Marko Stojanoviq ishte drejtor i një shkolle fillore në Ferizaj në kohën e bombardimeve të NATO-s. I bindur se lufta shpejt do të kryhej dhe se kolektivi do t’i kthehej mësimdhënies së ndërprerë, mendon se nuk ka nevojë t’ua shpërndajë punonjësve dokumentet e punës. Me përfundimin e bombardimeve dhe të luftës, në atë shkollë vendosen shqiptarët, kurse shumë serbë të qytetit zhvendosen nëpër fshatrat e Shtërpcës. Aty organizojnë mësimdhënien për bashkësinë e rritur sërbe të zonës. I shoqëruar nga pjesëtarët e KFOR-it polak, Markoja një ditë shtatori të vitit 1999 shkon në shkollën e vet të mëparshme në Ferizaj, në mënyrë që nga kolegët shqiptarë ta kërkojë dokumentacionin e mbetur të mësimdhënies në gjuhën serbe.
E shoqja, Ollga, është plot me dyshime lidhur me zhdukjen e tij. Nuk u zë besë fare përpjekjeve të KFOR-it për ta ndihmuar, madje beson se koloneli amerikan është disi i përfshirë në kidnapimin e Markos.
Ollga Stojanoviq: Rrëfimi në vetën e parë
Kam lindur këtu në Shtërpcë, në vitin 1950. Isha fëmija i vetëm i prindërve të mi. Jam shkolluar këtu, në shkollën fillore të Shtërpcës. Mund të them se prindërit më patën shkolluar pa problem. Babai ishte punëtor i thjeshtë, por paga e tij për mua ishte e mjaftueshme. Kam jetuar në familje me axhallarë, me gratë e tyre, gjyshin e gjyshen. Ishte një familje e mirë dhe modeste. E tillë ishte jeta atëherë, jetonim të gjithë në bashkësi. Kur erdhi koha që ta vazhdoja shkollën e mesme, prindërit vendosën të më regjistronin në shkollën e mësuesisë, e cila ishte e vetmja në Ferizaj. U regjistrova në të, e meqë isha fëmijë i vetëm, prindërit vendosën të vinin me mua, që të mos përballesha me vështirësi banimi, pasi isha vajzë e rëndomtë fshati, pa përvojë jetësore. Gjetëm banesë me qira. Jetova me babain dhe nënën ndërsa shkollohesha. Përfundova shkollën e mësuesisë.
Gjatë shkollimit, u njoha me Marko Stojanoviqin, burrin tim të ardhshëm. Shkollat e mesme të tjera ishin 4-vjeçare, ndërsa ajo e mësuesisë zgjaste 5 vjet. Pra, përfundova shkollën diku rreth viteve 1969-70 ose 1970-71, nuk më kujtohet saktë, dhe pasi isha e vetme, prindërve iu desh të vendosnin që të shkoja diku për ta vazhduar ndonjë fakultet a shkollë të lartë. Por, vendosën të mos më largonin, duke pasur frikë për të ardhmen time. Vendosen seduhej të provoja të hyja në punë, me shkollë të mesme.
Në atë kohë unë dëshiroja të shkollohesha më tutje, pasi kisha vullnet. Ëndërr të jetës e kisha ta kryeja shkollën e muzikës. Madje, edhe sot e kësaj dite e konsideroj si ëndërr të paplotësuar, e me siguri jo vetëm fakultetin, por gjithë shkollimin që lidhet me muzikën, do t’i kryeja, meqë kisha shumë dëshirë ta bëja shkollën e muzikës. Por, nuk më lanë prindërit të shkoja në Prizren, në shkollën e muzikës.
Përfundova shkollën në Ferizaj, dhe pasi nuk më lejuan prindërit ta vazhdoja shkolllimin, u martova me Markon në vitin 1970. U kurorëzuam në Ferizaj. Dasmë nuk bëmë, sepse prindërit e mi ishin kundër martesës sonë. Gjetëm banesë private në Ferizaj dhe fillova jetën time me Markon. Por, ajo kohë dhe e sotmja nuk mund të krahasohen. Ligji nëpër shkolla ishte shumë më i rreptë; nuk na lejohej të dilnim mbrëmjeve pas orarit. Sa u përket djemve të rinj, kishte shumë gjëra të ndaluara dhe i takonim vetëm blic. Markoja ishte nga një familje e madhe, ndërsa unë fëmijë i vetëm; kjo do t’i ketë pëlqyer te unë. Jetonim me qira dhe vetëm Markoja punonte. Ishte arsimtar i gjuhës serbo-kroate dhe në kulmin e karrierës kishte fituar medaljen e artë si arsimtari më i mirë në komunën e Ferizajit dhe komunat përreth. Unë në fillim rrija vetëm në shtëpi. Megjithatë, edhe unë më vonë u punësova. Meqë në atë kohë vështirë gjeje punë në qytet, punova në fshatrat përreth. Per vite me radhë udhëtoja. Në vitin 1971 linda djalin e parë, Sllavishën. Ende ishim me qira, jeta ishte e vështirë. Më vonë, më 1975, lindi Sërgjani. Pastaj, në vitin 1978, Igori, gjithashtu në Ferizaj. Djemtë aty e vijuan shkollën.
Kishim një jetë tejet modeste për një familje të punonjësve të arsimit. Atëherë punonjësit e arsimit ishin më të paktë, por, meqë isha fëmijë i vetëm dhe prindërit i kisha në Ferizaj, na ndihmonin shumë. Ata kujdeseshin për fëmijët ndërsa ne ishim në punë. Nuk i pata regjistruar në kopshte, sepse përkujdesej nëna ime për ta. Kjo ishte ndihmesë e madhe sepse nuk paguanim kujdestare dhe ia dilnim disi të mbulonim shpenzimet.
Markoja para meje pati kaluar në qytet për të punuar dhe kuptohet, përpiqej të më kalonte edhe mua. Kalova në qytet, në shkollën “Tefik Çanga”. Punoja bashkë me shqiptarët dhe ia çonim shumë mirë. Kemi pasur shumë miq familjarë shqiptarë të cilët i vizitonim për Bajram dhe festat e tjera. Pastaj, ditën e shkollës, 8 marsin, të gjitha i kemi festuar bashkë. Jeta ishte vërtet shumë e bukur, shumë e mirë. Nuk ndaheshim. Ishin vitet e 1970-ta. Ne si familje, edhe kur u shkatërrua Jugosllavia, ende kishim raporte fort të mira me shqiptarët. Burri kishte shumë kolegë shqiptarë të cilëve u ndihmonte. Familjet shqiptare ishin shumë më të mëdha se ato serbe dhe më me vështirësi i shkollonin fëmijët. Në atë kohë, burri u ndihmonte pa masë, në çfarëdo mënyre. Ose, kur duhej të martoheshin, ose me renovimin e shtëpisë…
Fëmijët tashmë ishin rritur, Sllavisha kishte përfunduar shkollën e mesme, me sukses shumë të mirë. Por në atë kohë e kapi ligji që duhej ta ndërpriste shkollimin për ta bërë ushtrinë. Shërbimin ushtarak e kreu në Maqedoni. Pra, për shkak të rrethanave Sllavisha mbeti vetëm me shkollë të mesme. Me shërbimin ushtarak të kryer, filloi të studionte në shkollën e lartë teknike në Ferizaj. Djali i dytë, Sërgjani, përfundoi shkollën e mesme ekonomike. Pastaj vendosi të shkonte në Prishtinë për ta vijuar shkollën e lartë për kompjuterë.
Por një ditë, sapo ishte kthyer nga Prishtina, bashkë me nunin e tij, i cili ishte i moshës së njëjtë, kishte zbritur nga autobusi dhe po e kalonte hekurudhën që shkon mespërmes qytetit. I kishte mbetur këmba mes binarëve dhe e kishte shtypur treni për vdekje. Ka qenë data 5 prill 1997. Pastaj, çfarë të them për jetën, që m’u bë ferr.
Situata tashmë ishte e brishtë, shkollat ishin ndarë. Psër ne serbët u krijua një situatë që nuk dinim ta zbërthenim, nuk dinim ç’po ndodhte, pse duhej që p.sh. fëmijët shqiptarë të pësonin nëpër shkolla gjatë vijimit, sepse u helmuan. Pra, kishte shumë situata të këqija. Ne serbët, natyrisht nuk mund të bënim asgjë, sepse kjo ndodhte vetëm me nxënësit shqiptarë. Ne nuk e sqaronim dot se ç’po ndodhte, cilët ishin ata serbë që ishin në gjendje ta bënin këtë. Sepse ishte logjike që vetëm serbët i helmonin fëmijët shqiptarë, e jo vetë shqiptarët. Por, situata shtjellohej kaq shpejt sa për shkak të pasojave te fëmijët, vetë arsimtarët filluan të mos vinin në punë. Pra, ishte situatë shumë e tendosur. Por, kur takoheshim në punë, sepse mësimin ende e zhvillonim bashkë, të gjithë ne komunikonim me shqiptarët. Dhe asgjë nuk ishte brenda kolektivit që tensioni të ndjehej. Më vonë doli se drejtorët serbë bënin të veten, pastaj shkollimi i shqiptarëve u ndërpre. Në atë periudhë burri im nuk ishte ende drejtor, por arsimtar. Më vonë u bë drejtor dhe u nxor vendimi që të ndaheshin shkollat. Pra, objektet ndaheshin, i nxënësve serbë dhe i nxënësve shqiptarë. Ishte shumë e vështirë për ne që ia çonim mirë.
Fundvitet e 1990-ta, sinqerisht, i kemi përjetuar shumë rëndë. Kishin filluar të shiteshin shtëpitë serbe në Ferizaj. Një koleg shqiptar dhe mik i Markos, njeri i jashtëzakonshëm, erdhi të na propozonte t’ia shisnim shtëpinë. Por, Markoja im nuk donte. Thoshte: “Nuk kam pse ta shes. Askush s’po me përzë, askush nuk po m’i prek fëmijët, nuk e kam ndërmend ta shes, do të rri këtu”. Fëmijët shëtisnin si rëndom nëpër kafiteri, ndeja nate, e tendosja disi ndjehej në ajër, por jo edhe aq shumë. Pastaj na ndodhi ajo tragjedia e djalit. Shkollat tashmë kishin ndërprerë punën, ishte e vështirë. Nëna e Markos kishte mbetur e vetme në fshat dhe ne e morëm të jetonte me ne, pasi ishte e moshuar. Kur filluan bombardimet, ajo po përjetonte luftën e tretë në jetën e saj. Kishte lindur në vitin 1914, pra ishte 84-85 vjeçe dhe kjo ndikoi tmerrësisht te ajo. Ishte e sëmurë dhe kishte pasur sulm në tru këtu në Ferizaj. Mjekët na thanë se nuk do t’ia dilte e se duhej ta dërgonim në fshat, pasi në atë kohë situata në Ferizaj nuk ishte e atillë që ta varrosnim aty.
Nisi të shpërndahej paniku te serbët në shkollë: si do të ia bëjmë, çka do të bëjmë, ku do të shkojmë? Për të mos krijuar panik në mesin e punonjësve të shkollës, Markoja si drejtor vendosi të mos ua jepte librezat e punës dhe dosjet. Pra, u tha: “Shkoni tash, do të qetësohet situata dhe do të vini për librezat e punës, për dosjet, pa problem”. Ne më vonë u larguam nga shkolla pa dokumente, pa librezë pune, pa asgjë. Për shkak të vjehrrës, e cila ishte e sëmurë.
Markoja nuk ishte i angazhuar në luftë. Shkonte në shkollë, për ta vizituar objektin, për të parë si është situata dhe kthehej në shtëpi. Kur vjehrra u sëmur vërtet shumë, vendosëm të vinim këtu, në shtëpinë e tyre në Berevcë, një fshat 1 km nga këtu, për shkak të nënës. Igori dhe Sllavisha kishin mbetur në Ferizaj. Djalin e kishim të varrosur në Ferizaj. Në vitin 1999, nuk e di saktë se isha me sedativë atëherë gjatë gjithë kohës, për shkak të plakës, erdhëm në fshat. Asgjë nuk morëm nga shtëpia, ishim të bindur se do të ktheheshim në shtëpinë tonë në Ferizaj për ta vazhduar jetën.
Dy javë pasi erdhëm këtu, vjehrra vdiq. Jeta këtu ishte e tmerrshme. Shitoret ishin të mbyllura. Kurrfarë zakoni që duhet bërë për ta përcjellë të ndjerin, nuk ishim në gjendje të bënim. Madje, me shumë vështirësi, Markos iu desh të shkonte në Ferizaj dhe vetëm gjysmë ore para varrimit ia doli ta sillte arkivolin në të cilin varrosëm vjehrrën. Tashmë kishte filluar të bëhej jeta e vështirë, nuk kishte ushqim, nuk punonin shitoret, nuk kishte asgjë. As unë e as Markoja nuk punonim, u ndërprenë pagat. Nuk e dije a do të punoje më tutje apo jo. Ishte tmerrësisht e vështirë. Pastaj Markoja vendosi të shkonte në Beograd, në Ministrinë e Serbisë, t’i luste që t’ia lejonin ta hapte shkollën fillore këtu në Zhupë, për ta punësuar kolektivin e tij. Kishte edhe mjaft shumë familje e nxënës të ardhur këtu. E kishin më të lehtë të vinin këtu sesa të shkonin në Serbi.
Ishin në atë kohë ato konvojet me përcjelljen e anëtarëve polakë të NATO-s të vendosur këtu në Ferizaj. Ata i përcillnin njerëzit gjatë udhëtimeve të tilla. Në fund Ministria e lejoi ta hapte shkollën fillore në Bitinjë, një kilometër e gjysmë nga këtu. Punonjësit e arsimit nga shkolla jonë që u gjetën këtu nuk kishin as libreza pune e as dokumente, sepse kishin mbetur në shkollë. Pastaj u paraqit problemi që Markoja të themelonte shkollën, të punësonte njerëzit e ardhur këtu, të angazhonte nxënësit për ta vijuar mësimin e rregullt, dhe për shkak të situatës i duhej inventari, por ishte shumë e vështirë ta siguronte.
Në atë kohë neve na e kishin djegur shtëpinë në Ferizaj. ishte plaçkitur, çdo gjë ishte nxjerrë, pastaj kishim dëgjuar se kishin filluar t’i thyenin gurët mbi varre. Kjo m’u duk më e rënda. Çfarë të bënim, si t’ia bënim, ku të shkonim, shtëpia ishte djegur tashmë, por nuk ishte fare e rëndësishme. Kishim parasysh thënien: “Atë që mund ta ndërtosh, nuk ka problem, lëre të shkojë”. I vetmi synim për ne atëherë ishte të mos na e zhvendosnin varrin dhe gurin e të birit.
Sa i përket punës, shumë vështirë na pranuan në këtë ambient, ndonëse edhe burri edhe unë jemi nga ky vend. Ministria e Serbisë kishte vendosur që punonjësit nëpër shkolla të merrnim pagën minimale, 11 mijë dinarë. Unë isha caktuar në Shkollën Fillore “Staja Markovic”. Pastaj Ministria mori vendim që ne mësuesve, drejtori të na i caktonte detyrat sipas vlerësimit të aftësive, që ne të jepnim art, muzikë dhe edukatë fizike, e të tjerat mësuesi tjetër këtu nga vendi. Por, asnjëri nga drejtorët nuk donte ta bënte këtë. E kështu, mbetëm pa punë. Pastaj Markoja u mundua të shkonte në Shkollën e Mesme “Jovan Cvijic”, që t’i luste, me atë vërtetimin se ka qenë arsimtari më i mirë.
Sllavisha ishte martuar më 1993 dhe kishte një djalë, ndërsa tjetrin nusja e kishte në bark. Ajo ishte nga Shkupi. Ata vendosën të jetonin në Shkup, dikur më 1994 ose ‘95. Jo, jo, ka qenë më vonë. Më janë përzier vitet. Por s’janë me rëndësi.
Duke e parë situatën e krijuar këtu në Zhupë, e kuptuam se do të ishte e vështirë. Por, nga përvoja e njerëzve të moshuar e dinim se Zhupën kurrë nuk e kishin sulmuar shqiptarët, e madje as nuk e kishin prekur. Kështu, unë e Markoja vendosëm të rrinim këtu, të sillnim nusen dhe nipat nga Shkupi, këtu në shtëpinë familjare të Markos. Por, menjëherë pas kësaj dëgjuam se na e kishin djegur shtëpinë, që kishin plaçkitur çdo gjë. Për ne nuk ishte e rëndësishme shtëpia, por varri i djalit. Ai kishte vdekur në vitin 1997.
Pra, pasi Ministria e Arsimit e Serbisë i lejoi Markos të hapte shkollë në Zhupë, i është dashur të merrte librat e punës dhe dosjet e punonjësve. Ai vendosi të shkonte në Ferizaj, për librezat e punës, dokumentacionin, sepse i kishte lënë të gjitha në shkollë. Nuk kishte dashur t’i prekte. Ne ishim të bindur se çdo gjë do të mbetej siç po e linim, se situata do të qetësohej dhe në fund nëse nuk do të mund të ktheheshim në vendet e punës, në shtëpi, së paku dokumentet e punonjësve do t’i merrnim që ata të mund të jetonin, të kërkonin punë, e kështu.
Por, atëherë vdiq vjehrra. Erdhi një periudhë e vështirë. Çfarë të bënte? Kishte kërkuar punë në shkollë të mesme, e po prisnim të shihnim si t’ia bënim. Pastaj vazhdoi me orvatjet dhe shkoi në Ferizaj për dokumentacionin e punonjësve të vet. Data ishte 28 shtator 1999. Pra, shkoi në Ferizaj për të tërhequr dokumentet e punonjësve. Me të shkoi fqinji nga këtu, mik i joni, si dhe katër gra. Gjashtë vetë gjithsej.
Asokohe në Brezovicë ishte vendosur KFOR-i polak i cili pranoi t’i çonte në shkollë. Me të ishte profesori i matematikës i këtushëm, Nikollçeviq. Pastaj Svetllana Zhivkoviq, drejtoreshë e shkollës ekonomike, Paun Zhivkoviq si dhe dy gra të tjera, nuk e di cilat. Janë nisur nga këtu me xhipa, me përcjellje të kapitenit polak dhe të ushtarëve. Rrugës ishin dakorduar të shkonin radhazi, të vizitonin shtëpitë dhe banesat e tyre, kush i ka pasur, si dhe shkollat ku kishin punuar për dokumentacionin.
Më vonë e kam kuptuar se ka qenë e organizuar që ata të kidnapohen. I vetmi motiv prapa kidnapimeve do të ketë qenë se Markoja ishte drejtor i shkollës fillore, ky Zhivkoviq Paun drejtor i shkollës teknike, kurse Svetllana drejtoreshë e shkollës ekonomike. Të kidnapoheshin drejtorët sepse gjoja shqiptarët i kishin dëbuar nga puna dhe kishin helmuar nxënësit shqiptarë. Nuk ka qenë tamam hakmarrje, por diçka e përafërt; e rëndësishmja, diçka kishte.
Koloneli polak dhe ushtria u kishin thënë: “Nga xhipi do të dilni nga dy, ndërsa të tjerët do të mbesin në xhip”. Gjatë vizitave në të gjitha shkollat është respektuar kjo rregull. Por, kur i është dashur Markos të dilte për të shkuar te shkolla e tij, ishte nisur me profesorin e matematikës, Nikollçeviqin, dhe kishin hyrë në shkollë. Fillimisht ky Nikollçeviq kishte qenë në banesën e tij. Pra, ata i vizitonin edhe banesat e tyre. Pastaj, kanë vazhduar nëpër shkolla. Kahmos ishte mirë, pa probleme, pa gjë. Të gjithë kishin tërhequr dokumentet e tyre ose kishin treguar arsyet pse u është dashur ta vizitonin shkollën e t’i marrin.
Kur shkuan te shkolla e Markos, aty ishin vendosur shqiptarët dhe po vijonin mësimin, pra ajo tashmë ishte bërë shkollë shqiptare. Tepër mirë i kanë pritur, sepse e kam dëshmitarin; është ky fqinji, Nikollçeviqi, që tregon se i kanë pritur shumë mirë në zyrë, pa komplikime, pa gjë. Markoja u kishte thënë se kishin ardhur për librat e punës dhe dosjet, ata u kishin thënë se mund t’i merrnin pa problem, sepse atyre nuk u nevojiteshin.
Megjithatë, nga xhipi përnjëherë kishte ardhur në zyrë Svetllana, e cila kishte hyrë aty si pjesëtari i tretë për të bërë rrëmujë. Nga burime shumë të besueshme kam dëgjuar se edhe ajo si drejtoreshë është dashur të kidnapohej, por e kishin kushtëzuar shqiptarët rreth kidnapimit, e në shkëmbim nuk do të kidnapohej. Ajo me prejardhje është nga Doganjeva, një fshat tri kilometra nga Ferizaji. Pastaj ajo kishte inskenuar tregimin se do të dëshironte të vizitonte shtëpinë e familjes së saj për të parë nëse ishte e djegur dhe i kishte lutur ushtarët polakë ta çonin atje. Nuk dua të flas më gjatë rreth saj. Por, Markoja dhe Pauni kishin mbetur në shkollë me shqiptarët. Nikollçeviqin e kishin nxjerrë dhe e kishin çuar me xhip te fshati i kësaj Svetllanës për t’ia vizituar shtëpinë. Kur janë kthyer në Ferizaj, Markoja dhe Pauni nuk ndodheshin më në shkollë.
Çka kishte ndodhur? Arsyetimi ishte se paskëshin qenë disa serbë që paskan dëgjuar se Markoja dhe Pauni ishin në shkollë dhe kishin ardhur t’i merrnin për nga një kafe, por e dimë që në atë kohë asnjë serb nuk ndodhej në Ferizaj. Natyrisht, u bë rrëmujë për të mësuar ku ishin, çka u kishte ndodhur. Këta që ishin aty, u lutën të ndihmonin për të kuptuar ç’kishte ndodhur. Koha kalonte; pas disa orësh kishte ardhë KFOR-i amerikan. Koloneli, i cili më vonë ishte përgjegjës për rastin e Markos dhe Paunit, quhej Michael Elerby, ishte amerikan. Gjoja e paskan bastisur shkollën, paskan kërkuar, por asgjë nuk kishin gjetur. Të tjerët nga xhipi janë kthyer nëpër shtëpi.
Pastaj jeta m’u bë ferr i vërtetë. Nga ajo jetë që e kishim si punonjës arsimi – jeton e punon në qytet, pa marrë parasysh çdo gjë, me shumë miq, shqiptarë, serbë e të tjerë, ishte kënaqësi – përnjëherë humbëm djalin, shtëpinë, punën, mbetëm pa gjë. Atëherë më mbeti të luftoja për ta gjetur Markon. Isha e bindur se nuk kishte mundësi të mos e gjeja, se ishte zhdukur përgjithmonë, si ta kishte përpirë toka. Pastaj nisën përpjekjet me KFOR-in amerikan, me këtë kolonelin. Çdo ditë na vinin në shtëpi, na vinin përgjues. Nipat, djemtë e Sllavishës, ishin të vegjël, tmerroheshin. Hynin me nga dhjetë amerikanë të armatosur.
Pastaj, unë mund të lëvizja në një diametër prej shtatë kilometrash. Kaq kishim hapësirë të lirë në Zhupë. Megjithatë, unë ia dilja të gjeja mjaft të dhëna se Markoja ishte i gjallë, se njerëzit kishin biseduar me të, pasi ai u kishte mësuar gjuhën serbe edhe fëmijëve shqiptarë. Ka qenë mësues shumë i mirë, nuk ka qenë i rreptë. Mora informata se shqiptarët e ndihmonin, i jepnin ushqim, ilaçe e çdo gjë tjetër. Këto i kam dëgjuar. Nuk guxoj ta them nga kush. Jo për shkak timin, por për shkak të atyre njerëzve. Mora informata se ishte këtu, shkova te koloneli amerikan, ia përcolla, por në fund, për të mos e zgjatur, më rezultoi se ai kishte për detyrë që të mos e gjeja ku ishte Markoja, por shtirej se po më ndihmonte. Këtë e kuptova në fund.
E kuptova edhe këtë: shqiptarët, nëse e vranin ndonjë serb, e linin aty ku e vranin që familja t’ia gjente trupin për ta varrosur, sepse edhe shqiptarët i dinë traditat. Por kur erdhën amerikanët, dhe natyrisht ata bashkëpunonin me shqiptarët, atëherë u bë tmerr, kur ua mësuan shqiptarëve si t’i kidnaponin serbët. Është një proverb, e të gjithë shqiptarët duhet të krenohen, që thotë se si popull janë të gjithë të bashkuar. Por unë arrita në përfundimin se në atë kohë kjo nuk vlente. Pse? Sepse amerikanët ua kishin mësuar shqiptarëve si t’i kidnaponin serbët kudo që t’i gjenin dhe t’i dërgonin në pikën mbledhëse që e caktonin amerikanët. E shqiptari që e kidnaponte serbin e dinte si ta çonte nga vendi ku e ka kidnapuar, te pika ku ia dorëzonte amerikanëve. Pas kësaj, ai nuk dinte më ç’bëhejme atë serb. Kjo është copë e vërtetë.
Edhe Pauni që mbeti me Markon, është i kidnapuar. As për të nuk dihet asgjë. Njëjtë sikurse për Markon. As nuk kanë ardhur për ADN-në, as nuk na kanë thënë gjë prej gjëje. As a është gjallë as a ka vdekur. As që është vrarë, as që është torturuar. Pra asnjë gjë fare. Thjesht, ata të dy ishin zhdukur. Por, para katër a pasë vjetësh, ende e kam dokumentin, një organizatë franceze erdhi këtu në Brezovicë dhe ma dorëzoi vërtetimin se Markoja ishte vrarë. Pastaj na kanë ftuar diku ndërmjet Prishtinës dhe Fushë Kosovës, aty ku është i vendosur KFOR-i. Shkuam për bisedë me atë letër dhe njoftimin se bëhej fjalë për vrasje brutale. Aty një polak, avokat i shtetit a gjyqtar nga një gjykatë, më tërhoqi mënjanë, pasi në rastin e Markos dhe të Paunit ishte drejtpërdrejt përgjegjëse armata polake.
Çfarë s’kam përjetuar unë me këtë ushtri të KFOR-it. Kishte polakë, francezë, italianë, amerikanë, me të gjithë kam komunikuar. Pra, isha në dalje të Prishtinës atje, me një grua që merret me të drejtat e njeriut. Konventa për të Drejtat e Njeriut është unike në gjithë botën, apo jo? Pa marrë parasysh kombësinë, a çkado, e drejta e njeriut kudo në botë është e njëjtë. Nga ajo grua, si dhe nga ky koloneli, nga karabinierët italianë, ishin disa indianë aty, ishte e tmerrshme sepse vetëm kam kërkuar… Jetoja në kushte shumë të rënda asokohe. Nusja tashmë ishte këtu, Igori ishte martuar. Nuk e dija se ku do ta lindte fëmijën, nuk dija çfarë të bëja. Vetëm dy fjalë i kërkova nga ata: a është Markoja gjallë apo i vdekur? Nuk doja të dija asgjë tjetër. Nëse ishte i gjallë, ku ndodhej, nëse ishte i vdekur, më interesonte ku i kishte eshtrat. Vetëm këto dy fjalë, për të ditur çka të bëja me familjen, të përcaktohesha. Nusja ishte në prag të lindjes, nuk dija ku të shkoja, nuk kishim kushte. Kurrë, askush nuk më ka tha asgjë. Pastaj, kam shkuar te Klaus Rajnhardi, komandanti i ushtrisë së KFOR-it, këtu në territor afër Prishtinës. Ekziston edhe dokumenti se çfarë kam kërkuar prej tij. Çdo gjë sipas ligjit, çdo gjë. E kam lutur të më ndihmonte se kisha familje të madhe, nipa, nuk dija si t’ia bëja, ku të shkoja. Por, ai vetëm brofi nga ulësja, u nervozua, sepse unë kisha mbledhur shumë informata, ndërsa me mua ishte edhe koloneli. Menjëherë i thashë ta zëvendësonte atë kolonel amerikan, sepse ai i kishte të qarta të gjitha, por prapë, me vështirësi kisha ardhur për ta lutur. Por, asgjë nuk bëri. Këtij kolonelit amerikan i kisha thënë se do të hyja në grevë urie, nëse nuk m’i thoshte vetëm dy fjalë: i gjallë apo i vdekur? Kurrë asgjë nuk më tha.
Dita e fundit kur e kam parë Markon ishte ajo kur u nis për Ferizaj, 28 shtator 1999. Unë në atë kohë e pija nga një grusht hapa edhe për shkak të djalit që më kishte vdekur në vitin 1997. Pas dy vjetësh ma kidnapuan burrin. Pra, jetoja vetëm me hapa. Dhe jeta ishte tepër e vështirë, ferr i vërtetë. Atë ditë më tha: “Më duhet të shkoj në Ferizaj për shkak të punëtorëve. Kam gabuar që nuk ua kam shpërndarë punëtorëve librezat dhe dosjet”. Më tha edhe: “Dëgjo Ollga, askujt nuk i kam bërë asgjë të keqe. Shpresoj se nuk do të më ndodhë asgjë e se do të kthehem, por nëse nuk kthehem, të lutem, ma ruaj familjen”. Mbante zi për të ëmën, vishte tesha të zeza, këmishë, në shenjë përkujtimi. Nëna i kishte vdekur në prill. Më fjalë të tjera, i bie që u zhduk pesë muaj pasi i vdiq e ëma.
Unë i thashë: “Mos, është kohë e vështirë. Nuk ke nevojë të shkosh”. “Asgjë nuk do të më ndodhë – më thoshte – mos u brengos”. Dhe shkoi. Nja dy ditë më vonë, më 29 shtator dhe deri më 1 tetor, i thosha kolonelit të më dërgonte në polici në Ferizaj, që t’i thirrja unë ish-kolegët e mi shqiptarë. Ishte njëfarë Pinci, arsimtari i famshëm i edukatës fizike në “Ekrem Çorolli”, zëvendësdrejtor, ishim miq. Për festat kryesore serbe vinin të na vizitonin. Ishte nder i veçantë që të vinte një shqiptar në festë serbe, ose ne të shkonim te ata. Ka qenë situatë e tmerrshme, unë, grua, serbe, me kolonelin amerikan, e rrethuar nga ushtria amerikane, i thirra kolegët shqiptarë në polici në Ferizaj, bisedova me ta, me zëvendësdrejtorin, njeri vërtet i mirë. Mendoj se ende jeton në Ferizaj. Erdhi ai dhe komunikoi me mua me shumë mirësjellje, pa marrë parasysh se ishte kohë e atillë – unë serbe, ai shqiptar. Ai më tha: “Teze Ollga – pasi është shumë më i ri se unë – besomë, të dija ku është, jo vetëm do të tregoja, por në këtë moment do të shkoja ta merrja, mirëpo edhe mua ma kanë kidnapuar djalin e vëllait”. E pyeta: “Çka, si?”. Më tha: “Nuk e di”. I thashë: “Pse nuk ke ardhur te ne, për të kërkuar ndihmë. Do të ndihmonim ne, unë e Markoja, do të pyesnim për të”. Nipi i tij ishte rrëmbyer në periudhën kur serbët ishin në Ferizaj. I pata thënë: “Pse nuk ke ardhur për ndihmë?” Ai vetëm heshti, nuk tha gjë. Por, ky Pinci, ky po ashtu është në Ferizaj, kur erdhi ai, për mua ishte disi i dyshimtë. Dridhej dhe kjo i vërehej. Ne flisnim, por nuk më shikonte fare. I thosha: “Të lutem, jemi miq, pse nuk po më shikon në sy? Po më dukesh fajtor, e nuk dua të të fajësoj për lidhje me rastin e Markos”.
Merrja informata të ndryshme, që ai nuk kishte dëgjuar se Markoja ishte kidnapuar, ose se kishte dëgjuar në kafene. Po, aty njerëzit ishin në siklet nga ushtria amerikane, koloneli amerikan rreth tyre, edhe natyrisht që nuk ndjeheshin mirë. E lusja të më ndihmonte. “Jo, jo, nuk mundem”. E pata thirrë edhe një punëtor, Refki Bytyqi. Koloneli amerikan më njoftoi se ai nuk ishte aty, se kishte ikur në Shkup, mbasi i biri kishte qenë pjesëtar i UÇK-së dhe i ishte vrarë.
Si bashkëshort, Markoja ka qenë jashtëzakonisht i mirë. Natyrisht, ishte kreu i familjes, punonte gjithë vetëmohim për familjen, që është normale. Jeta e përditshme ishte shumë e vështirë. Kishim probleme të shumta. Gjithmonë, si të gjithë punonjësit e arsimit, kishim paga të vogla dhe mezi ia dilnim me shpenzime, disi mbijetonim. Por ishte mirë. Me të vërtetë ishte njeri i madh, shumë i mençur. Te ai më së shumti më pëlqente se nuk e kishte atë nacionalen, as nuk i ndante njerëzit në të pasur e të varfër. E para, dhe kryesorja, ai i ndihmonte gjithkujt. Ka qenë arsimtar, por i dinte të gjitha punët e shtëpisë, të ndërtimit të shtëpive, shkonte u ndihmonte njerëzve rreth shtëpive dhe nuk kishte turp ta bënte këtë si arsimtar e drejtor që ishte, bëhej gjithë llaç për t’i ndihmuar njerëzit. Madje vetë i kishte organizuar kolegët, në shkollën e parë fillore “Tefik Çanga”, i ka vënë skelet dhe gjithë fasadën e kanë vënë me arsimtarët në shkollë. Gjithnjë thoshte se kurrë nuk duhet pasur turp nga puna, sepse puna është punë, profesioni është profesion, nuk është fare e rëndësishme a je profesor me fakultet, drejtor a çkado tjetër. Njeriu vlerësohet se sa di, sa njeh, sa është i përfshirë, sa ka forcë dhe vullnet për ta ndihmuar dikë.
Besonte se njeriu duhet të përpiqet përherë, pa marrë parasysh se çfarë përjeton, duhet të jetë guximtar dhe ta udhëheqë familjen. Më kanë ndihmuar shumë në jetë fjalët dhe këmbëngulja e tij që nuk bën me heqë dorë. Për këtë më mungon shumë sepse natyrisht, me vjet, njeriu fillon bëhet më senil, harron, por fjalët e tilla mbesin. Për mua ishte tronditje shumë e madhe dhe nuk do t’ia dilja pasi më vdiq djali.
Ai kishte telefonuar njerëzit vetë për t’i njoftuar që të vinin mbasi humbëm djalin. Kaq guximtar ishte, pasi edhe vetë si fëmijë kishte vuajtur shumë. Kanë qenë bashkësi e madhe, fshatarë, kanë jetuar vetëm nga bujqësia. Nuk kishin punë, bënin jetë shumë të vështirë, po në atë kohë kishte edhe shumë situata të kobshme në jetën e tij, për shkak të jetesës, sepse nuk ishte jeta si tash, me shërime te mjeku, por kishte raste kur të sëmurët prisnin të vdisnin, sepse nuk kishin mundësi për t’u shëruar. Kishte humbur tre vëllezër. Kur humbi vëllanë e fundit ishte shumë e kobshme, u dha pas pijes që është ves nga i cili njeriu vështirë ndahet. I vëllai përpiqej shumë ta mposhtte sëmundjen, por nuk ia doli. Vdekja e tij e preku shumë. I vëllai la pas dy djem, për të cilët Markos iu desh të kujdesej, t’i shkollonte, t’i martonte, t’i përgatiste, e tash këta dy djemtë e të vëllait janë shumë të famshëm. Mjeku Illija Andrejeviq në Kamenicë, atje te “Novi Sad” a si quhet spitali, në mos gabohem. Tjetri djalë jeton në Kragujevac, është ekonomist. Janë njerëz shumë të mençur.
Një kohë të gjatë isha e bindur se ishte gjallë. Fillimisht, e di se i kishte mësuar fëmijët shqiptarë. E donin shumë. Kishte shumë miq shqiptarë. Në shpirt ndjeja se ata e ndihmojnë, se nuk do ta vrasin, deri kur mësova se ekzistonte ajo shtëpia e verdhë në Shqipëri dhe se shumë njerëz janë marrë për punë të organeve. Këtu paksa u lëkunda. Ai ishte i dobët, jo i madh as i trashë, por megjithatë shumë i fuqishëm. Isha e bindur se do të përballonte çdo gjë dhe se do të gjendej me shqiptarët atje. Pa marrë parasysh ku, nëse e kishin dërguar, zënë rob, çkado, se ai me ata do të gjente gjuhë të përbashkët meqë ishte i mençur, i gjindshëm, këmbëngulës për të mbërritur qëllimin, të ruante veten. Atje diku, në llogor, në burg, do të vetofrohej për të punuar, për ta shpëtuar veten sepse e dinte në çfarë situate kishte lënë familjen. Fillimisht vdiq djali, humbëm shtëpinë, e cila pastaj u dogj. Kur kishte shkuar te varrezat dhe kishte parë se gurin mbi varrin e djalit nuk e kishin prekur, tha: “Nuk më intereson shtëpia, nuk më intereson asgjë, më rëndësi është se guri është i paprekur”.
Shumë gjatë kam shpresuar se është diku gjallë. Igori ka punuar në Bondstill, fliste anglisht, me ushtarakët amerikanë ishte në kontakt. Ata i thoshin: “Mos u nervozo, çka nëse babin ta kanë dërguar diku jashtë dhe po punon, por i është dashur të nënshkruajë se për 10, 15, 20 vjet për familjen e tij nuk është i gjallë, se është i vdekur, mirëpo është duke punuar dhe mund të kthehet”. Por, kur ma sollën këtë vërtetim që unë të nënshkruaj se është fjala për vrasje mizore, plus me informatat rreth shtëpisë së verdhë, edhe pse ai ishte paksa në moshë, i lindur më 1946, ndërsa i kidnapuar më 1999. Pra, ishte 53 vjeç. Pra, a ishte i përshtatshëm për organe apo jo, nuk e di. Unë jam e bindur se nuk e kanë vrarë, por se e kanë dërguar atje. Kisha informata se është në Shqipëri, në Kukës. Çdo gjë që e kam menduar, e kam arritur. Përveç… kisha planifikuar të shkoja në Kukës, por nuk isha në gjendje të shkoja. Sepse, miqtë shqiptarë do të më ndihmonin, por nuk e dija gjuhën që ta kaloja kufirin dhe prandaj nuk shkova.
Nga Qeveria e Serbisë nuk kam asnjë ndihmë. Unë isha këtu gjashtë vjet pa punë. Nuk kisha mjete për ta ushqyer familjen. Madje kam pensionin shumë më të vogël sepse këta gjashtë vjet nuk kam punuar. Vetëm atë ndihmë na jepnin. Madje as pensionin e Markos prej Serbisë nuk e fitova. Kam vetëm pensionin e tij që ma jep Kosova, 130 euro. As nuk fitova ndonjë ndihmë për shtëpinë, asgjë.
Tashmë e kam ndërprerë përpjekjen për ta gjetur. Përndryshe gjithnjë kam qenë e angazhuar dhe merrja pjesë në çdo takim. Një vit në Graçanicë kur mbajtëm takimin, pata propozuar ta themelonim shoqatën e shqiptarëve dhe serbëve, sepse nënat, baballarët, vëllezërit, motrat njësoj vajtojnë. Vajtimi është i njëjtë. Nuk ka shqiptar a serb. Le të punojmë bashkë. Të shkojmë bashkë. T’i kërkojmë tanët. Nëse shqiptarët fjala vjen e kuptojnë se serbët ua kanë vrarë të afërmit dhe mësojnë ku janë të varrosur, do të shkoja unë te organet serbe që të bashkëpunonin, t’u ndihmoja. Por, atëherë nuk donin të dëgjonin, të gjithë qeshnin. Ishte e tmerrshme, çfarë qasje nënçmuese kishin.
Unë kam qenë në Prishtinë, në takimin që kanë organizuar OSBE-ja me organizatat e familjeve serbe dhe shqiptare. Organizatori serb ishte një njeri në moshë. Kur e pashë atë tubim u mahnita që u bëmë bashkë. Ato që kanë ndodhur kanë ndodhur, çfarë t’u bëjmë? As unë e as ti, e ndoshta askush që njohim nuk është i përfshirë në këtë. Por, të shkojmë përpara. Është viti i nëntëmbëdhjetë për mua pa Markon dhe nuk kam kurrfarë fjale, nuk kam kurrfarë lidhje, nuk di asgjë. Pastaj, jetën e kam ferr. Nga tre djem, tash rri vetëm në shtëpi. Brengosem për familjen e njërit djalë, brengosem për familjen e tjetrit, unë vetë. Djali u detyrua të largohej.
Përvoja e jetës sime, e ju garantoj se ka edhe familje shqiptare të tilla, është se harrojmë çdo gjë. A do të mësojmë se ku janë tanët që janë zhdukur? A do të jemi në gjendje t’i arrijmë kushtet bazë për jetesë, punë, arsim, shërim, të gjitha? Kjo varet nga ne. Më duket se qeveria nuk mund të ndalet këtu, e nëse populli e dëshiron, qeveria është e parëndësishme. Do të isha më e lumtura nëse marrëdhëniet në Kosovë do të ktheheshin.
Territori i Kosovës, territori i Serbisë, territori i Shqipërisë, territori i Malit të Zi, janë territore të cilat mund të ekzistojnë. Të kujt janë? Është tokë. Është patundshmëri. Jeta është e rëndësishme, jeta e njeriut, mendja e tij, fëmijët, familja, shtëpia. Territoret nuk janë fare të rëndësishme. A do të jetojmë unë e ti këtu në Shtërpcë, apo do të jetojmë në Prishtinë, ç’rëndësi ka kjo? Me rëndësi është që unë e ti të ekzistojmë. A do të jesh ti më lart apo unë, kjo nuk ka fare rëndësi. Nëse je i ndershëm, i drejtë, nuk ka fare rëndësi nëse ti je shqiptar e unë serbe. Duhet, unë mendoj, të ndodhë kjo. Nuk më pëlqen kur njerëzit janë kryeneçë. Nuk dua të emërtoj persona, por kryeneçësia në jetë mund të sjellë vetëm të këqija. Asgjë tjetër. Ja, kjo është e rëndësishme.
Ishte një periudhë e vështirë në Kosovë, madje ende është. E e kam të qartë këtë sepse unë tash, nga tre djem kam mbetur vetëm. Kam dy nipa të cilët do të punonin. Igori, më i vogli, ka qenë në Afganistan. Ka punuar, ka fituar para, me to ka blerë makineri për përpunimin e drurit në vlerë prej dyqind mijë. Ka blerë shtëpinë ku ka dashur të hapte fabrikë, që të punojë ai, vëllai i madh dhe kushërinjtë e tjerë. Ndoshta nuk është njerëzore, nuk është e hijshme sepse jam më e moshuar, e di vlerën e fjalëve që do t’i them, por fatkeqësisht kështu është: kryetari i komunës, ky i tashmi në Shtërpcë, e pengonte në çdo gjë. Nuk i lejoi të nënshkruante kontratë me asnjë organizatë. Asnjë. Kurse ata donin të prodhonin ikona, të prodhonin çfarëdo që porositet. Por, e pamundësuan. Nuk e kemi votuar. Nuk kemi qenë për të sepse ja, ndodhi që djemtë e mi u desh të largoheshin nga Zhupa, në kërkim të bukës.
Ja kështu jeta ime, e trazuar, mjaft e rëndë. Kur kthehem në të kaluarën, ka edhe vite të mira, por… Nëse do të isha në gjendje t’i ktheja djemtë e mi këtu që të punojnë, të kujdesen për familjet e tyre dhe të jetonin këtu, këtë do ta doja. Është e vështirë, tash madje e pamundshme, por kjo është dëshira ima. Kam dëshirë edhe të takoj një koleg shqiptar e të bisedoj me të. Ndoshta, nëse dikush që e dëgjon këtë mund të më fajësojë, por dikush do të më kuptojë.
Do të dëshiroja sikur të mund të harrohej çdo gjë, madje edhe burri im. Janë fate njerëzore, kanë qenë një periudhë e jetës. Do të doja, edhe nga qeveria ime serbe, edhe nga ajo shqiptare, të mësoj ku i ka eshtrat që ta varros sipas zakoneve. Le të dihet ku e ka varrin. Mund të kishte vdekur nga ndonjë pikë në tru, infarkt, që i bie të mos kishte vdekur nga plumbi, por nga morti. Do të kisha mbetur prapë vetëm dhe do të më duhej të kujdesesha për familjen, njëjtë si të ishte i zhdukur, si i vdekur. Por, ndoshta do të jetoja më lehtë ta dija se ka vdekur. Ndoshta do të shkoja me fëmijët në Serbi, pse të rrimë këtu? Nuk munda të gjeja punë. Gjashtë vjet nuk kam punuar, mezi më pranuan me 29 vjet stazh që i kisha, për pak mbeta pa pension, atë lëmoshë që e marr e që më del vetëm për ilaçe, asgjë më shumë. Lëre më të kujdesem për nipat, të cilët tashmë janë djem të rritur, duan të dalin me shoqërinë e unë nuk kam për t’u dhënë.
Nuk e fajësoj askënd, nuk kam kë të fajësoj, sepse vetë ishte kryeneç. Po të mos kishte shkuar, nuk do t’i ndodhte kjo. Por ai besonte në njerëz, thoshte: “Ç’mund të më bëjnë, nuk i kam bërë askujt gjë të keqe”. Ishte kohë e tillë, shkoi, atë fat e kishte. Çka tash? Të shkojnë djemtë e mi për shkak të kësaj në fund të botës, pse? Ja ku kemi jetuar, në Ferizaj. Ja ku është Prishtina, Gjilani, këtu jemi të gjithë. Pse? Kishte blerë makineri, shtëpinë, kishte ndërtuar fabrikën, por prapë, i është dashur të largohet në botë e të më lërë mua të vuaj këtu.
Kam aq shumë përjetime sa ndonjëherë pendohem që nuk i kam shënuar. Deri tash do ta botoja një libër. Çfarë kam përjetuar me kolonelin amerikan, ku kam shkuar, çfarë kam bërë, është mëkat që nuk i kam shënuar. Por, aq shumë jam e ngarkuar, e lodhur me jetë, sa dua t’i harroj disa gjëra. Ç’më duhet t’i mbaj mend këto? Janë momente që më kthejnë prapa; nuk mund të lëviz përpara për shkak të tyre. Eshtrat e djalit janë në Ferizaj. As nuk dua ta zhvendos këtu, as në Serbi. Pres që fëmijët e mi të punojnë diku, o këtu o në Serbi. Ndërsa ata kanë shkuar nëpër botë. Çfarë të bëj me eshtrat e djalit? Ku t’i zhvendos?
Ky është fati im, jeta ime, nga e cila nuk do të dëshiroja t’u lija pasoja fëmijëve. Le të përparojnë ata, që unë, në ditët e fundit të jetës, të luftoj për ta e t’u ndihmoj. T’ua zbus jetën, që ta kenë më të lehtë. A do t’ia dal, nuk e di, sepse nuk kam pension të madh. Nuk kam diçka të veçantë të bëj edhe pse jam e moshuar. Të punoj që të mos shkojnë në botë. Për fat të keq, nuk ka çka. Jeta është e tillë. Nuk kam askë që të ma zgjidhë problemin. Askë për ta pyetur a e kam mirë, apo mos po gabohem. Por nuk është e rëndësishme, unë bëj tutje.
Mesazhi im për të gjithë shqiptarët dhe të gjithë serbët është të mos përdorin gënjeshtra. Sepse duhet t’u vijë fundi këtyre vuajtjeve. Nëse unë kam humbur burrin, tjetra të birin, e di çfarë dhimbje ndjen ajo. Thjesht, le të na i japin eshtrat e vërteta. Nuk do të reagoj fare, asgjë nuk do të them, as nuk do të ankohem. Por vërtet, edhe nga qeveria ime edhe nga qeveria shqiptare kërkoj ndihmë. Ta mbyllim këtë vuajtje e të mos ketë mashtrime. Kam të dhëna se mbi 400 mbetje mortore janë nëpër thashë një ent në Prishtinë. Pse p.sh. të mundohem unë kaq shumë e të vuaj kaq gjatë, nëse eshtrat janë në Prishtinë tashmë? Nuk duam gënjeshtra.
Markoja në dorën e majtë e ka pasur një tatuazh me pushkë nga ushtria. Shërbimi ushtarak ishte i detyrueshëm në kohën e tij. Në formular nuk e kisha shënuar këtë të dhënë për të qenë e bindur, sepse kisha dëgjuar se njerëzve po u jepen – është e dhimbshme kjo, por më duhet të jem e sinqertë – eshtrat e kafshëve, dhe rasti u zgjidh. Për t’u bindur se do të merrja eshtrat e burrit, nuk e tregova faktin se në dorën e majtë e kishte tatuazhin që ai më kishte thënë se i shkonte deri në asht. Mendoja se në asht mund të vërehej ajo pushkë dhe atëherë do t’i pranoja eshtrat e tij.
Pra, lus qeverinë serbe dhe atë shqiptare që të na ndihmojnë, të mos fshehin, nuk kanë arsye. Unë jam pa burrë tash 19 vjet. Nëna vuan për djalin. Do ta dijë njëherë e mirë ku e ka varrin, ku është. Qoftë shqiptare, qoftë serbe. Nuk ka fare dallim. Njerëz janë. Por me të vërtetë kërkoj ndihmë që dikush me njerëzi të mundohet e ta zgjidhim këtë problem. Hendeku mes nesh, shqiptarëve dhe serbëve, janë të zhdukurit tanë të afërm, familjarët tanë. Ta kryejmë një herë e përgjithmonë. Nuk ka tjetër.
(Ky rrëfim është pjesë e “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve: Libër kujtimi me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, të realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë)