Për herë të parë kam shkuar në Kiev në vitin 2015. Nuk pata ndonjë arsye të veçantë që shkova. Më pëlqen të udhëtoj. Ukraina ishte i vetmi vend që Evropë që nuk e kisha vizituar ende. Gjeta një biletë të lirë dhe një dhomë të lirë pranë sheshit kryesor. Gjatë atij udhëtimi, nuk më ndodhi asnjë gjë e veçantë për t’u mbajtur mend. E megjithatë, në ato shtatë ditë që kalova në Kiev, Ukraina u bë vendi më i preferuar që kisha vizituar ndonjëherë. Ende është dhe sot e kësaj dite, dhe unë kam udhëtuar në 88 vende.
Jam rritur në Sarajevën e pushtuar. Kam lindur në vitin 1988, prandaj disa nga vitet më të rëndësishme të fëmijërisë sime – viti i pestë, i gjashtë, i shtatë dhe pjesërisht i teti – i kam kaluar në luftë. E quaj veten të privilegjuar, sepse nuk kam humbur askë nga familja ime e ngushtë dhe kam mbijetuar pa ndonjë lëndim. Megjithatë, lufta e ka cenuar shumë fëmijërinë time dhe e ka përkufizuar jetën time. Pjesën tjetër të fëmijërisë e kam kaluar në një qytet të shkatërruar, që u rindërtua ngadalë dhe me dhimbje. Dritare pas dritareje, rrugë pas rruge, ndërtesë pas ndërtese, park pas parku. Më kujtohet kur më në fund vendosën një rrëshqitëse dhe një shilarës të ri në parkun pranë ndërtesës time. Shikoja nga dritarja ime radhën më të gjatë se pesëdhjetë metra me fëmijë. Disa gjëra mund të ripërtëriteshin. Vetëm disa vite pasi përfundoi lufta, ne e rindërtuam shkollën, e cila u rinovua falë Qeverisë së Japonisë, më duket. Disa gjëra ishin më të vështira, si shëndeti dhe gjendja emocionale e njerëzve. Njerëzit kishin humbur dikë, ose ishin bërë refugjatë, si Nana ime, e cila e kishte të vështirë të mësohej me ritmin e jetës së pasluftës, me mjedisin e ri që e rrethonte, me rrethanat e reja.
Vitin kur lufta sapo kishte kishte përfunduar unë isha në klasën e dytë dhe lindi motra ime. Tani, ajo është neuroshkencëtare dhe puna e saj e dërgon në mbarë botën. Tashmë kanë kaluar shumë vite nga lufta. Të njëjtin vit kur përfundoi lufta, shoku im Saudini u demobolizia pasi kishte kaluar katër vjet në ushtri. Ai ishte 22 vjeçar, kishte vetëm dhjetë marka gjermane në xhep dhe disa bluza pambuku. Pas katër vitesh që kishte bërë luftime trup më trup, kishte vrarë dhe kishte ecur mbi trupat e miqve të tij, tani Saudini vinte vërdallë rrugëve të Sarajevës dhe prej tij pritej të bënte jetë normale. Ai nuk e përfundoi kurrë shkollën e mesme, sepse lufta ia nisi kur ishte në vitin e fundit. Ai e gjeti veten në një qytet ku nuk kishte pothuajse askë. Kështu ndodh pas çdo lufte. Disa fillojnë jetët e tyre, disa i humbin, disa jetë vazhdojnë dhe disa të tjera bëjnë përpjekje për të vazhduar.
Kur Sarajeva shkatërrohej sistematikisht nga kodrat që e rrethonin, në vitet nëntëdhjetë, qyteti ishte përplot gazetarë të huaj të cilët i vinin në rrezik jetët e tyre për t’i treguar botës, sidomos botës Perëndimore, se çfarë po ndodhte aty. Bota nuk është se e vuri ujin në zjarr dhe aq. A mos vallë kjo ndodhi për shkak se vlerat ishin të ndryshme në botë atëherë nga sa janë sot, apo ngaqë njerëzit këtu janë kryesisht myslimanë? Vështirë të thuhet. E para ka më pak gjasa, por dëshiroj ta besoj se është ajo arsyeja. E dyta ka më shumë gjasa, por nuk është e lehtë për t’u pranuar. Vendimmarrësit dhe udhëheqësit nuk janë ngutur të bëjnë fotografi me flamuj të Bosnjes, as nuk na dërguan para dhe armë. Jetët tona nuk u panë si mjaftueshëm të vlefshme për interesat e tyre. Një nga të paktët vendimmarrës që foli në Bosnje dhe e vizitoi Bosnjen ishte senatori amerikan Xho Bajden. Për ne, veçse ishte shumë vonë. Dhjetëra mijëra jetë kishin humbur, disa mijëra jetë ishin shkatërruar, miliona jetë ishin dëmtuar. Por më mirë vonë se kurrë, ashtu është, apo jo? Sidoqoftë, historianët e së ardhmes do ta gjykojnë këtë.
Kur lufta përfundoi, unë vazhdova shkollimin dhe nisa biznesin që në shkollë të mesme. Në të njëjtën kohë, nisa të punoj nga pak me produksione kulturore, si hobi. Shkrimi, botimi dhe redaktimi vazhduan të jenë interesat e mi gjatë dhe pas universitetit. Disa libra dhe projekte më vonë, të gjithë të ndërlidhur me Sarajevën, në vitin 2010 vendosa të përmbledh në një libër përvojën e brezit tim që ishte rritur në luftë. Duke menduar se çfarë libri duhej të ishte, arrita shumë shpejt në përfundimin se libri nuk duhej të fokusohej në përvojën time personale. Vendosa t’i mbledh kujtimet nëpërmjet interntit dhe t’i botoja në një libër. Për të krijuar sa hapësirë për sa më shumë prej nesh që kishim qenë fëmijë gjatë luftës që të ishte e mundur, e kufizova tekstin e secilit në 160 karaktere, si mesazh celulari. Më shumë se një mijë vetë u përgjigjën. Pas fëmijërisë së kaluar në luftë, që më përkufizoi rininë e hershme, ky libër shenjoi fillimin e një projekti për fëmijërinë që më vonë do të më përkufizonte të gjithë jetën time si i rritur. Shumë prej atyre që dërguan kujtimet e veta për librin nisën të më dërgojnë edhe sende të tjera: ditarë të skanuar, letra, vizatime, fotografi të objekteve personale që lidheshin me kujtimet e tyre. Nisa të mendoja sa e pamundur do të ishte që të gjitha këto t’i botoja në një libër të vetëm. Ashtu e kuptova nevojën që kishin njerëzit për të folur hapur për këtë çështje, për përvojat e tyre personale. Vrava mendjen se çfarë tjetër mund të bëja veç librit, për ta mbajtur atë hapësirë të çelur përherë. Kështu, në vitin 2012, para se të botohej libri, më lindi ideja për të nisur një Muzeum të Fëmijërisë në Luftë dhe e shkruajta konceptin e parë të tij.
Pasi u botua libri, kësaj ideje iu riktheva në vitin 2014, duke menduar për të krijuar Muzeumin e Fëmijërisë në Luftë. Në të njëjtin vit ndodhi Revolucioni Maidan dhe filloi lufta në Ukrainën Lindore. Vendosa të merrem me Muzeumin. Krijova ekipin, zhvilluam metodologjinë, pastaj koleksionin. Ekspozitën e përhershme e hapëm në vitin 2017. Fituam çmime ndërkombëtare për muzeume dhe më në fund nisëm të punojmë jashtë Bosnje e Hercegovinës. Një nga vendet e parë jashtë vendlindjes sonë ku punuam ishte Ukraina, ku u takova me aktivisten Olena Rozvadovska, në vitin 2018. Olena e la pas jetën e saj në Kiev dhe u zhvendos në Ukrainën Lindore për të punuar me fëmijët në vijën e frontit.
Më kujtohet që qarkullonim me Olenën me makinën e saj të vjetër, të përdorur gjatë. Pothuajse fluturonim mbi rrugët e shkatërruara përgjatë vijës së frontit. Ajo më tregoi se ku ishin bërë sulmet dhe çfarë kishte mbetur në këmbë pas tyre. Kaluam nëpër disa pika kontrolli dhe arritëm në një fshat të vogël të quajtur Zajcevo. Atje, Olena po rinovonte një klasë në ndërtesën e shkatërruar të shkollës, ku do të mbante punëtori për fëmijët. Kaluam bashkë disa ditë dhe e dinim se duhej të bënim diçka së bashku. Shumë shpejt, Olena erdhi në Sarajevë për një program trajnimi. Më pas, ajo nisi të mbledhë rrëfime në Ukrainën Lindore dhe sende për koleksionin e Muzeumit të Fëmijërisë në Luftë.
Dy vite më vonë, në vitin 2020, Muzeumi hapi zyrën e vet në Kiev, me mbështetje të organizatës gjermane për paqe forumZFD. Ekipi ynë u rrit në dhjetë vetë dhe aktivitetet tona u bënë të shumta. Bënim gjithçka për fëmijët dhe të rinjtë, fëmijëritë e të cilëve ishin prekur nga lufta në Ukrainën Lindore, pavarësisht a jetonin ende atje apo ishin zhvendosur nëpër këtë vend të madh, të mrekullueshëm. Përgjatë viteve, prania e Muzeumit të Fëmijërisë në Luftë në Ukrainë dhe lidhja ime me atë vend u bënë më të fuqishme. Së fundmi, në vitin 2021, nisëm të ekspozojmë në Kiev dhe në fillim të vitit 2022, e mbyllëm ekspozitën në Kherson, në jug të vendit.
Në shkurt 2022 isha me pushime në Australi. Në atë kohë, ish-senatori që kishte avokuar për ta ndihmuar Bosnjen, tani Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden, nisi të lajmërojë për sulmet ruse kundër Ukrainës. Menduam se ishte e pamundur, nuk donim ta besonim. Kontaktova me miq, ekipin tonë dhe gjithçka dukej se nuk do të ndodhte me të vërtetë. SHBA-të këmbëngulnin në lajmërimin e tyre, të tjerë iu bashkuan dhe presioni rritej çdo ditë. Më 15 shkurt vendosa të nisem për në Kiev. Qyteti ishte përplot me gazetarë të luftës. Ata ishin të gatshëm të bënin atë që dinin më së miri – të raportonin për luftën.
Kievi ishte i bukur si gjithnjë: njerëzit blinin lule, biletat e teatrit ishin të gjitha të shitura, muzikantët luanin nëpër rrugë, kafenetë dhe restorantet ishin përplot. Nëse dikush do të hidhte sytë rrotull dhe nuk do t’i dëgjonte bisedat, asgjë nuk do të dukej jashtë së zakonshmes. Mirëpo çdo bisedë tashmë sillej rreth luftës. Njerëzit i kishin paketuar valixhet, çantat e shpinës me dokumenta, makinat plot me karburant prisnin në garazhet e tyre. Ishte stresuese të jetoje dhe të flije në Kiev dhe në Ukrainë ato ditë. Politikanët kryesorë të botës vazhdonin të lajmëronin luftën çdo mbrëmje dhe miliona njerëz shkonin për të fjetur në përpjekje të pushonin mirë gjatë natës.
I pashë miqtë e mi, e ndihmova ekipin të finalizonin planin e evakuimit, fola me gazetarë dhe diplomatë të huaj. Disa prej tyre ishin të sigurtë se Kievi do të binte brenda dy ditësh. Unë nuk pajtohesha me ta, pasi kjo shkonte kundër gjithçkaje që dëgjoja nga miqtë e mi: të gjithë ishin të vendosur dhe të gatshëm ta mbronin qytetin e tyre. U largova nga Kievi më 20 shkurt, me një valixhe përplot sende për t’u ekspozuar. Pak e nga pak, fluturimet po anuloheshin, presioni po rritej, ishte e qartë se do të niste lufta.
E gjithë bota përcolli atë që ndodhi më pas, ndaj nuk do të merrem me atë pjesë. U ktheva në Bosnje dhe fola në media rreth gjendjes në Ukrainë, që po e përcillte e gjithë bota. Pastaj ndodhi pushtimi dhe qytetarët e Sarajevës dhe të qyteteve të tjera në Bosnje e Hercegovinë dolën nëpër rrugë për të protestuar për paqe. Ndërtesa e Komunës së Sarajevës u lye me ngjyrat e flamurit të Ukrainës. Fola me njerëz, ata dërgonin dashurinë e tyre tek ukrainasit, dhuruan para, dërguan mesazhe përkrahjeje. Disa prej tyre kishin frikë se disi, lufta do të përhapej edhe në Ballkanin Perëndimor. Shumica u ritraumatizuan nga imazhet që vinin nga Ukraina, që na sollën në kujtesë luftën tonë. Evropa reagoi ndryshe nga sa kishte reaguar me Bosnjen. Këtë herë, ajo u bashkua dhe ishte shumë e vendosur. Ata dërguan armë në Ukrainë dhe çdo lloj ndihme tjetër, ata e kuptuan se Ukraina nuk po e mbronte vetëm veten.
Në kohën kur shkruaja këtë artikull, kishin kaluar më shumë se tre muaj që nga fillimi i luftës dhe shumë njerëz kishin nisur të kthehen në Kiev. Edhe unë po përgatitem për vizitën time të parë në qytetin tim të preferuar. Sikurse e prisja, Kievi u mbrojt, dhe ndryshe nga Sarajeva që gjithashtu u mbrojt, për fat të mirë nuk u shkatërrua i tëri. Infrastruktura do të rinovohet ose rindërtohet. Njerëzit do të jenë ndryshe. Në Ukrainë po lindin foshnje të cilët pas tridhjetë vitesh do të bëhen shkencëtarë. Një ditë, lufta do të marrë fund dhe do të ketë veteranë, shumë prej tyre njëzet vjeçarë, nga të cilët do të pritet të vazhdojnë të jetojnë “jetë normale”. Disa do të dalin nga lufta pa gjë, me një çantë shpine dhe disa bluza pambuku. Do të kalojnë dekada derisa plagët e tyre të shërohen dhe disa mund të mos shërohen kurrë.
Shpresoj se lufta do të mbarojë shpejt dhe që kjo të mos ndodhë në kuadër të ndonjë marrëveshjeje të padrejtë për paqe. Shpresoj se do të ketë më pak padrejtësi të pasluftës në Ukrainë dhe që ukrainasit ta rindërtojnë vendin e tyre së bashku. Shpresoj që bota t’i ndihmojë ata më shumë dhe më mirë se sa na kanë ndihmuar ne. Dhe shpresoj që një ditë, Muzeumi i Fëmijërisë në Luftë të hapet në Kiev, që të ruajë përgjithnjë dhe të rrëfejë tregimet e të gjithë fëmijëve, fëmijëria e të cilëve u shenjua nga ky pushtim brutal, i paarsyeshëm.
Jasminko Haliloviq është themeluesi dhe Drejtori i Muzeumit të Fëmijërisë në Luftë në Sarajevë. Ai është autor dhe redaktor i disa librave, përfshirë Fëmijëria në luftë, që është përkthyer në gjashtë gjuhë. Si ligjërues i ftuar, ai ka folur në universitete kryesore dhe në konferenca në më shumë se pesëmbëdhjetë vende. Ai është boshnjaku i parë që është përzgjedhur në listën e Forbes “30 persona nën 30 vjeç”.