Isha pesë vjeç kur filloi lufta. Nuk më kujtohen imazhet, janë të qarta, por të çrregullta. Edhe sot, njëzetedy vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje e Hercegovinë, unë nuk jam në gjendje t’i bëj të gjitha bashkë si një e tërë. Më kujtohet se pak para luftës pritej që të filloja orët e notit. Nëna ime më dërgoi në qendrën tregtare ‘’Sarajka’’ që të më blinte rroba banjoje. Ishte e para herë që shihja pafundësi objektesh në formë x-i nëpër rrugët e Sarajevës. Më vonë mora vesh se ato ishin të ashtuquajturat barrikada.
Do të kalonin shumë vite nga dita kur dola me nënën për të blerë rrobat e banjos dhe nga përpjekja ime e parë për të notuar. Në kohën e paqes, nëse periudha e tashme mund të quhet ashtu, mësova të notoj në moshën 27 vjeçare. Ky është i vetmi imazh i luftës që nuk ka mbetur si fragment.
Sa i takon historive dhe imazheve të tjera, vendosa që t’i bëj copëzat bashkë me kalimin e kohës. Kur padashje e gjeta veten në fushën e aktivizmit, thirrja e parë për të cilën aplikova me nismën time kishte të bënte me ndërtimin e paqes. Për mua ishte me rëndësi që ato gjëra që kisha shtypur brenda vetes prej vitesh të gjenin mënyrën për të dalë jashtë. Historitë e luftës nuk i interesonin më askujt, sepse ajo që kishte vlerë ishte të “shihje përtej”, të thonin “rri urtë, jemi gjallë, të ecim para”. Disi gjithnjë kam besuar se brendia jonë ka nevojë të marrë veten nga tronditja, nga trauma dhe nga gjithçka e shëmtuar që ka mbjellë lufta, që duhet të gjallërohet, sepse lumturia nuk është e plotë për shkak të një ngërçi ku është bllokuar trupi. Hapat e mi të parë në aktivizëm për paqe filluan në shoqërinë e grave të tjera. Ishim ulur, të gjitha të tensionuara, me identitete të ndryshme. Unë, Mara, Lana, Lejla, Gordana, etj. Emrat tanë përcaktonin identitetet tona, apo së paku kështu kishte ndodhur gjatë luftës, ajo luftë që e mbaja mend përmes fragmentit të një imazhi. Filluam të flasim, unë dëgjoja dhe prisja radhën time. Isha fëmijë, nëna ime ishte një grua në vitet e saj më të mira, e cila kishte mësuar gjithçka që sot quhen “punët e burrave”. Në atë kohë, diçka e tillë nuk ekzistonte, na duhej të bënim gjithçka për të mbijetuar. Madje ishte e rëndësishme se sa e gjindshme ishte, sepse kjo veti të rriste mundësinë për mbijetesë. Po e ndjek diskutimin, nuk flas, zëri më është mbytur nga një lëmsh i fortë në fyt.
Më vjen keq që histori si këto nuk gjenden askund, me përjashtim të këtyre rrëfimeve që i bëjmë me vështirësi. Përse nuk mund të gjenden në libra, broshura, memoriale, pllaka, ura? A i intereson dikujt tjetër, përveç nesh, të dijë se sa luftëtare fantastike dhe heroina kanë qenë këto gra që i mbijetuan luftës? Do të doja t’i përqafoja të gjitha, edhe veten time, për shkak të fëmijërisë së deprivuar nga një periudhë e tërë që nuk kthehet më. Do të doja të ulëras, t’i ulërij këto histori me sa zë që kam, aq fort, sa ato të mos zhduken kurrë…
Këtu, në këtë rreth, bëhet e rëndësishme për ne dhe ne vendosim të ruajmë historinë e paqes së grave dhe përvojat femërore të luftës dhe kontributin e pallogaritshëm që këto gra kanë dhënë për ndërtimin e paqes. Në vitin 2013, ne themeluam nismën “Mir s ženskim licem” (Paqja ka fytyrën e gruas) që mblodhi përfaqësuese të organizatave të grave nga dymbëdhjetë qytete në Bosnje e Hercegovinë. Kështu fillon lufta jonë, një histori që po përpiqem ta tregoj këtu. Ia nisëm me një ide të një rëndësie shumë të madhe.
Në vitin 2013 paraqitëm nismën për të shenjuar datën 8 dhjetor si ”Dita përkujtimore e grave që vdiqën në luftë”, që duhet të përfshihet në kalendarin zyrtar të festave publike. Ne zgjodhëm një datë neutrale, që nuk ”ka anë”, ia kushtuam atë të gjitha grave, sepse secila prej tyre ka vlerë, historia e secilës prej tyre ka vlerë. Kjo nuk mund të matet dhe as që duhet të matet! Për shkak të këtij “lëmshi” të përgjithshëm që e mbështolli nismën, ne besojmë thellësisht se do të pranohet dhe se do të përfshihet në kalendarin zyrtar si një datë me rëndësi, që ia vlen të përkujtohet.
Sigurisht, aplikacioni i parë, refuzimi i parë pa ndonjë shpjegim, si një prerje e shpejtë që përgjithësisht dhemb më pak. Ne na dhembi, sepse na bëri të padukshme për kushedi të satën herën. Institucionet qeveritare nuk besojnë se gratë duhet të përkujtohen apo që janë të vlefshme për të ruajtur historinë. Në të gjithë librat që bëjmë, ne peshojmë secilën fjalë, i shtypim në të gjitha faqet, të gjitha këto fjalë janë copëza të thyera që vendimmarrësit kryesorë nuk janë në gjendje t’i kuptojnë. Ne shkruajmë sërish, dërgojmë librat që nisma ”Mir s ženskim licem” (Paqja ka fytyrën e gruas) ka bërë për gratë dhe vajzat që u vranë gjatë luftës, me titull ”Rat nije jednorodan” (“Lufta nuk është homogjene”) [1], që përfishin edhe një libër për ne, gratë aktiviste dhe aktivistet për paqe, me titullin ”Paqja ka fytyrën e gruas”[2]. Ne nuk heqim dorë, sepse nuk mundemi! Po ashtu do të doja t’ua hedh në fytyrë të gjithë tekstet e shkruara, mirëpo kam frikë se nuk do të kuptonin, nuk do të kuptonin asgjë…
Ndërsa jemi në pritje që ata të kuptojnë, duke besuar ende në fuqinë e gruas, në kontributet që gratë bëjnë çdo ditë, ne sërish do të dalim nëpër rrugët e qyteteve në Bosnje e Hercegovinë me 8 dhjetor për të shenjuar ”Ditën përkujtimore të grave që vdiqën në luftë”. Ajo është dita jonë, e caktuar, e shenjuar, nuk do të lejojmë që të harrohet. Po i thyejmë ”barrikadat” institucionale dhe i vlerësojmë miqtë tanë, aktivitstët për paqe, aktivistët, gratë… Ne përgëzojmë punën e tyre, gëzohemi për historinë që kanë bërë dhe përkujtimin e atyre që patën fuqi të madhe.
Për sa kohë që jemi atje, për të shenjuar, kujtuar, shkruar, ulëritur, kërkuar dhe protestuar me trupat tanë, për sa kohë që nuk e lëmë sistemin të na mbysë, ne punojmë për krijimin e historisë së grave dhe shkëmbimin e përvojave të grave me paqen. Unë besoj se të gjitha vajzat e kësaj bote kanë mundësinë të ruajnë pamjet e plota dhe lirinë dhe të jetojnë fëmijëritë e tyre pa frikë. Për fund, hapat e vegjël nxjerrin në dritë dhe na bëjnë të njohim gjithçka që gratë i frikësohen në realitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe secila prej nesh mund të japë kontributin e vet dhe unë zgjedh të besoj se ky tekst është një pjesë e vogël e këtij kontributi.
—————————————————————————————————————-
Vildana Xhekman, aktiviste për paqen, aktiviste, feministe me një spektër të gjerë identitetesh që ajo i konsideron si pasuri të vetën. Që nga viti 2013, ajo ka punuar për Fondacionin CURE dhe ka marrë pjesë në detyrat e saj të para si aktiviste dhe aktivizëm për paqe si vullnetare e Fondacionit CURE në vitin 2012. Ajo e ka fokusin tek çështje për ndërtimin e paqes nga perspektiva femërore. Ajo ka bërë hulumtime dhe është autorte e punimit ”Ratni zločini nad štićenicima/ama Vukovarske bolnice” (Krimet e luftës kundër pacientëve të spialit në Vukovar), që nuk është botuar kurrë për shkak se rrëfen një situatë që nuk pranohet nga shoqëria. Ajo ka marrë pjesë në shkrimin e një libri për aktivistet e paqes ”HIStory is not HERstory” (Historia e TIJ nuk është historia e SAJ) dhe ka kontribuar për librat ”Rat nije jednorodan” (Lufta nuk është homogjene) dhe ”Mir sa ženskim licem” (Paqja ka fytyrën e gruas) duke marrë pjesë në mënyrë aktive në nismën ”Mir s ženskim licem”. Ajo ka bërë hulumtime për perspektivën femërore të ndërtimit të paqes përmes analizës së titulluar ”Žene, Aktivistkinje, Mir – Nisam publika onima koji narušavaju Mir” (Gratë, aktivistet, paqja – nuk jam publik për ata që prishin paqen). Ajo ka fituar çmimin e paqes për tekstin ”Kad razmišljaš o identitetima a pišeš o mirovnom aktivizmu” (Kur mendon për identitete dhe shkruan për aktivizmin për paqe). Asaj i pëlqejnë shëtitjet e gjata, noti, ecja dhe njerëzit e lumtur. E-mail: vildana.dzekman@gmail.com
[1] http://fondacijalara.com/images/docs/RatNijeJednorodan.pdf
[2] http://fondacijalara.com/images/docs/MirSaZenskimLicem.pdf