqet të krijojë një hapësirë për imagjinimin e së kaluarës “problematike” përmes artit të tij. Përgjatë një procesi të stërgjatë deri në dhimbje të replikimit dhe kopjimit me besnikëri të proceseve gjyqësore, dokumentave zyrtarë, provave dhe listave të sendeve të gjetura që i përdor për të identifikuar trupat nga varreza masive e Batajnicës, ai krijon vizatimet e tij.

Seria e punimeve të titulluara “Tokë e shqetësuar” përbëhet nga peisazhe që artisti i ka krijuar duke interpretuar fotografi të forenzikës, ashtu si Gllavonjiqi me filmin e tij, të cilat na frymëzojnë për të qëmtuar se çfarë ka ndodhur atje në të vërtetë.

Ashtu si shpjegon Milladinoviqi, duke përkthyer materialet e arkivës në art, ai thekson rëndësinë e narrativës së shtypur apo të eliminuar nga e kaluara në procesin e rikrijimit të marrëdhënieve në të tashmen. Përveç pyetjeve për përgjegjësinë historike, artisti hulumton edhe marrëdhënien ndërmjet tekstit dhe imazhit, pra dëshmisë dhe imagjinatës. Sa mund ta dëshmojmë të kaluarën traumatike nëse nuk jemi në gjendje ta imagjinojmë? A është fotografia dëshmi e mjaftueshme që ne të besojmë?

Prandaj, Milladinoviqi përdor artin e tij pyetjen për të ngritur pyetje për dëshmitë që kemi, çfarë na thonë dhe çfarë fuqie kanë. Përmes ndërhyrjeve artistike, ai rishqyrton se çfarë mund të bëjmë tjetër si shoqëri me trashëgiminë nga lufta e kaluar.

Ndërsa historia zyrtare krijon atë që është e pranueshme, arti na ofron hapësirë alternative për të interpretuar të kalurën dhe për ta rifuqizuar të vërtetën, gjë që shoqëria e ka tradhëtuar.

Millena Popoviq është gazetare në Beograd. Ajo merret me një sërë temash shoqërore dhe fokusi i punës së saj si gazetare kryesisht është tek tema e ballafaqimit me të kaluarën. Përveç artikujve që shkruan, ajo ka qenë bashkëautore e dokumentarit “Gratë shqiptare janë motrat tona”.