Kështu nuk durohet!

“Kështu nuk durohet!”

Me 17 shkurt 2023, teksa Kosova festonte 15-vjetorin e pavarësisë, një gazetar pyeste njerëzit në rrugë se kush mendonin ata që ishte figura qendrore në Kosovë. Të gjithë përmendën burra, emrat e të cilëve të gjithë i kishim dëgjuar më parë.

Askush nuk e përmendi Bahrije Kastratin, apo ndonjë grua tjetër.

Emrin e Bahrije Kastratit e hasa për herë të parë pasi përfundova studimet. Historia e saj më mahniti, më la pa fjalë, por, mbi të gjitha, më zemëroi. “Kështu nuk durohet” ishin fjalët që ajo kishte thënë në mars të vitit 1981, kur e kishte gjuajtur tabakanë në menzën e studentëve në Prishtinë. Në vitin 1981, studentët fillimisht protestuan duke kërkuar kushte më të mira në menzën dhe konviktet e studentëve. Policia jugosllave i arrestoi protestuesit dhe i shpërndau me dhunë. Më vonë, kjo çoi drejt protestave masive kundër shtypjes në masë, që shqiptarët e Kosovës po përjetonin nën Jugosllavi.

Kisha dëgjuar për protestat e studentëve të vitit 1981. Ishte pothuajse e pamundur të studioje në Universitetin e Prishtinës dhe t’i përfundoje studimet, pa dëgjuar për ato protesta. Janë ngritur statutja, janë shkruar libra dhe rrugët kanë marrë emrat edhe të demonstratave e edhe të protestuesve.

Kjo ngjarje dhe njerëzit në të ishin ngulitur në kujtesën time. Protestat i shihja si një nga përpjekjet më të guximshme për t’i dhënë fund rrethanave të padurueshme në të cilat jetonin shqiptarët e Kosovës. Kisha dëgjuar edhe emra, por kurrë nuk kisha dëgjuar për Bahrijen deri kur diplomova.

“Kështu nuk durohet”, përsërita me zemërim. U ndieva e tradhëtuar kur kuptova se ekzistenca e një gruaje aq të guximshme më ishte mbajtur e fshehur për kaq shumë vite. Më ishte mohuar kujtimi për një grua, që kishte lënë gjurmë në histori dhe që duhej të kishte lënë gjurmë në rritjen time si grua.

Më ishte mohuar e drejta për të kujtuar dhe më e rëndësishmja, Bahrije Kastratit i ishte mohuar e drejta e saj për t’u kujtuar. Asaj ia kishin mohuar historinë dhe, është trazuese, të paktën, të mendosh për gjithë ato histori të grave, që janë shtypur dhe mohuar.

Emrin e Bahrije Kastratit e hasa kur isha 21 vjeç, derisa po punoja në temën e diplomës rreth të drejtës së grave në trashëgimi. Po punoja në një kapitull që shpjegonte rolin e grave në shtetndërtimin e Kosovës. Sot, mendoj pse?

Pse pata nevojë ta përfshij rolin e grave në shtetndërtim për të shpjeguar të drejtën e grave në trashëgimi? Ndoshta ngaqë isha rritur duke menduar se dikush meriton të drejta vetëm nëse janë përfshirë disi në përpjekjet që çuan Kosovën drejt bërjes shtet? Apo se gratë mund të kenë drejta vetëm nëse bëjnë diçka për t’i “merituar” ato?

Jo, nuk mund të ishte ashtu.

Kuptova se, për fat të keq, kështu formësohet e ardhmja –– nga kujtimet që ndërtojmë apo, për ta thënë më qartë, nga kujtimet që udhëzohemi t’i ndërtojmë.

Besoj se kujtesa jonë për një kohë shumë të gjatë është gdhendur ashtu që t’i izolojë gratë brenda një hapësire shumë private, madje dhe hermetike dhe t’i trumbetojë të bëmat e burrave. Historia është shkruar për t’i fshirë gratë, jo thjesht për t’i harruar; historia nuk e ka harruar padashje këtë pjesë të së kaluarës –– i ka fshirë ato me qëllim.

Nga burrat për burrat

Pothuajse një dekadë pasi hasa për herë të parë emrin e Bahrije Kastratit vendosa ta vizitoj prapë atë emër. Më kujtohej që për të pata lexuar për herë të parë në një libër që ishte relativisht periferik në krahasim me librat, që zakonisht lavdërohen si “libra të mirë”.

Mënyra si funksionon patriarkia ka pothuajse kuptim logjik – emrat e grave mbahen diku ku vetëm ata e ato që kërkojnë fort –– mund t’i gjejnë. Pra, le t’i mbajmë ato jashtë klasave, librave të historisë dhe gazetave. Edhe kjo është patriarki. Edhe kjo është mizogjini.

Siç vë në dukje shkrimtarja kroate Dubravka Ugrešić: “…prej shekujsh tashmë, me zhurmë bubulluese, me ulërima, hungërrima dhe zë të lartë, ata [burrat] na kanë detyruar t’i dëgjojmë” (Ugrešić, 2020). Janë po ata burra që na kanë detyruar edhe të kthejmë kokën në anën tjetër. Mirëpo, ka ardhur koha që kjo të ndryshojë.

Është koha që të mos e kthejmë kokën në anën tjetër kur është fjala për të njohur rolin e grave. Për ta bërë këtë, duhet të fillojmë duke iu rikthyer kujtimeve tona, duke i rikrijuar ato për vete që më pas t’i ndihmojmë të tjerët të krijojnë kujtime tjera, kujtime që nuk përjetësojnë përjashtim.

Së pari, duhet që vazhdimisht të mirëmbajmë dhe shprehim një dozë skepticizmi lidhur me historinë që na e mësojnë. Duhet të pyesim, “Kush e ka shkruar këtë histori?” Pozicioni i atyre që patën rastin ta tregojnë historinë është fort i rëndësishëm për mënyrën se si tregohet historia dhe se çka prodhon më pas ajo histori.

Duhet t’i tregojmë historitë tona në mënyrë aktive. Duhet t’i “bartim medaljet tona” (Alexievich, 2018) dhe ta bëjmë këtë duke e ditur se për një kohë shumë të gjatë “na i kanë vjedhur fitoret” (Alexievich, 2018) dhe se historia në të vërtetë ka qenë Histori e TIJ.

Duhet të vazhdojmë t’i dokumentojmë tregimet e grave, që ishin këtu para nesh dhe kjo mund të fillojë duke i dëgjuar nënat, tezet, gjyshet tona dhe duke e kuptuar rolin e tyre si rol politik. Së fundmi, ata që kanë burime –– donatorë, qeveri, organizata –– duhet ta mbështesin këtë dokumentim.

Në emër të të çmësuarit të historisë, u riktheva tek emri i Bahrije Kastratit dhe e kërkova atë në Google. Asnjë rezultat. U përpoqa të përdor fjalë kyçe si “demonstratat” + “1981” + “gratë” + “studentët”, por sërish asgjë. Kërkova dhe në Facebook dhe Twitter, po pa sukses.

Pothuajse një dekadë më vonë e gjeta veten në një pozicion të tillë ku më duhej të gërrmoja nëpër tekste dhe postime për të gjetur emrin e një gruaje. M’u duk sikur po kërkoja gjilpërë në kashtë.

Jemi të ngujuar në një mënyrë patriarkale të të ndërtuarit të historisë, që na bën të mendojmë se gratë nuk kanë qenë kurrë këtu. Apo së paku, që na bën të besojmë se gratë e kanë vendin në periferi, në hije, në atë seksion të bibliotekës, që askush nuk e kontrollon. Kujtesa jonë po ndërtohet qëllimisht në mënyrë të tillë që të ruajë status-quo të patriarkisë.

Çka po ndodh sot është provë e kësaj. Si institucionet, ashtu edhe shoqëria në tërësi tregojnë ngurrim për ta pranuar vendin që gruas i takon në histori. Sot, ne ende jemi dëshmitarë/e të asaj se kur është fjala për gjërat e njëmendëta, patriarkia triumfon mbi drejtësinë.

Nga 477 rrugët në Prishtinë, vetëm 11 mbajnë emra të grave (Komuna e Prishtinës). Kjo përbën fare pak më shumë se 2% të të gjitha rrugëve të kryeqytetit të Kosovës. Kjo do të thotë se mundësitë që të ecësh në një rrugë që mban emrin e një gruaje janë të pakta; dikush mund edhe të mos e përjetojë asnjëherë. Një herë kam ecur pranë rrugës “Ganimete Tërbeshi” dhe ngazëllimi që ndieva përngjante me ngazëllimin që njeriu e përjeton kur sheh diçka shumë të jashtëzakonshme, sureale. E njëjta vlen për statujat ose skulpturat.

Në vitin 2015 u ndërtua memoriali “Heroinat”, duke shenjuar një hap para drejt njohjes së grave. Mirëpo, për t’i nderuar vërtetë përpjekjet e tyre, vuajtjet dhe kontributet, duhet bërë më shumë. Kemi qenë dëshmitare se mund të bëhet më shumë. Është bërë më shumë për t’u thurur lavde burrave.

Të qenit në një pozitë ku ndien këtë lloj ngazëllimi veç pse sheh emrin e një gruaje në një rrugë apo emrin e një gruaje në një statujë është simptomë e patriarkisë.

Ne, jo veç që jemi të prirur të mendojmë se gratë nuk kanë bërë asgjë –– ne udhëzohemi të mendojmë ashtu.

Çfarë është dashur që të bëjnë gratë për t’u njohur? Ato kanë luftuar. Ato kanë gatuar. Ato kanë pastruar. Ato kanë protestuar. Ato kanë ushqyer. Ato kanë rritur. Ato kanë kënduar. Ato kanë rezistuar. Ato kanë ndriçuar.

Çfarë duhet të bëjnë gratë tani që të njihen? Ato luftojnë. Ato gatuajnë. Ato pastrojnë. Ato protestojnë. Ato ushqejnë. Ato këndojnë. Ato ndriçojnë. Ato rezistojnë.

Dhe ato ia dalin mbarë. Herët ose vonë.

Në kohëra krizash dhe trazirash, gratë përmenden si “nënat tona”, “motrat tona” dhe “bijat tona” –– madje edhe “nderi ynë”.

“Mëmëdheu” dhe “detyra amësore”, siç vëren studiesja feministe Cynthia Enloe shpallen si detyra publike, si “aktivitet kombëtar” (Enloe, 2000) dhe si patriotike në kohëra lufte. Në kohë paqeje, “mëmëdheu” shumë shpejt bëhet “atdhe”. Pikërisht atëherë e kuptojmë edhe njëherë se kur është fjala për të triumfuar në garën e “të qenit i kujtuar”, “amësia” shndërrohet në “sakrificë” shtëpiake, private dhe të parëndësishme.

Në kohë paqeje, ashtu si në kohë lufte, gratë përpiqen.

Sot, gratë në Kosovë trashëgojnë vetëm ndërmjet 14-17% të pronës, një përqindje kjo që nuk ka ndërruar në pothuajse një dekade prej që kur kam punuar në temën time të diplomës. Historia nuk ka lëvizur fare, kur është fjala për t’i shërbyer grave. Mirëpo, ajo ka lëvizur kur është fjala për përpjekjet për t’i instrumentalizuar ato.

Është koha që t’i japim fund instrumentalizimit të “nënave tona” dhe “motrave tona” si vegla për të fryrë retorikën vetë-triumfuese të burrave dhe për të ndërtuar një imazh më të mirë të burrit.

Të njohësh gratë do të thotë të njohësh drejtësinë dhe të heqësh dorë nga privilegjet. Një pjesë e madhe e drejtësisë është që gruaja të mos bëhet të ndihet si hajdute kur do ta gëzojë të drejtën e saj për të marrë atë që i takon.

Duke e njohur këtë, njohim edhe të drejtën e një tjetër gruaje që të ndihet se përket, të ndihet se asaj nuk i duhet të luftojë për t’u ngritur lart. Do të thotë të krijohet hapësirë që historia të jetë më e drejtë dhe që kujtimet të jenë gjithëpërfshirëse, ashtu si edhe duhet të jenë.

Sot, shumë gra në Kosovë i ngacmojnë seksualisht, i përdhunojnë dhe madje i vrasin, ndërkohë që institucionet që thirren për t’i mbrojtur ato, rrinë dhe shohin, në qetësi. Institucionet hedhin shikimin në anën tjetër.

Rrugët janë përjashtuese, si në aspektin simbolik, pasi shumica prej tyre kanë marrë emra burrash, por edhe realisht, pasi gratë nuk janë të sigurta në to. Sa herë që një grua bën përpjekje për t’i shembur muret e privates e për të qenë e e pranishme në sferën publike, ajo përballet me kundërpërgjigje të dhunshme. Gratë nuk janë të mirëseardhura.

Sipas një raporti nga organizata QIKA, vetëm në janar të këtij viti [2023] janë raportuar 165 raste të dhunës me bazë gjinore kundër grave. Prapa secilit prej këtyre 165 rasteve është një burrë. Viktima është grua me një emër.

Çdo vit e nisim dhe e mbyllim me femicid. Vitin 2022 e përfunduam me vrasjen e Hamide Magashit para spitalit ku ajo do të lindte. Në vend se të ndërmerrte hapa të qartë kundër femicidit dhe ta thirrte atë në emër, Kryeministri i Kosovës e instrumentalizoi atë vrasje për një tjetër deklaratë nacionaliste: “Dy shqiptarë më pak, çfarë mendojnë vallë armiqtë tanë”, tha.

Edhe një herë, gratë bëhen pjesë e diskutimeve kur burrat duhet të vënë në dukje diçka për vete. Edhe një herë, patriarkia u ofron “bamirësi” grave kur ka nevojë për to, që të mirëmbajë veten.

Edhe femicidi është rezultat i kësaj të drejte të pakufishme mashkullore. Kjo nxitet nga mësimet që na thonë se burrat zotërojnë historinë dhe se gratë kanë qenë vetëm shtesa të parëndësishme në të, të padenja për një paragraf, statujë, medalje apo hapësirë.

Të çmësuarit merr shumë më shumë kohë sesa të mësuarit. Kërkon përpjekje dhe veprim të qëllimshëm –– për t’i çelur librat e periferisë dhe kërkon forcë për ta zhbërë një sistem që është ndërtuar prej shumë kohësh. Të zhbësh atë që është bërë kërkon shumë, pasi nevojitet guxim që të vëmë në pikëpyetje atë që kemi mësuar dhe t’i vëmë në dyshim kujtimet që na janë servuar. Duhet, fatkeqësisht, guxim për të qëndruar aktivisht kundër një sistemi të gdhendur me aq kujdes që t’u shërbejë burrave dhe t’i shtypë gratë. Duhet sakrificë.

Edhe një herë, gratë në Kosovë po tregojnë se e kanë atë që nevojitet. Ato po reagojnë siç kanë reaguar gjithnjë, duke ngritur zërin, duke pushtuar rrugët, duke mbajtur njëra-tjetrën për krahu, duke kujtuar, duke çmësuar dhe duke i ndihmuar të tjerët e të tjerat që të çmësojnë. Ato po shtrojnë rrugën për drejtësi dhe pa kompromis po marrin atë që u takon, atë që u është vjedhur prej shumë kohësh: të drejtën për t’u kujtuar.

Ato po përsërisin fjalët e Bahrije Kastratit, “Kështu nuk durohet” dhe si ajo, ne po hedhim tutje çkado që na zë rrugën.


Aulonë Kadriu është redaktore në revistën online në Kosovë, Kosovo 2.0. Ajo ka diplomë Bachelor në Shkenca Politike nga Universiteti i Prishtinës dhe certifikatë pasuniversitare në studime të grave, gjinisë dhe seksualiteti nga University of Kansas, ShBA. Puna e saj dhe interesat hulumtuese përfshijnë marrëdhënien e gjinisë me luftën dhe nacionalizmin, maskulinitetin e ngurtë dhe të dhunshëm, drejtësinë gjinore dhe sociale.

Bibliografia:

Alexievich, S. (2018). The Unwomanly Face of War: An Oral History of Women in World War II. United Kingdom: Random House Publishing Group.

Enloe, C. (2000). Maneuvers: The International Politics of Militarizing Women’s Lives. United States: University of California Press.

Ugrešić, D. (2020). The Age of Skin. United States: Open Letter.

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (2023). Përgjatë muajit janar janë raportuar 165 raste të dhunës në bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave. Last accessed on March 2, 2023. Accessible via: https://qika.org/pergjate-muajit-janar-jane-raportuar-165-raste-te-dhunes-ne-baze-gjinore-ndaj-grave-dhe-vajzave/

Municipality of Prishtina. List of streets’ names. Last accessed on March 2, 2023. Accessible via: https://prishtinaonline.com/uploads/lista_e_emertimeve_te_rrugeve_te_prishtines1.pdf