Photos by: Sabina Hodović
Në zemër të Sarajevës gjendet një artefakt i çmuar i kujtesës kolektive: një hapësirë publike që nuk ka thjesht një të kaluar, por edhe një histori. Ky është Kompleksi Memorial i Vracës. Ai përbëhet nga parku memorial që nga koha e Jugosllavisë dhe nga një kala e periudhës austro-hungareze. Shpirti i këtij vendi buron nga një sërë ngjarjesh që kanë prekur komunitetin lokal përgjatë 130 viteve të fundit. Nga analizimi i funksionit dhe i simbolizmit të Kompleksit Memorial të Vracës përgjatë rrjedhës së historisë mund të mësojmë për mënyrat e ndryshme të ballafaqimit me të kaluarën dhe t’i konteksualizojmë ato brenda memorializimit zyrtar aktual.
Qëllimi i parë i ditur i këtij lokacioni ka qenë si një zonë idilike për piknik, një hapësirë publike rekreative për komunitetin lokal të Sarajevës. Pas pushtimit austro-hungarez të Bosnje e Hercegovinës, zona e piknikut u shndërrua në zonë ushtarake dhe nuk ishte më në dispozicionin e popullatës së gjerë. Kalaja e Vracës u ndërtua nga pushtuesit në fund të shekullit të 19-të, si kalaja e fundit në kufirin jugor të qytetit. Funksioni i saj ushtarak duket qartë në organizimin e hapësirës së saj. Kjo shtresë e parë artificiale në këtë lokacion ende na shtyn të vrasim mendjen për rolin dhe trashëgiminë e monarkisë austro-hungareze në Sarajevë dhe tjetërkund. Modernizimi i të gjitha aspekteve të shoqërisë në atë periudhë historike të Bosnje e Hercegovinës është i pamohueshëm, por përkundër të kuptuarit eurocentrik të kolonializmit, që shpërfill ekzistencën e kolonive edhe në Evropë, ka tregues të qartë se pushtimi i Bosnje e Hercegovinës nga monarkia austro-hungareze mund të shihet si kolonializëm.[1] Një interpretim më i ndjeshëm dhe objektiv i kësaj periudhe do t’i kontribuonte të kuptuarit më të mirë të identitetit tonë kolektiv dhe të rendit politik dhe ekonomik global.
Shtresa tjetër domethënëse e Vracës daton nga L2B-ja, kur hapësira përballë kalasë u bë zona zyrtare e ekzekutimeve të kundërshtarëve të regjimit fashist në vitin 1941. E përzgjedhur për shkak të rëndësisë së saj gjeostrategjike brenda qytetit, kalaja shërbeu edhe si stacion i depotimit prej ku qeveria e Shtetit të Pavarur të Kroacisë (NDH) i dërgonte çifutët, romët dhe serbët drejt kampeve të përqendrimit, por edhe si vend për të marrë në pyetje dhe për t’i torturuar vendasit antifashistë. Vuajtjet dhe rezistenca e Vracës nga kjo periudhë janë shndërruar në bazë simbolike për shtresat e mëvonshme të lokacionit dhe në pjesë dominuese të identitetit të vet. Pas ngritjes së Jugosllavisë mbi themelet e rezistencës antifashiste, qeveria e periudhës socialiste nisi lëvizjen përkujtimore të mishëruar në monumente që lartësonin fitoren kundër fashizmit dhe në të njëjtën kohë, respektonin viktimat e tij. Në mesin e viteve 1960-të, Komiteti për Ndërtimin e Kompleksit Memorial të Vracës vendosi zyrtarisht që të niste ndërtimin e kompleksit memorial, por për shkak të mungesës së fondeve, ndërtimi u zvarrit për më shumë se një dekadë. Në vitin 1981, Parku Memorial i Vracës më në fund u hap dhe kalaja u shndërrua në muzeum me një ekspozitë për të nderuar viktimat e fashizmit. Hapësira e re memoriale në qytet ishte më shumë se një monument statik. Parku risolli funksionin origjinal të hapësirës publike për komunitetin lokal, ndërsa ekspozita e muzeumit shërbeu për të edukuar dhe rritur vetëdijësimin rreth ngjarjeve të luftës në vitet 1940-të, pas fillimit të pushtimit fashist. Organizimi i hapësirës së kompleksit mundësoi që në Parkun Memorial të mbaheshin orë mësimi. U ngritën një shumëllojshmëri e monumenteve për pjesëmarrës të shumtë në Luftën Popullore Çlirimtare për të treguar diversitetin dhe bashkimin e rezistencës antifashiste. Edhe pse kompleksi u dëmtua gjatë periudhave historike të mëvonshme, gjesti madhështor arkitekturor i parkut mespërmes pyllit si dhe harmonia e tij në raport me kalanë kanë mbetur si dëshmi e kulturës përkujtimore jugosllave.
Edhe njëherë, pozicioni gjeostrategjik i Vracës formësoi funksionin e trafikut në atë zonë. Pas një dekade të angazhimit shoqëror dhe kulturor, Kompleksi Memorial i Vracës u shndërrua në qendrën e rrethimit në qytet, në vendin prej nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republika Srpskas bombarduan dhe bllokuan qytetarët e Sarajevës nga 5 prilli 1992 deri më 29 shkurt 1996. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe përfundimit të rrethimit, pjesëtarët e Ushtrisë së Republika Srpskas sistematikisht e shkatërruan kompleksin, teksa tërhiqeshin nga pozicionet e tyre, duke e dëmtuar dhe duke vendosur mina kudo, pra, duka ia hequr funksionin edhe pas luftës. Për shkak të dëmit që iu bë të gjithë strukturës urbane të qytetit, si edhe për shkak të prioriteteve të pasluftës gjatë rindërtimit të infrastrukturës banesore dhe publike, Kompleksi Memorial i Vracës nuk u bë vend i sigurtë dhe nuk u pastrua nga minat deri në vitin 2001. Katër vite më pas, një dekadë e tërë pas marrëveshjes së Komitetit Kryesor të SUBNOR-it (Aleanca e Shoqatave të Veteranëve të Luftës Popullore Çlirimtare) për ta ruajtur kompleksin nga rrënimi i mëtejshëm, Kompleksi Memorial i Vracës mori statusin e monumentit kombëtar. Për fat të keq, rindërtimi i kësaj zone trajtohet në kundërshtim me praktikat e pranuara ndërkombëtarisht të profesionit për mbrojtjen e trashëgimisë arkitekturore. Elementët e rindërtuar të kalasë janë ndërtuar në mënyrë të tillë që imiton shtresat e mëparshme historike, duke i pamundësuar kështu vëzhguesve që të dallojnë pjesët origjinale nga ato të reja. Kjo gjë fshin një shtresë të tërë arkitekturore të shkatërrimit që i është shkaktuar memorialit nga koha e luftës. Përveç kësaj, elemente të vlefshme të projektimit të kompleksit janë vjedhur. Pjesa më e rëndësishme e tyre u zhduk pasi vendi u shpall monument kombëtar. Autoritetet reaguan ndaj këtij problemi duke e mbyllur kalanë për publikun, ndaj tani (me përjashtim të rasteve shumë të rralla kur aty zhvillohen ngjarje kulturore alternative) ai është krejtësisht i përjashtuar nga struktura urbane dhe jeta shoqërore e qytetit.
Mirëpo, kapitali simbolik i kompleksit është ende i pranishëm. Ai përdoret më shpesh nga politikanë të partive etno-kombëtare, që zgjedhin në mënyrë selektive të lexojnë vetëm ato shtresa që përkojnë me narrativat e tyre. Konteksti hapësinor i kompleksit pas Dejtonit, sipas të cilit kufiri i entitetit ndërmjet Federatës së Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Srpskas kalon direkt nëpër Parkun Memorial, e ndërlikon situatën edhe më tej. Mbi murin rrethues të parkut në anën që kryesisht i përket entitetit serb gjendet një pllakë përkujtimore që i kushtohet kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq. Kryetari i Komunës së Sarajevës Lindore (një qytet pranë Sarajevës, por që i përket Republika Srpskas), Ljubisha Qosiq, ka deklaruar se në një pjesë të Parkut Memorial të Vracas do të ngrihet një monument për serbët, me qëllimin për të përkujtuar serbët e vrarë gjatë luftës së viteve 90-të dhe gjatë L2B-së, pra duke i ndarë ata me vetëdije nga të gjitha viktimat e tjera. Ky lexim selektiv i identitetit të Vracas tregon manipulimin e kujtesës kolektive, në mënyrë të dukshme dhe zyrtare, në kuadër të procesit të memorializimit të pasluftës kudo nëpër Bosnje e Hercegovinë. Ky lexim nuk mbështetet mbi edukimin apo ofrimin e një hapësirë për shërbim, shtjellim dhe kujtesë, por është shtrembërim etno-nacionalist i historisë. Pra, pothuajse 98 përqind e monumenteve të pasluftës, të ngritura deri në vitin 2016, u janë kushtuar ekskluzivisht një etnie dhe/ose feje të vetme[2], duke i ndarë komunitetet viktimat e të cilëve kanë prejardhje të ndryshme, duke i grupuar ata në vdekje në bazë të emrave dhe mbiemrave të tyre. Përfaqësuesit e partive etno-kombëtare boshnjake ishin më të zëshmit me kritikat ndaj deklaratave të Qosiqit. Edhe pse ata vetë e patën mundësinë për vite tëra që ta përmirësonin gjendjen e kalasë dhe të Parkut Memorial Park në nivel lokal, federal dhe shtetëror, ata refuzuan ta bëjnë. Përmes aktiviteteve të tyre, ata priren t’i glorifikojnë kolaboracionistët fashistë boshnjakë, ndaj hezitimi i tyre për të marrë pjesë në ruajtjen e trashëgimisë antifashiste është i qartë.
Marrëdhënia aktuale ndaj Kompleksit Memorial të Vracës, apo mungesa e kësaj marrëdhënieje, është tregues i qartë i praktikës së krijuar të memorializimit zyrtar në Bosnje e Hercegovinë – një praktikë përçarëse, etno-nacionaliste, jopërfshirëse, statike dhe e pavërtetë. Nuk ka arsyetim për gjendjen aktuale dhe potencialin e pashfrytëzuar të këtij monumenti kombëtar, edhe në këtë ekonomi të tranzicionit dhe mungesë të fondeve, pasi e dimë se ndërmjet viteve 2014 dhe 2020, u shpenzuan më shumë se katër milionë marka për të ngritur monumente të reja nëpër Bosnje e Hercegovinë.[3] Lëvizja zyrtare për memorializim, një lëvizje që edhe pse duket se është e ndarë sipas tre kombeve përbërës, shërben vetëm për të fuqizuar ideologjinë dhe ndasitë etno-kombëtare, duke shpërfillur historinë dhe shërben për të formësuar kujtime të dorës së dytë për brezat më të rinj. Kjo lëvizje ka gjuhë vizuale specifike. Ajo përdor pothuajse ekskluzivisht simbole fetare dhe etno-kombëtare, shmang komunikimin brenda kontekstit hapësinor, shpreh dominim përmes madhësive dhe proporcioneve groteske, duke i mishëruar qëllimet e veta në mënyrë të përkryer dhe duke mos u përpjekur t’i fshehë ato.
Kritikat e hapura ndaj praktikave aktuale zyrtare përkujtimore, rehabilitimi i trashëgimisë së vlefshme të shembujve historikë të përkujtimit janë rruga drejt një kulture më egalitare, përfshirëse dhe autentike të kujtesës. Në fillim të këtij rrugëtimi qëndron Kompleksi Memorial i Vracës, që ofron mësime të vlefshme për ballafaqimin me të kaluarën, si dhe ka potencial të madh për ndërtimin e një kujtese kolektive pa ndasi.
Ena Kukiq (e lindur në vitin 1990) është arkitekte, asistente në universitet dhe studente e vitit të dytë në studimet e doktoraturës për Arkitekturën e Memorialeve pranë Institutit të Dizajnit dhe Tipologjisë në Grac. Ajo e ka përfunduar shkollimin formal në qytetin e saj të lindjes, në Sarajevë, si dhe në Barcelonë dhe Grac. Bashkë me partnerin e saj Dinko Jelleçeviq, në vitin 2018 ajo ka fituar Çmimin kombëtar Collegium Artisticum për të rinjtë më të mirë në profesion dhe në vitin 2019 çmimin për Idenë më të Mirë. Puna e tyre e paraqitur në konkurse të ndryshme ka marrë disa çmime ndërkombëtare dhe shtetërore. Në vitin 2018, tema e masterit të Enës për arkitekturën e memorialeve ka marrë Çmimin GAD dhe Austri dhe ajo u zgjodh si finaliste e Bienales Archiprix në vitin 2019. Puna e saj fokusohet tek ballafaqimi me fragmente hapësinore të kujtesës kolektive si në teori, ashtu edhe në praktikë.
[1]Ruthner, Clemens: Habsburg’s Only Colony? Bosnia-Herzegovina and Austriahungary, 1878-1918 (2018) https://www.researchgate.net/publication/330570323_Habsburg’s_Only_Colony_Bosnia-Herzegovina_and_Austriahungary_1878-1918
[2] Shoqata për Hulumtim dhe Komunikim Shoqëror: Dokumentat Qendrore të Monumenteve në BeH (2016)
[3] Brkanić, Džana /Grebo, Lamija: Bosnia Spends €2 Million on ‘Divisive’ War Memorials (03.01.2020.) https://detektor.ba/2020/01/03/bosnia-spends-e2-million-on-divisive-war-memorials/?lang=en