Prindërit e tetë fëmijëve, Nezir e Hamide Avdyli, kujtojnë kohën kur lufta i ndau nga dy bijtë që më nuk i panë. Tre djem të tyre, Fadili (24-vjeçar), Fatmiri (18-vjeçar) dhe Kujtimi (16-vjeçar), ishin ndarë nga familja për t’iu bashkuar kolonës së njerëzve që po deportoheshin. Kujtimi ia ka dalë të fshihet me disa kusherij në një kasollë. Dy të tjerët kanë qenë në grupin që e kishin tërhequr nga kolona në një oborr shtëpie. Aty e kanë vrarë Fatmirin, kurse Fadili ia ka dalë të arratiset duke mbetur i plagosur në krah. Një fqinj që ka takuar rrugës ia ka lidhur plagën. Ai është i fundit që raporton ta ketë parë Fadilin të gjallë.
Sot, pas njëzet vjetësh, familja ende nuk di gjë për fatin e tij, megjithë përpjekjet e bëra nga babai Neziri dhe vëllai Kujtimi për ta gjetur. Hamidja tregon se në ëndrra Fadili shpesh i përsërit: “Hajde oj nanë, hajde me mu, se nuk kom kohë! Hajde me mu edhe ti!”. Prindërit jetojnë me shpresën se do t’ia gjejnë të paktën eshtrat sa janë vetë ende në jetë.
“Boni vaki diçka, mos më kaj!”
Nezir Avdyli: Rrëfimi në vetën e parë
Jam prej Ofçari, atje kam lindë, atje rritë ni kohë, derisa na kanë marrë ushtarë. Jom konë i ri e i papunë. Na atëherë e kena punu tokën, sa me metë gjallë kur thonë. Tani, dikun në t’69-tën, kom bo ni vit ushtri t’atëherëshit. Baba o konë pi zemre smutë, s’mujke me punu, e nana e moçme. Nanën hala e kom gjallë, i ka 100 vjet. Po, osht jashtë, ka shku te djemtë atje.
Kur u ktheva prej ushtrie, hina n’punë edhe u martova sa isha hala n’katun. Merrke Trepça punëtorë. N’Trepçë kom punu nizet vjet si minator. Jom hi në ‘71-shin, kom punue deri në ‘89-tën, kur na qiti Sllobodan Millosheviqi pi pune. Në shkurt të ‘89-tës jom konë n’grevë. Tetë ditë e tetë net kena nejtë mrena pa dalë hiç. Kur kemi dalë, n’kambë jemi shkue n’Prishtinë. Tani, sa herë protesta e sene… Jena konë edhe të dënum se nuk kena shku n’punë. I lypshim të drejtat tona. Po atëherë dihet kush s’na i jepke të drejtat. Dilshim edhe n’protesta, vishim n’Mitrovicë.
Martesën e kom pasë bo me mësit. Atëherë asni babë nuk e ka pasë lanë çikën m’u pa me djalë. E ni sebep i pat thanë mikut: “Ta kom gjetë ni djalë t’mirë, a po ia jep çikën?”. Ai u kujtu do ditë, e ish konë kismet, edhe e kom marrë. Pa shku ushtar, jena fejue; masi jom kthye prej ushtrie, e kom marrë, edhe jom pranu n’Trepçë. N’Trepçë nja 12 vjet kom nejtë, i kena pasë banesat, se Trepça pi n’Ofçar o konë dikun 4-5 orë me ecë. Atëherë nuk kishim kerre. Nuk kish rrugë të mira. Masanej e bleva këtë vend këtu, n’77-tën. E në ‘78-tën e marova qetë shpi me sa kom mujtë. Edhe n’80-tën e mora familjen e erdha këtu. Kur erdha këtu, shkojsha n’punë tu knue. Se atëherë kur ishim pa punë, kishim edhe vujtje. E kur hina n’punë, erdhën senet e u bonë tana ma mirë.
Kena bo darsëm, ka pasë kangëtarë që knojshin kur i pagujshe. Ka pasë edhe tupana që i merrshe. Po atëherë gratë jonë konë açik (ndaras), burrat açik. Ni javë ma herët ia nisshin për darsëm me u bo gati. Edhe besa do gra t’moçme që i kisha t’afërta t’familjes, u tubojshin ka 5-6 edhe tëhollojshin petë për pite. Atëherë jonë konë do, u thojshin akçi, 2-3 vetë, që dijshin me zi, ka 3-4 kazana, tona jemeqet i përgaditshin. Atëherë krushqit vishin t’shtuneve. Me konë vera e mirë, kur s’kish vene mrena, rrishin edhe jashtë. Bojshin gjymysh, lujshin. Ia nisshin ni javë përpara, po atëherë ato bija, ata miq, ni javë shkojke mas darsme deri u çkepshin. Po o konë edhe ni lezet atëherë. Po edhe tash osht ni lezet. Atëherë qashtu jonë feju, jonë martu, pa u dokë hiç. Dikujt s’i bike fort mirë. E s’u bojshin fort akrança, noshta njani qëllojke ma i moçëm, a diçka qashtu. E tash këta t’rijtë po shihen, e po begenisen, po ecin bashkë, po rrinë bashkë, po kaniherë, do po thojnë që po prishën, e me qata p’e çartin pak.
Fëmija i parë na lindi mas ni motmoti e gjysë. Tash i kom gjashtë fëmijë, katër djel edhe dy çika. E Fatmiri me Fadilin nuk jonë mo n’mesin tonë. Lufta për ne e shtirë o konë boll. Hjekë kena boll. Vujtje kena hala boll. Jo boll, po diçka së tepri. Këtu te shpia, herë na lejshin me nejtë, herë s’na lejshin. U duhke natën noshta ngjeti me shku, n’Tavnik te naj sebep, se ksajde jena konë, e kena Ibrin ngat, edhe rruga o konë ngat. E ata, orë e çast vishin turlifare: milici, ushtri, me maska, pa maska, me mjekra, pa mjekra, me sakica, pa sakica, t’armatosun. Kena pasë vujtje boll. Nuk di qysh osht ma vshtirë se që e kena pasë.
Mos paça harrue, kur na kanë qitë neve prej Mitrovice, o konë 15 prill ‘99. Na kanë qitë prej shpiave. Edhe o konë 16 e 17, m’doket, për qato 3 ditë këtu o konë luftë e madhe, gazep i madh. Për qato 3 ditë m’doket, krejt mrena ça osht n’Mitrovicë për tri pjesë e kanë qitë, edhe kush ka mujtë, o shkue për Shqipni.
Me datën 16, ditë e premte o konë, dikun sahati 10, i kom pasë dy djel, Fatmirin edhe Fadilin, edhe Kujtimi, jonë dalë me kolonë bashkë. Po kolona o konë n’Zhabar atje, me do motra, do nipa, e krejt Zhabarin e tjerë njerëz çka kanë gjetë, e kanë nisë teposhtë rrugës së Zhabarit, deri me ni vend që thirret Nanë Tereza. Aty rruga ngjitet përpjetë, kapet me rrugë t’Shipolit. Aty kolona o ngjitë përpjetë, tre milicë.
Unë nuk jom konë, te dyert e oborrit jom da me djemtë. Dy ditë përpara. Edhe ma s’i kom pa. Unë jom metë knej me ni rrugë t’Zhabarit, me grue e me qetë djalin e vogël, edhe me dy çikat e me dhandër. Çika e martume i ka pasë dy fëmijë. Edhe qetu jena da, se djelt m’thanë: “Na me do shokë t’kojshive, kah na jep Zoti, a n’male, a dikah shkojmë, e ti babë hajt me nanën, me motrat e këta fëmijë kah t’muneni”. Bile ju thashë mos të dahen e t’shkojmë të tonë bashkë se mozallah me kërsitë diçka, nuk e dijmë çka bohet. “Po – po më thojnë këta djelt te dyert e oborrit – na dojna me shku me do shokë, se mozallah me kërsitë diçka, bile mos t’qëllojmë të tonë me ni vend bashkë.”
Qeshtu ma së mrami jom da me ta. Ma të mramen ditë, që jonë da, qetu te dyert e oborrit i kom pa. Kur kanë dalë n’atë përpjetën, m’kanë kallxu motrat, se tri motra i kom pasë n’atë kolonë, e nipa po nja shtatë a tetë aty edhe sebepa të familjes, mirëpo aty këta ma së pari e kanë nalë Bedri Mujën e Kovaçicës, e kom pasë motrën e vogël t’martume për to. Ai i ka pasë dy fëmijë. Njonin m’doket e ka pasë dy vjeç, njonin gjashtë a shtatë muej a ni motmot qaty, nuk e di.
Milicët, kanë kallxu, jonë konë me maska atëherë. Ni milic i gatë, ju ka dokë ftyra pak, kanë kallxue, i bardhë si bora edhe sytë i paska pasë t’kaltërt, e ka vetë Bedri Mujën: “A je ti Bedrija?”. I ka thanë: “Po, unë vetë jom”. Edhe ia ka bo: “Dil knej, jepja fëmijën dikujt edhe paja kho!”. Tri a katër herë i ka thanë, po Bedrija nuk o dalë pi kolone. Atëherë o afru milici, ia ka kapë atë fëmijë edhe ka thanë: “Merre këtë fëmijë dikush!”. O afrue nana e fëmijëve, motra jeme, e ka marrë atë fëmijë. E Bedrinë e kanë nalë meniherë qaty. Tani e kanë nalë Fadilin, Fatmirin, edhe ni nip t’motrës teme, e ka pasë emnin Mehdi, 20 vjeç a 19, nuk i ka pasë ma shumë. Edhe i kanë nalë do tjerë t’rrethit t’Mitrovicës, qysh kanë kallxue. A janë konë si grup tetë a nontë a dhetë, qaty dikun. Qysh ka kallxu ni dëshmitar, i kanë shti n’oborr të ni shpie edhe i kanë vra aty. E Fadili, qysh o dalë pi atyhit, pos Zoti e din. Po, o dalë i plaguet.
Qysh m’ka thanë ni plak qi e kom pasë ngat këtu kojshi: “E kom zatetë Fadilin”. Ky kojshia o konë n’kolonë. Po o konë fort i moçëm e i lodhun, edhe grueja e tij o konë e moçme, nuk kanë mujtë me ecë me kolonë. Jonë metë mas kolone. Ata jonë zatetë me djalin tem Fadilin. Kanë ndrrue shpejt dy-tri fjalë, s’kanë mujtë me folë ma shumë, se ka mrri forca. Ata m’kanë thanë: “Ish konë në dorë të djathtë plaguet. Ia kena çky pak këmishën, edhe ia kena lidhë dorën sa ma shpejt”. Po Fadili i kish kallxu: “Ata çka metën mrena, të tonë i vranë”. Fatmiri o konë mrena, me atë grup.
E Fadili i paska thonë atij kojshisë: “Unë tash jom nda prej kolone, jom i plaguet, hallin e kom kah me shku”. Aty osht ni rrugë, shkon përpjetë. Te ajo pjesë atje, lidhet me Vaganicë. Atëherë UÇK-ja edhe Bajram Rexhepi kokan konë atje, e ka pasë shtabin aty doktori, për njerëz qi kanë nevojë për ndihmë. I ka thanë ky kojshia: “Hajt anej hin, e noshta bjen n’dorë t’UÇK-së edhe t’çojnë aty meniherë”. E Fadili n’qatë drejtim osht nisë. Meniherë o nisë anej, edhe qekaq di çka ka kallxu kojshia. Sot e asaj dite, u bonë 19 vjet, nuk dimë mo për fatin e tij.
Fadili pra e ka pasë ditë për Fatmirin. Po vetë qysh o dalë pi atij oborri, pi atij zjermi, pi atyne vrasjeve, nuk e di. A o dalë për dere, a për naj dritare, nuk e di. Po atij kojshisë ky ia paska kallxu edhe ni tjetër. Kur i kishin pasë shti mrena n’atë shpi, qetij dhandrit, Bedri Mujës, i kish pasë thanë: “A ikim për dritare, e në pshtofshim mirë, në mos pshtofshim, na t’vramë se t’vramë”. Ky i kish pasë thanë: “Jo, s’po ikim, se na gjo s’kena bo, kujt borxh s’i kemi. E noshta na lëshojnë.” Po atëherë, qysh i ka kallxue Fadili, i kanë qitë n’oborr edhe i kanë pushkatu aty.
Na nuk kena ditë gjo. Na tu nga, herë vishim këtu te shpia, herë tu nga nëpër sebepa. Naj ditë, nuk u bojke me flejtë, veç rrishim çuet edhe veshun. Ni ditë po vjen ni djalë te dyert e oborrit, po m’thotë: “Kush je ti?”. I thashë: “Unë jom filani”. Kesh tu pi cigare n’ballkon. Edhe pashë njerëz, plot gra, burra, vishin prej Ibri e shkojshin kah Tavniku tu nga. E po m’thotë ai djalë: “Me t’kallxu baci Nezir diçka. Mi shelnjet e Tavnikut, ku o ni kthesë aty, kah kapërcej nëpër ni oborr, i kom pa nja tetë a nontë djem t’rij, t’veshun, t’hijshëm, me çanta, t’u mushke menja që po keshin, veç që nuk folshin. Po nuk guxova me i kqyrë, se ishin policia t’stacionit aty. Përmi ta ni shpi, kish milicë plot mrena. U tuta që po m’vrasin me i kqyrë. Thashë, eh t’mjerët baba e nana, që këta djem t’rij të tonë dojnë me shkue. Ndjeva dhimtë shumë për ta. S’e dijsha kush jonë, po e niva ni dhimtë.”
U bo java, apet erdh ni djalë te dyert e oborrit qitu. Tjetër ky. Po më vet kush jom. I kallxova. Tha: “Bonu i fortë burrë, se vallahi djalin, Fatmirin, e kom njoftë, o konë lojtar. Edhe ni nip i yti, edhe ato e kom njoftë, edhe Bedrinë e Mujës pi Kovaçice, edhe do tjerë shokë aty me ta”. Qishtu ma shnoshi kryet. Tha: “Menxi i kena marrë parpramë me UÇK-në, shtatë ditë e shtatë net kanë nejtë në ni oborr aty”. Nuk kanë mujtë me i nxjerrë se s’kanë guxu prej forcës së milicëve. “Edhe i kena marrë natën, me dy herë i kena çu n’Vaganicë, aty jonë t’vorrosun, e kanë ka ni teshë n’anë t’epërme”. Edhe m’tha: “Kon e kena njoftë, ia kena shkru emnin, ia kena lanë aty”. Me 16 t’katërtit muej m’i kanë vra djelt.
Hjeka, hjeka, kurrë pa hangër e pa pi, e nëpër shi, e tonë tu nga, herë te shpia, herë anej, herë knej. Vujtje t’madhe. Ishim qetu tu nejtë, kur vjen njani pi mas shpisë teme, thotë: “Jonë ardhë milicia, e kanë qitë njerëz knej me ni arë, m’çuen me ju thonë ja hajdeni knej, ja ecni shkoni kah Tavniku”. Nuk di kush o konë ai njeri. Edhe kena trupue qitu nëpër shpia, se nuk guxojshim me shku poshtë udhës, masi mujshin me na gjujtë pi kalaje atje. Jena shkue te ambulanta e Tavnikut, o konë ni vend koxha i çelun aty. Aty plot njerëz ka pasë. Pleq e t’rij, gra e burra plot. Këta djeltë nuk dita gjo mo kah e tek metën. Aty na kanë majtë deri kah në 11 a 12 sahati. Edhe atë ditë jonë ardhë milicë, ushtri, do me sakica, me mjekra, po as nuk di me kallxu sa jonë konë kriminelë, çetnikë t’Serbisë.
Prej aty na kanë çu n’stacion t’autobusave. Atë ditë ka ra shi gjithë ditën e lume. Kur kom dalë prej qetuhit, nuk kom mujtë me i mathë kundrat, po i kom pasë do opanga, e me qato jom shku n’burg e n’Shqipni masanej. Me qato opanga, pa çorape hiç. Se s’kena pasë kurrgjo, veç me ikë sa ma shpejt. Aty kanë nisë diku prej 12 t’ditës e deri n’5 sahati t’akshamit, kanë nda burra ni shumicë, veç naj plak i moçëm o metë me granim.
Kur vike kamioni, sikur me konë kompira, qashtu me njerëz u mushke kamioni. Atyne t’mramëve sa mujke u mshojke me qoshe të pushkëve. Nuk dijshim ku po i çojnë. Ma së mrami jena metë dikun 150 vetë a ma shumë. Dikun 5 sahati t’akshamit o konë. Na kanë shti n’qatë kamion. Kur jena shkue te pijaci, aty shoferi pi inatit, i ka grahë me hez, na jena ra tonë njoni përmi tjetrin. Atëherë jonë thye kanatat, nja tre a katër vetë jonë ra n’tokë. Çka o bo me ta, nuk e di. A jonë hi mo n’kamion, a jonë ikë, nuk di gjo për ta. Unë jom rrëzue n’pod t’kamionit. Sa veta jonë rrëzue përmi mue, nuk e di, po m’u nal fryma. Gjo ma t’shtirë nuk kish se fryma me tu nalë n’fyt. N’vend po t’lshojka shpirti. Po, nuk kom mujtë mo me marrë frymë. Dha Zoti pak, jom ngrehë veç pak kështu n’duer edhe mu lëshue fyti. Se qaty pata me metë i dektë n’kamion.
Atëherë jena shku te ura e Sjenicës, ku o rampa sot. Aty e kishin pasë pru ni kamion me dy skanija, e me çadra të mlume. Aty i kanë zatetë kamionat njonin për tjetrin. Edhe jena dalë pi atij kamioni, jena hypë n’tjetrin edhe e kanë mshelë çadrën, ma s’kena ditë kah po shkojna. Po neve, na kishin pas çu te burgu i Mitrovicës. Kur jonë dalë t’parët, milicia ishin kanë n’dy anët, t’armatosun, edhe i kishin pasë stupcat t’zi ka nji metër. Gjysa e stupcit zi, gjysa sarit. Na mshojshin me ta, e ia nisën po bërtasin njerëzit: “Oh kuku nanë; oh kuku nanë”. Na kanë shti mrena në burg, ish konë ni oborr i madh. Pa hi te dera e burgut, m’ka ra ni milic sa ka mujtë disa herë ndërmjet dy krahëve, veç që s’rashë për tokë. Hala sot m’doket që m’dhamin krahtë prej atëhershit, e nuk muj me ecë mo drejt, shkoj si gërbavtë. M’dhem shpina, që me atë farë stupci sa herë ka deshtë m’ka ra.
Kur jena hi mrena, me ftyrë për muri na kanë qitë ren. Edhe duert i kena pasë lidhun. Aty tani, me ren: “hajde ti, hajde ti, hajde ti”, tu na çu mrena n’burg. Sa m’kujtohet kati i parë ish konë. Ish ni rreth, aty t’pritke milicia, as me hi, as me dalë pi aty mo s’lejshin. Kur m’ka ardhë reni, m’ka thanë “hajde ti”, po nuk guxojshim me kqyrë kurrkah. N’anën e majtë e kom pasë tjetrin, po s’kom guxu me kqyrë, s’e kom ditë që o nisë ai. O ardhë milici e m’ka thanë sërbisht: “Çka prite?”. E ma shau nanën, edhe m’ra nja katër herë, sa ka pasë fuqi. Menxi jom ndreqë.
E na kanë çu n’zyre t’burgut, me na marrë n’pytje. Ish nji komandir a çka ish nuk e di, veç i ri ish. I kom pasë tre milicë n’anën e majtë, tre n’anën e djathtë, edhe dy a tre përmas. Jom konë i rrethuet midis tyne. Kur hina aty, m’tha: “A e din sërbishtën?” Thashë: “Nuk e di”. “Qysh t’vjen ma kollaj me folë, shqip a sërbisht, se na i dijmë krejt,” më tha. E po m’vetë: “Pi kah je?” Thashë: “Unë jom pi Ofçari.” “Qysh e ki emnin?” “Nezir e kom. Nezir Avdyli.” Po m’thotë: “Kqyr, veç njo po ta thom: veç rren ose gabon diçka e s’kallxon drejt, qitu kena me të ndreqë.” Thashë: “As s’kom çka me rrejtë, as nuk kom bo kurrgjo”.
Mirëpo, harrova me kallxu qi kur hina me ni korridor aty, ishin konë nja shtatë a tetë vetë t’skurrum n’gjak krejt, me duer lidhun për qafe, e me ftyrë prej stene, po do nuk kishin mujtë me nejtë n’kamë. Nja dy a tre ishin ungjun, po s’guxojsha me i kqyrë. Do ishin n’kamë, po qysh i ka bo nana, t’xhveshun krejt ishin. Pos skurrojshin gjak. Edhe u nijke që po sillet ni diçka. Na ktyneherë i kina pasë mullijtë me ujë n’katun. E kur bluejshin n’të thatë, qi metshin pa drithë, ju nijke krisma mullinit kushedi ku. E u nijke ni diçka, qashtu ni krisëm e madhe. Kur i pashë ata ashtu, thashë me veti: “Edhe neve me siguri, veç po na vetkan ‘kush je, tek je?’ edhe po na çojkan po na blujkan”.
E n’atë zyrë ku m’çuen m’i thanë qato fjalë që t’kallxova. Tha: “Ku rrnon?” Thashë: “Rrnoj te Aradha e Shalës”. Qashtu o thirrë kjo rrugë atëherë. Atëherë ni milic e ka çu ni qasi stupci me m’ra n’krye. M’tha: “Po rren, se nuk thirret ashtu”. Ni tjetër milic i tha: “Mos i bjer, se nuk o tu rrejtë. Ka dy javë qi jom konë n’atë rrugë e po, qashtu u thirrke, po po m’vjen çudi – tha – se moti jena këtu n’Mitrovicë, po s’e kom pa kurrë këtë njeri”. Tha: “A del ti najherë?” Thashë: “Vallahi kur kam nevojë me ble naj harxh shpie, dal. Kur s’kam nevojë, punoj punë shpie e rri n’shpi”. Ai tjetri milic që merrke n’pytje, tha: “Jena konë n’Ofçar para dy dite, me t’lypë ty. Dy ditë e dy net kena nejtë aty. Për ty jena shkue”. Thashë: “Nuk e di për kon jeni shku ju, po unë t’kallxoj ku jom n’Mitrovicë edhe unë s’kom dijeni që kom bo naj gjo. Po na keni marrë, jena n’dorë t’juj, i keni mundsitë, tash mundeni me bo çkado me neve”. “A e din – tha – sa jonë 99%?” Thashë: “E di”. Tha: “Po ta jap besën, 99% s’ki me dalë i gjallë, e 1% ki me dalë”.
Na i dhanë do dokumenta, dikujna n’Vaganicë, dikujna dikun ngjeti, dikujna atje, dikujna atje, na i dhanë dokumentat që jena kanë n’UÇK. “Edhe mos i hupni këta dokumenta!” Kena nejtë aty dy javë ditë. Jena konë dikun 150 vetë, ujë na jepshin me pi. Po s’u pijke uji pa hangër. Na e jepshin ni copë bukë shumë të hollë, e moçme ajo bukë kushedi sa, edhe do si supë, as vetë nuk e di mirë çka ish.
Aty na majtën dy javë. Me 16 maj na kanë çu aty. Me 29 a 30 maj na kanë qitë pi aty. Kur na lëshuen atë ditë, ish diku 8 t’sabahit. Erdh ni milic, e kish pasë ni krah me letra n’dorë, edhe tha: “Kon ta thërras, me i marrë rrobet e veta edhe me dalë n’korridor, edhe m’u pshtetë për muri me duert mas qafe”. Dolëm aty, s’na nxuni, na qitën përjashtë. Aty n’oborr kena nejtë deri kur jonë dalë të tonë. Kur jena dalë, duert lidhun mas qafe, na thirrshin: “Hajde ti, hajde ti, hajde ti!” po s’guxojshim me kqyrë. Kur e kom çu pak kryet, autobusat e Kosovatransit ishin konë te dera. Dy autobusa i kom pa, tjerë a ka pasë a s’jo, s’di. Aty i kena dorëzue krejt dokumentat qi i kena pasë. Milic a ushtar, nuk e di as vetë çka ish ai që na i merrke. Veç qaty i kena dorëzu ata dokumenta që na i kanë dhanë.
Kur jom hi n’derë t’atobusit, o konë ni milic, as s’e kom njoftë ma parë as ma mas; rrike sa kena nejtë ato ditë n’burg, edhe rrehke sa mujke. Dikush kallxoje qi nuk ka fëmijë as s’ka kurrkon. Kur jom afru te dera e autobusit me hi, sa ka pasë fuqi m’ka ra, edhe pse kështu krrustë u duhsha me shkue. M’ka ra derisa o ngi. Po jom kapë për derë t’autobusit se krejt mjekrën edhe ftyrën llom pata me e bo aty n’shkallë t’autobusit. Jena hi n’autobus, sa na ka nxanë, edhe jonë hi aty dy milicë, ishin konë krejt t’rij. Edhe shoferi ish konë i ri. Neve qi ishim n’autobus, edhe ni tjetër autobus, na kanë pru n’stacion t’autobusave. Kur na prunë aty, koxha na erdh ni qef. Thamë me veti: “Po na lshojnë”. Kur erdhëm aty, hini ku osht pumpa e benzinit me mushë benzin. Sa hini, e ditëm që s’o rendi i shpisë hiç. Po nuk dijshim çka po na pret.
Atëherë, sa u mush autobusi benzin, milicët thanë: “Me jau çelë derën nuk guxojmë, po çilne dritaren e autobusit, qi e shihni dikon prej familjes, a t’kojshive, veteni për familjen e juj”. Dikush e ka pa dikon, e ka vetë. Unë e kom pa njonin, ai me shpi o konë te shkolla e vjetër. Ai s’na njihke, e nuk mujta me folë me to, m’e vetë: “A e kom gjallë familjen, a ku e kom?”. Edhe e pata koxha larg. Atëherë u nis autobusi. Jonë nisë autobusat rend, e jena shku për Prishtinë. Ata dy milicë, t’rij ishin konë, dikush tha jonë t’Suhodollit edhe shoferi edhe milici, kujt ka deshtë, jau kanë dhanë ka ni cigare. Unë nuk kom dhezë cigare, se e pisha duhanin atëherë, po nuk e kisha dhezë kish nja dy javë, e nuk ia mora cigaren. Thashë: “Nuk e pi”. Edhe ni çikë aty kur jena nisë, kush o konë, tek o konë, nuk e di. Kon e ka pasë, a ka pasë vlla a babë aty, nuk di. Veç i ka thanë për atë t’vetin kush o konë, atje për derë t’parë: “A m’kallxon ku e ki nijet me i çu edhe çka bohet me ta?” Tha: “N’katër sahati t’akshamit dil qetu, kom me t’kallxu ku i kom lonë”. Kush o konë nuk e di, veç e kom ni shqip tu folë.
E jena nisë drejt për Prishtinë. Kur shkuem n’Milloshevë, ish konë ura llom krejt. O hi autobusi poshtë, nëpër ato rrugë asajde, e jena dalë dikun n’Fushë Kosovë. Kah jena shku, ka pasë udhës turlifare: milici, ushtri, me mjekra, pa mjekra, t’armatosun. Mendojshim, a po na mysin qetu, a po na mysin qetu… Veç ndigjojshim çka po bohet me neve. Edhe i ka grahë, e na ka çue drejt n’Zhur. Kur jena shkue aty afër, u nalë autobusi aty. Kah shkuem, këta milicia e Sërbisë na thanë: “Na p’e dijmë prej ku jeni ardhë ju. Jeni ardhë prej burgu. Qi i pihet uji dikujt, pini, edhe – tha – jeni t’lirë”. Na kanë thanë: “Kufini juj edhe 4 a 5 km osht prej ktuhit. A u lëshojnë me dalë n’atë anë ata tuejt a jo, puna e juj osht. Na e kena deri qetu, ma anej s’guxojmë me ju çue. Veç, po ju kallxojna diçka ta keni me dije: rruga, në të djathtë edhe në të majtë, deri te kufini, krejt osht e minume. A keni nevojë diçka, mos gaboni me dalë prej rreshti a prej kolone, as kurrgjo hiç, se bini n’mina, e jetni qaty”. Edhe tha: “Janë ushtri e milici plot nëpër shpi, nëpër male, ju s’i shihni hiç. Si t’daheni prej kolone ata ju vrasin”. E nuk jena da, edhe jena shku. “Shkoni me duer lidhun”, na thanë.
Kur jena dalë e jena nisë ren, sikur krushqit kur merrshin nuse qi shkojshin ka njo ka njo qashtu. Po dikur shkum koxha, e s’mujsha me i majtë mo duert. P’i thom njonit përpara: “Allahile, s’po muj me i majtë duert”. Kështu lidhun, zani shkojke njoni mas tjetrit, kalxojshin a kemi milicë përpara e përmas. Erdh zani, tha: “Jo, s’kemi korrkon. S’ka milicë mo”. Kah shkojmë rrugës, ni njeri ish nervozu me do gra e fëmijë, tha: “Kanë me ju kthye, se mu m’kthyen n’kufi”. Mo tani s’na ka ngucë kush. Pshtuem. Dolëm n’Shqipni. Nuk kish pasë shumë milicë. Po nuk kom mujtë me kqyrë qaq, veç s’kish pasë shumë milicë aty.
Atëherë, jena hi n’kufi t’Shqipnisë anej. Si jena hi, jonë ardhë kombi me ndihma, na kanë ndihmue. Faleminderit edhe prej atyne, vlllaznive t’Shqipnisë. Na kanë dhanë ndihmë sa kanë mujtë. Jonë ardhë na kanë marrë me kerre e me kombi e kanë kanë çue n’Kukës. Kish pasë aty refugjatë plot. Aty, jom ungjë e kom pushue edhe vishin tani do t’njofshëm me vetë a o ardhë kush prej Mitrovice.
Aty tani erdh ni djalë, qitu afër o konë me qira, e m’ka gjetë. Edhe m’ka kallxu: “Nezir, n’filon vend i ki motrat me nipa, plot i ki aty”. Edhe më tha: “E kena ni televizionin, e lajmet, që t’i kanë vra djeltë, edhe nipin edhe dhandrin. A osht e vërtetë?” Thashë: “Po valla, tonë jonë gjindë, po Fadili s’u gjind kurrkun”. O ardhë masanej edhe ni dhandër, ai hala asht gjallë, e m’ka gjetë aty, edhe m’i ka pru dy paqeta cigare. Kom nejtë me ta, e ai djali këtu që o konë kojshi me qira, tha: “Du me t’çu ku i ki motrat e nipat”. Po unë nuk mujsha me shku n’kamë se koxha larg ish, e me pagu naj kerr s’kisha, se n’burg m’i kishin marrë 100 marka që i kom pasë. Tha: “Hiç s’ki me pagu. Unë ta paguj vetë udhën”. M’ka marrë e m’ka çu aty. Koxha larg ish konë. Rrugës kish pasë popull plot. Atëherë i kom gjetë dy motra aty. Edhe ajo që ia kishin vra burrin, edhe ajo që ia kishin vra djalin. Tu kajtë, tu u mërzitë. Po m’vesin për qeta që i kanë vra. Për djel t’mi, e motra për djalë t’vet, e motra tjetër për burrë t’vet. Po thom: “Hiç mos keni gajle, se djelt e mi edhe nipi edhe dhandri jonë shkue me UÇK. Tash ata s’i lanë vetëm, rrinë me ta, mos u boni marak”. Amo këta jonë konë t’dekun. Po, nuk u bojke me kallxue. Motra me ata dy fëmijë, kurrë sytë pa ju terë hiç. E m’përbejke n’din e iman, thojke: “Ti din, po s’po kallxon”. “Po jo motër, hiç mos u bo merak, se ata gjallë jonë, po jonë me UÇK-në, me ushtrinë tonë jonë shkue”.
Aty masanej kena nejtë nji muej, deri n’fund t’qershorit. Po kur shkova atje e i gjeta t’mitë, po m’thonë: “Po narthin fëmijët, e me shku në Tiranë, e kena gjetë ni shpi me qira”. Më thanë: “A po vjen edhe ti?” Thashë: “Unë n’mujsha me gjetë nji lidhje që munet dikush me më marrë, e noshta hi edhe shkoj diqysh te shpia, se nuk e di çka o bo me tjerët”.
Në Shqipni e kisha gruen, ish edhe çika e martueme, edhe ni çikë të vogël e kisha aty. I kisha edhe tre djem, se njonin e kom pasë jashtë. Po nuk ish konë puna qysh e menova unë. Se m’tha dikush: “Mos gabo, s’munesh me shkue i gjallë te shpia, se s’e din terrenin”. Hala NATO-ja nuk kish hi. Atëherë, po m’thonë: “Ti s’osht reni me shku në shpi, po hajde me ne”. E jena shkue përtej Tirane. Ngat xhades e kena marrë ni shpi. E kena pague të tonë kapak atë shpi me marka. Po, edhe ata gjithmonë kofshin, se vllazën i kemi. Na kanë kqyrë, e rrishin me ne sa kena nejtë atje, na kanë ba ihtibar. Nuk di me t’kallxue sa. Bile o konë ni taksist i moçëm e më merrke përditë. “Hajde – më thojke – t’hjekum mërzi”, e shëtitshim masanej.
Atëherë, pa u bo ni muej, hini NATO-ja këtu. E kena pasë ni dhandër, e ka pasë ni si kombi, edhe ni kerr o konë i do nipave. Unë pata meniherë m’u kthy, po nuk kisha me çka me ardhë pi shpije. E erdhëm me ata bashkë, po kom pasë shumë motra atje, kom pasë hjekë t’madhe se qysh m’i pajtue, nuk u bojke me iu kallxue. E jena ardhë me kombi diçka para akshami. Kur jena ardhë përtej ni vendi qatje që thirret Lushnje, përtej stacionit t’autobusave, ma t’madhen motër e kom qatje, e kena zhdrypë motrën aty. Ni grue e ni kojshie, koxha e moçme, po noshta ka kujtu që e ka ditë motra për djalin, e si o dalë motra pi kombit, o hi n’oborr, ia ka dhanë dorën edhe e ka vetë “A u mërzite?” e ia ka shnoshë kryet për djalin. E të nisi me britë, e me piskatë: “Pse vlla s’ke kallxue?”. Tani tjetra motër e muer vesh për burrin e vet. T’zahmetshme jonë konë ato ditë, t’shtira jonë konë, t’ronda jonë konë.
Harrova me kallxue qi kur jena shkue atje në Shqipni, telefonat i kishin pasë bo gati, d.m.th. u morëm vesh që himë n’Shqipni na, se u lajmërojshim aty. Ish njeri aty, që folke, e kallxojke, Neziri, filani, tjetri, mrrini n’filan veni n’Shqipni. Qi m’u marrë vesh familjet, m’u marrë vesh kush ka njerëz jashtë. E muerën vesh, çka kisha përjashtë vllazni edhe djali, që i gjallë jom hi n’Shqipni. Për famijen knej, ni kohë nuk kena ditë, se i kanë nalë telefonat. Nuk kom ditë ni kohë nanë e grue, fëmijët e mi, a i kom gjallë apo jo. Nuk kam ditë. Dikur e mora lidhjen me vllazni, edhe po m’kallxojnë: “Gjallë jonë, po me vujtje e me t’hjekne, e jonë n’shpi e s’jonë n’shpi”. Kur erdha këtu, e gjeta nanën, gruen, ni motër e kom pasë këtu ma të vogël, edhe qeta çka i lashë, gjallë i gjeta.
Kur jena kthye pi Shqipnie, jena shkue n’Vaganicë te vorret ku ish edhe Fatmiri i vorrosun. Unë ia di shumë për t’mirë që e kanë marrë atyne të UÇK-së, vllaznive tonë, pa marrë parasysh a o konë djali jem i veshun ushtar a jo, se këta kanë mujtë me i marrë shkijet (serbët), edhe mos me u ditë mo ku i kishin çu ata. Ia di për nder kush i ka marrë. Pra, jena shku, i kena pa ku janë t’vorrosun. Shkuem me atë dhondrin, që i kanë vra djalin, e me motra, me familje. Aty ishin konë të vorrosun rend grupi qi i kanë marrë. Aty u bo vaj i madh. Nuk dishe cilin m’e pajtu ma përpara. Shtirë o konë. Unë kom qindru qysh kom qindrue. Përmi vorre kishin lonë tesha. Fatmirit ia kena gjetë jaknën mi vorr. Qatë jakne e ka pasë veshë kur ka dalë pi shpie edhe trenerkat. Përmi vorr, ata që e kishin vorrosë, ia kishin pasë lanë jaknen edhe pumet e reja. Pumet s’ia kena gjetë, po jaknen po. E kena njoftë pi teshave, e kon e kishin njoftë ata t’UÇK-së, ia kishin pasë lonë emnin shkrujtë mi vorr. Edhe e ditëm mirë që tonët jonë qaty.
Mas gjashtë mujsh, jonë ardhë ni komision me do mjekë, prej Tribunalit t’Hagës. I kanë xhvorrosë ata aty. Na kanë thirrë familjet e prindët, krejt kush i ka njerëzit e vet aty. Jena shkue nja 4-5 ditë deri e kanë kry krejt atë rend. E secilin që e nxjerrshin, ia thirrshin familjen për me e pa qatë trup. I shtishin n’ato keset e najllonit, i mshelshin me patent. Kur i ka ardhë reni djalit tem Fatmirit, e kanë nxjerrë. Mue s’më kanë lonë niherë derisa e kanë nxjerrë, po ka nejtë ni dhondër i jemi aty. Edhe m’ka thirrë: “Hajde se e nxorën djalin tond”. Kur jom afrue, ish kon me patent i pshtjellun, mrena n’llastik. Se i çojshin për m’i kqyrë mjekët. Po, kom marrë e ia kom çelë patentin, e nji i huej m’tha: “Mo, mo, se s’bon me i çelë!” n’atë gjuhën e vet. Po unë e çela djalin, e kqyra. Edhe si e pashë, n’tesha e krejt, trupin e kish pasë t’kapun krejt. Edhe trenerkat, t’u mushke menja që kanë nejtë përjashtë, t’reja pa u prishë hiç. Çorapët mathun. Veç qai mish që i kish ra. E morën, e çuen, e i bonë ato sene, edhe e kthyen prap. I kena marrë ato dërrasat masanej n’Zhabar, gjithkush për t’vetin.
Fatmiri n’gisht e ka pasë majtë ni unazë t’mirë. E qatë gisht ia kishin pasë hjekë. Po thom, zaherë kriminelët. Trupin e djalit tem kur e xhvorrosën, vetë e kom kqyrë, trenerkat veshun, çorapët mathun, amo ftyra edhe kryt, mishi i kish ra. Ish shumë rondë për prind ajo. Rondë për familjen. Për babë e nanë o shumë shtirë. Se i riu rritet, martohet, krijon familje, e ka diçka. Për ta pak ma lehtë, e për babë e nanë osht ma së shtiri. I lutna Zotit: “More Allah, ajo luftë çka o konë, ishalla kurrë mo s’bohet. Ishalla kurrë çka kena përjetue mo s’bohet”.
Prap i vorrosën në t’njejtin vend, veç i kanë nxjerrë, edhe jau kena qitë dërrasat, qysh e kemi adetin, edhe ata mjekë, ai komision, kanë thanë: “Sa t’jena na këtu, nuk bon me i marrë”. Na kallxuen neve se i kryen aty. Koxha do ditë vonuen aty. E tani thanë: “Kena me shku n’Suhodoll, edhe me me e kry për atë vit, se po prishet havaja e s’mujna me kqyrë mo”.
Masanej jena shkue sa herë kena mujtë me bo gajret. Po, u mërzitshim, edhe unë edhe gruja. As nuk di me përshkrue sa vshtirë, pi vaji e… s’po kom as fuqi me kallxue sa kom mërzi. E tash shkojna edhe nërmjet viti, kqyrim a ka naj bari, a naj diçka. Na nuk kena bo najfarë hijeshie t’madhe. Se po thonë qi nuk duhet me bo hjeshi qaq t’madhe n’vorr. Jau kena hidisë deri dikun, m’u ditë, mos m’u hupë qai vorr qaty, m’u ditë qai person, qai emën, për çka e kanë dhanë jetën. Po, kur vjen përvjetori i tyne, shkojmë krejt familjet aty kush i ka t’vetët. Po, na lëkundin dhimtë, sikur atë ditë që ka ndodhë ajo që ka ndodhë.
E për Fadilin mo s’kemi nie kurrgjo, përveç ky kojshia çka pati kallxue. Po kojshia nuk o mo. Ni kohë na e ka marrë menja, se dikush thojke që jonë n’burg, dikush jonë anej, dikush jo jonë tjetërkah… po simas gjasave, masi o konë i plaguet, edhe nuk u gjindë atje ku UÇK-ja e ka pasë ambullantën n’Vaganicë, hiç fort s’ma merrke mendja që osht… po Allahi e din, kumeditë. Sërbia që e ka bo këtë masakër e din shumë mirë. Kriminelët e Serbisë, Millosheviqi që u ka dhanë urdhën me i bo këto, ata shumë mirë e dijnë. Veç nuk dojnë me kallxue. Serbia për këta t’pagjetun që jonë metë, e din mirë ku i ka lanë. Serbia duhet me kallxue, a i ka kallë, a i ka qitë n’ujë, a jonë në naj vorr masiv dikun me naj gropë. Serbia shumë mirë e din ku jonë. Po, nuk po don me kallxue.
Fadilin e Fatmirin i maj n’mend, jo që i kom evladët e mi, m’i lavdue, po jonë konë shumë t’mirë, t’urtë, t’gjindshëm, kanë pasë shokë, shoqni, i kanë pasë të tonat. Te dyert e oborrit, Fadili m’ka pasë thanë: “Qi bon vaki diçka, unë me qatë merak shkoj, që s’kom mujtë m’u veshë ushtar”. I kom thanë: “Ishalla s’ju gjan juve e keqja, as korrkon, asni djalë të ni nane shqiptare, ishalla korrkon s’e gjan ni e keqe”. E Fatmiri m’ka thanë: “Kqyre, boni vaki diçka, mos më kaj, se unë po shkoj e po luj me top”. Dy milicëve jau ka përmendë emnin. Ka thanë: “Ratku edhe Saviqi”. Unë s’i kom njoftë ata kush jonë konë. Po djali m’ka thanë: “Kah po shkoj me lujtë Tavnikut edhe kah po kthehna, zaherë m’kanë pa kah luej mirë me top, e po jau vraj sytë, e ma kanë marrë inati, s’di pse po m’kqyrin. Se send bo s’kom”. Po m’ka thanë: “Boni vaki diçka, amanet po ta lo mos më kaj, se nuk m’dhimet jeta, as nuk m’dhimet shpirti me dekë për Kosovë. Lufta o luftë. Luftë pa gjak nuk ka. Ishalla – tha – more Zot, qai që jet, kënaqet, e rrnon qysh o ma së miri kjo Kosovë. Se kështu na tu ikë nuk mujmë me rrnu babush. Ik me shku me lujtë me top, tutu me shku n’shkollë, tutu me dalë me pi kafe, kështu nuk rrnohet”.
Pra, ma ka lanë këtë amanet. Për mue osht shumë i randë, o punë e madhe që ma ka lanë, m’ka thanë “mos m’kaj”. Të dytë m’i kanë lanë fjalët: “Me bo vaki diçka, mos na kaj!”. Po unë kur menoj, jom krenar, e shtrëngoj veten, e nali veten, e familjes i thom: “Duhet m’u bo t’fortë edhe mos m’u mërzitë, se këta jonë shku për Kosovë, kanë dhanë jetën, gjakun, për Kosovë”. Këta çka jonë shkue krejt, edhe këta ushtarë, edhe këta që s’jonë konë t’veshun ushtarë hiç, gjaku osht i njojtë. T’dhimshëm jonë të tonë. Jetën e kanë dhonë, shpirtin e kanë dhonë për këtë liri qi na sot p’e gzojmë.
Si u pata kthye pi Shqipnie, e kom nxjerrë shkamin, kom majtë t’pame atëherë. Atëherë o konë e caktueme 15 ditë. Mas 15 dite e kom hjekë karrikën. Po kush ka deshtë, ka pasë mundësi, a i ka dhimtë zemra, ka ardhë e ma ka shnoshë kryet, m’ka pa.
E shteti, qeveria, veç me m’pasë ardhë deri n’oborr e me m’thanë: “O Nezir, o burrë, a po mërzitesh për ata dy djem që t’kanë shku për Kosovën? A po ki idare, a po muj mahesh?”. Për mue veç qekaq, qekjo fjalë, boll ish konë. Vjet, qekjo shoqatë, Bajram Qerkini, faleminerës pi tina, na kanë çue 3 vetëve në bajë t’Kllokotit. Edhe sivjet, sot ni muej jom shku n’bajë t’Kllokotit me tre shokë, edhe ata qeshtu i kanë do t’vramë si unë, kena nejtë ka dhetë ditë. Se tjetër kurrgjo.
Unë qesaj Qeverisë tonë, qetij shtetit tonë, u kisha bo apel, për qeta që i kem t’pagjetun, me i dhanë zor, me këta ndërkombëtarët që jonë këtu, e që po thojnë se jonë ardhë për drejtësi, me na nimue, Serbisë me i bo trysni, kriminelëve të Serbisë, edhe ata që i kanë bo këto krime me dalë para drejtësie.
Edhe njo po e thom. Krejt djemtë e t’rij ça jonë n’Kosovë, le t’bohen t’dashtun nërmjet veti. Le t’bohen t’dashtun nërmjet veti edhe le t’e dojnë njoni-tjetrin sa t’kanë fuqi e mundësi. Le t’e respektojnë e mos t’ndodhë asni e keqe nërmjet tyne. Zemra jeme kështu thotë.
Mestitull: “Dy djem m’u zhdukën, njonit ia gjetëm trupin”
Hamide Avdyli: Rrëfimi në vetën e parë
Te baba kom kalu mirë. Jemi konë dhetë fëmijë. Pesë motra, pesë vllazni. Në shkollë pak kom shku, s’kam pasë mundësi. Katër vjet osht dashtë me i kry, po pak kom shku. Nanën e kom pasë pa qef, me migrenë. Vllaun e kom pasë dy vjet përpara, unë mas tij, krejt ata fëmijë, ato punë, i kom kry vetë. Nana ma shumë thuja ka nejtë ratë, se veç me nanë e babë jena kanë. Unë si nanë e dytë e vllaznive e motrave. Veç Allahi që m’ka nimu.
Baba m’ka dekë qe dy vjet. Nanën e kom 90-vjeçare. Baba ka pasë punu pak bujqësi, tokën. Në punë s’o kanë, e na dhetë fëmijë. Jom kujdesë qishtu, ma shumë kom bo punë te baba se te burri. Po atëherë na shkollë s’bojshim, po qito punë t’shpisë, e punë fushe.
Me motra e vllazni shkojmë shumë mirë. Shumë jena t’lidhtë mes veti. Tash i kom katër vllazni. Ai i madhi para meje m’ka dekë. Tash jena pesë motra, katër vllazni. Po, në fshat temin kom 22 vjet që s’jom konë, se djalin e kom me sindrom (sindroma Down). E kanë marrë qaty me e mashtru, se ky pa mu s’don hiç. Ni vit bohet, e kom familjen n’Prishtinë, e nuk shkoj me i pa. Se djali s’më len. E kom evlad, duhet me e pastru, vetë krejt me i ba, me i nimu, krejt vetë.
Me burrin, Nezirin, jemi pasë lidhë me mësitni atëherë, jo si tash që p’i shohin e p’i marrin vetë, vetë po dahen e krejt. Niherë u fejuem. E motra e Nezirit osht e martume për ni vlla temin. Unë për vlla t’saj, për Nezirin. Me mësit të dyjat. Shtatë vjet kom nejtë e fejume. Kurrë s’jena taku. S’kena dalë. S’kom guxu pi babës. Baba o konë shumë i vshtirë, s’kom guxu as me e pa, as hiç. As ajo kunata jeme, as unë. Qashtu këtyneherë. Masanej na të dyjat kena bo darsëm. Edhe që kena marrë nuse për vlla, darsëm t’mirë, edhe për veti. Me burrin mirë kom kalu. Shumë i mirë osht.
N’darsëm kena pasë boll njerëz, po s’o konë si tash, që ka shyhret. Ma pak ka pasë atëherë. Tash po ka ma shumë shyhret. Se p’e ki familjen tande. Pe ki ni vullnet ma t’madh.
Kur jom martu i kom pasë 18 vjet. Kur jom bo 19 vjeçe, më ka lindë vajza e madhe Hafizja, tani pesë djem mas saj, tani apet ni çikë, tani apet dy djem. D.m.th. 11 vjeçe jom konë kur m’kanë feju. Qashtu t’fejojshin atëherë, e najherë bile n’beshik. Mas Hafizes, m’lindi djalë, Fadili, qeky që osht i zhdukun. Halimi i treti, Alia i katërti, Fatmiri, i vrami, i pesti. Kujtimi i gjashti. Mandej e kena Ardianën edhe Gentritin. Gentriti osht i teti fëmijë. Krejt jonë t’mirë, krejt n’rregull, krejt t’shnoshë, krejt pa problem. S’i kemi çu te mjeku kurrë, s’jom shku te mjeku kurrë që me e majtë n’men.
N’qitë shpi kena jetu gjithmonë. Edhe në kohë të luftës, unë gjithë n’shpi. Kanë ikë djemtë, ka ikë burri, unë me qatë vajzën e madhe, Hafizën, me dhandër, me fëmijë, qitu. Jom dalë pak, për mos me hi ata edhe mos me ndodhë ajo çka u nijke. Jom dalë qaty ma nalt pak me ni sokak edhe jom kthy qitu. Kom punu, kom gatu, refugjatë kom pritë shumë. T’rrethit t’Mitrovicës që vishin. Vallahi, përmi nizet i kom pasë. Me qito duer ju kom gatu. Furrat jonë konë t’kallta. Krejt i kom gatu, i kom pritë, me qato mërzi t’djelve. Kom shumë durim, as keq nuk m’sheh, qajo m’man, tjetër kurrgjo. E kom mërzinë e djelve, se boll krenare që kom pasë qasi djelsh me dhonë për Kosovë, për gjak tonin, po apet, ky djali i vogël, Gentriti, ma mun ato. Ky ma mun. Me kto e kom problemin.
Burrin tem e kishin çu n’bajë ata të shoqatës. Unë s’kom mujtë me shku. Burri qe dy vjet shkon, unë s’di çka osht baja. Mërzi kom boll, kom durim, noshta po m’vjen m’u lavdu, kom marifet, e moral, se vshtirë osht për mu.
Kur jonë hi militarët, se jonë konë qitu n’Mitrovicë t’vendosun poshtë xhamisë, edhe jonë zhdirgë e jonë ardhë dy shkije magjupë (serbë romë) me maska. Të tmerrojshin. E jonë hi, edhe po i thojnë nuses: “Hajde me ne!”. E vesin: “A t’u ka vra burri n’UÇK?”. Se pak a shumë u njifshim e e dijshim qi këta dy jonë marrë. Edhe jonë hi këtu, e kanë marrë nusen për krahi. E kena pasë ni kuzhinë qaty, jonë hi aty e kanë marrë për krahi. I kom nxjerrë 300 marka, edhe jau kom dhanë. Ju kom thanë: “Ecni! Keni vra boll, na keni bo keq boll, merrni qito edhe ecni!”. Ata: “Qitni pare, qitni dukat, ju keni deviza!”. Thashë: “As s’kom pare, as s’kom dukat, m’i keni vra djemtë, merri qito 300 marka edhe ec!”. Edhe jonë shku. Unë e kom pshtu nusen. M’u ka dashtë me i marrë çikë e nuse. Zoti ma din noshta. Masanej, me shamija n’kry jemi dalë. Budallaki, pse me qitë shaminë? Luftë!
Dy djem m’u zhdukën n’luftë. Njonit ia gjetëm trupin mas nontë ditësh. Tre djem të mi, Fadili, Fatmiri e Kujtimi, jonë konë tu shku për me u bo bashkë me kolonë, se na kanë pasë qitë. Na përzunë për Shqipni. Po unë s’jom konë me ta. Drejt me thanë, as burri. I kanë kthy prej ujësjellësit, edhe i kanë pru këtu me ni rrugë, që thirret rruga për Zhabar, mi Nanë Terezë qaty. Djalin e madh, Fadilin, e kanë plagu n’dorë. Dikush e ka pa, i ka kallxu burrit tem që Fadilin e kena taku n’rrugë, i plagosun n’dorë. Fatmirin e kanë vra vetë t’katërtin, me burrë t’hallës, me djalë t’hallës, edhe me ni shok. Këta jonë konë n’kolonë. Kur kanë shku te ujësjellsi, i kanë… i kanë shti me ni oborr edhe i kanë vra, i kanë pshtetë për muri edhe i kanë vra të katërtit.
E tash, sot e atë ditë presim, kom qef me e ditë fatin e Fadilit. Me e ditë ku osht. Mërzia osht e njejtë për mu, si m’u gjetë, si mos m’u gjetë, po pak me ditë bile. Tjetrit po ia dimë vorrin ku e ka. Po ia dimë, po shkojmë, p’e vizitojmë. Se mërzia për mu osht e njejtë sa t’jom gjallë. Çka ki me bo? Po luftë o konë. Duhet m’u pajtu. Tonë jonë t’nanave, tonë t’motrave, tonë t’babave, tonë t’vllaznive.
Ata kur jonë dalë te dera e oborrit të tretë, ky djali jem Kujtimi, veç e ka ungjë kryet. Atëherë i ka pasë 16 vjet. Veç kqyrke. Fadili e Fatmiri më kanë thanë: “Çka t’bojna ty nanë? Je me këtë djalë (Gentritin, me sindromë Down), e ty çka t’bojna, se na shkojmë me UÇK-në, me shoqni. Na edhe desim për këtë dhé, për këtë tokë, për liri, s’o kurrgjo! Po ty ça t’bojna? Me këtë djalë, që ki me e bajtë n’shpinë”. E djali pa qef. Hera e fundit që e pashë Fadilin, qitu n’shkallë. Kur na kanë qitë pi shpijave, Fadili o ulë n’shkallë me gjithë Fatmirin, edhe qito fjalë m’i ka thanë, ma s’e kom pa.
Na jena da prej tyne. Ata janë shku te daja i vet, të tretë. Na jena dalë t’mërkurën. Kena bujtë qitu ma nalt, te ni mesë me burrë e fëmijë, me Hafizën, me dhandër. Fatmiri, Fadili e Kujtimi kanë bujtë te vllavi jem n’Zhabar. Këta i kanë qitë t’premten. Këta t’premten jonë vra… Fatmiri o vra. E premte o konë ajo ditë. E Kujtimi ka pshtu. I kanë thirrë me emna, të dytë i kanë thirrë. Bile Fatmiri ju kish pasë ra shumë në sy. I kanë thanë: “Hajde edhe ti!”. E kanë sha Fatmirin. E kanë kapë për krahi. E qiky Kujtimi o konë me nji vlla temin n’kolibë, me hallë e me gjyshe, e ka thanë: “Vallah dajë, djemtë na i vranë!” Ai i ka bo: “Jo, jo, dajës, se ata vetë qesin qashtu përpjetë”.
Pesë ditë përpara unë jom da pi tyne. Ma s’i kom pa. Nontë ditë kena nejtë n’Lubovec. Jemi strehu. Masi jena kthy – hajde se o bo mirë n’Mitrovicë – po kthehemi. Ata ishin konë nontë ditë t’vramë, prej t’premtes. Jonë ardhë do të UÇK-së me kallxue. Burrin s’e kam pasë këtu, mu s’më kanë kallxu. Burrit tem masanej i kanë kallxu. Ai mas dy jave m’ka kallxu mu.
Kisha në shpi refugjatë, e kisha edhe vllaun, me fëmijë, me gru. Unë dy javë s’kom ditë hiç për asnjonin. Mas dy javë dite, ni mëngjes u çova me ju pregaditë ktyne bukë, gatujsha, ka nizet bukë jau gatujsha refugjatëve, krejtve. Edhe burri ish ungjë e pijke duhan, edhe po më thotë: “Hamide a pushove hiç?”. “Po, boll pushova.” Thotë: “Dje që ke dhandri, iu ka vra djali”. Nji dhandrit ju kish vra djali. Me Fatmirin. Thotë: “E pse s’i the ti Murselit që i ka dekë djali, që ia kanë vra?”. Po ma sill ai mue. Thom: “Unë kurrgjo s’dita”. I thom: “E Fatmiri që o konë me ta e me Fadilin ni kolonë?”. Meniherë une. Thotë: “Fadili ish konë i plagum n’dorë, e ka pa dikush, ka kallxu, ka pshtu qaty. E, Fatmiri osht i vramë”.
Qatëhere unë veç jom pshtetë në ballkon, për gilinderi. Edhe jom shku n’atë kuzhinën ku isha tu gatu, tu pregaditë mëngjesin. Për mos me m’ni çika e madhe, jom shku e jom hi n’atë kuzhinë. Thashë mos t’më nijnë bile, t’shfryhna vetë. O ardhë çika, jom çu, i kom la sytë mos me m’pa, se luftë thojsha, e habiten, ku me ditë qysh hijnë e na bojnë. Tha çika: “Oj nanë, çka ki që je mërzitë kështu? Kjo luftë osht, tonë t’çkeptë”. Thashë: “Qe tybe, po m’dhem kryt koxha, me djel t’çkeptë”.
Ka përbe, ka thanë: “Pashë Zotin, pashë vllazninë, çka ki qe je tu kajtë?” Thashë: “Eh moj Hafize! Fadili, po thotë baba jot, i plagum, e Fatmirin e kishin vra”. Ajo… krejt flokët e kom pa kah i nxjerr pi kreje për to. Se fort e ka dashtë. Jonë konë fëmijë t’lidhun fort mes veti. Kurrë, kush ni fjalë t’keqe për ta, as ni sen t’keq s’na kanë pru n’shpi. Gjithë ai fëmijë. Unë ma së shumti jom konë e lidhtë me ta, i kom eduku, ju kom folë, për krejt. Nanë mo. Shumë kom bo për ta, edhe sot qashtu boj. Nashta o marre m’u lavdu që ky djali me sindrom… ky edhe laget… unë e marr, sa teshat, sa… e shtroj, e laj… knej, punët e shpisë, edhe vetë krejt. Me mërzi, me punë, me angazhime, me krejt. E sa t’jemi na, shumë mirë osht. Po, kur t’shkojmë na, ku do t’jetë ky?
Fatmiri ka pasë me i bo 19 vjet, n’tetin muj i bojke. Në t’katërtin prill ‘99 o vra. E Fadili i ka pasë 24 vjet. Ai boll ka pasë qef me dalë. Veç që s’ka pasë kushte. Ata s’muj me e hekë prej zemre. S’kemi pasë kushte me e qitë, se ai ka pasë qef me dalë jashtë. Me shku n’Evropë. Fatmiri o marrë me top, ka lujtë n’shkollë, mirë jonë konë tu shku boll. Po qe, lufta… e paska pasë qishtu.
Fadili e ka t’kryme shkollën e mesme. Mas shkollës ka punu. Kena pasë lopë atëherë, ka rujtë qitu afër. Ka punu edhe privatisht, i nimojke babës së vet kapak. Këta të tjerët ishin t’rij, këta n’shkollë. E Halimi, që osht jashtë, ai e ka kry edhe vitin e katërt t’shkollës së mesme këtu. Po, kanë pasë nisë me ju hi n’shkollë, n’Vaganicë i thojmë atje. Ju hishin me thika e me gërshanë e me… qishtu hijshin, po nuk e dijshin kush ishin ata. Edhe e kena hjekë pi shkolle.
Fatmiri o konë n’shkollë t’mesme edhe ka pasë qef me lujtë futboll. Ni ditë pa i qitë n’kolonë Fatmirin e kanë nxanë dy shkije (serbë) n’shkollë. Jonë konë kah lujnë n’sallë, edhe i kanë thanë: “A e ki gati me kry?”. Ai ka qenë Ratko Sllaviqi, i këtuhit. Edhe jonë dalë. Ni ditë pa hi n’kolonë.
Fatmiri atë ditë për herë të funit që e kom pa, më tha: “Nanë, veç i kom 16 vjet se isha shku me e marrë motrën, se anej jonë hi n’qytet po kallin, edhe po vrajnë. Isha shku me e marrë Hafizën, veç s’kom letërnjoftim”. Hafizja pati shku n’shpi, këtu ke tu nejtë si refugjat, po shkoi n’shpi. Shpinë e ka te ushtria aty. N’ballë, si t’dilsh prej tuneli, e ka gati n’Bajr.
Unë kurrgjo s’ju thashë atë ditë djelve. Kurrgjo hiç. Veç i kqyra. Ky Kujtimi veç e kish ungjë kryet edhe veç sa s’kajke, se edhe i ri. U nisën, u danë prej neve edhe shkun te vllau jem të tretë. Qaty jena da, ma s’i kom pa.
Sot e menoj, pse u dajsha pi tyne? Pse? Pse s’ju nejta afër, pse u dajsha pi tyne? Se s’më doket jeta kurrgjo pa ta. Qaq që i kom pasë për veti. E i kom dashtë edhe m’kanë dashtë se turli fëmije ka, turli nane ka. Shumë e lidhtë jom konë me ta. Shumë kom hjekë për ta. Nuk o konë kollaj m’i rritë tetë fëmijë! Po du me thanë, vshtirë n’atë kohë. Po qaq jonë konë t’knaqtë me mu, ditë e natë kom nejtë për ta, shkollën me jau vazhdu. Me shku përpara, mos me metë t’mrapametun. Me ditë me e shkru emnin e vet. P.sh. unë tona punët i kryj, po shkollë pak, shumë pak. Këtyneherë nuk t’lejshin as me shku n’shkollë.
Vllaznit e motrat e tyne e kanë përjetu rondë boll. Se Ardiana, çika e vogël, i ka pasë 13 vjet, po o konë si Allahi që e fal, sikur me i pasë 20 vjet, veç kukatke, u tutke, thojke: “Kuku qe po hinë po m’marrin, kuku!”. Edhe e madhja qashtu, e harrojshin dekën. Shumë t’çartë jonë konë ata, shkije magjupë (serbë romë), a çka jonë ata. Kena përjetu boll të zeza pi tyne, boll kena hjekë. Masi metëm qitu, hjeka sa t’dush, mërzi, të tona. Po, ça ki me bo?
Fatmirin e ka gjetë UÇK-ja. T’vramë. E kanë vorrosë. E mas ni jave jonë ardhë, kanë kallxu. E kanë gjetë, qitu ma nalt osht ni vend. N’qatë vend që e kanë vra, qaty ka metë nontë ditë me djalë t’hallës, me burrë t’hallës, me ni shok t’vetin. Fadili nuk dihet kah o shku. O qatje, o ni sptial, o qitu, o vetë i treti. Nëpër hoxhallarë, nëpër… dej nëpër vorrime (zhvarrosje) jena shku me kqyrë mos pi gjajmë teshat a diçka. Po jo, s’kena marrë asni lajm pi tij.
Fadilin për herë t’funit e ka pa ni kojshi qitu. Ia ka çky majicën e mrenshme, edhe ia ka pshtjellë qatë dorë, tha, se i shkojke gjaku. Edhe o hi n’atë farë urën për Mitrovicë, nër atë urën o hi Fadili, ka depërtu pi kolonës. Pak ka kallxu plaki çka kanë folë, se tha: “Mrrini milicia, mrrini ushtrija”. Edhe me çikën e plakit ishin pa. Fadili i kish thanë atij: “Unë vallahi jom hypë mi do taraba aty n’oborr, edhe veç m’kanë plagu, e ata i vranë, o Zenel”. I ka tregu Zenelit dhe çikës së tij se ata i vranë. Tani mo, a e kanë gjetë, dikush thojke kështu, dikush ashtu, kurrfarë informata të sakta nuk kemi. Qe 19 vjet.
Vorri i Fatmirit osht qaty ku e kanë vorrosë UÇK-ja. Jonë aty burri i hallës së vet, djali i hallës së vet, Fatmiri me shok. Në nji fshat, i thonë Vaganicë. Fatmiri s’o konë n’UÇK, po ata u deshke me i marrë të dekunit. Se e kanë pa që s’ka kush me i shti në dhé. Luftë. Trupi osht hala ku e kanë vorrosë. Une bile i thojsha burrit: “Bimani qitu se s’po ngihna mall! Bima qitu!”. Kena pasë atëherë këtu veç bahçe, 12 ari trull. E thojsha: “Bima qitu me e vorrosë”. Thojke: “Jo, se me shokë duhet me u vorrosë”. Edhe jom pajtu që qatje o vorrosë.
Herën e parë me ia vizitu vorrin kom shku me çikën e madhe, edhe me nji dhandër, edhe me Kujtimin, kur i ka ra Bajrami i parë. Kom kajtë e s’kom kajtë deri dikun. Haku i çikës edhe haku i Kujtimit. Kujtimi na u ka smu. Brit, kaj, brit, kaj, ia ka gjetë teshat. Krejt senet nëpër xhepa t’jaknes: sapuna t’rrojës, kollinosa, çorapët, këpucët përmi vorr, jaknen e lëkurës mi vorr. Ky tani ka kajtë, ka britë, pa vetëdije e kemi pru te shpija. Mule nëpër mjekë. Kujtimi me korrkon s’e bon llaf këtë punë, as me kon s’flet. Qashtu veç rrin. Kujtimi osht i gjashti fëmijë. E sot e atë ditë o metë qashtu, as nuk punon. Para lufte ka punu. Para lufte ta ka majtë krejt këtë shpi Kujtimi, se nusja moti o dalë. Krejt ma ka majtë shpinë, unë e kom kqyrë, kom përgaditë bukë, fëmijët me ia la e… Tash jo, tash veç rrin. As nuk osht n’punë, as nuk osht i martum; 34 vjeç.
Për me e gjetë Fadilin, ma shumë o marrë burri. Ka dhanë deklarata, për me e gjetë. Djali, Kujtimi, o dalë, s’ka lanë kund vorre pa kqyrë, mos p’i gjinet naj shejë e tij. Kah s’o shku me shoqni. S’ka mujtë kurrgjo me marrë informatë. E pa u kry lufta, na kanë lanë shumë me shpresë, se thojshin n’spital osht, jo e kanë marrë prej spitalit, u shëru, e kanë n’dorë, tu u shëru e pa qef e kanë marrë, osht n’burg, osht vetë i treti, e hoxhallarët kanë me e lëshu e… Kurrgjo hiç, qe 19 vjet kurrgjo hiç, fati i tij kurrgjo hiç. Po presim, po kurrgjo.
Unë krejt familjen e kom prej veti, shumë ma largojnë mërzinë, mundohen me atë t’veten. I kom qita dy nipa, i lutna Zotit. Fadili s’po gjinet, po e presim fatin e tij. Fatmiri e di që osht i vramë. Ama, i lutna Zotit, që i kom qita dy nipa, i kom t’mirë, i du edhe m’dojnë, edhe ma largojnë pak mërzinë. E vijnë na përqafojnë, e na dojnë, e ulet njani knej, njani anej, e mu m’doket sikur m’i pasë edhe ata dy n’shpi. Se qaq jemi t’lidhun. Po vallahi boll edhe burrin e kom t’mirë.
Nipi i madh e ka emnin e Fatmirit e, ka lindë edhe tjetri mas ktij. Po, e kom pritë fatin e Fadilit, që osht hala dikun. E, tjetri e ka emnin Fijon. E këtë nipin, Fatmirin, m’doket shumë n’shpirt e shti. S’e di a m’don ai sa e du unë. Çka t’blej, çka t’punoj, ai as nuk han prej nanës së vet, as nuk pin prej nanës së vet. Unë jom e vetmja gru n’shpi, tonë ditën, tonë natën. E kur m’vjen najkush i jemi, se jom vetëm, kur e shoh shpinë plot burra, m’doket atëherë që pak mërzia m’largohet. Thom: “More Zot, qe nipat, qe burrin, qe edhe djem boll apet”. Ato e paska shkru Zoti, dekën e paskan pasë, luftë o kanë. Duhet me u pajtu, se tona nana të dëshmorëve jonë. Ka keq e ma keq. A p’e shihni ajo në Suharekë? Kur del ajo në televizor, unë baraz me to e me djem kaj për to. Veç vetë o metë. Shyhreti, që o metë pa korrkon. Tash, me drejtësi, ma rondë osht për to se për mu.
Fadili o konë djalë i urtë, shumë, pa asni fjalë as n’shpi as jashtë. Këto m’kujtohen, veç t’mirat. Ka dashtë me dalë n’Gjermani, ku o konë tjetri djalë, Halimi, o konë 7 vjet, prej 16 vjeç, pati dalë me na nimue, se atëherë s’kena pasë. Burrin e qitën prej Trepçe. Këta fëmijë u deshke me u shkollu, me u rritë. E me shku përpara, o dalë Halimi me na nimu. Ai ka pasë qef me shku te Halimi, m’u punësu, m’u martu, 24 vjeç. E qato ia menoj, senet që nuk kena mujtë me jau dhanë.
Fatmiri kish qef me u bo futboller kur t’rritet. Veç m’i ka marrë çika, se i kom pasë unë fotot ku o dalë ai me lojtarët. Që ka pasë mrri, n’atë kohë para lufte, ma i miri lojtar. Po çika m’i ka marrë, se unë i majsha përditë n’dorë. Edhe m’i ka marrë n’Belgjikë. Parës m’u kujtu, sa nisa me shku me i kqyrë, m’u kujtu që ajo m’i ka hjekë. Se unë dy herë kom nejtë n’spital prej mërzije. Niherë kom nejtë n’Mitrovicë pesë javë, edhe n’Prishtinë qashtu. M’rajke t’ligët, s’mujsha me u çu, m’u bojke stres, i pajsha n’andërr shpesh që po vijnë të dytë, folsha me ta, m’u kujtojshin kah shkojsha.
Në andërr Fadili gjithë m’thotë: “Nanë hajde, hajde me mu, se nuk kom kohë! Hajde me mu edhe ti!”. E shoh edhe Fatmirin, po ma rrallë. Veç më thonë: “Hajde me ne!”. Edhe jau kujtoj ato teshat, qysh i kom majtë, jau kujtoj fjalët, e krejt jau kujtoj, prej n’çorap jau kujtoj qysh i kom majtë.
Atë ditë te shkallët i kanë pasë farmerkat veshë të dytë, jakne të lëkurës të dytë, këmisha, me këpucë, me çorapë t’bardha, sikur me shku n’Bajram. Edhe hala ato çorapë unë i maj të tyne. Do tesha m’i kanë pasë marrë çikat. “Jepja dikujt!”, m’thonë. Teshat ia kom dhanë ni fukaraje n’Rahovë, ni kusherini t’dhandrit ia kom dhanë, krejt t’hekurosta. Ajo ditë o konë ma e shtirë se dita kur e kom mësu që jonë vra.
Teshat e të dyve i kom dhonë. Se edhe hoxha i kish pasë thanë burrit tem mos me i majtë se osht gjynah. Djali, ky që osht n’shpi, s’i veshke. S’dojke me i veshë. Ai tjetri osht jashtë. Ky tjetri që osht këtu, as ky s’dojke me i veshë. Edhe po thotë burri: “M’ka thonë hoxha: ‘jepja dikujt se osht sevap’”. I kom dhonë krejt. Djemtë nuk kanë dashtë me i veshë se fort jonë konë t’lidhtë mes veti. Fort jonë mërzitë këta.
Fadili pati shku n’UÇK, po s’e kanë marrë. O shku n’qat fshatin Bajgorë, n’Shalë t’Bajgorës. O shku mas UÇK-së, e kena përcjellë, e u pata mërzitë. UÇK-ja, që o konë n’front atje, nuk e kanë marrë, se kanë thanë, nuk kemi ni herë tesha, shko n’shpi, s’di çka, t’thërrasim, po s’e thirrën. E ma mirë o konë me i marrë pushkët, edhe me hi, bile m’u vra. Fatmiri o konë i ri, ato s’ta kishin marrë hiç e hiç. Fatmiri as letërnjoftim s’ka pasë n’atë kohë, s’i ka taku. E me trup, thojshe ti me trup, sa i zoti o konë.
Kanë pasë shokë shumë. Kanë lujtë me top, jonë kënaqë me shoqni, jonë dalë, e i kanë pasë hallat afër. Me fëmijët e tyne kanë kalu sikur me vllazni. Sot e atë ditë jonë t’lidhtë mes veti. Kanë dalë n’qytet bashkë. Tash, kur e ka Fatmiri përvjetorin, shkojna, mas dy dite. Me e ni qysh e lexojnë ata përmes interneti, për Fatmirin, që kanë lujtë bashkë, çka shkrujnë. Unë nuk di ku me e kqyrë. Shokët e tij vijnë edhe me na vizitu. I ka dy shokë bineq, ata kanë qef bile edhe shpesh më vizitojnë. I ka pasë shokë, i ka dashtë shumë edhe e kanë dashtë. Po qe ni kohë nuk po vijnë… se po thojnë: “Na kur p’i shohim nanën e babën që po mërziten…” Edhe jonë largu. Mu më vjen shumë mirë kur ia shoh shoqninë që vijnë. Që kom pasë qasi djali, për m’i pritë dikush t’mirat prej tij. Si prindë na me e ndi që o konë i mirë. Shokët, çka i njoh unë qitu, krejt i kanë pshtu. Qe ni shok qitu afër e ka, n’krye t’sokakit e ka shpinë. Ai për çdo Bajram m’vjen. Po mirë, o rritë te dajtë, nana e vet o konë nda prej burri, po qaq i mirë o bo, e qaq shok i mirë i tij, e du, e du edhe e neroj, edhe m’neron si nanë. E ai vjen gjithë Bajramave, pos krejt këtyne tjerëve. E m’përqafon, e m’fol, si nanë m’din. Na s’kena kerr, unë dal qishtu, me i marrë paret e pensioneve të tyne, për të dytë 203 euro, mbasi fati i Fadilit nuk dihet hala. E thotë ai, veç se na sheh ka kalojmë, thotë: “Hamide ku po shkoni?”. I thom: “Po shkoj poshtë”. E din ai, s’muj me ia spjegu që po shkoj me i marrë paret e djelve. Thotë: “Ani, qe p’e dhezi kerrin e po t’çoj, vallahi si nanën teme”. E, Bajramin që vjen, unë pa e ble ni këmishë, ja sa t’kom mundësi, ni parë çorapa, me ia dhanë atij, për borxh t’Fatmirit. Unë kurrë nuk e lshoj për Bajram ato pa naj sen.
Ky shoku i Fatmirit osht i martum, i ka dy vajza. Mirë boll, ama kur i shoh fëmijët e tij, thom: “Eh, t’kish lanë Fatmiri, ja Fadili, djalë, çikë, nashta ju kishin ngja”. Nipa po, kom, po çka me bo, qishtu koka konë e shkrume. Unë e kom bo pajtimin, veç me u mundu për qita që jonë gjallë. Se nana osht e njejtë, si për çikë, si për djalë. Po qita jonë konë ma t’mirët.
Më kujtohet niherë, Fadili o kanë tu e rujtë lopën, se qitu kur jemi ardhë o kanë veç… rasadnik i thojshim atëherë, veç pemë ka pasë. Vothtë e dukatit i ka gjetë t’pshjelltë n’gazetë, voth të ramë të dukatit. Atëherë u bojshin ata vothë të shkrimë, po koxha dukat. O ardhë te shpia, ka thanë: “Unë i kom gjetë vothtë e dukatit kah e ruj lopën, nër hije jom ungjë me hangër bukë, me pushu, i kom gjetë vothtë e dukatit”. “Çka bone evlad? Qysh i gjete?” “Veç i pshtolla, se ka pasë edhe tjerë fëmijë, as s’ju kallxova, veç i pruna te shpia”. “Ani – i kom thanë – djali jem, se qashtu duhet. Ata dikush i merr. Ti qata i kishe pru, t’kishin metë marak”. “Po – i thom – mo ni qibrit n’e gjetsh, mos e bjer. N’paça me çka, e dhezi, në mos paça, babën e ki n’punë, e blen. Se qekjo t’hin n’gjak. Pak nihere, pak nihere, edhe atëherë i qet t’mirat me ni anë, i merr t’kqijat. Kur t’i marrsh t’kqijat, e t’hish nër urë, besa koxha zor osht me dalë”. Se nuk osht me t’folun, po osht me t’lindun. Me t’folun duhet me ia nimu, po veç qysh te falë Zoti insanin.
Të drejtën me thanë, i kom rritë unë n’kallabllak, pesëdhetë robë qitu jena konë. Shtatë kunata i kom pasë, motra t’burrit, e dy halla t’burrit. Jo që me thanë, se p.sh. tash n’telefon të vesin niherë, a je n’shpi, a ki kohë, sa ki kohë, a ki me shku kund, unë po vi. Atëherë tri javë a ni muj qitu me… nontë fëmijë, njona i ka pasë. Unë me qito dy duer t’mia, kurrë pa e çelë gojën. Ka 15 a 16 bukë, tri herë në ditë gatujsha. Se atëherë nuk ka pasë as qaq këtu… Mitrovica gjithë o konë e mrapametun. Veç sa mos me thanë skamje! Përpara, valla jo, ni bukë kërkush s’ta blejke. Veç duert e mia. Kurrë ni llaf s’ma dijnë. Fëmijët e tyne sikur nanë m’dijnë. E, drejt me thanë, fëmija e mi kanë hekë. Çka o metë, unë jau kom qitë përpara. Kom thanë: “Qe qita, djali jem, o metë. Që s’del bukë boll, unë apet gatuj”. Qeto m’kujtohen.
Unë i shoh fëmijët e djalit. Djali tash punon, o dalë me jau bo jetën, prej kujt me ikë, prej babe prej nane. Çfarë nane e çfarë babe. E p.sh. me ikë prej kunatave, s’më vjen seri, asni kunatë s’e don kunatën. Asni kunatë s’e don kunata! A osht qashtu? Rrallë, rrallë. Veç me konë për s’tepërmi sojnike. Po, po ik pi nane, pi babe. Veç sa me hjekë zahmet.
Neziri osht marrë krejt vetë, tu u mundu me gjetë Fadilin. Dy herë jonë konë do t’huj, t’drejtën me të thanë, ata s’jonë marrë vesh me to. Dy herë me ni police t’huj. T’huj jonë konë, si zezakë. Kanë pytë: “A e keni gjetë?”. “Kqyreni nëpër vorrime (zhvarrosje), dikun mos po dyshoni n’tesha, në t’mathme”, qito. E këta tonët sen, kurrë.
Kur o konë viti i ri, se bash ky djali me sindrom tash me 5 maj, 24 vjet m’i bon, edhe i kish pa krejt me çokollata, me sene. Tha: “Nanë, a po shkojna n’shitore me ble diçka? Hajde edhe ti!” Thashë: “Edhe unë po vi”. Tha: “Pse mu s’më kanë pru çokollata dhuratë? I kom pa krejtve kah jau çojnë.” Se din ky, veç nervoz, veç me hapa [pëshpërit]. Po ky, ça ka nevojë, duhet feningun e fundit, e pate s’e pate me harxhu, se ky s’të vet. Na i marrim 75 euro për to. Po çka don ky? Ky veç soka (langje frutash) pin tonë ditën. S’të vet a ka, a s’ka. Çka lyp, duhet me ia ble. E me ia bo kushtet. Se kur t’çohet n’mëngjes ni hapë e gjysë ia jap për qetësim. Edhe pak me flejtë, me pushu, mos me dalë jashtë tonë ditën. Se, burri s’un del, osht i rrehun n’burg t’Mitrovicës, n’luftë. Ai veç dita-ditës.
Për Fadilin, kisha pasë qef me ia ditë fatin, ku i kanë metë eshnat… mërzinë e kena me përgjysëm, se s’po gjindet. Edhe kur të gjindet, kemi me pasë mërzi apet. Pra apet ma mirë me e ditë fatin e tij, se jonë tjerët që po gjinden. E, me e gjetë, sa jom gjallë unë, edhe baba i vet. Këto kisha pasë qef. I boj apel, kush e ka n’dorë, për fatin e Fadilit, n’Prishtinë. Prishtina e ka, se Mitrovica s’ka kurrgjo. Kot flet nëpër Mitrovicë. S’ka diçka. Çka t’folet këtu, Prishtina e ndreq. Kush e ka renin për me e marrë këtë intervistë le ta merr, jo, jo, e paska shkru Zoti qashtu.
Na p’e dimë që luftë o kanë, qe 19 vjet pak shpresa. I jap vullnet vetit, i mbështetna Allahit me m’nimu, e lutna për qito, e për të tonë. Po, s’ki çka me bo! Qishtu u shkru! Me pasë vullnet.
(Ky rrëfim është pjesë e “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve: Libër kujtimi me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, të realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë)